Çrregullimet shqiptare
Nga Aleksandër Meksi, botuar në Revista Mapo, 30.06.2011
Çfarë tha Janusz Bugajski për Shqipërinë në komisionin amerikan të Helsinkit në fjalën e mbajtur në fillim të muajit qershor në seancën dëgjimore të Komisionit Amerikan të Helsinkit pranë Kongresit Amerikan? Analisti Janusz Bugajski, një njohës i mirë i politikës shqiptare dhe dashamirës i popullit tonë, evidentoi 6 çështje të cilat ai i quajti çrregullime, që së bashku “pengojnë zhvillimin e saj politik, ekonomik dhe ndërkombëtar dhe që mund të precipitojnë në një spirale të një konflikti destabilizues kombëtar”. Ne po i trajtojmë veç e veç secilën prej tyre, duke dhënë shkurtazi opinionin e Bugajskit dhe vazhduar më tej me mendimin tonë për ato çështje
1.Bipolarizmi politik.
Sipas Bugajskit “Shqipëria ka zhvilluar një sistem të ndarë mes dy partive, pavarësisht përpjekjeve për rrugë të tretë. Kjo ka polarizuar jetën politike vendase dhe mënjanuar konkurrencën politike”. Në të vërtetë sot Shqipëria ndodhet me një sistem politik të imponuar nga të dy partitë kryesore, që janë aspak të demokratizuara brenda tyre, që si të tilla rrotullohen rreth një lideri “të fortë” jo demokrat dhe autoritar dhe klanit të ngushtë rreth tij, zbatues i verbër i urdhrave, apo siç thuhej dikur i direktivave (me fjalime e sms). Mos zbatimi i parimit “një anëtar një votë” brenda partisë ( e shumta votohet për kandidatët e përzgjedhur nga liderët sipas shëmbëlltyrës së tyre), mos tolerimi me egërsi i “mendimit ndryshe”, d.m.th i “të tjerëve”, ka mënjanuar pjesëmarrjen në hartimin e politikave dhe vendimmarrje të anëtarëve të partisë e aq më tepër të popullsisë.
Ligji elektoral i vitit 1992-2001, proporcional i personalizuar, mundësonte dhe forca të tjera dhe vota vlente njëherazi për individin dha partinë dhe kur kandidati nuk merrte shumicën kishte dy turne dhe atëherë hynin në lojë koalicionet. Me ndryshimet antikushtetuese të vitit 2005 u krijua një Kod që mund të merrte dhe karakter mazhoritar, në se transferimi i votave zbatohej vetëm nga një nga koalicionet, por mbi të gjitha lejonte transferimin e votave, çka dhe ndodhi, duke tjetërsuar vlerat reale të partive të vogla pjesëmarrëse në koalicionet. U krijua kështu bipolarizmi të cilin e përforcoi Kodi i vitit 2009 me ndihmën edhe të vjedhjes së votave të kundërshtarëve brenda secilit krah. Kështu nga ana e të dy partive të mëdha u shmang mundësia për krijimin e një force të tretë, por kemi vetëm satelitë, të cilëve u mblidhen votat në dobi të koalicionit (lexo:partisë së madhe) në këmbim të ndonjë posti të rangut të dytë, dhe sot shumica e tyre nuk kanë as anëtarësi, as ideale e as programe, vetëm nostalgjikë, ndërsa votat ja u a jep partia e madhe.
Bipolarizmi, duke i a dhënë gjithë pushtetet fituesit, u realizua me ndryshimet e 21 Prillit 2008, nga dy liderë autoritarë, duke u a imponuar shqiptarëve. Ky bipolarizëm i imponuar e që nuk rrjedh nga tradita politike e vendit, që i dalë nga diktatura kërkonte pluralizëm real, siç ka treguar dhe në vende të tjera, krijon konflikte sociale e politike me pasoja për ekonominë dhe zhvillimin e vendit dhe në rastin tonë dhe për integrimin në botën perëndimore.
2. Konkurrencë e kufizuar politike
Bugajski mendon se kanë qenë të vështira përpjekjet për të formuar parti të treta apo dhe fraksione. Edhe pse ka parti të tjera sipas tij dy kryesoret dominojnë parlamentin. Në të vërtetë vetëm 8 deputetë nuk ju takojnë atyre, si rezultat i kodit të ri elektoral (2008) dhe vjedhjes masive të votave. Edhe nga këta gjysma ka hyrë nga koalicionet dhe zor do kishte hyrë duke qenë jashtë tyre. Me vjedhjen e votave u shmang dhe Poli i Lirisë. Pra nuk kemi konkurrencë të kufizuar por shmangie të saj, rezultat i mentalitetit primitiv bardhë e zi, o me mua o kundër meje. Shtojmë këtu dhe kushtet tejet të vështira për pjesëmarrjen në zgjedhje të kandidatëve dhe partive e reja. Po ashtu koalicionet janë formuar përpara zgjedhjeve dhe vetë njeri prej tyre, ai me LSI-në pas zgjedhjeve ju bashkua Partisë Demokratike për të qenë në qeveri.
3.Konfliktet jo ideologjike
Bugajski ka plotësisht të drejtë kur vëren se “mosmarrëveshjet themelore politike nuk rrjedhin nga ideologjitë dhe programe të ndryshme politike, por sepse ndajnë të njëjtat objektiva”, Sidomos me formimin e koalicionit qeverisës Berisha të 2005 (pas zgjedhjeve), ku u bashkuan parti (lexo njerëz) deri dje pjesë e qeverive Nano etj, u bë e qartë se tash e tutje doktrina e vetme është pushteti. Me ndonjë përjashtim të rrallë u paraqitën programe të plota e të hollësishme qeverisëse nga partitë, përveç se premtime për një Shqipëri fushë me lule dhe e bukura e dheut apo politika të reja. Teza si ajo “përtej së djathtës dhe të majtës” tregojnë se populizmi anarkist për marrjen e pushtetit është doktrina udhëheqëse. Polarizimi dhe mungesa e ideologjive dhe programeve ka prurë votën për inat të kundërshtarit. Pikërisht synimi i pushtetit si qëllim në vetvete është shkaku i konfliktit të tejskajshëm politik në Shqipëri. Ndërsa dezinteresimi programor për zgjidhjen e problemeve dhe nevojave aktuale të shoqërisë tregon qartë këtë. Po kështu populizmi shprehet në premtime të pafundme, kundërprodhuese dhe të një të ardhmeje të largët por jo të momentit.
4.Klientelizmi politik
Një konstatim jashtë çdo diskutimi i drejtë, një nga mjetet me të cilën realizohet politika negative e përdorimit të shtetit për përfitime personale korruptive e të jashtëligjshme. Pra një mjet krahas krahinalizmit dhe nepotizmit, që për mendjet e mbrapshta dhe primitive janë garanci besnikërie, e nevojshme kjo për punë jo të mira. Po kështu, është e vërtetë, që në këtë mënyrë mohohet konkurrenca politike e bazuar në programin dhe meritat. Sepse kërkohet jo zotësi por bindje dhe zbatim pa mëdyshje e besnikëri i urdhrave, sidoqofshin ato. Sot shohim katapultime, shtim të vendeve të paguara mirë, shpenzime me pseudotendera e të tjera e të tjera. Pikërisht që të realizohen këto nuk zbatohen parimet demokratike të ndërtimit të partive, në vend të votës së lirë ka përzgjedhje nga lartë sipas kritereve të mësipërme, në vend të debatit dhe propozimeve për diskutim ka imponim dhe përjashtime për ata që mendojnë ndryshe.
Më tej, ekstremizimi i partikularizmit sjell një krahinalizëm dhe nepotizëm të tepruar që në mos synon, krijon rrezikun e përçarjes së vendit e kundërvënien jo vetëm politike, por edhe krahinore. Një dhuratë kjo armiqve të shqiptarizmës.
5. Kultura politike
Fjala është për kulturën politike demokratike që pranon votën e lirë dhe rezultatet e saj, që toleron dhe dëgjon opozitën duke realizuar me të reformat kryesore të ndërtimit të shtetit ligjor dhe të ekonomisë së tregut të lirë. Për ne këtu kjo është e qartë sepse është rrjedhojë e natyrshme e politikave për pushtet absolut dhe një mentalitet aspak demokratik për shekullin e XXI. Dhe vetëkuptohet që kur e kërkon për qëllime jo të ligjshme, të gjithin për vete dhe për shumë kohë, do nxitësh konfliktin me palën tjetër. Për të realizuar këtë patëm farsën e votave për Tiranën, dhe më parë (2009) vjedhjen masive të votave nga të dy palët.
6. Faktori i hakmarrjes politike
Detyrohem të bëj vërejtjen se kontestimi i zgjedhjeve nuk mund të quhet princip kur ato janë jashtë çdo standardi e realizohen me dhunë e incidente, me çrregullime të votuesve, të njehsimit të votave dhe të ruajtjes së tyre. Kontestimi është një mjet demokratik e ligjor. Ai merr forma të ashpra të protestave pas refuzimit të kërkesave për zbatim të kodit Zgjedhor e për mos ndryshim të rregullave pas procesit. Protestat për vjedhjen e demokracisë (votës së lirë) janë shumë më të ligjshme se protestat për gjëra sekondare që shohim përditë e kudo në Perëndimin demokratik. Protesta është një mjet i luftës demokratike.
Konflikti i plotë civil është pasojë i sjelljes së dhunshme e jo ligjore të atyre që janë në pushtet, nuk është shkaku. Dhe Perëndimi na ka mësuar se përpara mënjanohen shkaqet……pastaj riparohen (nënvizoj : riparohen) pasojat. Tjetër gjë në se dikush mund të mendojë pse nuk rrinë urtë këta shqiptarët, dashkan dhe demokraci, pse na turbullojnë ujërat e nuk na lenë të shohim rehat deltaplanet në majë të Llogorasë. Bashkohem me Bugajskin kur kërkon ndërhyrje në nivele të larta të ndërkombëtarëve për të zgjidhur krizën, jo për ta zbutur atë me dialog ndërmjet palëve, sepse këtu ligjin se përfill kush, i vetmi ligj është “se kështu dua unë”. Kur flasim për hakmarrje nuk mund të mos evidentojmë 21 Prillin, një puç i vërtetë kushtetues, me mendësi parakanunore, sepse hasmi gjykohet sipas kanunit, por kanuni nuk ndryshohet për të dënuar ndryshe pse e si do ti hasmin tënd.
***
Është jashtë çdo dyshimi se konflikti, pa u zgjidhur ligjërisht, do të përshkallëzohet pavarësisht formës dhe do kemi bllokim të mëtejshëm të jetës politike, sociale dhe thellim të krizës ekonomike, të cilën FMN me dy ditë që ndenji në Tiranë nuk mund ta ndjente, në se nuk bën sikur s’e kupton. Kriza, në se nuk zgjidhet me drejtësi dhe sipas ligjeve, do të pengojë rrugën për integrimin evropian të Shqipërisë dhe strukturat e Bashkimit Evropian duhet të jenë më të qarta në gjykimin e gjendjes shqiptare, ashtu siç veprojnë dhe për anëtarët e tyre. Po kështu NATO dh SHBA mund të veprojnë me “këshilla” për ndryshimin e menjëhershëm e rrënjësor të situatës në Shqipëri (siç vepruan në 2005).
Kemi bërë shpesh herë vërejtjen se publikisht duhet t’ju thuhet shqiptarëve se si zgjidhen në vendet e tyre problemet, çfarë është e drejtë dhe çfarë jo në sferën e politikës, por jo vetëm në të. Në BE do të jemi të detyruar të zbatojmë rregulla të përbashkëta në lëmë të ekonomisë dhe nuk lejohen “forma specifike shqiptare”.
Atëherë na i thoni këto rregulla, ligje apo standarde për sistemin e taksave, doganat, monopolet, prokurimet,konfliktin e interesit, prokurimet e koncesionet, pagat e sistemet sigurimeve shoqërore e shëndetësore. Por, të huajt nuk duhet të dëgjojnë vetëm prodhuesit e konfliktit që kanë treguar më se një herë “se nuk lëvizin nga istikami”. Në se duan të jenë të dobishëm për shqiptarët, do të ishte mirë të dëgjojnë dhe “të tjerët”.
Pra, që të shmangen konfliktet, shqiptarëve nuk ju duhen fraza të sheqerosura e me dy kuptime (një e përdor qeveria dhe një opozita e të dyja thonë se kemi të drejtë), neve na duhen fjalë e gjykime për mirë, qofshin dhe të hidhura (kush të do të shan). Ne duhet të ndihmohemi me ekspertizë dhe të dhëna në luftën kundër korrupsionit, që po zhduk shtetin ligjor, ne na duhen ndihma për investime publike më tepër se sa pseudokonsulencë e fonde për OJQ. E të gjitha këto duhen verifikuar për përdorimin efikas të tyre, për qëllimet e dhëna. Por, përpara se të jetë shumë vonë. Po kështu vërejmë nga të huajt një farë klientelizmi politik ndaj disa prej politikanëve dhe disa prej”analistëve” arsyet mund të jenë të ndryshme por përfundimi i njëjtë, asgjë nuk ndryshon ndër ne. Shqiptari i respekton të huajt dhe në këto 15 vitet e fundit i ka pranuar dhe në rolin e arbitrit, por, kur loja degjeneron, nuk ngel pa përgjegjësi dhe pa ndëshkim dhe arbitri. Kjo do na ndihmonte shumë se do kuptonim dhe gabimet tona për t’i mos i përsëritur.
Një Shqipëri, apo dhe Ballkan Perëndimor, i prapambetur do jenë nesër një problem më i madh për BE-në dhe NATO-n, me rreziqe më të mëdha konfliktesh të brendshme dhe jo vetëm të brendshme, konflikte dhe armiqësi etnike, që varfëria dhe prapambetja, i thellojnë dhe që vinë në kundërshtim me frymën dhe synimet e BE-së dhe demokracisë. Ballkani perëndimor është një ishull i vogël brenda BE-së, nuk paraqet një peshë për BE-në (vetëm 30 milion), por prapambetja e tij, veç të tjerash, nuk ka si të mos ndikojë në vendet anëtare fqinjë (rrjeti rrugor, rrjeti energjetik, shfrytëzimi i burimeve natyrore dhe prodhimeve vendase, turizmi, ekologjia e tj.). Dihet gjithashtu që korrupsionin as e kryejnë e as e lejojnë qytetarët e thjeshtë, prandaj qëndrimi tolerant i qeverive dhe përfaqësuesve të huaj ndaj klasës politike, në se ka në dorë dokumente e vëren veprime tejet negative, për të cilat dhe kritikohet Shqipëria, është i papërgjegjshëm dhe i dëmshëm.
Së fundi, një gjë është e qartë për këdo: struktura institucionale aktuale e shtetit, siç rezulton nga Kushtetuta, nuk premton shmangie të krizave ndërinstitucionale, prodhon institucione politike vetëm të partisë në pushtet (të kujton parullën komuniste “gjithë pushteti sovjetëve”), kur ato duhet të jenë të pavarura, e kthen opozitën në spektatore, sepse e tillë është ajo pas miratimit në vitin 1998 dhe ndryshimeve të 21 Prillit. Rishkrimi sa më parë i disa pjesëve të saj, për të mënjanuar këto dukuri, njëherazi me reformat e tjera të parapara nga detyrimet e BE-së, është imperativ.