Komisioni i Venecias certifikon ligjin “e vetingut”

Sipas mediave, 10 dhjetor 2016

ekspertet-venecia

Zëri i Amerikës raportoi të shtunën se Komisioni i Venecias ka certifikuar ligjin e vetingut si të përputhshëm me Kushtetutën dhe Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut. Sipas tekstit të publikuar, Venecia i ka dhënë dritën jeshile zbatimit të ligjit, në përgjigje të katër pyetjeve të ngritura nga Gjykata Kushtetuese pas padisë së dorëzuar aty nga Partia Demokratike.

Në përgjigje të pyetjes së parë rreth konfliktit të interesit të Gjykatës Kushtetuese me këtë ligj, Komisioni i Venecias vlerëson se si të gjithë gjyqtarët në Shqipëri, edhe ata të Gjykatës Kushtetuese do të jenë objekt i rivlerësimit. “Konflikti i mundshëm i interesit mund të ndikojë pozicionin, jo vetëm të një ose disa gjyqtarëve kushtetues, por të gjithë gjyqtarët kushtetues që janë në detyrë në Gjykatën Kushtetuese,” thuhet në tekstin e siguruar nga Zëri i Amerikës.

Megjithatë, Venecia ka legjitimuar shqyrtimin e këtij ligji nga Gjykata Kushtetuese, duke e konsideruar këtë rast si “një rrethanë të jashtëzakonshme”.

“Skualikimi i gjyqtarëve kushtetues për shkak të ekzistencës së konfliktit të interesit do rezultonte në përjashtimin total të mundësisë së rishikimit gjyqësor të Ligjit të Vetingut në lidhje me përputhshmërinë e tij me Kushtetutën. Kjo do të minonte garancitë e siguruara nga një rishikim gjyqësor funksional i legjislacionit,” citon opinionin Zëri i Amerikës.

Çështja më e kundërshtuar nga Partia Demokratike, që lidhet me rolin në procesin e vetingut të institucioneve që kontrollohen nga ekzekutivi vlerësohet nga Komisioni i Venecias se “nuk përbën ndërhyrje në tagret gjyqësore”.

Sipas opinionit të Venecias, megjithëse organe si ILDKPKI apo DSIK do të përfshihen në procesin e hetimit dhe kërkimit fillestar të provave, vlerësimi i çdo informacioni ose prove të mbledhur nga këto organe ekzekutive i takon Komisionit dhe Kolegjit të Apelimit.

“Mbi këtë bazë, mund të arrihet në përfundimin se sistemi i ngritur nga Ligji i Rivlerësimit nuk duket se përbën ndërhyrje në tagret gjyqësore,” raportohet të jetë përgjigja e Venecias.

Dy pyetjet e tjera, të marra në shqyrtim nga Komisioni i Venecias lidhen me respektimin e të drejtës për një proces të rregullt ligjor për gjyqtarët dhe prokurorët si dhe me respektimin e jetës private të familjarëve të tyre.

Zëri i Amerikës raportoi se Komisioni i Venecias i ka dhënë dritën jeshile ligjit të vetingut për të dyja këto pyetje të ngritura nga Gjykata Kushtetuese.

“Sipas Komisionit të Venecias, këto tekste ligjore ofrojnë elemente të mjaftueshëm për të nxjerrë përfundimin që Kolegji i Ankimit mund të konsiderohet si një juridiksion i specializuar që ofron garanci gjyqësore për personat e prekur nga procedura e rivlerësimit. Të drejtat dhe garancitë e përfshira në skemën legjislative dhe kushtetuese duken të gjera,” thuhet në raport.

Sa i përket respektimit të jetës private, “Komisioni i Venecias është i mendimit që ndërsa vlerësimi i figurës është natyrisht ndërhyrës, ai nuk mund të shihet si një ndërhyrje e pajustifikuar në jetën private ose familjare të gjyqtarëve dhe prokurorëve në kundërshtim me Nenin 8 të KEDNJ-së”.

Opinioni i Komisionit të Venecias mbi ligjin e vetingut pritej të miratohej në sesionin plenar të 109, të zhvilluar në datat 9 dhe 10 dhjetor. Ky opinion nuk është publikuar ende në faqen zyrtare të Komisionit të Venecias.

Ligji i rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, ose siç njihet ndryshe ligji i vetingut konsiderohet më i rëndësishmi i një pakete prej 7 ligjesh të paketës së reformës në drejtësi. Ndonëse është kushti kyç i Bashkimit Europian për hapjen e negociatave, zbatimi i këtij ligji mbetet i pezulluar deri në një vendim të Gjykatës Kushtetuese, i cili pritet të merret pas mbërritjes në rrugë zyrtare të opinionit të Komisionit të Venecias.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi