Kriza e eurozonës, statusi dhe Shqipëria

Nga Prof. Dr. ANASTAS ANGJELI, botuar në gazetën Panorama, 14.10.2012

Fundviti i 2012-s po përjetohet nga të gjithë shqiptarët në mënyrë krejt të veçantë. Dy ngjarje të mëdha për Shqipërinë: 100-vjetori i Pavarësisë Kombëtare, pra i krijimit të shtetit tonë, dhe viti i mundësisë historike për përmbylljen e kushteve në hapin e sigurt në rrugëtimin drejt Europës. Një rrugë e gjatë, e vështirë dhe e mundimshme, me luftëra dhe shkatërrime, me fitore dhe humbje, me diktaturë dhe demokraci, me zhvillim dhe frenim, por, më në fund….

Marrja e statusit të vendit kandidat për në BE, edhe pse me kushte, mbërriti. Bërja e këtij hapi të madh, meritë dhe sukses i të gjithë shqiptarëve, do të jetë njëherësh dhe me shumë obligim jo vetëm për plotësimin e kushteve të mbetura, por për zhvillim të mëtejshëm demokratik, politik dhe ekonomik, institucional, ligjor, shoqëror etj., për të garantuar integrimin e plotë të vendit në BE.

KRIZA AKTUALE – KARAKTERISTIKAT KRYESORE

Të dyja këto ngjarje të mëdha përkojnë me zhvillime të mëdha të brendshme në vend, politike dhe ekonomike, si dhe me zhvillime të rëndësishme gjeopolitike në arenën globale, veçanërisht me zhvillimet që ka sjellë kriza globale në përgjithësi dhe ajo e eurozonës në veçanti, dhe ndikimin që ka ushtruar në vendin tonë. Askush nuk mund të mohojë (tashmë është pranuar nga të gjithë) faktin se kjo krizë është prezente në ekonominë dhe financat tona.

Është e natyrshme që debati për përmasat e ndikimit, pasojat, mënyrën e përballimit të kësaj krize të jetë prezent në mjedisin tonë politik, shtetëror-institucional, ekonomik dhe të biznesit, shoqëror, akademik dhe të ekspertizës etj. Mendoj se ky debat, dhe për më tepër arritja e nismave dhe aksioneve konkrete për zbatim për përballjen e pasojave të kësaj krize në veçanti, por dhe të situatës ekonomike e financiare ku ndodhet vendi në përgjithësi, bëhet më emergjente tashmë që Shqipëria ka marrë statusin e vendit kandidat për BE. Kjo sepse marrja e këtij statusi e fut vendin tonë në një mjedis ekonomik më të gjerë, me standarde dhe nivel zhvillimi më të lartë dhe, natyrisht, më të komplikuar ekonomik. Ky mjedis, pa dyshim që ofron jo vetëm shanse më të mëdha, por imponon dhe kërkesa më të larta, më të forta e rreziqe më të mëdha konkurruese. Janë këto një arsye më shumë e rritjes së nevojës:

Së pari, për njohjen e karakteristikave kryesore të kësaj krize. Karakteristikat e kësaj krize shprehen në acarimin e problemit të konkurrueshmërisë së ekonomive kombëtare, të deficiteve buxhetore dhe të borxheve, të cilat përfaqësojnë sot çështjen me problematike të krizës. Karakteristikat më kryesore janë:

 a- Zhvillimi i krizës në kushtet e një ekonomie kapitaliste të globalizuar me ndërlidhje dhe ndikime globale e të shpejta reciproke nga njëra anë në anën tjetër të globit, e cila nuk ka se si të mos transmetohet në ekonominë tonë.

 b- Në ashpërsimin e konkurrencës në të gjitha tregjet globale nga futja në to e fuqive të reja ekonomike të globit.

c- Kriza aktuale po zhvillohet në epokën e ekonomisë së financializuar, dhe jo në atë të ekonomisë industriale ose postindustriale. Sot pjesa e kapitaleve, e vendosur në sferën financiare e bankare dhe roli e madhësia e transaksioneve të zhvilluara në ketë sferë, ka marrë përmasa të papara dhe rëndësi të paimagjinueshme më parë për ecurinë ekonomike të globit.

 d- Karakteristika e tretë e krizës së tanishme ekonomiko-financiare është se ajo zhvillohet në fushën e një acarimi shumë të madh të konkurrencës në kushtet e ekzistencës të pabarazive shumë të mëdha të aftësive konkurruese të vendeve të ndryshme në fushat e ndryshme.

Së dyti: për njohjen, ekzaminimin, pranimin e formës dhe përmasave të ndikimit dhe pasojës që kjo krizë ka shkaktuar në ekonominë tonë (dhe pse më pak se në vendet e tjera deri tani) dhe të mënyrave (eksperiencave) të mundshme të përballimit të këtij ndikimi. Kjo arrihet përmes njohjes së disa faktorëve të veçantë që karakterizojnë ekonominë tonë, prej të cilëve më të rëndësishëm janë:

a- Stadi i zhvillimit dhe struktura e ekonomisë sonë. Ekonomia shqiptare është në një stad relativisht të ulët zhvillimi me një sistem bankar e financiar më pak të “stërholluar” (disa produkte e derivate financiare mungojnë), pra dhe më pak të ekspozuara ndaj luhatjeve negative të tregjeve të ndryshme globale.

b- Përmasat dhe struktura e ekonomisë sonë janë më pak të prekshme (në krahasim me vendet e tjera) nga luhatjet e ekonomisë botërore. Po të shihen shifrat e PBB të vendit tonë del se rreth 60% e këtij produkti përbëhet nga shërbime (në të cilat mbizotëron sektori shtetëror, arsimi, shëndetësia etj.), që janë më pak të prekshme nga luhatjet e ekonomisë botërore. Kurse rreth 19% e PBB përbëhet nga produktet e degës së bujqësisë, që në kushtet e sotme preken më pak nga krizat ekonomiko-financiare, sepse pakësimet e konsumit të ushqimeve renditen të fundit.

c- Sektori që ka njohur më shumë zhvillim në vitet e fundit në vendin tonë dhe që u godit nga ndikimi i krizës globale dhe asaj të eurozonës, është ai i ndërtimit që në vitet e fundit ka siguruar rreth 14% të PBB-së.

d- Përsa i përket prodhimit tonë industrial vitet e fundit ai ka siguruar rreth 8% të PBB-së dhe përbëhet në pjesën më të madhe nga prodhimi i energjisë (që varet vetëm nga kushtet natyrore për efekt të hidrocentraleve), nga prodhimi i disa mineraleve për eksport dhe nga prodhimet e veshmbathjeve (me material të porositësit-fason) që në një masë të madhe eksportohen). Pra, vështirësitë e eksportit të mineraleve ose ulja e çmimeve të tyre dhe vështirësitë e eksportit të produkteve të industrisë tekstile (që zënë rreth 48% të eksporteve) kanë ndikuar negativisht në ritmet tona të rritjes ekonomike, në punësimin, në uljen e fuqisë blerëse të konsumatorëve.

e- Çështja më delikate e ekonomisë sonë janë remitancat. Kriza në dy vendet fqinje (Itali dhe Greqi) ku punon pjesa më e madhe e emigranteve tanë, ka ndikuar dhe do të vazhdojë të ndikojë në të ardhurat e emigranteve dhe të dërgesave të tyre në Shqipëri.

f- Pasiguria e krizës ka ndikuar drejtpërsëdrejti në kufizimin e investimeve private në ekonominë vendase dhe të huaj, dhe ato të financuara nga buxheti i shtetit.

PROGRES-RAPORTI DHE EKONOMIA

Janë faktorët e mësipërm (ku më shumë e ku më pak) dhe politikat e brendshme të munguara të zhvillimit që japin një panoramë të qartë të situatës së një ekonomie të vendit tonë, tashmë të goditur nga kriza. Kjo dëshmohet jo vetëm nga fakti që rënia e ritmeve të rritjes ekonomike ka vazhduar me shpejtësi dhe siç po provohet edhe nga parashikimet dhe deklarimet e qeverisë dhe të institucioneve ndërkombëtare financiare (pavarësisht nga ndryshimet që kanë mes tyre), po shkon drejt “zeros”, por edhe nga ulja e kërkesës konsumatore dhe kufizimi apo tkurrja e kreditimit të ekonomisë, e cila (kjo e fundit) vetëm në këtë periudhë, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, (ritmi i rritjes së kredisë) ka rënë me 3.3 herë dhe nga fakti se kanë rënë investimet në sektorin privat krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar (me 4%), si dhe investimet me fondet e buxhetit të shtetit vazhdojnë të tkurren. Kjo duket edhe nga rritja e deficitit buxhetor, i cili në 6-mujorin e parë kishte konsumuar rreth 70% të deficitit të planifikuar.

Borxhi publik vijon të mbetet në vijën e kuqe (60% e GDP-së), në vijën e rrezikut (po t’i shtojmë dhe zinxhirin e borxhit mes kompanive me njëra-tjetrën, shtetit dhe kompanive, vendimet gjyqësore të paekzekutuara etj., përkeqësimi është shumë më i madh). Kjo shifër (edhe pse më e ulët se mesatarja e vendeve të eurozonës, është gati dy herë më e lartë se niveli i borxhit publik të shumicës së vendeve të tjera të Europës Lindore. Borxhi publik në përqindje ndaj PBB ka qenë në të njëjtën periudhë në Bullgari 16%, në Maqedoni 24,8%, Rumani 33,3%, Mal të Zi 38%, Serbi 39,5% etj.) është në kufijtë kritikë. Kjo sepse ky nivel i borxhit publik u krijua brenda pak vitesh, në një kohë që në vendet anëtare të BEsë borxhi publik u krijua të paktën gjatë shumë 10-vjeçarëve (për të mos thënë në disa raste gjatë shekujve). Pra borxhi ynë është rritur për një kohë të shkurtër me ritme shumë të larta. Vazhdimi në këtë rrugë do të ishte katastrofik për rritjen ekonomike dhe për plotësimin e nevojave shoqërore përmes buxhetit të shtetit. Kreditë e këqija (ato tashmë e kaluan nivelin prej 20%) pa dyshim vazhdojnë që të jenë një nga problemet kryesore të fillimit të një bllokimi të sistemit bankar për kreditimin e ekonomisë.

Progres-raporti i BE-së për marrjen (me kushte) të statusit të vendit kandidat, ka qenë i sintonizuar me të gjithë situatën për të cilën ne kemi diskutuar në këto dy vite. Ekzaminimin e zhvillimeve ekonomike në Shqipëri, ky raport e ka bërë duke e ballafaquar situatën aktuale në kushtet e krizës së eurozonës dhe zhvillimeve të brendshme me atë çka duhet të arrijë një vend kandidat në BE me kriteret e Kopenhagës (që në thelb përcakton kushtet për ekzistencën e një ekonomie tregu funksionale).

Ja çfarë konstaton progres-raporti: Objektivi kryesor i politikës ekonomike të qeverisë është ruajtja e stabilitetit makroekonomik, i cili përgjithësisht është mbajtur. Por, rritja e deficitit fiskal për vitin 2011 çoi në një rritje të mëtejshme të borxhit publik relativisht të lartë, duke përkeqësuar vulnerabilitetin makro-financiar të Shqipërisë. Progresi në reformat strukturore mbetet i pamjaftueshëm. Në veçanti programi i privatizimeve praktikisht ka ngecur (është bllokuar) dhe masat institucionale për të mbrojtur të drejtat e pronës dhe zbatimi i ligjit është i dobët… Rritja e konsumit privat u ngadalësua në 2.6%, e ndikuar nga kreditimi i dobët për familjet dhe një rënie të mëtejshme të dërgesave nga emigrantët. Kontributi i eksporteve neto në rritjen e PBB ishte i papërfillshëm. “Gjatë vitit 2011 fluksi i investimeve të huaja direkte ka rënë me 10%, duke reflektuar kushtet e situatës ekonomike globale… “Pavarësisht disa masave të miratuara nga autoritetet monetare, niveli i euroizimit në Shqipëri mbetet i lartë. Një nivel i tillë i lartë i euroizimit zvogëlon mundësinë për të manovruar politikën monetare dhe mund të jetë një burim i mundshëm paqëndrueshmërie në sistemin financiar. Niveli i lartë dhe në rritje i kredive me probleme në sistemin bankar është një çështje shqetësuese. “Borxhi publik është rritur nga 58.5% në vitin 2010, në 58,8% në vitin 2011, duke përfshirë edhe 3.7% të PBB në borxhin e garantuar qeveritar. Në gjysmën e parë të vitit 2012, borxhi publik ka vazhduar të rritet, duke arritur 59,4% të PBB-së. Në përgjithësi, borxhi qeveritar relativisht i lartë dhe në rritje mbetet një shkak për shqetësim. Reformat thelbësore strukturore mungojnë. “Nevojitet konsolidimi i mëtejshëm buxhetor për të përballuar këtë burim të vulnerabilitetit makro-financiar”. “Kushtet e tregut të punës u përmirësuan disi gjatë vitit 2011, por papunësia ka mbetur e lartë, 13.3%, pak më e ulët nga 13.7% i vitit 2010. Në përgjithësi, rezultatet e tregut të punës janë përmirësuar paksa. Megjithëse disi më e ulët, shkalla e papunësisë mbetet e lartë”. A nuk duhet të reflektojmë?

ÇFARE DUHET TE BEJME?

Tani që ekonomia jonë ka marrë statusin e vendit kandidat të BE (edhe pse me kushte), kuptohet lehtë se do të përballet në mënyrë më direkte dhe shumëdimensionale me ekonomitë e vendeve anëtare të BE-së. Kësisoj, ekonomia jonë duhet të përgatitet për shtimin e aftësisë konkurruese të saj si ndaj tregut rajonal, ashtu dhe atij europian e global. Ajo duhet të përgatitet për përballimin e dukurive negative që rrjedhin nga proceset ekonomikofinanciare të ekonomisë globale e në radhë të parë të sferës së transaksioneve monetare e financiare. Gjithashtu duhet të shtohet shkalla e njohjes ndaj rreziqeve që mund të lindin nga një përfshirje më direkte në ndarjen ndërkombëtare të punës e në pjesëmarrjen më direkte në bashkime ose në tregje me pjesëmarrës më të fuqishëm e me aftësi shumë më të larta konkurruese në fusha të ndryshme ekonomike.

Është nevojë urgjente rishikimi i modelit të rritjes ekonomike përmes riprioritarizimit të saj për të arritur në një STRUKTURË TË RE EKONOMIKE. Çfarë ekonomie do të zhvillojmë? Në cilat drejtime, sektorë, produkte do të orientohet zhvillimi i ardhshëm ekonomik i vendit (10-15 vitet që vijnë)? Ky sistemi i nxitjes së rritjes ekonomike ka qenë në qendër të vëmendjes së diskutimeve dhe kërkimeve. Gjithashtu, eksperienca e rritjes ekonomike në shumë vende ka dëshmuar se shteti mund të luajë rol të rëndësishëm në transformimin industrial në veçanti dhe ekonomik në përgjithësi, të një vendi. Studimet e institucioneve më prestigjioze në këtë drejtim po japin rekomandime jo vetëm teorike, por edhe praktike suksesi shumë të vlefshme. Ekonomi të ngjashme me ekonominë tonë dhe me gati të njëjtën periudhë tranzicioni po i drejtohen një Strukturimi të Ri të Ekonomisë për ta bërë atë me eficiente dhe më konkurruese.

