Individi përballë GjK për gjykimet me objekt shkeljen e të drejtave të tyre kushtetuese

Botuar http://helpcoe.org/

Gjykata kushtetuese e Republikës së Shqipërisë (GJK), kohët e fundit ka pranuar një sërë kërkesash të individëve me objekt cënimin e së drejtës kushtetuese për një proces të rregullt ligjor penal.

Me vendimin nr. 40 datë 18.07.2012 GJK ka konstatuar cënim të së drejtës për një proces të rregullt ligjor në aspektin e të drejtës së aksesit në gjykatë dhe të drejtës së ankimit, gjatë gjykimit të ankimit ndaj masës së sigurimit të kërkuesit. Në cështjen konkrete, gjykatat më të ulta nuk kishin pranuar ankimin/rekursin kundër vendimit të ndërmjetëm për vendosjen e masës së sigurimit “arrest në burg”, me arsyetimin se ishte paraqitur jashtë afatit ligjor. Në jurisprudencën e saj, GJK është shprehur se: “kushtet, kriteret dhe procedurat për caktimin, zbatimin, rivlerësimin, zëvendësimin dhe kontrollin gjyqësor mbi masat e sigurimit, veçanërisht atyre të arrestit, janë drejtpërdrejt të lidhura me respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, konkretisht me lirinë e personit dhe se këto procedura duhet të kenë karakter gjyqësor dhe të sigurojnë garancitë e duhura sipas llojit të privimit të lirisë (shih vendimin nr. 28, datë 23.06.2011 të Gjykatës Kushtetuese).

Në vendimin nr. 16 datë 27.03.2012, Gjykata ka arritur në konkluzionin se ka pasur shkelje të procesit të rregullt ligjor në aspektin e mosarsyetimit të vendimit gjyqësor. GJK ka vlerësuar se vendimi i kundërshtuar nuk është logjik, nuk pasqyron mënyrën mbi bazën e të cilës janë analizuar dhe vlerësuar provat që kundërshtojnë njëra-tjetrën dhe se argumentet e Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda, të përdorura në pjesën arsyetuese, nuk plotësojnë kriteret e arsyetimit për të mbështetur dhe pranuar pjesën urdhëruese të vendimit të kësaj gjykate. Për më tepër, arsyetimi me analogji, lidhur me një çështje tjetër penale, cënon parimin se përgjegjësia penale është individuale”. Gjithashtu, GJK ka konstatuar shkelje të së drejtës për të pasur akses në gjykatë, si pasojë e moszbardhjes së vendimeve brenda afateve ligjore proceduriale të parashikuara nga Kodi i procedures Penale (problem që haset shpesh edhe në të shumtën e proceseve civile). GJK konstaton se: “e drejta e ankimit, ashtu si edhe ajo e aksesit në gjykatë, nuk mund t’i cënohen kërkuesit për shkaqe që rrjedhin nga mangësitë ose gabimet në veprimtarinë e vetë organeve shtetërore”. Për sa më sipër, në kushtet e konstatimit të cënimit të së drejtës për një proces të rregullt ligjor në aspektet e mësipërme të nenit 6 të KEDNJ, GJK vendosi shfuqizimin, si të papajtueshëm me Kushtetutën, të vendimeve të gjykatave më të ulta, si dhe kthimin e çështjes për shqyrtim në Gjykatën e Apelit për Krime të Rënda

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi