Për një rikonceptim të procedurave të ligjit të buxhetit
Nga Ervis Iljazaj, botuar në Mapo, 20 dhjetor 2018
Ndër të tjera, Parlamenti në seancën e fundit të këtij viti do të votojë edhe për rikthimin e ligjit të buxhetit nga ana Presidentit të Republikës, i cili e ktheu atë si pasojë e protestave të studentëve, duke i kërkuar Parlamentit mundësinë e rishikimit të tij për të plotësuar kërkesat e tyre.
Në fakt, kjo është hera e parë që një President në një republikë parlamentare kthen për rishikim ligjin e buxhetit. Jo vetëm në Shqipëri është hera e parë, por ndoshta mund të jetë hera e parë në çdo shtet që ka një formë qeverisjeje parlamentare.
Sepse, ligji i buxhetit është ligji më i rëndësishëm, me anë të së cilit një qeveri shpalos vizionin e saj të qeverisjes dhe orienton vendin politikisht. Kompetenca që i takojnë sipas Kushtetutës së Shqipërisë.
E megjithatë, përtej këtij rasti konkret të rikthimit të ligjit nga ana e Presidentit, ndoshta ky është një moment për të rikonceptuar më së paku procedurat e një ligji kaq të rëndësishëm, jo vetëm në aspektin teknik të tij, por edhe politik.
Nuk ka ligj më të rëndësishëm, mbase pas atij zgjedhor, se sa ligji i buxhetit të shtetit.
Me anë të tij, shpenzohen paratë e qytetarëve, paraqitet vizioni qeverisës i një qeverie apo paraqiten alternativat e qeverisjes të një opozitë. Në këtë kuptim, ku ligj meriton të gjithë vëmendjen procedurale dhe politike të duhur. Gjë e cila, deri më tani nuk ka ndodhur.
Shumë nga vendet demokratike, momentin e aprovimit të ligjit buxhetor e konsiderojnë një sesion të posaçëm parlamentar, i cili zgjat me muaj të tërë. Në këtë sesion ka procedura parlamentare të veçanta dhe jo si një proces ligjor i zakonshëm, ashtu sikurse ndodh në Parlamentin e Shqipërisë.
Kështu që, momenti i aprovimit të këtij ligji nuk mund të trajtohet si një moment çfarëdo parlamentar. Por, si një moment kyç i gjithë politikës, rreth të cilit duhet të pasqyrohen të gjitha alternativat politike dhe ekonomike të vendit.
Kështu siç e trajtojmë sot këtë ligj, nuk është aspak në shërbim të zhvillimit ekonomik dhe politik të vendit.
Edhe pse ligji i buxheti është kompetencë ekskluzive e qeverisë, nuk do të thotë aspak që ai të jetë një moment përjashtues ndaj grupeve të interesit apo palëve të tjera politike.
Por, duhet të shërbejë si një debat gjithëpërfshirës nëpërmjet procedurave që e mundësojnë një gjë të tillë.
Kudo në vendet demokratike, sa herë që afrohet momenti i ligjit të buxhetit të shtetit, shërben si një moment publik për të debatuar, diskutuar dhe rrahur ide apo ideologji të ndryshme rreth tij. Sepse, nuk ka moment më të mirë për të shpalosur çdo vizon të mundshëm për qeverisjen dhe garën e këtyre vizioneve, që mundëson ligji i buxhetit të shteti. Edhe pse në thelb duket një ligj teknik, që thjesht vendos se si do të shpenzohet paratë e qytetarëve, në fakt, është një ligj i cili ka funksion thelbësor për një shoqëri demokratike.
Dhe për të arritur të gjithë rëndësinë dhe funksionet që ka, duhet me patjetër të rikonceptohet si një moment i tillë nëpërmjet procedurave që e mundësojnë këtë.
Për fat të keq, në Shqipëri, ligji i buxhetit vazhdon ende të konceptohet thjesht si ca para të cilat duhen shpenzuar aty-këtu, në mënyrë matematike dhe kaq. Ndërkohë që, ligji i buxhetit është më shumë se kaq. Është ligji më politik që ekziston me gjithë kuptimin që ka kjo fjalë.