Natyrisht që struktura ekonomike e një vendi nuk është statike, ajo do të varet nga përqindja e kapitalit të akumuluar dhe e progresit teknologjik. Prandaj është e domosdoshme të konsiderohen disa veprime:

Së pari, zbatimi i një programi të identifikimit të faktorëve dhe prioriteteve së rritjes ekonomike, që shoqërohet me gjenerim të punësimit dhe kushteve-kuadër të masave lehtësuese për të.

Së dyti, duhen konsideruar drejt të gjithë këta faktorë, por, në veçanti, ata që ndikojnë më shumë, të cilët janë një kompozim relativ i resurseve natyrore, punës, kapitalit human dhe kapacitetit fizik, që në faza të ndryshme të zhvillimit janë të ndryshme.

Së treti, sistemi i nxitjes së rritjes ekonomike (rritja ekonomike moderne) është një proces i vazhdimit të novacionit teknologjik, rritjes dhe diversifikimit industrial dhe përmirësimit të tipave të ndryshëm (infrastrukturë, rregullimet institucionale, kushtet për zhvillimin e një biznesi të suksesshëm).

Pikërisht ky rimodelim i rritjes ekonomike që duhet të ndërtojmë, e koncepton aspektin e rritjes duke integruar brenda saj diçka nga struktura e vjetër (ekzistuese) ekonomike (degë, sektorë, produkte), pra duke mos e anashkaluar atë çka kemi mundur të bëjmë deri sot dhe që rezulton efektive dhe e pranueshme në treg, nga njëra anë, duke analizuar procesin e zhvillimit dhe nxitjen e tij dhe, nga ana tjetër, rolin e shtetit në mbështetjen- lehtësimin (me politika ekonomike, fiskale, tarifore, reforma rregullatore) të ndryshimit strukturor në ekonominë e vendit (pra edhe në vendin tonë, që synon të kalojë nga një vend në zhvillim, në një vend të zhvilluar). Kjo mund të arrihet e të përdoret duke zhvilluar një metodologji të identifikimit të sektorëve (produkteve) ku vendi mund të ketë një avantazh krahasues latent dhe i jepet mbështetje për biznesin privat që të futen në këto industri, apo produkte bujqësoreprioritare. Pa dyshim që ky rimodelim, me synim arritjen e standardeve të vendit kandidat të BE, kërkon ndërtimin e disa politikave të reja fiskale, rritjen e shkallës së miradministrimit fiskal, ndjekjen e politikës së uljes së borxhit publik (ose së paku të ngrirjes së rritjes së mëtejshme të nivelit aktual të tij ndaj PBB-së), forcimin e kontrollit dhe të mbikëqyrjes mbi veprimtarinë e institucioneve bankare dhe jobankare, rregullimin më të mirë të normave të interesit, të kurseve të këmbimit dhe të masave të tjera për shtimin e fuqisë blerëse të popullsisë, si dhe një rishikim më të ri të politikës së investimeve publike për të siguruar një nivel më të lartë të efektivitetit të tyre ekonomik.

***

Modeli për një Strukturë të Re Ekonomike dhe vendosja e kontrollit (pse jo dhe kushtetues) mbi financat publike (borxhin), nuk është një çështje teorike. Për sektorë dhe produkte të veçanta, përcaktimi i avantazheve konkurruese (dhe zëvendësuese për tregjet rajonale dhe europiane) me shtete të tjera dhe të ngjashme, tani është i mundur. I mundur është edhe menaxhimi i mirëkontrolluar i financave publike (borxhit dhe deficitit). Ne duhet ta bëjmë ketë.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi