Kohë vendimtare për konsensusin dhe reformat

Štefan Fule, Komisioner për Zgjerimin dhe Politikën Europiane të Fqinjësisë. Artikulli botohet me rastin e publikimit nga KE të Raportit të Progresit për Shqipërinë, më 10 tetor 2012.

 

Nëse do të më duhej të përmendja një gjë që shumë politikanë të Bashkimit Europian do t’ua kishin zili homologëve të tyre në Shqipëri, do të ishte, pa dyshim, mbështetja e patundur e qytetarëve shqiptarë për integrimin në BE. Për vite me radhë tashmë kjo mbështetje e shoqërisë shqiptare e ka tejkaluar në mënyrë të qëndrueshme 80%, një rekord që do të ishte i vështirë për t’u thyer! Kjo tregon qartë se njerëzit në Shqipëri e dinë se çfarë duan. Ata duan…
që Shqipëria të përparojë me vendosmëri drejt anëtarësimit në BE.
Ata duan që politikanët e tyre të arrijnë një konsensus politik që do ta bëjë të arritshëm këtë synim. Ata duan që reformat ta afrojnë edhe më shumë Shqipërinë me standardet e BE-së dhe nëpërmjet kësaj të përmirësojnë cilësinë e jetës së tyre. Ata thjesht duan që ëndrra e tyre europiane të bëhet realitet.
Të gjithë e kemi parë që kjo gjë mund të funksionojë. Reformat janë përshpejtuar që nga nëntori i kaluar, kur marrëveshja vendimtare mes maxhorancës në pushtet dhe opozitës i dha fund një ngërçi të gjatë politik. Dialogu mes dy palëve të skenës politike ka rezultuar në punë të përbashkët për reformat kyçe, përfshirë reformat e rëndësishme zgjedhore dhe parlamentare. Miratimi kohët e fundit i ligjit që kufizon imunitetet e parlamentarëve dhe gjyqtarëve ka forcuar kuadrin ligjor për luftën kundër korrupsionit, duke u dhënë të gjithë shqiptarëve sinjal se askush nuk është mbi ligjin. Mbështetja e fuqishme nga maxhoranca në pushtet dhe opozita për këtë ligj është një shenjë inkurajuese: kemi parë se kur forcat politike shqiptare punojnë së bashku, ato mund të arrijnë rezultate të rëndësishme. Kjo është një arritje që BE-ja e njeh. Kjo do të thotë gjithashtu se statusi kandidat për Shqipërinë është i afërt, duke e sjellë ëndrrën europiane edhe një hap më pranë.
Sigurisht që udhëtimi juaj nuk mbaron këtu. Rezultatet e arritura deri tani duhen konsoliduar përmes përpjekjeve të vazhdueshme për reforma dhe implementimit koherent. Më e rëndësishmja është që dialogu i angazhuar dhe bashkëpunimi mes dy palëve të spektrit politik duhet të bëhet një tipar i përhershëm i peizazhit politik të Shqipërisë. Kjo do të lejojë vazhdimin e reformave në fushat parësore. Nëse do të zgjidhja vetëm tre prej tyre, do të theksoja nevojën për të përfunduar reformën në administratën publike, për të forcuar gjyqësorin dhe për të luftuar më me efektivitet korrupsionin dhe krimin e organizuar.
Shqipëria ka arritur të provojë se ndarjet politike, ndonëse të thella, mund të kapërcehen nëse një objektiv kombëtar gjithëpërfshirës dhe një vizion i përbashkët i bashkon njerëzit dhe elitat politike. Kjo i dërgon një sinjal të fuqishëm gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor, ku Shqipëria ka luajtur një rol konstruktiv në bashkëpunimin rajonal. Kjo gjë  duhet të vazhdojë. Shqipëria ka gjithçka që duhet për të qenë një histori suksesi e BE-së, për sa kohë që i lë udhë të lirë potencialeve të saj të plota. Kjo është ajo që uroj për Shqipërinë dhe qytetarët e saj, teksa festojmë 100 vjetorin e pavarësisë së vendit.
  

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi