Qëndrueshmëria e menaxhimit të financave publike
Nga Valentina Golemi, botuar në Panorama, 12 maj 2020
Në proçesin e distancimit fizik dhe social, si detyrim njërëzor si pasojë e COVID-19, në mënyrë të vazhdueshme mendoj sfidën e qëndrueshmërisë jetësore, shëndetsore, familjare dhe padyshim shpesh si audituese e KLSH-së, mendoj, se sa e sa herë gjatë viteve 2012-2020 Kontrolli i Lartë të Shtetit ka audituar procedura, hartime projektesh të cilat do rrisnin kapacitetet në infrastrukturën shëndetësore, arsimore, social-kulturore, etj, pikërisht për të patur edhe qëndrueshmëri në përballimin e çdo situate të krijuar nga natyra ose nga njeriu
Kështu, natyrshëm lind pyetja si është e lidhur qëndrueshmëria me auditimin publik dhe si KLSH e ka përdorur këtë koncept në auditimet e saj?
Çfarë nënkupton termi qëndrueshmëri? Një ndër përkufizimet më të përdorura : zhvillimi i qëndrueshëm është ai koncept, që prek nevojat koherente (e sotmja) pa kompromentuar mundësinë e zhvillimit për të nësërmen, dmth një qeverisje e mirë duhet të planifikojë, të menaxhojë dhe të zbatojë në kohë, programet politiko-ekonomike që financohen nga të ardhurat publike, duke siguruar kapacitete të nevojshme për përballimin e normalitetit dhe jo normalitetit, siç po ndodh momentalisht pandemia shëndetësore.
Në këtë rast mund të përmend, që është shume interesante dhe shumë kuptimplotë thënia e shkrimtarit të njohur francez Antoine de Saint-Exupery në vitet 30 të shekullit të kaluar “Ne nuk e trashëgojmë tokën, pasurinë, financat nga paraardhësit tanë, ne e kemi marrë ato hua nga fëmijët tanë.”
KLSH në përmbushje të detyrës kushtetuese të auditimit ekonomik-financiar si dhe në përputhje me Standartet Ndërkombëtare të Auditimit ISSAI, me anë të gjetjeve dhe rekomandimeve të prodhuara gjatë auditimeve, ndihmon Qeverinë në përmirësimin e përdorimit të fondeve publike sipas parimit të tre E (ekonomicitet, eficencë dhe efikasitet) për të pasur zhvillim të qëndrueshëm.
Për tu bërë më konkrete, në përditshmërinë e punës audituese është konstatuar, shpesh herë që Qeveritë Shqiptare, kanë përcaktuar dhe ekzekutuar fonde vetëm për hartimin e projekteve në fushën e shëndetësisë, arsimit, kulturës etj, por nuk ka planifikuar fondet e nevojshme në Planifikimin e Buxheteve Afat mesëm (PBA) për vazhdimin e realizimit të zinxhirit, (ndërtimin, rikonstruksionin dhe rehabilitimin) të objekteve/hapësirave, me funksione, si qëndra shëndetsore ose spitalore, korpuse universitare, Muzeu Historik Kombëtar, Galeria Kombëtare e Arteve, etj, ndonëse janë përcaktuar në listën e prioriteteve , për të zbatuar programin e Qeverisë Shqiptare.
Realizimi i projekteve nga studio e projektimeve janë realizuar, si dhe janë paguar për punën e tyre, nga fondet e siguruara nga taksapaguesit shqiptarë, por çuditërisht projektet kanë mbetur në “letra” të parealizuara.
Nëse do bënin paralelizën me situatën që po kalojmë, nga Qeveria po gjenden të gjitha mundësitë financiare që detyrimisht të arrihet në kohë rekord, vënia në funksion të plotë të paktën të Spitalit Covid nr.3 apo nr.4, nuk di cfarë..
Çuditërisht, gjithmonë gjendemi në “situata emergjente”, për të bërë këtë investim apo tjetrin, ku duhet të ishin planifikuar fondet në kohë, dmth u planifikuan fonde për projektimin, ku rrjedhimisht përcaktohet dhe vlera e saktë e investimit, dhe të planifikoheshin fondet për ta implementuar projektin, pasi vlerat e financuara, kanë përbërë dhe përbëjnë risk financiar me vlera të larta, të cilat vetëm kanë rënduar Buxhetin e Shtetit si dhe kemi mangësi të vazhdueshme për shërbime shëndetsore, për shërbime të jetës universitare dhe studentore, si dhe kemi mangësi në pasqyrimin e historisë kombëtare dhe arteve pamore, aq të domosdoshme si nga ana e edukimit të brezave të rinj, ashtu edhe nga ana ekonomike, për përfitimin veçanërisht të turizmit shqiptar.
Ndërkohë pasi kanë kaluar disa vjet dhe projektet ngelen në letër, konstatohet lehtësisht se godinat ku duhet të investohej, rendohen nga ana strukturale, shërbimi i tyre veçse përkeqësohet dhe dhe ndryshimi i teknologjive ecën aq shpejt, sa teknologjitë e mëparshme i ngjajnë “aparateve të parë celular’.
Covid-19 gjithashtu është një ndryshim i madh në mentalitetin njerëzor dhe ekonomik, ku rivlerësohen konceptet mbi jetën dhe idetë të reja shpalosen përpara njërëzimit.
Kjo tregon paqëndrueshmërinë e këtyre projekteve që nuk u realizuan, të humbur në kohë, të cilat do të riprojektohen dhe rikonceptohen duke rënduar përsëri Buxhetin e Shtetit, duke rritur hartën e riskut të menaxhimit të fondeve publike.
Kështu KLSH, nëpërmjet rekomandimeve, synon qëndrushmërinë me auditimin publik , duke kontribuar shtimin dhe kursimin e vlerës së parave publike, duke ndihmuar në përmirësimin e menaxhimit të mirë qeverisjes, duke mos pritur situata jot ë zakonshme, por nevojat e së sotmes ti zhvillojmë në kohë për të nesërmen.
*Audituese e KLSH