Konfliktualiteti i politikës shqiptare

Nga Eduard Zaloshnja, botuar në Balkanweb, 18.05.2010

Po të bëhej një analizë statistikore e gazetave shqiptare, do të vihej re se, si në shumë gazeta të tjera të botës, shumica dërrmuese e analizave dhe opinioneve marrin shkas nga zhvillime politike aktuale. Duke qenë dhe unë një ndër ata që shpesh nuk i rezistojnë tundimit për të shkruar rreth ngjarjeve të ditës në Shqipëri, kësaj here, vendosa ta lë mënjanë lenten që përdor zakonisht në analizimin e tablosë politike shqiptare nga afër, për ta parë atë nga një këndvështrim më i gjerë.

Shkak për këtë zhvendosje të fokusit u bë leximi i disa shënimeve personale rreth një episodi të 17 vjetëve më parë në një nga kafenetë e universitetit “Virginia Tech” në SHBA. Në atë kafene po diskutoja me disa bashkëstudentë pasuniversitarë shqiptarë rreth zhvillimeve politike në atdhe. Në çastin kur debati po arrinte temperatura të larta, domethënë, kur inati ia kishte zënë vendin argumenteve racionalë, aty pranë kaloi një profesor i ynë. “Ç’është subjekti i këtij debati kaq të zjarrtë?” – pyeti profesori. “Politika shqiptare”, – iu përgjigjëm ne. “Duke ju parë ju, mijëra kilometra larg Shqipërisë, të diskutoni me kaq zjarr rreth politikës së atjeshme, nuk e kam të vështirë të imagjinoj se si zhvillohet debati mes politikanëve shqiptarë”, – vërejti profesori.

Sot, 17 vjet më pas, çdo ndjekës i debatit politik shqiptar e ka të lehtë të konstatojë se deduktimi që bëri profesori amerikan është akoma i vlefshëm. Dhe duke hedhur vështrimin përgjatë 17 vjetëve të fundit, mund të vihet re se konfliktualiteti ekstrem politik është shfaqur me petka nga më të larmishmet në Shqipëri. Kështu, disa herë ai është veshur me kostumin e bojkotit, kapitenit irlandez të viteve ‘1880, ndërsa herë të tjera ka vënë në kokë kapelen e policit që rreh politikanët e opozitës para kamerave të “Euronews”. Në ndonjë rast është shfaqur edhe me petkun e gardianit të burgut të Bënçës apo të Tiranës, ndërsa në raste më ekstreme ka veshur edhe uniformat e “gjeneralëve” që i vënë flakën Jugut, apo rebelëve që djegin Kryeministrinë e pushtojnë Radio-Televizionin. Dhe në sfond të këtyre shfaqjeve s’kanë munguar notat e larta të trompetave të sharjeve dhe akuzave të rënda, si për kampin kundërshtar, ashtu edhe për rivalët brenda kampit.

Kur bisedojnë për këtë konfliktualitet të vazhdueshëm të politikës sonë, shqiptarët e lodhur prej tij gjejnë ngushëllim tek epiteti fatalist “gjak shqiptari”, i cili nënkupton se konfliktualiteti është i skalitur në një farë mënyre në genet e shqiptarëve. Si i tillë, ai konsiderohet një mallkim të cilit nuk i shpëtojmë dot. Por këtë fatalitet do ta kundërshtonte çdo psikolog. Është një konkluzion i provuar dhe i pranuar nga shumica dërrmuese e psikologëve se, ndërkohë që genet luajnë një rol të rëndësishëm në formimin e profilit psikologjik të njeriut, ambienti familjar e shoqëror që e rrethon atë, sidomos në 18 vjetët e para të jetës, ka një rëndësi akoma më të madhe.

Duke ndjekur këtë linjë arsyetimi të psikologëve, vlen të hidhet një vështrim në vitet e para të jetës së politikanëve të sotëm, në mënyrë që të zbulohen disa nga faktorët ambientalë që kanë ndikuar në formimin e tyre si sherrxhinj të përbetuar. Megjithëse mungojnë statistikat përkatëse, nuk do të ishte ndonjë ekzagjerim i madh po të hamendësohej se gjysma e çifteve shqiptare të kohës kur politikanët e sotëm ishin fëmijë do të ishin divorcuar në qoftë se kultura e divorcit të civilizuar, karakteristike për vendet e zhvilluara, do të ekzistonte edhe në Shqipëri. Më tej, nuk do të ishte një hamendje në tym po të thuhej se edhe gjysma tjetër e çifteve shqiptare të asaj kohe bënte një jetë bashkëshortore që jo gjithnjë karakterizohej nga bashkëpunimi dhe debatimi i civilizuar mes bashkëshortëve.

Ky konfliktualitet brenda familjes e kishte burimin kryesisht tek lufta mes mentalitetit tradicional, sipas të cilit gruaja ishte thjesht një objekt që plotësonte disa funksione të rëndësishme familjare, dhe mentalitetit të inkurajuar nga lëvizja për emancipimin e gruas, i cili e shihte atë si një subjekt me të drejta të barabarta në jetën bashkëshortore.

Nga ana e saj, atmosfera e konfliktualitetit në familje, përveçse helmonte marrëdhëniet bashkëshortore, padyshim që krijonte edhe deformime psikologjike tek fëmijët. Dhe duke u shoqëruar jashtë familjes me shokë e shoqe që jetonin në një ambient të ngjashëm familjar, këto deformime të fëmijëve vetëm përforcoheshin më tepër. Ndërkohë, të vetmet struktura shoqërore të presupozuara të “farkëtonin” ndjenjën e bashkëpunimit dhe komunikimit të civilizuar tek fëmijët dhe të rinjtë ishin organizatat e pionierëve e të rinisë, të cilat ngaqë nuk ishin ngritur mbi baza vullnetare, nuk mund ta realizonin dot këtë synim.

Në këtë mënyrë, si familja ashtu edhe shoqëria shqiptare, dështuan në missioni e krijimit të një ambienti pozitiv për zhvillimin psikologjik të fëmijëve të atëhershëm. Dhe ata fëmijë janë sot burra e gra, të cilët, kush më shumë e kush më pak, i vuajnë pasojat e atij dështimi…

Duke e kthyer vështrimin tek fëmijët e sotëm, prindërit e tyre duhet të kenë parasysh se, për sa kohë zihen e grihen në sytë e fëmijëve (në vend që, ose të divorcohen në mënyrë të civilizuar, ose të komunikojnë si njerëz mes tyre), dhe për sa kohë që nuk krijojnë vullnetarisht organizata edukuese-argëtuese fëminore për të sfiduar influencat negative të rrugës, nuk duhet të kenë shpresa të mëdha se politikanët e nesërm do të jenë më pak sherrxhinj se të sotmit. Dhe sa për politikanët aktualë, e vetmja gjë që mund të shpresohet është edukimi i tyre në kopshtin që quhet NATO-BE, edukatorët e të cilit, herë me hir e herë me pahir, mundohen t’i detyrojnë politikanët tanë të sillen në mënyrë të civilizuar…

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi