Midis dëshirës për të kontrolluar gjithçka dhe “free-riding”
Nga Dritan Osmani, botuar në Revista Mapo, 16.04.2012
Në paragrafët e mëposhtëm do të përpiqem të qartësoj sa larg jemi Europës, çfarë Europe po ndërtojmë dhe çfarë e karakterizon “Europën tonë”. Shoqëria dhe shteti janë në një kuptim të gjerë kontrata të individëve mes tyre si edhe kontratë e shtetit me individin (Rousseau ka shkruar ndoshta librin e parë mbi këtë temë). Sa më e ndershme të jetë kontrata, aq më demokratike është shoqëria dhe shteti.
Kjo kontratë është reformuar me dhjetëra herë dhe kemi arritur në shtetin dhe shoqërinë demokratike që kemi sot. Në shtetin komunist kontrata kishte vetëm një nen, individi është i kontrolluar kudo që të jetë, dhe atij individit nuk i përket asgjë; shtetit i përket gjithçka dhe kontrollon gjithçka, ose të paktën pothuajse gjithçka. Propaganda dhe dhuna ishin mjetet që shteti komunist përdorte për ta sjellë botën nën drejtimin e tij. Bota ishte e thjeshtë deri në primitivitet, individi (ose individët) i kontrolluar, dhe shteti që kontrollonte. Shteti në mbretërinë e lirisë dhe individët në mbretërinë e skllavërisë. Në shtetin komunist ka vetëm një pol force dhe ky është shteti komunist. Kjo është edhe Antieuropa jonë e djeshme nga vijnë shoqëria dhe politika shqiptare.
Në shtetin tonë demokratik-postkomunist mendohej (unë mendoja të paktën) të ishte shumë më komplekse; liria e të shprehurit është bërë realitet, por vetëm kjo është shumë më pak nga ç’duhet të ishte. Individët nuk është se janë vërtet të lirë. Shteti dhe partitë politike lëkunden mes dëshirës “për t’u kthyer pas në shtetin komunist”, kur bënin çfarë të dëshironin (kjo duket qartë kur institucione të ndryshme përpiqen për t’u vënë nën kontroll) dhe ngasjes për të mos respektuar çdo institucion shtetëror dhe shoqëror që është i ndryshëm prej tyre. Ajo që është ndryshimi thelbësor mes sistemit komunist dhe këtij tonit post-komunist është se kemi pole të ndryshëm forcash.
Në njërën anë, partitë politike (që janë shumë pole bashkë) nga ana tjetër institucionet si presidenca, prokuroria etj; partitë politike nuk janë në luftë me institucionet vetëm kur i kontrollojnë, ose të paktën nuk ndërhyjnë në punët e tyre; kemi intelektualët e varur dhe të pavarur që gëzojnë dhe luftojnë për vlera demokratike, që kanë influencë në formimin e opinionit të përgjithshëm, por pak influencë në reformimin e politikës dhe ekonomisë. Elementi esencial që dua të vë në dukje te polet e forcës që kërkojnë të jenë institucione është karakteri i tyre thellësisht individualist dhe jo-kooperues.
Me ç’duket, ndodhemi para së vërtetës së trishtë që jemi në gjendje të ndërtojmë pole force (që ngjajnë hera-herës principata), por jo institucione, që jemi në gjendje të ndërtojmë grupime që brenda tyre edhe funksionojnë, por që nuk kanë interes të zhvillojnë tjetër gjë përveç interesave të grupeve që i përkasin. Pra, jemi në gjendje të fragmentarizojmë shoqërinë, ta shfrytëzojmë shoqërinë, por asnjëherë ta zhvillojmë si të tërë, sepse nuk kemi krijuar rregulla që na lidhin me njëri-tërin dhe i japim shoqërisë unitet dhe e zhvillojnë si një të tërë. Europa jonë e poleve të forcës që kemi krijuar është piktura e shëmtuar me të cilën rendim drejt Europës së madhe.
A ka konkurrencë të ndershme në politikë, ekonomi dhe mendim, që është baza e zhvillimit të shoqërisë, ku principatat e institucioneve luftojnë me njëra-tjetrën? Ka vetëm një luftë të të gjithëve kundër të gjithëve, që asfikson hapësirën për të punuar dhe bashkëpunuar. Në të gjitha fushat e konkurrencës, tipari kryesor është koncepti i përgjithësuar i “free-riding”. “Free-riding”, me pak fjalë, përshkruan situatën kur një individ i ikën përgjegjësisë kolektive dhe lë pjesën e tij të punës t’ia bëjnë të tjerët. Një shembull i thjeshtë ilustrimi (ka shumë shembuj të tjerë) mund të merret nga marrëveshjet ndërkombëtare të mjedisit për uljen e nivelit të emetimit të dioksidit të karbonit. Nëse një vend i caktuar “A” qëllimisht nuk ul emetimet e dioksidit të karbonit, ai përfiton duke gëzuar pastërtinë e ambientit, pasi ambienti pastrohet nga komuniteti ndërkombëtar që ka nënshkruar marrëveshjen. Pra, ky vend “A” nga njëra anë nuk merr pjesë në pastrimin e ambientit, d.m.th., thyen rregullat e bashkëpunimit dhe nga ana tjetër përfiton nga bashkëpunimi i vendeve të tjera, duke gëzuar ambient të pastër. Në këtë rast thuhet se vendi “A” kryen “free-riding”, ose është “free-rider” (unë nuk jam në gjendje të gjej një përkthim të mirë për këtë term, përkthimi “përfitim falas”, që kam ndeshur, mendoj se nuk fokusohet në mekanizmin e “free-riding”, por në çfarë vjen përfundimisht prej tij).
Mungesa e konkurrencës, ose konkurrenca pa rregulla karakterizohet më mirë nga free-riding. Në ekonomi apo politikë, shpesh shpresohet që konkurrenti zbaton rregullat e konkurrencës, sepse beson se kështu shoqëritë dhe ekonomitë funksionojnë dhe jetojnë; dhe tjetri duke i anashkaluar ato (dhe duke mos i përkitur shoqërisë por egoizmit të tij) kërkon një avantazh ndaj tij. Në qoftë se konkurrenti e kupton që nuk ka as rregulla dhe as shoqëri, nuk i zbaton më rregullat dhe atëherë kemi vetëm freeriders. Nuk kemi më shoqëri, por individë që luftojnë si të munden me njëri tjetrin. “Një Europë individualiste” si kjo vetëm anëve të Shqipërisë sonë e gjen.
Sistemi dy-partiak është simboli më i madh i dëshirës për të kontrolluar gjithçka (aty ku nuk kontrollohet atëherë ka free-riding). Dhe marrëveshja e fundit midis PD-së dhe PS-së që ia lë kontrollin e jetës politike partisë që ka mazhorancën (duke zgjedhur prokurorin dhe presidentin), tregon hapur më shumë se çdo gjë tjetër se konsensusi nuk është pjesë e codex së politikës shqiptare. Të dyja partitë më të mëdha pranojnë që fitimtari të kontrollojë gjithçka; në mënyrë indirekte humbësi lihet jashtë lojës politike, ku vetëm free-rider mund të jesh; dhe dy partive u pëlqen kjo natyrë e humbësit, që është roli i free-rider, edhe pse e dinë që njëra parti do të jetë humbëse në zgjedhje.
Hidhni një sy sistemit zgjedhor ku çdo parti është përpjekur të ketë shumicën e anëtareve, në mënyrë që ta kontrollojë komisionin dhe të ketë mundësi të miratoje edhe vendime të pavërteta. Në rast se nuk kanë mundësi ta kontrollojnë, kryejnë freeriding dhe minojnë institucionin. Kjo është një nga historitë e vogla e të shumta që tregon çfarë Europe duam të ndërtojmë. Ajo që është e re ne shoqërinë post-komunistë nuk është vetëm dëshira për të kontrolluar gjithçka që vjen prej komunizmit, por free-riding si simbol i lirisë së pakufizuar dhe mosnjohjes së rregullit dhe të tjetrit individ. Ne dimë të bëjmë mirë dy zgjedhje; kërkojmë gjithçka (kur kontrollojmë gjithçka) ose jemi free-riders (dhe kontrollojmë vetëm veten tonë, dhe nuk pyesim për të tjerët) dhe nuk ekziston asgjë përtej vetes sonë. Të dy modelet e sjelljes janë absolutisht individualiste. Morsa midis vullnetit për të kontrolluar gjithçka (që është thellësisht antieuropiane e që na largon nga Europa) dhe vullnetit për të qenë free-rider (që është po aq thellësisht antieuropian e që na largon nga Europa) fragmentarizon politikën dhe shoqërinë. Të dy modelet plotësojnë njëri-tjetrin, kemi ishujt tanë europianë ku kontrollohet gjithçka, dhe rrëmujën gri ku të gjithë janë individualistë dhe i aviten në mënyra egoiste njëri-tjetrit.
Siç thamë në fillim, shoqëria është një marrëveshje, kontratë me njëri-tjetrin, institucionet dhe shtetin. Këto marrëveshje i japin integritetin dhe e bëjnë shoqërinë një shoqëri moderne; nga këto marrëveshje përfitojnë të gjithë Kur marrëveshjet shikohen si marrëveshje që i zbaton vetëm tjetri, por jo unë, është tërë shoqëria që fragmentarizohet; nuk ka një shoqëri, por dy që luftojnë kundra njëra-tjetrës, dhe e tëra nuk është më. Është një grumbull egoistësh dhe free-riders në pole forcash (që përpiqemi t’i bëjmë institucione) që nuk kanë asgjë të përbashkët me shoqëritë moderne demokratike; është një shoqëri e ndarë, që nuk pranon të ndajë përgjegjësinë mes saj, por që pranon që një pjesë të kontrollojë të tërën, ose mos ta pranojë tjetrën sa të jetë e mundur. Ky është modeli i shëmtuar që gjendet në shoqëri dhe politikë, modeli i tranzicionit të stërgjatë post-komunist që i avitet Europës duke qenë kaq ndryshe prej saj.