Modeli i liderit që na mungon

nga Afrim Krasniqi, botuar Gazeta Shqiptare, 29.06.2011

Filip Rosler (Philipp Rösler) është zv/kancelar dhe lider i Partisë Liberale në Gjermani. Emri më i ri i politikës gjermane dhe europiane është bërë i njohur për dy detaje specifike. E para suksesi në karrierë. Ai është me origjinë vietnameze, është adoptuar nga një familje gjermane dhe në moshën 9-mujore ka ardhur në Gjermani, vend të cilin sot e bashkëdrejton me kancelaren Merkel. E dyta sepse deklarata e tij e zgjedhjes kryetar i FDP-së përbën risi në sjelljen politike. Ai tha se do të qëndrojë në politikë vetëm 7 vjet dhe më 2017 në moshën 45- vjeçare do të japë dorëheqje nga politika. Sipas tij, për një politikan mjaftojnë 6-7 vjet për dhënë për vendin e tij vizionin dhe modelin e vet politik.

Veprimi i Rosler nuk është unikal në Gjermani dhe as në modelet politike perëndimore. Në zgjedhjet për parlamentin e ri gjerman 12 politikanë deklaruan dorëheqjen paraprake duke thënë se e kanë kryer mision e tyre politik. Në Britani dhanë dorëheqjen paraprake 10-15 deputetë të tjerë, madje vetë ish-kryeministri Bler pati lajmëruar dorëheqjen nga posti edhe pse fitoi mandat të tretë qeverisës. Në të gjitha rastet vendimmarrja është individuale dhe ka të bëjë me nivelin e kulturës dhe vetëdijes politike të aktorëve politikë. Sipas kësaj tradite, një politikan qëndron në politikë jo aq gjatë sa e lënë (e përfshijnë në lista deputetësh apo në kabinete qeveritare), por aq gjatë sa ndjehet i vlefshëm për politikën dhe shoqërinë. Në konceptin perëndimor një politikan nuk zvarritet pas pushtetit me çdo kusht, ai votohet dhe testohet, ai ofron ide dhe pret mbështetje. Kur kjo nuk funksionon, pra kur vota e mbështetja bien apo kur shterojnë idetë politike, secili lajmëron tërheqjen dinjitoze dhe kështu, politika shndërrohet në një garë idesh, vizionesh, aftësie dhe përgjegjësie.

Ky model politik mbetet ende i largët për shoqëritë parademokratike dhe në tranzicion. Edhe në vendet ish-komuniste ku demokracia ka fituar imunitet nga traditat dhe modeli negative i së kaluarës, sipas të cilave lideri mbetej lider deri në finishin e jetës së tij natyrale, po forcohet gjithnjë e më shumë modeli politik perëndimor i liderit të përgjegjshëm. Nëse analizojmë kurbën e karrierës së liderëve politikë në Poloni apo Hungari, në Ceki, Slloveni, Kroaci e vende të tjera “afër” botës perëndimore, asnjë nga liderit politikë të tranzicionit nuk është më aktor politik. Një plejadë e re politike ka kryer tashmë 1-2 rotacione politike, duke ndikuar direkt në shpejtimin e procesit të formimit të kulturës demokratike. Sa më në skaj të Europës shkojmë aq më shumë i largohemi modelit perëndimor që na rikujtoi gjermani Rosler. Le të shohim konkretisht Shqipërinë, një vend në NATO dhe me aspirata për integrim në BE.

Prej 1990 u kërkua dhe u premtua një model i ri i liderit politik shqiptar, antipod me modelin komunist të liderit–mit, liderit të përjetshëm. Për ta jetësuar këtë premtim, çdo parti politike përfshiu në statutin e saj kufizimin kohor me vetëm dy mandate drejtimi në parti. Kjo shenjë simbolike pozitive ndryshoi më 1993-1994 dhe të gjitha partitë i dhanë fund kufizimit kohor të drejtimit nga lideri politik. Pasojat janë dramatike. Pas 20 vjetësh tranzicion asnjë parti shqiptare nuk ka shënuar ende një rotacion normal dhe konkurrues lidershipi, nuk kemi ende ndonjë politikan apo lider që të ketë pranuar ta konsiderojë të mbyllur projektin e tij politik dhe kështu, nuk kemi ende një shenjë se demokracia jonë është bërë funksionale edhe brenda partive politike. Prej 20 vitesh ne kemi të njëjtit lider, të njëjtit kryetarë, të njëjtit emra dhe portrete, të njëjtat premtime të tyre për demokracinë dhe të njëjtat sjellje para politike që reflektojnë një shoqëri apatike, që nuk lëviz, që nuk ka kujtesë, që ka humbur kurajën të kërkojë drejtësi dhe që e lodhur nga lufta për mbijetesë, është e gatshme të pranojë pa kushte sundimtarin e radhës.

Në 20 vjet kemi pasur rastin t’i provojmë politikanët – lider, si kryetarë partish e kryetarë shteti, si kryeministra dhe ministra, si deputetë e kryetarë bashkish, si qeveritarë dhe opozitarë, si burime shprese apo pengimi, si njerëz që erdhën në pushtet me aspirata të mëdha e shkaktuan zhgënjime të mëdha. Të mësuar me partinë – shtet dhe liderin e përjetshëm, imun ndaj kritikave dhe “të fortë” kundër rivalëve e kritikëve politikë, ne lejuam, mbështetëm dhe krijuam modelin e liderit arrogant e fuqiplotë, të pakontrollueshëm dhe të palodhur në metodat që përdor për të marrë ose për të mbajtur pushtet me çdo kusht. Ne mbushëm sheshet dhe burgjet në revoltën kundër modelit të liderit të përjetshëm (Enverit) dhe pa vënë re krijuam brenda nesh dhjetëra partira ku në krye të cilave ngritëm imitimin e tij, modelin e tij, mentalitetin dhe sjelljen e tij. Dhe harruam rregullin e artë të politikës, këshillën e Vaslav Havel, se një lider dhe një parti që nuk është demokratike brenda saj, nuk është dhe nuk mund të jetë asnjëherë demokratike jashtë saj, pra për qytetarët dhe shoqërinë. Sot nuk mbahet mend kur ishte dita e fundit kur u votua fshehtas e lirshëm në PD apo në PS, nuk mbahet peng kur u lejua për herë të fundit kritika politike në një parti tjetër politike, nuk mbahet mend kur pati një kryetar që dha dorëheqje se ndjeu përgjegjësinë e humbjes në zgjedhje, siç nuk mbahet mend kur një politikan të ketë pranuar, “po, unë gabova dhe tërhiqem”. Të gjithë premtuan fitore në secilën prej 17 zgjedhjeve të zhvilluara në Shqipëri, të gjithë humbën në të paktën gjysmën e tyre dhe të gjithë gjetën pretekste për të larguar përgjegjësinë e humbjes nga vetja, duke krijuar një rreth vicioz në të cilin faji e përgjegjësia është gjithnjë e qytetarëve dhe jo e kryetarëve. Ata na imponohen duke thënë se janë të votuar prej nesh, por në fakt ata vetë i  organizojnë zgjedhjet, i përcaktojnë kundërshtarët, i kontrollojnë votat dhe ankimimet, dhe kështu, janë produkt i tregut të votave jo i sovranitetit qytetar.

