Politika dhe e folura e rrugës
Nga Afrim Krasniqi, botuar në Balkanweb, 26.05.2010
Ka një dallim të madh midis të folurës si qytetar dhe të folurës si zyrtar, të folurës me gjuhën e rrugës dhe të folurës me gjuhën e zyrës. Në praktikat moderne, kur një qytetari të lirë i ofrohet një mikrofon, ai mund të flasë lirshëm, mund të jenë ide e mendime për gjithçka dhe për gjithkënd. E kemi parë këtë dukuri edhe në Shqipëri sa herë që dikush del me kamera në rrugë dhe pyet qytetarët për politikën, shtetin, Kushtetutën, presidentin deri edhe krizën globale. Secili gjykon vetë, flet si ai i mendon, nuk i njeh vetes kufizime dhe nuk nguron të jetë specialist për gjithçka e për gjithkënd. Sepse qytetari i lirë, që nuk është vendimmarrës, nuk është mandatuar për të folur në emrin e askujt tjetër, nuk është institucion i zgjedhur apo konsultativ, jeton me të ardhurat e tij dhe jo me taksat e të tjerëve, ai asnjëherë nuk ka përgjegjësi zyrtare e publike për atë që thotë.
Krejtësisht ndryshe ndodh me qytetarët e tjerë, “qytetarët e zgjedhur”, ata që paguhen me taksat tona, bëjnë një punë të mandatuar, drejtojnë institucione dhe flasin e marrin vendime në emrin tonë. Ky grup qytetarësh, që përbëjnë rreth 5-10% të popullsisë, në çdo sistem politik kanë një përgjegjësi dhe rol moral e zyrtar, brenda të cilës duhet të mendojnë, të flasin, të sillen dhe të marrin vendime. Në sistemet komuniste ky grup quhej “nomeklaturë”, në demokraci quhet “elitë politike”, në Shqipëri njihen si “klasë politike” dhe që në thelb janë e gjithë ajo kategori politikanësh, zyrtarësh të lartë, të zgjedhur apo të emëruar, të cilët përbëjnë kupolën e lartë drejtuese legjislative, ekzekutive, politike, partiake dhe publike.
Në dallim nga praktikat moderne bashkëkohore, sipas të cilave zyrtarët, sidomos ata që janë në postë të larta (presidentë e kryeministra, kryetar partie e ministra, deputetë dhe drejtues dhe anëtarë të enteve publike apo të institucioneve kushtetuese) ruajnë një etikë dhe parime qytetare komunikimi, në vendin tonë vijon të lulëzojë e “folura e rrugës”, zëvendësimi i zyrave të shtetit më rrugën, me baret e restorantet, me zëvendësimi i simboleve të shtetit me siglat e firmave private, panaireve apo hoteleve dhe së fundi, zëvendësimi i institucioneve zyrtare me modelet pa identitet të rrugës.
Prej 20 vjetësh shqiptarët paguajnë taksa për të pasur seli presidenciale, qeveritare, parlamentare, ministrash, bashkie, prefekture apo entesh publike dhe institucionesh kushtetuese. Në këto zyra punojnë dhe paguhen me taksat tona rreth 10 mijë zyrtarë e punonjës, 15% e të cilëve janë të zgjedhur politikë dhe janë aty për të shërbyer për një mandat të kufizuar kohor. Megjithatë, ne vijojmë t’i shohim zyrat e larta të shtetit si një “monument kulture”, në të cilat nuk mund të hyjë kushdo, prej të cilave nuk buron transparencë informacioni, por gjithçka bëhet me ciceron zyrtar.
Praktika e punës e krerëve më të lartë të shtetit, anëtarëve të qeverisë dhe të parlamentit, kryetarëve të partive dhe enteve publike ka krijuar një traditë negative, sipas të cilës “e folura e rrugës” në formë e përmbajtje, është bërë metodë pune dhe sjelljeve. Kështu, sa herë kemi një krizë politike apo një debat institucional, mosmarrëveshje politike apo nevojë për kontribute politike drejtuesit e shtetit dhe të politikës nuk flasin nga zyrat e tyre, me simbolet zyrtare të institucionit që përfaqësojnë, por lajmërojnë kamera në rrugë, në korridore konferencash dhe shkallë hotelesh, në përurime rrugësh apo në vizita kortezie për të dhënë në këmbë dhe shkarazi deklarata politike. Sa herë që drejtuesit tanë shtetërorë shkojnë për vizita në kisha apo xhami, në komunitete fetare e shkolla, në jetimore apo ceremoni varrimi, gjithnjë ndodh që ata të dalin në një cep, të marrin poza dhe të mbajnë deklarata konsumi mbi zhvillimet politike të ditës. Kushdo i ka parë ata që ndodhen rreth tyre, klerikë fetarë e qytetarë mikpritës, jetimë apo pensionistë, nxënës apo jetimë, të mbeten të habitur, të ndjehen sikur janë të tepërt, të përdorur nga politikani që flet dhe të fyer sesi vizita e një zyrtari apo politikani, shndërrohet prej këtij të fundi në takim elektoral.
Kur drejtuesit e shtetit, politikanët, ministrat e deputetët shkojnë në aktivitete OJF-sh, konferenca, seminare, vizita kortezie apo personale, ata mirëpriten dhe vetë opinioni publik pret që ata me prezencën dhe fjalën e tyre të ndihmojnë në promovimin e shqetësimeve për të cilat diskutohet aty. Në fakt, në praktikën tonë ndodh e kundërta. Kemi parë plot kronika të kohëve të fundit ku aktivitete për Nënë Terezën përdorën për të etiketuar kundërshtarin politik të radhës, takimet në fshatra e përurime rrugës përdoren për të sulmuar kritikët politikë, konferenca për lirinë e medias përdoren për të shkëmbyer batuta politike midis liderëve kryesorë, pritje me nxënësit përdoren për të fyer e denigruar rivalët politikë apo ekspozita fotografike prej ku flitet për Kushtetutën.
