Model për financimin elektoral e partiak

nga Kastriot Islami, Botuar në shqipëria.com

Të gjithë vendet demokratike tentojnë të vendosin rregulla lidhur me financimin e partive politike në funksion të shprehjes së lirë të opinioneve politike pluraliste e të garantimit të njëkohshëm të mundësive për aktivitetin e të gjitha partive politike. Gjatë hartimit të legjislacionit që rregullon këtë çështje duhen patur parasysh: i) nëse do të flitet për financimin e partive vetëm gjatë fushatave elektorale apo për një koncept më të gjerë të një financimi të plotë e permanent; ii) nëse financimi do të sigurohet vetëm si grant nga buxheti apo do të lejohet grumbullimi i financimeve prej vetë partive; iii) nëse do të pranohen financimet nga burime të huaja, të tilla si parti, organizata, shtete apo individë; iv) nëse financimi do të jetë privat apo publik, apo të dyja së bashku; v) nëse do të ketë «tavane» për financimet për të mos krijuar disbalanca të thella midis financimit të partive politike të ndryshme; vi) nëse do të kërkohet burimi i financimeve apo nuk do të ketë asnjë kërkesë për origjinën e financimeve; vii) nëse do te këtë kontroll/audit të buxhetit të partive politike, si do të kryhej ky proces, nga cilat institucione dhe a do te këtë penalizime financiare apo deri penale.

Tendenca kryesore

Pavarësisht modeleve të ndryshme të përdorura në vende të ndryshme, shqetësimet dhe objektivat për të gjithë vendet janë pothuajse të njëjtë. Disa nga tendencat kryesore janë: i) të kufizohen dhe zvogëlohen shpenzimet e partive politike, ii) të garantohet parimi i barazisë midis partive; iii) të sigurohet transparenca e financimit të partive, iv) të përcaktohet një sistem i mbikëqyrjes së financimeve nga buxheti i shtetit për partitë politike, v) për financimet private duhet të ketë kufizime dhe dënime ekstreme kur shkelet ligji.

Një model për shpenzimet elektorale

Vende të ndryshme kanë aplikuar mënyra të ndryshme zgjidhjeje të çështjes së financimit politik. Një prej tyre do të ishte ajo më poshtë. Menaxherët financiarë të fushatës elektorale. Çdo listë kandidatësh në rang qarku duhet të ketë një menaxher rajonal të buxhetit të zgjedhjeve, më konkretisht përgjegjës për të ardhurat, shpenzimet dhe mbajtjen e kontabilitetit. Në rang kombëtar, çdo parti politike duhet të ketë po ashtu një menaxher kombëtar të buxhetit. Menaxheri kombëtar dhe menaxheri rajonal detyrohen të hapin numër bankar llogarie. Të gjithë të ardhurat e grumbulluara dhe shpenzimet duhet të kryhen vetëm përmes sistemit bankar, duke përdorur llogarinë bankare. Përgjegjës, deri penalisht, për çdo pagesë jashtë kanaleve bankare, për mosrespektimin e rregullave të kontabilitetit, e gjithçka tjetër është menaxheri kombëtar dhe/ose menaxheri rajonal së bashku me forumin politik vendimmarrës.

Transparenca e donacioneve.

Subjekti juridik ose fizik që sjell donacion në numrin e llogarisë, rajonale apo kombëtare, të hapur për listën e kandidatëve, duhet domosdoshmërisht të deklarojë emrin, adresën dhe numrin e identitetit. Në çdo rast duhet të tregohet origjina e donacionit. Shuma e donacionit të ofruar nga çdo subjekt duhet të jetë e kufizuar. Lista e donatorëve duhet të bëhet publike. Nuk duhet të kenë të drejtë të ofrojnë donacione të gjithë ato kompani që kanë marrë pjesë në tenderimin e fondeve publike. Po ashtu nuk ka të drejtë të japë donacione asnjë subjekt i huaj.  Fondet publike/subvencioni shtetëror. Në buxhetin e shtetit përcaktohet shuma që do të vihet në dispozicion të partive politike pjesëmarrëse në zgjedhje. Mbi bazën e disa kritereve që marrin parasysh rezultatin e zgjedhjeve të mëparshme, prezencën e partisë në Kuvend dhe buxhetit total, dhe të shumës së deklaruar nga menaxheri kombëtar për shpenzimet e saj elektorale, përcaktohet shuma që i vihet në dispozicion çdo partie politike. Kjo shumë quhet subvencion nga shteti për fushatën elektorale. Kjo shumë u jepet paraprakisht, vetëm partive parlamentare mbi bazën e kërkesës së bërë nga menaxheri. Kjo shumë u vihet në dispozicion partive vetëm një muaj para fillimit të fushatës elektorale zyrtare. Kjo shumë rikthehet në rast se partia nuk fiton asnjë deputet, kurse në rastin e fitimit të një numri më të vogël deputetësh sesa ai me të cilin ishte llogaritur subvencioni i akorduar paraprakisht, një pjesë e kësaj shume do të kthehet. Përkufizimi dhe limitet e shpenzimeve elektorale.

 Në mënyrë që të disiplinohen shpenzimet, përkufizohet lista e zërave të shpenzimeve elektorale të kryera nga partitë politike, koalicionet ose kandidatët e paraqitur nga grupet e zgjedhësve. Në këtë listë do të bënin pjesë i) shpenzimet për mjetet e propagandës elektorale cilido qofshin ato; ii) shpenzimet për transport; iii) pagesat e stafeve të fushatës, iv) shpenzimet për komunikim elektronik ose postar; v) interesat e kredive (nëse do të lejohen) të marra për qëllime fushate, vi) shpenzimet për qiramarrjen, ngritjen dhe funksionimin e zyrave elektorale. Për shpenzimet duhet të përcaktohet një tavan shpenzimesh. Kontrolli i llogarisë bankare për zgjedhjet. KQZ dhe Kontrolli i Lartë i Shtetit brenda një periudhe të caktuar kohore (të themi deri në 100 ditë nga përfundimi i zgjedhjeve) kanë të drejtë t’i kërkojnë bankave informacion mbi shpenzimet e kryera nga të gjithë subjektet elektorale me numrin e llogarisë të hapur për këtë qëllim. Njëkohësisht ata i kërkojnë menaxherëve financiarë, kombëtarë e rajonalë të dërgojnë informacion mbi veprimet kontabël për zgjedhjet. Për çdo pasaktësi apo dyshim për shkelje apo parregullsi lajmërohet Prokurori i Përgjithshëm. Gjithashtu të gjithë partitë që kanë fituar në zgjedhje duhet të paraqesin përmes menaxherëve, kombëtarë apo rajonalë, një raport të detajuar mbi përdorimin e fondeve publike/subvencioneve shtetërore. Njëkohësisht detyrohen të gjithë bankat brenda një periudhe të caktuar të dërgojnë tek KLSH-ja një raport mbi kreditë e marra nga subjektet elektorale. I njëjti detyrim është edhe për të gjithë kompanitë private që kanë dhënë donacione. Pas një periudhe të caktuar kohore (të themi 200 ditë), KLSH-ja duhet të publikojë raportin mbi korrektësinë e shpenzimeve elektorale për çdo subjekt zgjedhor dhe nëse ka gjetur parregullsi apo shkelje dërgon denoncimin në Prokurorinë e Përgjithshme. Çështja gjykohet nga gjykata. Raporti i KLSH-së dhe eventualisht vendimet e Gjykatës i dërgohen brenda një kohe të caktuar Parlamentit.

Një model për financimin e partive politike

Ligji i financimit të partive politike është përgjithësisht ligji i veçantë, por mund të jetë edhe ndryshe. Rëndësia e hartimit të një ligji të përshtatshëm të financimit të partive politike në ndërlidhje/koherencë të plotë me kapitullin e financimit të fushatës elektorale në Kodin Zgjedhor, mendoj së merr rëndësinë e një prej reformave më të rëndësishme, afatgjata, në funksion të konsolidimit të një sistemi politik të shëndetshëm. Anëtarësimi në BE nuk do të mund të realizohet pa një bazë ligjore të standardeve evropiane dhe pa një implementim të saktë e të drejtë edhe në këtë aspekt. Disa nga parimet mbi të cilat do të duhet të vendoset ky ligj do të ishin si më poshtë. Financimi i partive politike sugjerohet të jetë miks: a) nga buxheti i shtetit; b) nga donacionet e personave fizikë dhe juridikë dhe c) nga kuotat. Nga buxheti i shtetit për partitë parlamentare caktohet një shumë që merr i referohet a) PBB, b) numrit të zgjedhësve/popullsisë dhe një standardi evropian (për shembull shuma e përcaktuar në buxhet për partitë politike është rreth 3 Euro/zgjedhës). Buxheti për financimin e partive shpërndahet midis partive politike bazuar në dy parametra: a) numri i deputetëve të fituar dhe b) numri i votave të fituara me synimin për të bërë funksionale veprimtarinë e grupit të deputetëve dhe realizuar veprimtarinë partiake.

Por njëkohësisht një shumë minimale për funksionalitetin e partive parlamentare jepet pavarësisht nga numri i deputetëve apo i votave të fituara. Donacionet jepen nga a) personat fizikë dhe b) personat juridikë; duhet të përcaktohet një “tavan” për donacionet, dhe standardi në shumë vende evropiane është rreth 6000 euro/vit. Për këtë donacion duhet të deklarohet në organin kompetent (zyrën e taksave) burimi i të ardhurave. Donacionet transferohen vetëm përmes bankës. Burim tjetër do të ishin  kuotat e partisë, të cilat sigurojnë afërsisht deri 10 për qind të buxhetit partiak. Përgjithësisht tarifat e kuotave janë simbolike, duke përjashtuar pensionistët, studentët dhe të papunët. Vlera e tyre mesatare në vendet evropiane nuk kalon 10 euro/muaj. Menaxheri i financave i partisë, për çdo vit, harton buxhetin partiak. Në këtë projekt, po ashtu si edhe me buxhetin e shtetit, përcaktohen të ardhurat dhe shpenzimet; në shumë raste lejohet të parashikohet edhe deficiti. Deficiti përgjithësisht financohet nga bankat. Kopja e buxhetit, marrëveshja e negociuar me bankën për financimin e deficitit dhe të gjithë dokumentet e tjerë i vihen në dispozicion Gjykatës së Llogarive (që i korrespondon KLSH tek ne). Gjykata e Llogarive ka një sektor special për investigimin dhe kontrollin e zbatimit të buxhetit të partive politike; kopje të kontrollit dhe të informacioneve të nevojshme i raportohen parlamentit.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi