Votimi proporcional rajonal

Nga Kastriot Islami, botuar në Gazeta Panorama, 2008

Në vend të hyrjes

kislamiNë literaturën e specializuar për dizenjimin e sistemeve zgjedhore thuhet se, të gjithë sistemet janë demokratike……dhe nuk ekziston “sistemi më i mirë zgjedhor”. Në fakt i gjithë kërkimi gjatë përzgjedhjes së një sistemi të ri zgjedhor synon gjetjen e sistemit më të përshtatshëm në kuptimin e marrjes në konsideratë të traditave e të mentalitetit, të realitetit dhe të objektivave që karakterizojnë dhe/ose përcakton një vend në një fazë të caktuar të zhvillimit të tij. Për çdo sistem zgjedhor mund të jepen avantazhet dhe dizavantazhet, detyra që shtrohet lidhet me optimizmin e raportit të avantazheve me dizvantazhet në mënyrë që të arrihet sistemi zgjedhor më i përshtatshëm….

…Sepse votimi është më i thjeshtë….

Sistemi proporcional rajonal (SPR), duke qenë pjesë e familjes së sistemeve proporcionale, është më i thjeshti. Votuesi voton vetëm për partinë në mënyrën më të thjeshtë të mundshme. Çdo votues në dhomën e fshehtë mund të marrë një “fletë votimi” të partisë që preferon, eventualisht në formën e një kartoline me siglën e partisë, dhe e fut në zarfin e sekretuar. Kaq i thjeshtë është votimi në sistemin proporcional…

…Sepse nuk na duhet votimi i kushtueshëm e i tensionuar me dy raunde…

Votimi në SPR është gjithnjë me një raund. Votimi me një raund është më pak i kushtueshëm. Votimi me dy raunde është për sistemet maxhoritare. Për kushtet e vendit tonë, votimi me dy raunde do të shoqërohej dhe kështu ka ndodhur gjithnjë, me rritje të konsiderueshme të tensionit midis partive politike midis dy raundeve, nisur nga fakti që spekulohet me rezultatin e pjesshëm dhe synohet manipulimi…

…Sepse “peshon” drejtë të gjithë partitë politike dhe dekurajon presionin e partive virtuale….

Në të gjithë botën demokratike, partitë e vogla dhe mesatare kërkojnë sisteme proporcionale. Sepse mendohet që ato ndihmojnë të përfaqësohen në Parlament në proporcion me opinionet e votuesve, natyrisht me korrigjimin që vjen nga pragu zgjedhor. Thuhet se sistemi proporcional “peshon” drejt partitë politike dhe jep mundësi që koalicionet qeverisëse të jenë realiste dhe të ndërtohen pas zgjedhjeve mbi bazën e peshave reale të partive që ndërtojnë koalicionin. Po ashtu sistemi proporcional nuk e nxit koalicionin paraelektoral dhe kështu dekurajon partitë virtuale të bëjnë presion tek partitë e mëdha, për favore të pamerituara. Në Shqipëri, për shumë arsye, nuk ka ende “peshim të drejtë” të partive politike dhe siç ka pasur gjithnjë “presion paraelektoral” të partive virtuale ndaj partive kryesore. SPR i jep fund këtyre dukurive…

… Sepse garanton përfaqësim të arsyeshëm dhe qeverisje të qëndrueshme….

Vetëm sistemi proporcional, edhe me prag të përshtatshëm, realizon përfaqësim të arsyeshëm të opinioneve të ndryshme në Parlament. Natyrisht ky kriter është gjithnjë në konkurrim me kriterin e sigurimit të qeverisjes së qëndrueshme, pra të sigurimit të një konfiguracioni politik solid me numër të arsyeshëm partish politike. SPR, me qarqe, realizon një sistem politik që garanton një balancë të drejtë midis përfaqësimit të arsyeshëm dhe qeverisjes së qëndrueshme….

… Sepse nuk eliminon partitë e vogla, nuk krijon sistem bipartiak, por konsolidon sistemin politik…

SPR nuk ka për qëllim dhe asnjëherë nuk mund të realizojë sistem politik dypartiak. Po ashtu SPR nuk synon të eliminojë partitë e vogla, por njëkohësisht ndryshe nga sistemi aktual, nuk ndan favore paraelektorale të pamerituara për partitë virtuale, të cilat abuzojnë pas zgjedhjeve. Minimalisht në kushtet e vendit tonë, ky sistem do të mund të prodhonte një sistem politik me 5-6 parti politike. Ai nuk i pengon aspak partitë e reja të dalin e të zhvillohen. Por mesazhi i këtij sistemi është vetëm në drejtim të konsolidimit të sistemit politik. Pra, partive të vogla u jep këtë mesazh, ose bashkohuni midis jush dhe krijoni pole, në dy krahët e spektrit politik, alternative e konkurruese të poleve kryesore ekzistuese. Ose konfederohuni në partitë kryesore në rast se nuk keni dallime programore. Në Shqipëri dy forcat kryesore mund të fitojnë rreth 65 për qind të votave dhe rreth 30 për qind i mbeten partive të vogla e mesatare. Në rast se ky rezervuar votash organizohet në 2-3 grupime/pole me madhësi rreth 10-15 për qind secili, atëherë me sistemin aktual ato mund të fitojnë së bashku 25-30 vende në Kuvend, ose secila veças 8-10 vende. Kështu konsolidohet sistemi politik, mbeten 5-6 parti/grupime politike dhe asnjë forcë nuk eliminohet por të gjitha transformohen në forca të vërteta me programe, ekipe politike dhe lidershipe që votohen nga zgjedhësit….

…Sepse i jep mundësi votuesit të përzgjedhë programin, ekipin, liderin…

Me SPR, me lista shumëemërore të renditura, i jepet fund betejave individuale, betejave midis njerëzve të politikës dhe të atyre që nuk kanë lidhje me politikën. Konkurrimi me këtë sistem është konkurrim i programeve dhe ekipeve që realizojnë këto programe. Votuesit zgjedhin partinë apo koalicionin pasi “dëgjojnë programin” e qeverisjes dhe “shikojnë me transparencë të plotë ekipin qeverisës”, të renditur sipas vlerave e kontributeve, integritetit e aftësive, në listat që janë të hapura për t’u gjykuar nga të gjithë…Dhe për më tepër kjo jep mundësi që të ruhen “elitat” dhe “politikanët profesionistë”, por edhe të rritet prurja e “elitave të reja” me energji të reja dhe kualifikime përëndimore… Dhe zgjedhësit të njohin e votojnë për liderin e tyre.

… Sepse forcon rolin dhe kohezionin e partive politike…

Me rastin e debateve për sistemin proporcional, sidomos për shkak të futjes së listave me renditje të fiksuar, ka pasur mjaft dyshime për forcimin e partokracisë dhe të rolit të kryetarit të partisë. Gjatë këtyre 17 vjetëve janë zbatuar sisteme të ndryshme zgjedhore dhe përgjithësisht kryetarët e partisë, të atyre të mëdha e atyre të vogla, kanë qenë nga të fortë deri autoritarë.  Pra, forca e kryetarit ka qenë përgjithësisht invariante nga sistemi zgjedhor. Në fakt ballafaqimi me lista shumëemërore do të forcojë rolin e partive politike dhe do të nxisë rritjen e kohezionit të tyre të brendshëm, si rezultat i një balance të drejtë midis demokracisë së brendshme, respektimit të opinioneve të ndryshme dhe disiplinës politike. SPR nxit për më tepër kohezionin dhe jo fragmentimin, kurse lista e renditur orienton drejt individët politikanë të angazhohen në rritjen e individualiteti të tyre brenda partisë dhe në drejtim të forcimit të demokracisë së brendshme. Pra, me koncept modern ky sistem punon në drejtim krejtësisht të kundërt nga ai që paraqitet nga këndvështrimi i një koncepti të vjetër..

… Sepse demotivon gjeneruesit individualë të tensioneve zgjedhore….

Tensionet gjatë zgjedhjeve vijnë për shumë arsye. Natyrisht kryesorja ka qenë fillimisht ajo me prejardhje politike, e përkthyer në aksion nga militantët që njëkohësisht ishin edhe të interesuar për të fituar “ndeshjen zgjedhore”, por edhe të ngarkuar me ligj për të administruar zgjedhjet. Por me kalimin e kohës një përbërëse tjetër filloi të merrte peshë në ngritjen e tensioneve. Individi kandidat i interesuar për fitore me çdo kusht do të shndërrohej në “gjenerator direkt” të tensioneve. Tendenca për fitore me çdo çmim e shoqëruar me “financime të majme” filloi t’i jepte tensioneve zgjedhore dimension dhe cilësi të re. Administrimi i zgjedhjeve u shndërrua në pothuajse individual dhe tepër i kushtueshëm. SPR, duke siguruar në nivel të arsyeshëm administrimin e zgjedhjeve, do të ulë ndjeshëm tensionet zgjedhore dhe do të reduktojë në mënyrë drastike shpenzimet financiare…

… Sepse krijon mundësi reale për promovimin e grave….

Vetëm sistemi proporcional jep mundësi për promovimin e grave në politikë. Vendi ynë ka përqindjen më të ulët të grave në Kuvend. Me SPR, me mekanizma elegantë, mund të arrihet pa asnjë vështirësi që numri i grave që do të jenë në Kuvend të arrijë shifrën jo më pak se 30 për qind…..

… Sepse shmang ndarjen e zonave zgjedhore të tipit “salamandër”…

SPR ka disa zona shumëemërore. Ka disa mënyra për ta ndarë vendin më disa zona zgjedhore shumëemërore. Mënyra më e thjeshtë dhe që ka më pak probleme është ajo përputhjes së zonave zgjedhore me njësitë e ndarjes administrative. Në këtë rast nuk ka asnjë diskutim për ndarjen e zonave sipas interesave politike të njërës forcë politike. Dukuria e futjes së interesave politike gjatë përcaktimit të kufijve të zonave zgjedhore, i mirënjohur edhe në vendin tonë, mban emrin e përdoruesit të parë, “xherimander”, por që në mënyrë figurative përdoret termi “salamandër” për shkak të krijimit të hartës elektorale për interesa partiake në formën e lëkurës së salamandrës. Ndarja sipas qarqeve e shmang “salamandrën” kurse ndarja e zonave zgjedhore me numër afërsisht të barabartë zgjedhësish nuk e përjashton atë.

…Sepse zhduk iluzionin e diferencave veri-jug….

Harta politike e Shqipërisë, për shkak edhe të sistemit zgjedhor është e dizbalancuar politikisht. Duket sikur veriu është më blu dhe jugu sikur është më rozë. Kulmi arriti në vitin 1997 kur “teoricienë antishqiptarë” kërkonin të shpjegonin ngjarjet e asaj periudhe si rezultat i ndarjeve jug-veri, edhe me natyrë politiko-etnike. Sistemi proporcional rajonal e eliminon plotësisht edhe këtë “defekt” të këtyre 17 vjetëve. Shqipëria është një vend me identitete krahinore të spikatura, kryesisht në nivelin e rrethit, por që ruhen deri në nivelin e qarkut. Por këto identitete nuk kanë natyrë politike apo ideologjike. Sistemi maxhoritar apo i përzier mund të krijojë, siç ka ndodhur, iluzionin se këto identitete kanë edhe natyrë ideologjike. Sistemi proporcional rajonal, krijon mundësinë qe dhe në qarkun e Kukësit (Kukës, Tropojë e Has) ku ka socialistë të ketë deputetë socialistë, po ashtu siç mund të ndodhë në një qark të jugut. Pra, me zbatimin e sistemit proporcional rajonal ngjyra blu dhe rozë do të jenë prezente e së bashku në çdo qark të vendit. Pra, ky sistem nxit kohezionin e krahinave dhe jo ndarjen e tyre, bile edhe atje ku identiteti krahinor është ekzistent ai nuk e lejon të marrë ngjyrim ideologjik. Shumica dhe pakica do të jenë të përfaqësuara kudo, deri në nivelin e qarkut…

….Sepse garanton respektin për partitë me përqendrim territorial …

Por jo vetëm kaq. Shqipëria është vend tolerant përsa i përket respektimit të minoriteteve. Sistemi proporcional rajonal jep mundësi që ky orientim pozitiv i zgjedhësit shqiptar të përkthehet në përfaqësim politik në Kuvend. Pra, sistemi proporcional rajonal, jo vetëm nuk është antikombëtar, jo vetëm nuk është separatist, jo vetëm nuk është kundër minoriteteve, por përkundrazi nxit e realizon kohezionin kombëtar dhe bashkëjetësën me shtetasve me përkatësi etnike të ndryshme.

…. Sepse garanton lidhje të arsyeshme deputet-votues….

Ekziston shqetësimi që sistemi proporcional e largon deputetin nga votuesi apo e dobëson lidhjen deputet-zgjedhës. Në fakt me forcimin e autonomisë vendore dhe të kapaciteteve të qeverisjes vendore, kjo lidhje natyrshëm duhet t’i kalojë përfaqësuesve vendorë ndërkohë që deputetët duhet të orientohen në një aktivitet politik kombëtar e rajonal dhe në një përfaqësim ideologjik e partiak. Por sistemi proporcional rajonal, ndryshe nga iluzioni që krijon sistemi i përzier me dy klasa deputetësh, njëri i lidhur direkt me votuesin (i zgjedhur nga maxhoritari) dhe tjetri i lidhur me listën partiake (i zgjedhur nga proporcionali), krijon vetëm një klasë deputeti, që nuk është i lidhur direkt me votuesin por njëkohësisht nuk është edhe aq larg sa ç’ndodh në rastin e sistemit proporcional me listë kombëtare. Pra, lidhja deputet-votues në sistemin proporcional rajonal është me distancë optimale, ndryshe nga ajo në sistemi maxhoritar dhe është dinamike, ndryshe nga lidhja metafizike me dy përbërëse në sistemin e përzier me dy tipa deputetësh..

… Sepse i jep prioritet programeve të zhvillimit kombëtar e rajonal…

Për më tepër lidhja direkte deputet-votues ka nxitur përdorimin e fragmentuar të buxhetit për interesa të ngushta individuale e mediokre partiake. Sistemi proporcional rajonal favorizon përdorimin e buxhetit në funksion të programeve të zhvillimit kombëtar dhe duke ruajtur njëkohësisht një balancë të arsyeshme me zhvillimet rajonale.

… Sepse përfundimisht eliminon dukurinë negative të Dushkut…

Dhe së fundi, duke pasur mundësi që çdo votues të ketë një fletë votimi ku votohet vetëm një herë, vetëm për partinë, mundësia që vota e tij të ndahet nuk ekziston. Dukuria e Dushkut, e cila bazohet në mundësinë e përdorimit taktik të dy votave, pra të ndarjes së votës për partinë nga vota për kandidatin, eliminohet plotësisht. Së paku në rastin e Shqipërisë kjo do të rriste legjitimin e dëmtuar të sistemit zgjedhor.

Në vend të përfundimit…

Shqipëria është një vend në tranzicion, që në perspektivën afatshkurtër synon të jetë anëtare e NATO-s dhe në perspektivën afatmesme të jetë anëtare e BE-së. Kryerja e reformave të thella, të shpejta e cilësore, kërkon qeverisje të qëndrueshme. Tendenca e vendeve evropiane dhe përgjithësisht e vendeve të reja evropiane, në tranzicion apo të sapointegruara në BE, lidhet me përdorimin e sistemeve zgjedhorë nga familja e sistemeve proporcionalë. Pra ballafaqimi “njëemëror” shfaqet i zëvendësuar masivisht nga konkurrimi me “lista shumëemërore”. Votuesit zgjedhin midis programeve dhe ekipeve të ndryshme. Kualitetet individuale shfaqen dhe lëvizin brenda hapësirave të konkurrimit “shumëemëror”, duke kërkuar të realizohen të gjithë mundësitë dhe fleksibilitetet maksimale. Dhe së fundi, për të nxjerrë në shesh thelbin e mllefeve individuale apo të alibive të mediokritetit politik “se gjoja ky sistem zgjedhor favorizon këtë apo atë forcë politike”, mund të pohoj, se me këtë sistem zgjedhor, po aq demokratik sa edhe të gjithë të tjerët por maksimalisht të përshtatur me realitetin shqiptar dhe objektivat tona integruese,  përcaktohen “rregullat e lojës” të njëjta për të gjithë, transparente për këdo, maksimalisht të thjeshta, Rregulla që i vendosin individët e partitë politike në kushte të barabarta. Rregulla të thjeshta që i lejon çdo votuesi të kuptojë shumë shpejt sesi vota e tij kthehet në pjesëmarrje në qeverisje përmes zgjedhjes së programit, ekipit dhe liderit që ai dëshiron.

Thënie për Shtetin

  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi
  • Detyra e shteteve të mëdha është të shërbejnë dhe jo të dominojnë botën.
    - Harry S. Truman
  • Paul Valery
    - Nëse Shteti është i fortë, ai na shtyp. Nëse ai është i dobët, na zhduk.
  • Kur je jashtë vendit, je burrë shteti; kur je në atdhe, je vetëm një politikan.
    - Harold MacMillan