E folura e rrugës, si koncept dhe formë e zhvillimit të politikës, na shfaqet kështu si një traditë e vendeve parademokratike, pa institucione serioze dhe demokraci funksionale. Ajo nuk vjen si e folur politike, por si një politikë gjestesh dhe batutash pa rëndësi, politikë e padokumentuar, politikë konsumi e cila përbën lajm për ditën, por nuk ka vlerë më shumë se 24 orë. Politika e gjesteve dhe batutave, ka bërë që politikanët dhe shtetarët tanë të mos identifikohen me thënie të mençura dhe cituara politike, siç bëjmë me Kenedin apo Regan, me Thecer apo Cercill, por me batutat më të njohura të karrierës së tyre politike. Tipike për një shoqëri pa nerv e ndërgjegje të kultivuar demokratike.
Sepse duke injoruar këto praktika perëndimore, politikanët dhe zyrtarët tanë të lartë, i kanë dhënë prioritet mentalitetit të tregut fshatar, ku vend e pavend flitet me zë të lartë, me batuta e sharje dhe prej të cilave nuk mund të ketë asnjëherë lajme të mira në interes real të publikut. Ne shohim çdo ditë 3-4 deklarata politike të të njëjtit lider zyrtar apo mbështetësve të tij, të gjitha imitojnë njëra-tjetrën, asnjëra nuk thuhet në vendin e duhur dhe me tonin e duhur, të gjitha janë për konsum politik dhe në thelb, të gjitha janë pjesë e strategjisë së atij që politikën e shikon si një armë me të cilën duhet të qëllosh në të gjitha drejtimet dhe nga të gjithë ushtarët, me shpresë se pavarësisht nga dëmi në fund të fundit ndonjë plumb do të shkojë në shenjë.
Në praktikat demokratike politikanët dhe zyrtarët e lartë kanë detyrimin që të sillen, të flasin dhe t’i trajtojnë të tjerët në mënyrë serioze. Secili prej tyre ka në dispozicion minimalisht tri forma klasike komunikimi. E para, janë konferencat e rregullta për shtyp. Konferencë shtypi nuk do të thotë deklaratë shtypi, siç ndodh rëndom tek ne, ku politikanët, sidomos deputetët dhe drejtuesit partiakë lexojnë nga një deklaratë të shkruar prej shefave të tyre dhe nuk pranojnë pyetje nga gazetarët. Edhe kur lajmërohen konferenca shtypi, ato janë antipode, politikani flet çfarë ai mendon dhe pyetjet e gazetarëve mbeten gjithnjë pa përgjigje. Në praktikat normale konferencat duhet të jenë periodike, transparente, serioze, për problematikë me interes reciprok midis politikanit dhe publikut. Nga modeli amerikan i Presidentit, deri në modelet gjermane, britanike, franceze, polake etj, të gjithë liderit politikë dinë të ndajnë mirë detyrimin për transparencë publike me axhendën e tyre personale politike. Mesatarja e një drejtuesi shteti në këto vende është 1-2 konferenca shtypi në javë, kurse në vendin tonë, kemi në rastin më të mirë 1-2 konferenca shtypi serioze në vit.
Forma e dytë e komunikimit politik është ai përmes instrumenteve politike parlamentare. Parlamenti është institucioni kryesor i debatit politik, aty çdokush pret të ketë vetëm fjalime politike, aty zgjidhet qeveria e presidenti, aty flitet në emër të zgjedhësve, partive dhe sovranitetit të popullit. Tek ne fjalimet parlamentare i ngjasojnë më shumë ‘të folurës së rrugës” gjuhës që prêt, që fyen, që denigron sesa gjuhës politike mbi ide, platforma dhe qëndrime alternative politike. Për pasojë, ne kemi më shumë séance parlamentare ku lajm kryesor janë incidentet e dhunshme dhe fyerjet sesa debatet reale mbi një problem të caktuar për të cilin kanë interes real qytetarët votues.
Forma e tretë klasike janë fjalimet klasike në vende publike. Për shembull, në traditën e presidentëve amerikane sa herë ka çështje që lidhen me sigurinë kombëtare auditori më i preferuar për fjalim janë qendrat universitare, forumet e organizuara nga institucione të ndryshme studimi apo bazat ushtarake. Tek ne ndodh e kundërta. Nuk kemi praktika të fjalimeve dhe debateve publike universitare, nuk kemi autore të specializuara të politikës së jashtme dhe marrëdhënieve ndërkombëtare dhe mbi të gjitha, dyshoj se nuk kemi politikanë dhe vendimmarrës të aftë dhe të ndërgjegjshëm për të mbajtur një ligjëratë profesionale mbi një temë të caktuar politike, diplomatike apo ekonomike.
Kur institucionet nuk funksionojnë, kur mungon kultura e transparencës dhe përgjegjësive publike, kur vendimmarrësit nuk e shohin veten si shërbëtorë të radhës për qytetarët, por padronë të tyre; kur politika përvetësohet dhe agjendën politike nuk e kanë në dorë qytetarët e publiku por 2-3 politikanë, kur vetë politikanët e lartë sillen si beu i fshatit si dhe kur vetë fshati grindet e vritet pro apo kundër njërës palë politike, “e folura e rrugës” mbetet tipari kryesor i asaj që vetëquhet elitë politike 20 vjeçare dhe një sjellje apolitike, që fatkeqësisht do të na shoqërojë shpesh edhe në vitet e ardhshme.