Kuvendi miraton projektligjin për funksionimin e administratës shtetërore
27 Shtator, 2012.
Kuvendi zhvilloi sot debat mbi projektligjin “Për organizimin dhe funksionimin e Administratës Shtetërore”.
Projektligji, i hartuar me asistencën e Bashkimit Europian, është rezultat i një procesi thuajse 4-vjeçar që ka kaluar në të gjitha fazat e një procesi të mirë të zhvillimit të politikave dhe përgatitjes së legjislacionit.
Nëpërmjet këtij projektligji synohet ofrimi i një kuadri të përgjithshëm ligjor, për organizimin e administratës shtetërore që mund dhe duhet të përdoret për të gjitha fushat e veprimtarisë shtetërore dhe shmangia e gjetjes së zgjidhjeve të përkohshme, të cilat sjellin fragmetim, probleme bashkërendimi, mungesë llogaridhënieje dhe humbje të burimeve. Gjithashtu, synohet forcimi i kapacitetit të përgjithshëm të qeverisë qendrore për orientimin e përmbushjes së funksioneve shtetërore, hartimin dhe zbatimin e politikave kombëtare dhe korrigjimin e devijimeve; rritja e llogaridhënies së nënpunësve të lartë civilë nëpërmjet një structure të qartë që lehtëson caktimin dhe identifikimin e përgjegjësive, si dhe hartimin e parimeve bazë për funksionimin e njësive të administratës publike, me qëllim orientimin e të gjithë drejtuesve gjatë kryerjes së detyrave të tyre, sipas kërkesave të ‘miradministrimit’.
Pas diskutimeve nga ana e deputetëve të mazhorancës dhe opozitës, Kuvendi e miratoi me shumicë votash projektligjin në fjalë.