Partitë politike dhe kriza e demokracisë përfaqësuese.

 Ylli Bufi, ish-kryeministër. [Botuar në gazetën “Panorama”, 3.9.2012]

           Ka vite tashmë që kriza politike ka “mbërthyer” sistemin politik në Shqipëri. Implementimi i reformave thelbësore të nevojshme për rritjen e efikasitetit të funksionimit të shtetit dhe të konsolidimit demokratik të tij, duket i bllokuar prej sjelljes së konfliktualitetit ekstrem të dy forcave kryesore politike. Kam menduar se një reformë kushtetuese nëpërmjet një procesi konsensual dhe transparent midis forcave politike do të ishte rruga e duhur për të kapërcyer këtë situatë kritike. Eksperienca e grumbulluar gjatë këtyre 15 vjetëve mbas miratimit të Kushtetutës është e mjaftueshme, nëse vullneti politik nuk mungon, për të bërë ndryshimet e duhura që modeli i shtetit dhe demokracia në tërësi, të jenë funksionale. Por zhvillimet e viteve të fundit, sidomos pas 2009, po tregojnë që gati është e pamundur që një konsensus i tillë të arrihet. Madje duket se nuk mund të shpresohet edhe në një të ardhme të afërt. Ndryshimet e shpejta kushtetuese të vitit 2008, në vend që të kishin një efekt përmirësues, duket se kanë ndikuar negativisht. Mesa duket ato kanë qënë të motivuara më shumë nga interesa të ngushta partiake se sa nga vullneti për të përmirësuar funksionimin e sistemit politik në Shqipëri.

Përgjegjësia e drejtuesve politikë të dy forcave politike kryesore për këtë situatë është evidente, por kjo është e pamjaftueshme për të kuptuar se ç’po ndodh në atë që quhet “sistemi politik” i vendit, pjesë thelbësore e të cilit janë dhe partitë politike. Ka një ndërvarësi midis ndryshimit të mënyrës se si forcat politike kryejnë aktualisht funksionet e tyre kryesore në një sistem demokratik përfaqësues dhe “krizës së sistemit”.

Funksionet përfaqësuese të partive

Në demokracitë përfaqësuese ekzistenca dhe funksionimi i partive politike është jetësore për stabilitetin e demokracisë. Partitë politike qëndrojnë në themel të sistemeve të qeverisjes; pa praninë dhe funksionimin e tyre është e pamundur të flitet për sistem dhe institucione demokratike. Në thelb, partitë politike luajnë rolin e mekanizmit të përfaqësimit në një sistem politik demokratik. Ato kryejnë funksione esenciale, që nuk mund të kryhen nga asnjë organizatë  apo instrument tjetër. Ndryshimi i mënyrës se si partitë kryejnë këto funksione nuk duhet të preki thelbin e mekanizmit të përfaqësimit. Shumë ndryshime që kanë ndodhur në mënyrën e funksionimit të partive politike në vendin tonë, por edhe në vende të tjera, duket se kanë goditur pikërisht këtë mekanizëm. Ndikimi i kësaj goditje në funksionimin e sistemit politik dhe të vet shtetit është me pasoja negative. Kjo është arësyeja pse sot gjithmonë e më shumë ka çoroditje dhe shqetësim për rolin e partive politike në një sistem demokratik. Duke analizuar situatën politike në Itali në një editorial të saj të botuar kohët e fundit gazeta “La Reppublica” shkruan se ” Shkëputja e politikës nga demokracia përfaqësuese është tashmë një realitet “. Një pohim i tillë, mesa duket, duhet bërë edhe në rastin e Shqipërisë.

Listat e kandidatëve, forumet dhe kryetari

Për të marrë pushtetin partitë politike marrin pjesë në zgjedhje duke paraqitur listat e tyre të kandidatëve shumë prej të cilëve, nëse zgjidhen, futen në strukturat qeverisëse. Gjithmonë e më shumë antarësia e partive, aq më shumë elektorati i gjërë nuk ndjehet i përfaqësuar në këto lista. Listat po dominohen nga emra të panjohur më parë për veprimtari shoqërore duke u “maskuar” si njërëz të zakonshëm”, pa qënë realisht të tillë, bile një pjesë e tyre me justifikimin për të fituar vota bëjnë propogandë kundër partive dhe politikanëve duke dashur të thonë se qëndrojnë mbi partitë dhe politikanët. Disa vetlavdërohen se nuk kanë të bëjnë fare me politikën. Edhe kur zgjidhen këta nuk bëhen asnjëherë popullorë. Një prirje e tillë mund të justifikohet me preokupimin për të shmangur efektin e “namit” të keq të politikës apo të komplekseve të mbetura ideologjike, por në çdo rast një kandidat i tillë përfaqëson vetëm vetvehten por jo programin politik të partisë që e propozon, aq më tepër zgjedhësit e saj.

Kriteri i përfaqësimit është i rëndësishëm edhe në mënyrën se si zgjidhen dhe se si funksionojnë organet dhe strukturat drejtuese brënda një partie. Këtu deformimet janë akoma më të mëdha, por shpesh ato nuk bihen në sy për shkak të fasadave dhe akrobacive proceduriale që aplikohen në këto raste. Lidershipet partiake përpiqen të respektojnë detyrimet statutore të mbledhjes së forumeve, por gjithmonë e më tepër bie në sy fakti që vendimet më të rëndësishme politike nuk merren në forumet kolegjiale, por jashtë tyre. Ato vetëm se informohen për vendimet tashmë të marra. Debatet parimore tashmë nuk ekzistojnë për marrjen e vendimeve. Të prirura për të gjetur debate, mediat shpesh zhurmojnë episode batutash pa asnjë vlerë apo që thjesht kanë karakter qefmbetje. Madje në mjaft raste edhe në forumet me natyrë ekzekutive, si kryesitë apo grupet parlamentare, vendimet realisht kryesisht komunikohen.

Një nga ndryshimet e rëndësishme që ka ndodhur në partitë politike është dhënia e përgjegjësive dhe kompetencave  më të mëdha kryetarit të partisë. Për këtë arësye praktikohet edhe zgjedhja e tij nëpërmjet votës së drejtpërdrejtë të anëtarësisë. Kjo ka pasur ndikimin e vet në zbehjen e rolit të forumeve kolegjiale si dhe në rastin e deformimeve të kriterit të përfaqësimit të përmëndur më sipër. Nuk është vendi këtu për të analizuar avantazhet dhe dhe problemet e kësaj zgjedhje, por duhet pranuar se de jure , sipas statutit, raporti i përgjegjësive dhe kompetencave të kryetarit në raport me forumet kolegjiale është në përgjithësi korrekte, por problemi shfaqet në mënyrën e drejtimit në zbatim. Vendimmarrja si akt formal në duart e kryetarit të partisë nuk duhet të shmang konsultimet dhe debatet e nevojshme në forumet përkatëse.

Momenti më problematik në mënyrën e funksionimit të partive politike është sigurimi burimeve financiare të nevojshme për pjesmarrjen në fushatat elektorale. “Kontrata” e partive me financuesit privatë të fushatave zgjedhore po bëhet më impenjative dhe e rëndësishme se sa vetë kontrata programatike me zgjedhësit. Kjo anë e padukshme dhe e pashkruar e partive po konsiderohet tashmë sot si normale. Tashmë argumenti kryesor elektoral gjatë fushatës është sasia e të hollave të grumbulluara nga kandidati. Rezultati i zgjedhjeve varet gjithmonë e më pak prej vendimit të menduar prej votuesve dhe gjithmonë e më shumë prej interesave te grupeve që financojnë fushatat. Në betejën elektorale, vendi i argumenteve racionale politike mbi çështje të rëndësishme që prekin qytetarin reduktohet në minimum, përballë nevojës së krijimit të një imazhi tërheqës në media dhe të dhënies së garancive grupeve që japin resurse.

Rregjimi partitokratik

Deformimi i funksioneve të partive që përbëjnë mazhorancën qeverisëse çon në degjenerim serioz të sistemit demokratik dhe vendosjen e një rregjimi partitokratik. Partitokracia përbën shkakun kryesor të mosfunksionimit të sistemit demokratik. Ajo është një sëmundje që në rradhë të parë prek sistemin e partive dhe pastaj nëpërmjet partive, kjo sëmundje i shtrin metastazat e saj në strukturat e shtetit dhe të gjithë shoqërisë. Partitokracia shfaqet sidomos në vendet me mungesa apo vonesa në krijimin e institucioneve të shtetit së të drejtës. Tiparet kryesore të një rregjimi të tillë janë:

–     Në partitokraci pushteti real përqëndrohet në duar të udhëheqjes së partive politike. Janë udhëheqjet partiake ato që përcaktojnë orientimin politik dhe kanë monopolin e marrjes së vendimeve të rëndësishme të një vendi.

–     Partitokracia imponon një politikë shterpë, pa ide. Mbartësit e një politike të tillë mund të jenë vetëm politikanët më aftësi të kufizuar dhe me shterpësi idesh, thjesht besnik të udhëheqjes së partisë. Një politikë e tillë pa ide sjell një qeverisje intuitive dhe kaotike, të çorientuar dhe pa impakt social

–     Funksionimi i parlamentit është i atrofizuar. Në të vërtetë parlamenti në vazhdimësi ndodhet para aktit të kryer dhe nuk mund të luajë me efikasitet rolin e tij kushtetues, si qëndër e debatit dhe e vendimmarrjes.

–     Qeveria ushtron pushtetin e vet jo sipas një programi qeverisës, por në kuadër të një marrëveshjeje të bërë në mes partive politike. Partitë politike përcaktojnë opsionet e politikës qeveritare sipas ndarjes së “fushave të tyre të influencës”.

Qeveria partitokratike nuk mund të sigurojë stabilitetin e nevojshëm politik, megjithatë ajo nuk mund të bjerë për shkak të votës së mosbesimit të parlamentit. Në partitokraci qeveritë shpartallohen nga brenda, si pasojë e divergjencave të partive në koalicion ose, në rastet specifike, nga konfliktet e brendshme të vetëm një partie.

Shfaqjen e saj më të dukshme partitokracia e ka në kontrollin e sektorëve të ndryshëm të administratës publike, të drejtësisë, të shëndetësisë, të arësimit dhe më gjërë të shoqërisë. Shërbimet dhe resurset publike bëhen preh e presioneve partiake. Duart e partive nuk ndalen vetëm në administratë. Si rezultat i drejtpërdrejtë i kontrollimit të administratës ato shtrihen, në sektorët e ekonomisë, favorizojnë korrupsionin, favorizojnë lidhjet me grupet e implikuar në krimin e organizuar.

Një tjetër karakteristikë e partitokracisë është fakti se elektorati nuk ndjehet i përfaqësuar në qeverisjen e vendit. Ai nuk mund të influencojë as në orientimin politik dhe as në natyrën e koalicioneve të mundshme. I vetmi atribut i tij është të shpërndajë votat ndërmjet partive politike pa pasur mundësi të influencojë në qeverisjen e tij. Përkundrejt një elektorati të pa shpresë, janë militantët partiak ata që përpiqen të vjelin frutet e partitokracisë

Ndërhyrjet e faktorëve jashtë politikës

Kriza e sistemit të demokracisë përfaqësuese thellohet kur faktorë të tjerë jashtë politikës ndërhyjnë në mënyrë të drejtpërdrejtë apo indirekte në marrjen e vendimeve me përmbajtje politike. Bankierë, gjyqtarë, pronarë të mediave në shumë vende shihen të implikuar në vendmmarrjen politike.

Mediat, shoqëria civile janë bërë aktorë protogonistë të opinionit publik. Mbi të gjitha media dhe televizioni. Ekranet kanë zëvëndësuar sheshet, komunikimi dhe imazhet kanë  zëvëndësuar raportin direkt me territorin dhe shoqërinë. Praktikisht ato dominojnë përpunimin e opinionit publik dhe kanë një ndikim të madh edhe në vendimmarrjen e partive politike. Mund të thuhet se në Shqipëri si në shumë vende të tjera të botës, partitë janë gjunjëzuar përpara mediave. Në emisionet e përnatshme televizive politikanët shpesh bëhen të pabesueshëm ose për faj të tyre ose, në të shumtën e rasteve, për shkak të mungesës së alternativave të qarta dhe realiste. Kjo është arësyeja pse ata nuk i kanë dëshirë përballjet televizive. Analistët televiziv tashmë janë shumë më popullor se sa vetë politikanët. Ndërsa politikanët kanë u lëshuar terrenin analistëve, këta nuk janë të legjitimuar si mbartës apo përfaqësues të opinionit publik, por njihen si përkrahës të njërës apo tjetrës forcë politike. Në një farë mënyrë, ata kanë minimizuar rolin dhe rëndësinë e “politikanëve të partive” dhe të vetë partive.

Një arësye tjetër e “delegjitimimit” të partive dhe të politikanëve është e natyrës “teknologjike”. Aktualisht po jetojmë në epokën e digitalizimit dhe të rrjeteve, që influencojnë mbi gjithçka: mbi ekonominë, politikën, jetën e përditshme. Mbi të gjitha, teknologjitë e komunikimit po transformojnë zakonet tona të jetës së përditshme. Ne jemi në kontakt me të gjithë, kudo, në çfardo momenti. Nëpërmjet kompjuterave, telefonave celulare, tableteve dhe të smartfonave, nëpërmjet rrjeteve sociale Facebook, Twitter etj, të gjithë komunikojnë në kohë reale. Por kjo mënyrë komunikimi nuk sjell asnjë akses në vendimmarje. Ajo mbetet monopol i partive, të legjitimuara si përfaqësuese. Nga ana tjetër, ajo që më parë ishte ruajtur në male të tëra letre sot është e digitalizuar dhe e ruajtur në arkiva virtuale. Tashmë çdo dokument mund të gjëndet vetëm në pak sekonda edhe ai më sekreti mund të hetohet, të kapet dhe të zbulohet. Demokracitë tashmë kanë filluar ti trëmben transparencës dhe lirisë së tepërt së rrjeteve dhe internetit, prandaj po shpejtojnë të vendosin rregulla. Tashmë mund të pranohet se opinioni publik është “monopol” i rrjeteve, këtu të gjithë mund të flasin dhe të dëgjohen, bile edhe të shihen, megjithëse edhe të “survejuar”.  Elementet e demokracisë direkte që sjell komunikimi në rrjet nuk duhen konsideruar si fundi i demokracisë përfaqësuese; ato janë të dobishme për të korrigjuar dhe pasuruar demokracinë përfaqësuese, por jo për ta zëvëndësuar atë. Përdorimi prej politikanëve i të gjitha këtyre mundësive të reja teknollogjike rrit së tepërmi shpejtësinë e komunikimit të tyre me qytetarët, krijon transparencën e nevojshme për zbatimin e mandatit të tij përfaqësues.

Në përmbledhje, kjo është vetëm një përpjekje për të skanuar atë që po ndodh ose që po ndryshon në partitë politike për të parë atë “si është”, jo atë “si duhet të jetë”. Kriza e sistemit buron në rradhë të parë nga këto deformime që kanë ndodhur në mënyrën e drejtimit dhe të funksionimit të vetë partive politike. Kjo të çon në konkluzionin e domosdoshmërisë së reformave të sistemit politik, të cilat mund të bëhen veçse prej partive si pjesë përbërse të vet sistemit dhe garantuese të funksioneve përfaqësuese. Nëse vullneti politik i partive për reformat mungon, qytetarët me votën e tyre duhet ti ndëshkojnë ato për t’i hapur rrugë reformimit të sistemit politik dhe funksionimit të shtetit. Ky proces fillon nga reformimi i funksionimit të vetë partive politike dhe mund të eci përpara vetëm nëpërmjet partive. E ardhmja e demokracisë përfaqësuese nuk mund të shihet pa partitë.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi