Hillari Klinton në Tiranë: Punoni për zgjedhjet, luftoni korrupsionin, bashkëpunoni për të mirën e vëndit tuaj
1.11.2012
Sot më 1 nëndor 2012 bëri një vizitë në Tiranë Sekretarja e Shtetit Amerikan Hillari Klinton. Takimin e parë ajo e pati me Presidentin e Republikës Nishani, i cili e ka dekoruar sekretaren amerikane te Shtetit me Urdhrin e Flamurit, titulli më i lartë shqiptar, që u është akorduar edhe dy ish Presidentëve Amerikanë Bill Klinton dhe George Ë. Bush. Pastaj sekretarja Amerikane e Shtetit është pritur në takim nga kryeministri, Sali Berisha. Në fjalën e saj, Klinton është shprehur e kënaqur që ndodhet në Tiranë në ditën e parë të muajit të festimeve për 100 -vjetorin e shtetit shqiptar. “SHBA janë krenare që janë partnerët dhe miqtë e vendit tuaj në rrugën e konsolidimit të demokracisë dhe hapjes së ekonomisë. Ne ju urojmë për 100 vitet e para dhe konfirmojmë edhe bashkëpunimin e ngushtë për 100 vitet e tjera”, ka thënë ajo.
Mbas takimit me kryeministrin, Klinton mban një fjalim historik në Kuvend, ku midis të tjerash ajo tha: “Si mikeshë dhe admiruese e Shqipërisë, unë shpresoj se do të ketë disa objektiva që do të arrini: Punoni që zgjedhjet e ardhshme të jenë të hapura dhe të balancuara, që populli shqiptar të ketë besim tek ju si udhëheqës. Konsolidimi i demokracisë kërkon jo vetëm zgjedhje, por edhe institucione të forta dhe degë juridike të paanshme. Ju bëj thirrje që të punoni për një problem që shumë demokraci kanë sot, korrupsioni. Është një kancer që konsumon shoqërinë, mbron udhëheqësit që nuk kanë vlera morale dhe ndëshkon popujt që mundohen të përmirësojnë jetën e tyre. Eliminimi i korrupsionit kërkon bashkëpunim pavarësisht bindjeve partiake. Të gjithë duhet të punojnë së bashku për të luftuar këtë kërcënim. Pika e fundit që doja të përmendja është se udhëheqësit shqiptarë duhet të krijojnë një kulturë bashkëpunimi. Ky është një synim që disa vende nuk e arrijnë dot, por unë besoj se shqiptarët mund t’ia arrijnë më së miri.” theksoi Klinton.
Zonja H. Klinton u takua dhe me kryetarin e PS Edi Rama, i cili duke vlerësuar takimin u shpreh “se ishte padyshim një ditë shumë e shënuar edhe për mua si kryetar i opozitës për privilegjin që pata, për të ndarë me Sekretaren e Shtetit, vizionin, idetë dhe besimin në të ardhmen europiane të Shqipërisë”.