Duke krijuar parti–lider, kemi krijuar një sistem piramidal mendimi e veprimi, ku nuk kanë vlerë parimet, aspiratat, votat apo sjelljet morale, ku vendin e tyre e ka zënë arroganca personale, marrëveshjet e pamoralshme, kapja me çdo kusht pas pushtetit dhe zvogëlimi në maksimum i hapësirës për demokracinë. Partitë, pasi eliminuan garën e brendshme dhe konkurrencën në parti, ishte e pritshme ta reflektonin këtë mentalitet edhe në shoqëri, ndaj 20 vjet pas përmbysjes së sistemit

komunist ende nuk kemi një proces zgjedhor tërësisht të lirë, tërësisht të drejtë, tërësisht të pranuar dhe tërësisht funksional. Prej 1992 shqiptarët vijojnë të zgjedhin “të keqen më të vogël”, e drejta e tyre vijon të kufizohet dhe partitë e liderit e tyre po marrin gjithnjë e më shumë pushtet politik, parlamentar, ekzekutiv dhe kushtetues. Pasi pasurohen me paratë publike, pasi injorojnë vullnetin e lirë qytetar, pasi eliminojnë kritikën dhe konkurrencën, ato krijojnë një sistem oligarkie, të gatshëm të arrijë kompromise personale midis vetë liderëve, por të paaftë të prodhojë politikë institucionale e funksionale për qytetarët.

Në Gjermani Filip Rosler kërkoi vetëm 7 vjet mandat për të ofruar vizion e tij politik, në Shqipëri paria e sotme politike ka 20 vjet që sillet pa vizion e ide, por duke sunduar në emër të qytetarëve. Pasojë është vetë diferenca midis nivelit të demokracisë dhe qytetarisë së një vendi demokratik si Gjermania, Polonia apo Hungaria dhe një vendi në tranzicion pafund si Shqipëria. Liderit tanë as nuk e mendojnë një afat maksimal të provës së tyre politike, ata premtojnë se do të sundojnë edhe për 20-30 vjet të tjera, se kanë ardhur në tokë për të shpëtuar vendin, se janë rruga e vetme, alternative e vetme. Ata erdhën në politikë duke premtuar të jenë shërbëtor të qytetarëve dhe prej vitesh, qytetarët i kanë shndërruar në shërbëtorë të egos së tyre. Ata sot e kanë ndarë shoqërinë në bardh e zi, në pro e kundër, në turmë të djathtë ose të majtë, pa dhënë alternativë, pa lejuar mendim tjetër apo konkurrencë, pa krijuar asnjë hapësirë për demokracinë dhe vlerat morale që e bëjnë atë funksionale.

Duket paradoksale, por vetë liderit janë të interesuar që gjendja të jetë e tillë, pa rrugëzgjidhje dhe shpresë, zhgënjyese dhe për rrjedhojë, apatike ndaj nevojës për ringritja morale të shoqërisë. A mund të ketë zgjidhje? Natyrisht që po. Në aspektin afatgjatë zgjidhja dihet demokraci konkurruese e funksionale, më shumë demokraci direkte dhe institucione të forta në vend të liderëve të fortë, më shumë shtet ligjor e reagim civil ndaj sjelljes jo civile të liderëve. Në aspektin afatshkurtër mbetet vetëm një zgjidhje, që shoqëria qytetare, përfshirë ajo jashtë apo brenda partive politike, të reagojë për të kërkuar aplikim të votimit konkurrues 1 anëtar – 1 votë, për të zgjeruar demokracinë direkte në vendimmarrje, për të kërkuar demokraci të brendshme, transparencë publike në financimet elektorale dhe partiake, dënim moral me votë për mosmbajtjen e premtimeve apo dënim ligjor për ata që abuzojnë me pushtetin, paratë dhe pronën publike. Përsëri Havel na ndihmon me këshillën e tij, se sa më shumë zëra qytetarë të refuzojnë bashkimin me turmën, bashkimin me amoralen, heshtjen para kurajës, pajtimin me zhgënjimin e imponuar, aq më shumë shoqëria do të gjejë forcë e aftësi të dalë mbi amullinë e tranzicionit dhe të shohë përpara, tej liderëve të radhës, tej emrave apo selive të partive dhe kështu, tej modeleve të dështuara.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi