Ndarja vertikale e pushteteve: ushtrimi i balancës dhe kontrollit
Marrë nga libri: Shteti i së Drejtës në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, me autorë Xhezair Zaganjori, Aurela Anastasi, Eralda Çani
Neni 13 i Kushtetutës parashikon që në vendin tonë qeverisja vendore rregullohet në bazë të parimit të decentralizimit të pushtetit dhe ushtrohet sipas parimit të autonomisë vendore.489 Duhet theksuar gjithsesi që kjo ndarje pushteti vendor nga ai qendror nuk prek karakterin unitar të shtetit.490 Në Vendimin e saj Nr. 29/2006491 GjK duke bërë interpretimin përfundimtar të N. 13 të Kushtetutës theksoi se:
“Thelbi i nenit 13 të Kushtetutës të Republikës së Shqipërisë janë parimi i decentralizmit te pushtetit dhe i autonomisë vendore. Në të vërtetë, ai që decentralizohet është ushtrimi i pushtetit në formë ndarjeje të kompetencave ndërmjet pushtetit qendror dhe qeverisjes vendore. Sistemi ynë normativ nuk është i decentralizuar, por hierarkik sipas strukturës së parashikuar në nenin 116 të Kushtetutës. Në një sistem të tillë normativ bëhet pikërisht detajimi kushtetues i ndarjes së kompetencave në nivelin vendor. Normat juridike vendore nuk mund të kenë natyrë primare, për arsye se qeverisja vendore në Republikën e Shqipërisë konturohet në sistemin e një shteti unitar. Për shkak të unitarizmit te shtetit shqiptar, sistemi ynë nuk bazohet në parimin e devolucionit, që nënkupton dhënie kompetencash nga pushteti qendror njësive vendore”. Decentralizimi, apo kjo ndarje vertikale e pushteteve, në përgjithësi kuptohet si transferim i pushteteve dhe përgjegjësive nga qeverisja qendrore në nivele më të afërta me qytetarët. Decentralizimi tregon ngushtimin e pushteteve të qeverisjes qendrore, e cila bëhet kështu më ‘e dobët’, por në të njëjtën kohë synon efikasitet qeverisjeje492si dhe mundësi për anëtarët e komunitetit të marrin pjesë në procesin vendimmarrës duke bërë që demokracia në vend të jetë më e shëndoshë sepse rritet besimi i qytetarëve se ndikojnë në vendimmarrjen.493 Po në Vendimin e saj Nr. 29/2006,494 GjK arsyetoi se:
“Decentralizmi është një proces, ku autoriteti dhe përgjegjësia për funksione të caktuara transferohet nga pushteti qendror në njësitë e qeverisjes vendore. Në themel të decentralizmit qëndron parimi i subsidiaritetit, sipas të cilit “ushtrimi i përgjegjësive publike duhet, në mënyrë të përgjithshme, t’i takojë më tepër autoriteteve më të afërta të qytetarëve.”Decentralizmi ka përmasat e veta, politike, administrative dhe financiare, të cilat ndërveprojnë midis tyre dhe përfaqësojnë në thelb tre komponentët e pushtetit. Decentralizmi është politik dhe përfshin transferimin e autoritetit politik në nivelin vendor nëpërmjet një sistemi përfaqësimi të bazuar në zgjedhjet politike vendore. Nëpërmjet decentralizmit administrativ transferohet përgjegjësia për çështjet e administrimit të disa funksioneve publike qendrore te njësitë vendore, ndërsa decentralizmi financiar i referohet zhvendosjes së pushtetit financiar pranë nivelit vendor, me qëllim pajisjen e tij me autoritet më të madh në administrimin e të ardhurave dhe shpenzimeve.
Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë ka përshtatur atë koncept decentralizmi që i referohet ristrukturimit ose riorganizimit të pushtetit dhe që bën të mundur krijimin dhe funksionimin sipas parimit të subsidiaritetit të një sistemi bashkëpërgjegjësie të institucioneve të qeverisjes në nivel qendror dhe vendor. Ky koncept i përgjigjet më mirë nevojës për një autonomi substanciale të qeverisjes vendore, aftësisë së kësaj të fundit për të lehtësuar pushtetin qendror si edhe dobisë për zgjidhjen e problemeve vendore.Autonomia është një regjim i tillë juridik, në të cilin organet e njësive veprojnë në pavarësi për zgjidhjen e atyre çështjeve që Kushtetuta dhe ligjet ua kanë lënë atyre në kompetencë. Aspektin e vet më të dukshëm, autonomia e pushtetit vendor e shpreh në ndarjen e kompetencave, e cila ka të bëjë me iniciativën që kanë ose duhet të kenë, në bazë të Kushtetutës dhe të ligjit, organet e qeverisjes vendore për të vendosur vetë për problemet që hyjnë në juridiksionin e tyre”.
Pra, ajo që ndodh është ngushtim i sferës së veprimit të organeve të tilla si Këshilli i Ministrave apo ministrive e organeve të tjera të pushteti qendror, të cilët heqin dorë nga disa kompetenca të tyre. Nga ana tjetër pushteti duke u decentralizuar tenton të jetë më afër interesave të qytetarëve. Edhe pse ka një ndarje të tillë kompetencash, të cilat përcaktohen me ligj nga Kuvendi i RSh, parimi i kontrollit e balancës, si dhe unitarizmi i shtetit shqiptar, kërkon përshtatjen e disa mekanizmave me anë të të cilëve të realizohet balanca edhe mes organeve të qeverisjes qendrore e atyre vendore. Kështu, sipas Kushtetutës, Këshilli i Ministrave është organi që përcakton politikat e vendit495, si dhe mund të shpërndajë të zgjedhurit drejpërdrejtë të qeverisjes vendore. 496
Bibliografia
489) Neni 13 lexon: “Qeverisja vendore në Republikën e Shqipërisë ngrihet në bazë të parimit të de- centralizimit të pushtetit dhe ushtrohet sipas parimit të autonomisë vendore.” Ndërkohë, Kushtetuta në shumë nene të vetat parashikon rregullime të posaçme për qeverisjen vendore në themel të të cilave është decentralizimi, pra njëfarë autonomie nga pushteti qendror. Në themel të decentralizimit qëndron ideja se shërbimet bazë mund të ofrohen më mirë nga një nivel qeverisjeje që është më pranë zgjedhësve dhe komunitetit përkatës.
490) Neni 1 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë parashikon që “Republika e Shqipërisë është shtet unitar.”
491) Vendimi i GjK nr. 29, datë 21.12.2006, Shih në http://www.gjk.gov.al/
492) Qeverisja vendore mendohet që të ofrojë shërbime bazë me më shumë eficencë dhe cilësi. Shërbime të tilla përfshijnë zakonisht strehimin, shkollimin apo kujdesin shëndetësor, organizimin e veprimtarive kulturore, sociale e sportive, kujdesin për infrastrukturën apo edhe ruajtjen e rendit publik në komunitet. Pushteti vendor ka më tepër avantazhe se ai qendror në menaxhimin e mirë dhe të drejtë të këtyre shërbi- meve. Ashtu siç është theksuar në një Mbledhje të Përgjithshme të Bashkive dhe Rajoneve të Evropës në qershor të vitit 2002, kjo është e lidhur ngushtë me konceptin e qeverisjes së mirë e cila nga e saj është vendore në shërbim të garantimit dhe respektimit të të drejtave të njeriut. Shih Asambleja e Përgjithshme e 21-të e Bashkive dhe Rajoneve të Evropës, ‘Qeverisja e mirë në Evropë sot,’ Oulu, qershor 2002. http://www.ccre. org http:www.ccre.org
493) Një element i rëndësishëm që duhet të jetë i pranishëm në situata të tilla është zgjedhja e organeve të nivelit qarkor, bashkiak apo komunal nga populli dhe pushteti nga niveli qendror transferohet pikërisht tek këto organe të zgjedhura nga komuniteti përkatës. Robertson W., Roli i pjesëmarrjes dhe partnershipeve në qeverisjen e decentralizuar, PNUD, Nju Jork, 2002.
494) Vendimi i GjK nr. 29, datë 21.12.2006, Shih në http://www.gjk.gov.al/