Me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë u promovua Albumi Historik “100 vjet pavarësi kombëtare”, me autorë ish-kryeministrin Aleksandër Meksi dhe Xhevahir Lleshin.
24.10.2012
Sot më 24 tetor 2012 në mjediset e hotel “Tirana” u promovua Albumi Historik “100 vjet pavarësi kombëtare”, me autorë ish-kryeministrin Aleksandër Meksi dhe Xhevahir Lleshin. Rrugëtimi historik i shqiptarëve është përmbledhur në një botim 300 faqe tepër luksoz, botuar nga “Uegen” me financimin e “Union Bank”. Prof. Dr. Aleksandër Meksi dhe shkrimtari e botuesi Xhevair Lleshi sjellin një album luksoz bazuar kryesisht në material fotografik që rindërton historinë shqiptare që nga fillesat deri në ditët e sotme. Albumi hapet me dy akte të pavarësisë, atë të vitit 1912 dhe atë të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, për të vazhduar me dëshmi prehistorike, Antikitetit e Mesjetës, duke u ndalur veçanërisht në periudhën e pavarësisë e duke ardhur kronologjikisht deri në ditët tona.
Drejtori i Qendrës së Studimeve Albanologjike, Ardian Marashi, i cili ka qenë edhe kuratori i albumit, theksoi se ky është një botim që përpiqet të krijojë një imazh sa më të qartë të Shqipërisë që nga Ilirët deri në ditët e sotme. “Një album që do të zëvendësojë imazhin e deformuar që i kemi ngritur vetes”. Në këtë album, përfshihen pa asnjë përjashtim ngjarje dhe sidomos protagonistë të historisë shqiptare me kontributin e tyre të njohur, pak të njohur ose më keq të harruar apo të mbivlerësuar nga historia e diktaturës. Albumi është konceptuar si një vazhdimësi periudhash të historisë së popullit, ku peshën kryesore e zë periudha e shpalljes së pavarësisë.
Autorët e këtij botimi kanë vlerësuar kontributin e vëllezërve Leka, Niko dhe Edmond, të cilët e shprehën kontributin e tyre në këtë 100-vjetor përmes botimit të këtij albumi luksoz. Në këtë aktivitet ishin të pranishëm personalitete të larta të shtetit dhe të politikës dhe përfaqësues të trupit diplomatik.