Melankolia e paqartësisë

Artur Zheji, botuar në MapoOnline, 27.09.2012

Ngadoqë të pyesësh dhe kudo që të anketosh për të ardhmen imediate politike të Shqipërisë, merr përgjigje të paqarta dhe të mbuluara nga mjegulla. Rëndom analiza, qoftë kjo kur është e thelluar apo e sipërfaqshme, kalon në tre, apo katër nyje kryesore.

E para, Mazhoranca ka një rënie të performancës dhe një rritje të shumëfishtë të vetëkënaqësisë dhe të të shijuarit megaloman të pushtetit të vet. Vërtet Berisha rezulton ende një lokomotivë e palodhshme, që tërheq pas vagonët e Qeverisë dhe të Pushtetit. Vagonë herë bosh e herë plot, herë të gjallë e herë të vdekur. Ai, i tërheq njësoj dhe pra, edhe vagonët e vdekur të segmenteve të caktuara të shtetit dhe të pushtetit, tek lëvizin nga tërheqja e lokomotivës së palodhshme, duken të gjallë, ndonëse nuk janë të tillë.

Po a është kjo lëvizja e vërtetë? Koha së shpejti do ta rrëfejë. Ndërkohë treni ecën me vagonët e përmbytur nga burokratë dhe drejtorë më së shumti të përgjumur. Ata përmenden capak, kur vjen stacioni i radhës, nxjerrin kryet në dritare, i hedhin një sy lokomotivës, me motor kurdoherë të ndezur, blejnë ca kikirikë dhe marrin në stacion ndonjë zarf të fryrë, që e sjell korrieri i radhës, dhe përgjumen përsëri. Deri në stacionin tjetër. Me një vesh zgjuar, për të dëgjuar, sidoqoftë, ‘çufçufet’ e lokomotivës së paepur pushtetmbajtëse.

E dyta, Opozita është në ngërç. Është e dyzuar. Përjetësisht e tillë. Ajo nuk përbëhet nga shefa me ‘barqe të uritura’ dhe kësisoj të rrezikshëm në etjen dhe domosdoshmërinë për pushtet. Opozita nuk shtie me karikator, por me ‘fishek tek’. Një ditë më parë del Rama, tri ditë rresht në vetmi Shalësi, diku në Kuvend proteston Braçe. A është skemë a kështu ndodh spontanisht, askush nuk e di dhe nuk mund ta dijë. Sepse, nga ta dijë? Dhe, pse ta dijë?

Opozita është andej dhe njerëzit janë këndej.

Ka, pra, dukshëm një mungesë freskie të pakuptueshme. Një mungesë të pafalshme determinizmi në bujarinë mrekullibërëse të opozitëbërjes. Një pasiguri dhe dyzim, pra.

Një hop pa hap, një hap pa hop.

Që shfaq aty-këtu një mungesë bindjeje dhe vetësigurie. Ndoshta dhe e thamë njëherë. Ecim. Një Opozitë e tillë, pra, nuk është ende bindëse në sipërmarrjen e saj të pritshme dhe legjitime pushtetrrëmbenjëse.

Së treti. Dukuria Meta. Meta, ndonëse vetëdeklarohet majtas, në të vërtetë është në mes. Në mes të Berishës dhe Ramës, një pëllëmbë afër dhe një pëllëmbë larg të dyve. Të dyja palët duan ta kenë dhe të dyja ankohen mënjanë, shpesh e më shpesh, se aleanca me të është shumë e kushtueshme dhe shumë e pasigurt. Meta, pra, si pushtetbërës dhe pushtetzhbërës, i vetëdijshëm më shumë se kurrë për këtë rol, herë i tremb dhe herë i miklon. I mbijetuari i ndryshimeve kushtetuese dhe të Kodit Zgjedhor, të vitit 2008 dhe të zgjedhjeve të vitit 2009, tani ‘hakmerret’ në mënyrën e tij. Mirëpo duke u ‘kujdesur’ për Metën, palët duket se po harrojnë strukturat e tyre politike, strategjitë e tyre, derimëtash inekzistente ose pothuajse inekzistente.

Së katërti, topuzi i varur i një ekonomie të paqëndrueshme. Vërtet pothuajse jashtë krizës globale akute, por e shoqëruar me një shtrenjtim të ndjeshëm të jetës dhe çmimeve të konsumit të gjerë, mbetet aty, mbi kryet e të gjithëve. Indeksi difuz i korrupsionit të administratës, përtej të majtës dhe të djathtës, nuk ka asnjë tendencë rënieje, por është në të kundërt. Tendenca për kompromise politike gjithëformëshe, që fillon me subjektet partiake e deri te zemëratat apo buçkat e varura të individëve, qofshin këta deputetë apo ministra, mundësia e kontrollit apo vullneti për të kontrolluar dhe mbajtur nën trysni këtë tendencë, tendencën e ‘lejimit’ të trendit korruptiv në kompensim të favorit politik, është pra tash një skemë dhe jo një rastësi.

E pra, në këtë konfuzion të strukturuar, Paqartësia është bërë një kategori monumentale dhe deri më tash e pacenueshme.

Paqartësia, prodhim i Kinostudios ‘Shqipëria e Vjetër’, një film i përditshëm!

Situatat politike dhe politika e prodhuar nuk duket se ka një busull të mirëfilltë orientuese, por një stil që në italisht thirret në kësi rastesh: ‘navigare a vista!’. Domethënë, lundrohet si dhe sa të kap syri. Lundrohet politikisht aq sa shihet nga maja e direkut, a thua se nuk ka harta dhe mjete të tjera parashikuese që shohin virtualisht përtej. Pa trajektore dhe pa itinerar. Ky stil, ose më saktë ky jostil, favorizon pragmatizmin me variantin banal, më jep sa? Nëse po, të kthej po aq. Kuptohet me konvertim simbas kursit të ditës. Një si biçim ankandi votash, të orientuara nga interesa të caktuara grupi apo grupesh. Interesat e të cilëve mund të bien ndesh lirisht edhe me programin themelor të forcës politike X, por ‘punë e madhe!’, kokrrat e votave janë, simbas kësaj logjike, ku e ku më të rëndësishme sesa dokrrat e programeve.

Dokrrat e programeve… ja pikërisht këtu dhe zë fill melankolia. Sa shumë dokrra dhe sa shumë fjalë boshe, përpara ‘real politikës’ konkrete të marrëveshjeve nën rrogoz.

Duke mos pasur ndonjë inat të posaçëm me ‘nënrrogozin’, lepuri fle gjetkë. Pasiguria e përhershme për çka thirresh të votosh dhe zhgënjimi, pothuajse i garantuar, në sendërtimin e premtimeve. Kryesisht të premtimeve me sfond moral.

Në këtë udhëkryq pra, kur sfiduesi opozitar nuk ndihet dhe nuk duket ‘winner’ dhe ku pushtetmbajtësi i mazhorancës nuk mund dot defektet e vetes dhe të grupimit të tij, melankolia bëhet një vizitore e shpeshtë, gjithmonë e më e shpeshtë. Ndërkohë që çakejtë dhe brejtësit e pyllit shqyejnë të patrazuar Arushën e gjunjëzuar të ekonomisë së brishtë shqiptare. Prokuroria nuk i heton, Drejtësia nuk i dënon, sepse dihet, sot më shumë se dje, që edhe ato kanë pjesën e tyre të majme të Arushës së gjuajtur. Pjesën e tyre të majme të Gjahut.

Ulërimat e agonisë së Arushës jehojnë pra si një muzikë e njohur dhe jo tronditëse e shqiptarëve, të cilët hanë bukë e djathë e Mercedes Benz. Shohin punën e tyre në bahçen e tyre, përherë e më të vogël bahçja, kuptohet, dhe shqyejnë rast pas rasti komshiun, gruan, gruan e komshiut, kunatin apo hasmin e tre brezave, si dhe jo rrallë ia heqin vetes me 100 km në orë.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi