Avokati i Popullit: Për aktin e kthimit të pronave ish-pronarëve
Botuar në “Unë Flas”
Avokati i Popullit paralajmëron se ka nisur hetimet në lidhje me situatën e krijuar me aktin normativ, i cili parashikon kthimin e pronave ish-pronarëve, ndërkohë i bën thirrje institucioneve përkatëse shtetërore që të gjejnë një zgjidhje për të pastrehët.
Sipas këtij institucioni, në këtë akt normativ kishte elementë që kishin në diskutim pajtueshmërinë e tij me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Rezulton që ka zgjidhur faktikisht vetëm emergjencën e ish-pronarëve.
Në këtë institucion deri më sot janë depozituar rreth 50-60 ankesa individuale apo edhe peticione nga individë të cilët janë në kushtet e qiramarrësve në banesat e ish-pronarëve.
Ndërkohë dhjetra persona kanë shfaqur shqetësimin tjetër, banka i prapëson për shkak të mos përmbushjes së kritereve që parashikohen në ligj apo edhe aktet nënligjore që kanë dalë për këtë qëllim.
Avokati i Popullit kërkon nga të gjitha institucionet e tjera përgjegjëse të tregohen bashkëpunues në zgjidhjen e këtij problemi që është një problem i prehtë.
Akti normativ i qeverisë, i miratuar në parlament në muajin shtator te viti 2012, parashikon lirimin e banesave pronarëve të ligjshëm nga qytetarët e pastrehë, banues në banesat, ish-pronë e subjekteve të shpronësuara. Ky dokument përcakton lirimin e pronës, ish pronarëve të ligjshëm, si një e drejtë themelore dhe e patjetërsueshme e njeriut.