Konsultimi elektronik nuk mjafton
nga Marsela Dauti, botuar në gazetën Shqip, 12.11.2012
Para disa ditësh u prezantua në “Top Channel” iniciativa e PNUD-it, e-pjesëmarrje. Kronika “Bashkitë, Kontrolli Online” paraqiti një sërë hapash të ndërmarra në tri bashki që synojnë rritjen e pjesëmarrjes së qytetarëve në qeverisje përmes internetit. Bashkitë prezantojnë planet e zhvillimit lokal në faqet zyrtare të internetit, ftojnë qytetarët të japin mendimet e tyre, si dhe grumbullojnë informacion rreth cilësisë së shërbimeve publike përmes pyetësorëve. Konsultimi elektronik pritet të sjellë një sërë efektesh pozitive ndër të cilat rritjen e besimit të banorëve te drejtuesit vendorë dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimeve publike. Por a mund të sjellë konsultimi elektronik një përmirësim të qeverisjes në Shqipëri? Ja disa nga problemet që më shtyjnë të jem skeptike: Problemi i parë ka lidhje me aksesin në internet dhe përfshirjen në vendimmarrje. Duke iu referuar statistikave më të fundit, vetëm 48% e popullsisë në Shqipëri ka akses në internet (Internet World Stats, 2012). Pra, edhe nëse konsultimi elektronik zgjerohet në të gjitha njësitë vendore (një tjetër problem ky), më pak se gjysma e popullsisë do të ketë mundësinë për t’u përfshirë në vendimmarrje. Çfarë do të ndodhë me gjysmën tjetër?
Njëkohësisht, aksesi në internet përcaktohet nga një sërë faktorësh, si për shembull mosha, arsimi dhe të ardhurat. Janë të rinjtë, të mirarsimuarit, dhe ata që kanë burime financiare të mjaftueshme të cilët kanë më shumë gjasa të kenë akses në internet. Si rezultat, vendimmarrja do të reflektojë prioritetet e tyre dhe jo të grupeve të tjera, si për shembull të moshuarit dhe të varfrit. Pra, në vend që konsultimi elektronik të çojë në përfshirjen e grupeve në nevojë në vendimmarrje, do të çojë në përjashtimin e tyre. Ky problem nuk është i pazgjidhshëm. Njësitë vendore duhet të mendojnë për mënyra alternative të shpërndarjes së informacionit, si p.sh. organizimin e takimeve me banorët apo shpërndarjen e informacionit përmes buletineve.
Problemi i dytë është më kompleks. A do të çojë iniciativa e-pjesëmarrje në rritjen e transparencës së drejtuesve vendorë apo do të përdoret si një fasadë për të maskuar axhendat personale? Një sërë pyetjesh lindin: Çfarë informacioni vendosin të postojnë drejtuesit vendorë në faqen e internetit? A prezantojnë ata arritjet apo problemet? A çon plotësimi i pyetësorëve rreth cilësisë së shërbimeve publike në përmirësimin e qeverisjes?
Çfarë bëhet me rezultatet e pyetësorëve? Çfarë njohurish paraprake duhet të kenë banorët për të analizuar informacionin e prezantuar nga bashkia? Nuk duhet të pretendohet se format elektronike të komunikimit do të çojnë automatikisht në rritjen e transparencës.
Një sërë masash duhet të ndërmerren në mënyrë që drejtuesit vendorë të vihen para përgjegjësisë. Për shembull, drejtuesve të njësive vendore mund t’u kërkohet specifikisht lloji i informacionit që duhet të publikojnë dhe të bëhen monitorime të vazhdueshme.
Njëkohësisht, komunikimi elektronik nuk duhet të kufizohet në plotësimin e pyetësorëve. Banorët duhet të marrin informacion rreth aspekteve kyçe, si për shembull si përdoren taksat e tyre dhe si reflektohen prioritetet e tyre në vendimmarrje.
Problemi i tretë është i lidhur me përdorimin e informacionit elektronik. A mund të përdoret ky informacion për t’i vendosur drejtuesit vendorë para përgjegjësisë? Nëse banorët janë të pakënaqur me informacionin apo identifikojnë probleme, çfarë mund të bëjnë ata? Nëse marrin guximin dhe ankohen në bashki apo komunë, a do t’u përplaset dera në fytyrë? A do t’u rrezikohet vendi i punës? A do të dëgjohen mendimet e tyre?
Problemi i katërt ka të bëjë me masën në të cilën iniciativa e-pjesëmarrje mund të forcojë besimin e banorëve te drejtuesit vendorë. Një nga konkluzionet e punës sime në terren është se banorët kërkojnë të kontaktojnë fizikisht me zyrtarët – ta shohin kryetarin e bashkisë në sy, t’i shtrëngojnë dorën dhe t’i kërkojnë llogari. Kjo ka shumë arsye, ndër të cilat është edhe mungesa e besimit. Iniciativa e-qeverisje nuk duhet të zëvendësojë format tradicionale të komunikimit, pasi ajo rrezikon të rrisë distancën e banorëve me përfaqësuesit e tyre. Këtu sjell ndër mend atë çka më tha një banor teksa po e intervistoja, “Moj motër, a do ulen ndonjëherë këmbëkryq e të bisedojnë me ne këta përfaqësuesit tanë?” Shqiptarët nuk kanë nevojë për rritjen e distancës me përfaqësuesit e tyre. Në fakt, ata kanë nevojë për krejt të kundërtën: komunikimin ballë për ballë. Masa në të cilën përdorimi i teknologjisë mund të çojë në forcimin e besimit të popullsisë në qeverisjen vendore vihet në pikëpyetje kur konfliktet partiake, korrupsioni, dhe mungesa e stabilitetit janë probleme të ditës.
Ky diskutim nuk sugjeron se konsultimi elektronik është një strategji e gabuar. Çfarë ai sugjeron është se zbatimi i kësaj iniciative duhet të mbështetet në një njohje të mirë të realitetit shqiptar dhe të zbatohet në kombinim me strategji të tjera komunikimi. Përndryshe, do të rrisë mosbesimin në qeverisjen vendore.