Opsionet e BE-së për Shqipërinë
Nga Augustin Palokaj, botuar në Iliria News Agency, 14.11.2012
Shqipëria vazhdon të jetë i vetmi shtet evropian, i cili ka aplikuar për anëtarësim në Bashkimin Evropian, por që ende nuk ka arritur ta marrë statusin e kandidatit. Kështu do të mbetet edhe në këtë vit jubilar të 100-vjetorit të Pavarësisë. Për këtë nuk kanë faj as Perandoria Osmane, as Enver Hoxha, por klasa politike, e cila që nga viti 1999 udhëhoqi vendin apo ishte në opozitë. Fajin pra e mbajnë të dy partitë njësoj. Pos që nuk e ka siguruar statusin e kandidatit, Shqipëria nga shumica e diplomatëve evropianë shihet edhe si një vend të cilin është vështirë për ta kuptuar, ndërsa sjelljet e politikanëve të saj e kanë të pamundur për t’i arsyetuar.
Edhe pse shpesh ka përpjekje që ngecjet e mëdha të Shqipërisë në rrugën e integrimeve në BE të arsyetohen me traumat që ka ky shtet nga diktatura e egër apo prapambetja që ia kanë lënë pushtuesit gjatë shekujve, kjo nuk hasur në mirëkuptim. Një numër i madh i vendeve anëtare të BE-së kanë qenë po ashtu të pushtuara nga Perandoria Osmane gjatë shekujve, ndërsa statusin e vendit kandidat e ka edhe vetë Turqia. Ka shtete në BE, të cilat kishin diktatura pothuajse aq sa edhe Shqipëria e Enver Hoxhës (Rumania e Nikolaj Qausheskut dhe Bullgaria e Todor Zhivkovit) dhe që sot janë edhe anëtare të Bashkimit Evropian. Ka vende të cilat ishin të shkatërruara nga lufta katërvjeçare e sot janë në prag të anëtarësimit në BE, siç është Kroacia. Ka edhe vend që nxiti luftërat në ish-Jugosllavi, u bombardua nga NATO-ja dhe sot është vend me status kandidati, siç është Serbia. Ka vend që është shtet i pavarur për vetëm 7 vjet dhe tashmë është duke negociuar anëtarësimin në BE, siç është Mali i Zi. Përderisa rasti i Kosovës dhe i Bosnjë-Hercegovinës (të vetmet vende që ia shohin shpinën Shqipërisë në rrugën drejt BE-së, arsyetohen me faktin se këto ende nuk janë shtete funksionale dhe nuk e kontrollojnë tërë territorin e tyre, për Shqipërinë nuk shohin asnjë arsyetim tjetër pos dështimit të klasës politike. E kur flitet për çfarë dështimi, atëherë më shumë përgjegjësi për ngecjen e shtetit gjithmonë u faturohet atyre që janë në pushtet, ndonëse nuk amnistohet as opozita.
Shqipëria në vitin 1999 ishte në një pozicion më të mirë sesa Kroacia në raportet me BE-në. Si u bë që tash Kroacia do të bëhet anëtare e BE-së më 1 korrik të vitit që vjen, ndërsa Shqipëria nuk do të jetë as në statusin e kandidatit.
Ajo që e bën arsyetimin e ngecjeve të Shqipërisë edhe më të vështirë është fakti se përmirësimit të kulturës politike në këtë shtet nuk po i ndihmojnë as politikanët e shkolluar në vendet perëndimore. Ata në veshje, vetura dhe stil sillen si evropianë, por jo edhe në politikë. Në vend që të sjellin në Shqipëri përvoja të mira demokratike, të cilat i kanë parë në shtetet ku kanë studiuar dhe jetuar, ata përqafojnë më me dëshirë stilin shqiptar, ballkanas, të shfrytëzimit të politikës për të bërë biznes dhe për t’u pasuruar.
Statusi i kandidatit nuk vjen në 100-vjetorin e Pavarësisë
Tash në 100-vjetorin e Pavarësisë së saj, Shqipëria kishte një rast që së paku të marrë statusin e kandidatit. Kishte një gatishmëri të jashtëzakonshme të Komisionit Evropian për t’i ndihmuar në këtë synim. Madje Komisioni rrezikoi të kritikohet nga shtetet serioze anëtare të BE-së se në rastin e Shqipërisë po i zvogëlon vetë kriteret e BE-së dhe megjithatë Komisioni deshi të ndihmonte. Por edhe ky rast humbi. Jo për shkak të dy apo tri ligjeve të cilat si kushte formale i ka përmendur Komisioni Evropian në Raportin e Progresit, por për shkak se klasës politike edhe procesi aq madhor dhe interesi aq i lartë kombëtar, siç është integrimi në BE, i intereson më shumë për përfitime të tyre sesa për avancim të shtetit.
Kështu Qeveria e tashme në Tiranë marrjen e statusit të kandidatit më shumë e sheh si nevojë për t’i ndihmuar asaj në fushatën zgjedhore sesa si një proces në të cilin shteti duhet të ecë pa marrë parasysh se kush është në pushtet në një moment të caktuar të historisë.
Këtë e kanë të qartë në BE prandaj, duke pasur parasysh edhe përvojën gjithmonë negative me zgjedhjet në Shqipëri, nuk duan që asaj t’ia japin statusin e kandidatit pa u dëshmuar se edhe ky shtet, sikur të gjitha shtetet e tjera evropiane (me përjashtim të Kosovës, Rusisë dhe Bjellorusisë) është në gjendje të zhvillojë një proces normal zgjedhor, pa manipulime dhe të pranuar nga të gjithë pjesëmarrësit e tij.
Është pikërisht përvoja e hidhur me zgjedhjet në Shqipëri, manipulimet në të cilat vështirë se mund të arsyetohen me diktaturën e Enver Hoxhës nga e kaluara, ajo që kanë shtetet si Holanda, Britania e Madhe, Gjermania dhe shumë të tjera, të mos mbështesin mundësinë e dhënies së statusit të kandidatit Shqipërisë para se ajo të dëshmojë përfundimisht se është e gatshme të respektojë minimumin e parimeve evropiane, siç është zhvillimi i një procesi normal zgjedhor.
Statusi lidhet me zgjedhjet
Tash BE-ja gjithsesi duhet të prononcohet rreth Shqipërisë dhe dhënies së statusit të kandidatit, kur në dhjetor do të diskutohet paketa e zgjerimit e përgatitur nga Komisioni Evropian. Duke pasur parasysh se nuk ka një propozim formal ende nga Komisioni Evropian për t’ia dhënë Shqipërisë statusin e kandidatit (me gjithë festën e kotë që u bë në Shqipëri duke keqpërdorur gjuhën diplomatike kushtëzuese të Komisionit Evropian për të manipuluar dhe krijuar iluzione se kinse u dha statusi i kandidatit) Këshilli Evropian nuk do të mund t’ia japë statusin e kandidatit Shqipërisë. Kjo tash nuk mund të ndodhë edhe po t’i përmbushë Shqipëria tri kushtet formale të përmendura në rekomandimin e kushtëzuar nga Raporti i Progresit në dhjetor nga Komisioni Evropian, sepse është tepër vonë. Kështu dhjetori i këtij viti është i humbur si rast.
Rasti tjetër mund të jetë pranvera e vitit që vjen dhe samiti i marsit. Por në BE e kanë të qartë se kryeministri Berisha do ta keqpërdorte një dhuratë të tillë nga BE-ja për fushatën zgjedhore. BE-ja deshi t’i ndihmonte ish-presidentit të Serbisë, Boris Tadiq, duke ia dhënë Serbisë statusin e kandidatit vetëm disa javë para zgjedhjeve. Por Tadiqi i humbi ato zgjedhje. BE-ja, sidomos partitë e qendrës së djathtë, deshën t’i ndihmonin edhe ish-kryeministres së Kroacisë, Jadranka Kosor, dhe partisë së saj, duke i përmbyllur negociatat maratonike gjashtëvjeçare disa muaj para zgjedhjeve, por edhe ajo dhe partia e saj i humben zgjedhjet. Ndaj Tadiqit dhe Kosor në BE ndienin një lloj borxhi për t’u ndihmuar, sepse bënë disa hapa të vështirë. Në rastin e Shqipërisë pakkush në BE sheh ndonjë nevojë të provojë t’i ndihmojë kryeministrit Berisha, prandaj duan të mos përzihen dhe të presin për të parë se si do të shkojnë zgjedhjet.
Së dyti, me dhënien e statusit të kandidatit para zgjedhjeve në BE i druajnë se në këtë mënyrë do të humbin një vegël të rëndësishme, një shop dhe një karotë në të njëjtën kohë, për të shpërblyer apo dënuar Shqipërinë. Komisioni Evropian ka menduar dhe këtë e ka shpresuar deri vonë edhe Qeveria e Shqipërisë, që para zgjedhjeve t’i jepet statusi i kandidatit, ndërsa zgjedhjet të bëhen si kusht për caktimin e datës së nisjes së negociatave. Por shumë shtete anëtare mendojnë se me këtë ide Komisioni e ka tepruar, prandaj Këshilli do të ulë pritjet dhe të japë sinjale pozitive që nëse zgjedhjet kalojnë si duhet, atëherë do të jepet statusi i kandidatit.
Në BE tash janë duke shqyrtuar disa opsione për Shqipërinë, por të gjitha çojnë në dhjetor të vitit 2013 për dhënien e statusit të kandidatit. Në konsultimet ndërmjet shteteve anëtare dhe me Komisionin Evropian po përmendet mundësia që Shqipërisë t’i jepet një lloj “statusi para statusit” apo një garanci që menjëherë sapo të konfirmohet se zgjedhjet ishin në rregull, asaj në samitin e parë pas zgjedhjeve t’i jepet statusi i kandidatit. Problemi tash qëndron në faktin se një porosi e tillë mund të jepet në mars, ndërsa samiti i parë pas zgjedhjeve të qershorit është ai i dhjetorit të vitit që vjen.
Sikur Shqipëria të kishte caktuar zhvillimin e zgjedhjeve dikur në muajin maj, atëherë eventualisht do të mund të arrihej statusi i kandidatit edhe në samitin e qershorit. Por një gjë e tillë tash është e pamundur sepse zgjedhjet do të mbahen nga fundi i qershorit, që është edhe një arsye në favor të shtyrjes së vendimit për statusin për muajin dhjetor të vitit 2013.
Atë që BE-ja dëshiron ta kuptojnë të gjithë në Shqipëri, si lideri i opozitës Edi Rama ashtu edhe kryeministri Sali Berisha, është se për të dyja palët është me rëndësi të fitohet statusi i kandidatit pas zgjedhjeve. “Nëse edhe njëri, edhe tjetri janë të bindur se do të fitojnë, atëherë kushdo që të fitojë do ta marrë që në fillim të mandatit statusin e kandidatit. Prandaj të punojnë sa më mirë në përgatitjen e zgjedhjeve dhe në mbarëvajtjen e tij, dhe statusi nuk do të mungojë pas zgjedhjeve”, ka thënë një diplomat i BE-së në bisedë me “Kohën Ditore”.
Edhe pse Shqipëria nuk duhet ta marrë si arsyetim për mospunën e saj në dinamikën e dhënies së statusit të kandidatit ndikojnë edhe zhvillimet brenda BE-së dhe përvoja e deritashme. Gjermania, Holanda, Franca dhe disa vende të tjera janë të mendimit se Komisioni nuk duhet të nxitojë me dhënien e kushteve e atëherë pas vetëm disa muajsh të shprehet se ato kinse janë plotësuar dhe të kërkojë hapa të menjëhershëm. Kjo sjellje e tillë e Komisionit ka ndikuar që shumë rekomandime të këtij organi ekzekutiv të BE-së të mos përfillen në Këshill. Disa vende të BE-së janë po ashtu të zhgënjyera edhe me mungesën e përmendjes së gatishmërisë së plotë të Qeverisë së Shqipërisë për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar si kushte edhe për dhënien e statusit të kandidatit. Ky kusht do ta ndjekë Shqipërinë gjatë gjithë rrugës drejt BE-së pa marrë parasysh se kur do ta marrë statusin e kandidatit. Në rast se Shqipëria, “Zoti mos e dhëntë”, edhe kësaj radhe dështon në procesin zgjedhor, atëherë pritja në dhomën para BE-së për status kandidati do të zgjatet për disa vjet. Ka shumë gjëra dhe hapa ku BE-ja mund të bëjë disa lëshime, mund të mbyllë njërin sy në ndonjë moment të caktuar, por nuk ka kompromise me procesin zgjedhor, sepse kjo është ajo që i bën legjitime apo jo institucionet e shtetit, i cili synon integrimin në BE. Pra porosia për Shqipërinë se me zgjedhje fitoni statusin, është një porosi e cila duhet të mirëpritet në Tiranë e jo të shërbejë si edhe një tjetër shkas për akuza dhe kundërakuza mes Qeverisë dhe opozitës. Në fund të fundit, statusi u jepet shteteve e jo partive politike apo qeverive.