Ndryshimet kushtetuese dhe dispozitat e munguara kalimtare

Nga Njazi Jaho, konstitucionalist, botuar në Gazeta Shqip, 22.07.2008

Me ligjin Nr. 9904, datë 21.4.2008, Kuvendi miratoi disa ndryshime në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.

Veç vërejtjeve të rëndësishme dhe parimore që janë bërë për disa nga dispozitat e këtyre ndryshimeve, tërheq vëmendjen edhe një moment tjetër, që deri më sot nuk di të jetë bërë objekt diskutimi.

Është çështja e mungesës së dispozitave kalimtare, të nevojshme këto, sidomos lidhur me caktimin e mandatit të Prokurorit të Përgjithshëm dhe shfuqizimin e Pjesës së Dymbëdhjetë “Komisioni Qendror i Zgjedhjeve”.

Para se të ndalem në çështjet e mësipërme, e shikoj të nevojshme të evidentoj faktin se në raste të veçanta, parashikimi i dispozitave kalimtare (tranzitore) në Kushtetutë apo në ligje parandalojnë jo vetëm mundësinë e interpretimeve subjektive ose arbitrare, por i japin zgjidhje të drejtë edhe problemeve të ndryshme, siç janë p.sh., fillimi, mbarimi apo vazhdimi i mandateve të të zgjedhurve apo të emëruarve, të organeve të qeverisjes vendore, të marrëveshjeve ndërkombëtare, të afateve për nxjerrjen e ligjeve për çështje të caktuara, të hyrjes në fuqi të ligjit etj.

Në këtë drejtim, do të mjaftonte t’i referoheshim Pjesës së Tetëmbëdhjetë të Kushtetutës: “Dispozitat kalimtare”, që përmban pesë dispozita të tilla, nenit 3 i ligjit Nr. 9675, datë 13.1.2007 “Për disa ndryshime në ligjin Nr. 8417, datë 21.10.1998 Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë” ku thuhet se:

1. Mandati katërvjeçar i përcaktuar në nenin 1 të këtij ligji, zbatohet për herë të parë për këshillat dhe kryetarët e bashkive e të komunave që zgjidhen në zgjedhjet e para pas hyrjes në fuqi të këtij ligji.

2. Njëri nga mandatet e dy anëtarëve të KQZ-së të zgjedhur në bazë të nenit 2 të këtij ligji, mbaron në 31 Mars 2013. Kuvendi përcakton me short se cili nga mandatet përfundon në 31 Mars 2010. Miratimi i kësaj dispozite kalimtare ishte e nevojshme, sepse sipas ligjit të mësipërm u ndryshua pika 1 e nenit 109 të Kushtetutës, që organet përfaqësuese të njësive bazë të qeverisjes vendore të zgjidheshin çdo katër vjet.

3. Veç kësaj, u bënë ndryshime edhe në nenin 154 të Kushtetutës. Si rrjedhim, KQZ-ja do të përbëhej nga 9 anëtarë që do të zgjidheshin për një mandat 7-vjeçar: 4 anëtarë nga Kuvendi, 2 nga Presidenti i Republikës dhe 3 anëtarë nga KLD-ja. U shfuqizua edhe pika 2 e këtij neni, togfjalëshi “çdo tre vjet”.

Fill pas kësaj, në ndryshimet që iu bënë Kodit Zgjedhor po në datë 13.1.2007, në nenin 181/3, u miratua dispozita kalimtare për afatet e përgatitjes së listave të zgjedhësve për zgjedhjet e para pas hyrjes në fuqi të këtij ligji.

E pashë të nevojshme t’i referohesha kësaj praktike, për të bërë më të qartë dhe më bindëse se edhe lidhur me ndryshimet që iu bënë Kushtetutës në 21 Prill 2008, sipas mendimit tim, do të duhej të parashikoheshin dispozita kalimtare.
Konkretisht:
1. U ndryshua pika 1 e nenit 149 të Kushtetutës. Prokurori i Përgjithshëm emërohet nga Presidenti i Republikës “për një mandat pesëvjeçar me të drejtë rizgjedhjeje”. Para këtij ndryshimi, siç dihet, Prokurori i Përgjithshëm nuk kishte asnjë mandat për kohëzgjatjen e tij në këtë detyrë.

Para disa muajve se të bëhej ndryshimi i nenit 149 të Kushtetutës, menjëherë pas shkarkimit të ish-prokurorit të përgjithshëm, u emërua Prokurorja e re, zonja Rama. Ajo, ose ndonjë person tjetër mund të ishte emëruar në këtë detyrë edhe më parë (në rast se ish-prokurori i përgjithshëm do të kishte dhënë p.sh. dorëheqjen). E rëndësishme në këtë rast nuk është faktori kohë, por fakti se emërimi ishte bërë në një kohë kur në Kushtetutë për Prokurorin e Përgjithshëm nuk parashikohej ndonjë mandat. Pikërisht, për këtë arsye dilte nevoja e dispozitës kalimtare, që më vonë të mos bëhej pyetja: “Kur i fillonte mandati Prokurorit të Përgjithshëm të emëruar para datës 21 Prill 2008?!” I qartë mendoj se do të ishte problemi nëse Prokurori i Përgjithshëm do të zgjidhej mbas caktimit 5-vjeçar të mandatit. Meqë si Prokuror i Përgjithshëm, edhe anëtari i Gjykatës së Lartë emërohet nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë me pëlqimin e Kuvendit në ligjin “Mbi organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë”, mund të përmendej se mandati i tij fillonte me hyrjen në fuqi të dekretit të Presidentit të Republikës.

2. U shfuqizua Pjesa e Dymbëdhjetë e Kushtetutës “Komisioni Qendror i Zgjedhjeve”, por nuk u parashikua ndonjë dispozitë kalimtare ku të thuhej se KQZ-ja do të vazhdonte funksionimin e tij në të njëjtën përbërje dhe do të zbatonte të njëjtat kompetenca deri në miratimin e Kodit të ri (ose të ndryshimeve në Kodin Zgjedhor në fuqi). KQZ-ja, siç dihet, u krijua, funksionoi dhe ushtroi kompetencat përkatëse si “një organ i përhershëm që përgatit, mbikëqyr, drejton dhe verifikon të gjitha aspektet që kanë të bëjnë me zgjedhjet dhe me referendumet dhe shpall rezultatet e tyre”, se KQZ-ja zgjidhet për një mandat 7-vjeçar dhe anëtarët e tij gëzojnë imunitetin e anëtarit të Gjykatës së Lartë etj. Vlen të përmendet se edhe zgjedhja e anëtarëve të KQZ-së bëhej në bazë të nenit 154 të Kushtetutës së ndryshuar: 4 anëtarë zgjidheshin nga Kuvendi, 2 nga Presidenti i Republikës dhe 3 anëtarë të tjerë nga KLD-ja. Si do të veprohej nëse, të themi, mbas shfuqizimit të neneve 153 dhe 154 të Kushtetutës, 1, 2 apo 3 anëtarë të tjerë të KQZ-së do të jepnin dorëheqjen? Në mbështetje të cilës dispozitë do të bëhej zëvendësimi i tyre, kur burimi mbështetës (referues) ishte shfuqizuar, kur dihet se në nenin 21 të Kodit Zgjedhor “Parime të Përgjithshme për zgjedhjen e anëtarëve të KQZ-së” thuhet se: “Anëtarët e KQZ-së zgjidhen sipas nenit 154 të Kushtetutës”?!

Nuk do të pajtohesha me mendimin e shprehur nga ndonjë jurist, se mosparashikimi i dispozitës kalimtare në rastin konkret, nuk sjell ndonjë pasojë të dëmshme, me arsyetimin se Prokurori i Përgjithshëm u emërua para ndryshimeve kushtetuese (Për mua pikërisht për këtë arsye nevojitej dispozita kalimtare), se KQZ-ja nuk do të kishte ndonjë pengesë në veprimtarinë e saj, derisa përmirësimet në Kodin Zgjedhor, siç është thënë, do të bëheshin brenda muajit Korrik 2008 (Për mua meqë u shfuqizuan nenet 153 dhe 154 të Kushtetutës, parashikimi i dispozitës kalimtare do t’i jepte legjitimitet veprimtarisë në vazhdimësi të KQZ-së deri në momentin e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor). Nuk do të pajtohesha, gjithashtu, edhe me mendimin tjetër, se çështje të tilla “nënkuptohen” edhe pa qenë nevoja e miratimit të dispozitave kalimtare. Për mendimin tim, pikërisht këto lloj “nënkuptimesh” janë të ngarkuara me elemente të subjektivizimit dhe të keqinterpretimeve, që në raste të veçanta mund të shoqërohen me pasoja të dëmshme. Në këtë vështrim, kemi parasysh faktin se edhe mbas shfuqizimit të neneve 153 dhe 154 të Kushtetutës ishte e nevojshme ekzistenca dhe funksionimi i KQZ-së.

Në këtë aspekt do të mjaftonte të përmendim rastet e mëposhtme:
a) Më 27 Korrik 2008 do të zgjidhet kryetari i Komunës së Kasharit. KQZ-ja duhet të përgatisë, të mbikëqyrë dhe të kontrollojë këtë proces, duke shpallur edhe rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve.

b) Para pak kohe, një grup nismëtarësh iu drejtuan KQZ-së me kërkesën për pajisjen e tij me fletëtip për mbledhjen e nënshkrimeve të 50000 zgjedhësve. KQZ-ja u vu në lëvizje, pavarësisht nëse vendimi që ai mori ishte i drejtë dhe i bazuar ose jo. Në Kodin Zgjedhor ka një kapitull të tërë për referendumet me 15 nene. Ishte neni 153 i Kushtetutës, që legjitimonte dhe përcaktonte detyrat e KQZ-së lidhur me zhvillimin e referendumeve dhe rezultatet e tyre.

Një miku im më sugjeroi se nuk ia vlente të prononcohesha për një çështje të tillë, derisa ndryshimet e fundit kushtetuese u bënë me nxitim dhe pa iu nënshtruar debatit të nevojshëm. Edhe pse pjesërisht ai kishte të drejtë, mendova që problemin e dispozitave kalimtare ta trajtoja në këtë shkrim, sepse mund të paraqiste një farë interesi në aspektin teoriko-praktik.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi