Pagat që duam në shtet?

Nga Fatos Çoçoli, botuar në Java, 13 qershor 2023

Reforma e pagave kërkon ta kthejë administratën publike në sa më profesionale dhe tërheqëse në tregun e punës, duke nxitur inovacionin dhe konkurrueshmërinë

Reforma e pagave përbën një ndryshim thelbësor në politikën buxhetore të Shqipërisë.

Për çdo dy lekë të ardhura të mbledhura nga taksat dhe tatimet, nëpërmjet reformës, një lek shkon për transferta direkte, paga, pensione dhe ndihmë ekonomike.

Më 25 maj, Ministria e Financave dhe Ekonomisë prezantoi në Kuvendin e Shqipërisë projektligjin për rritjen e pagave për administratën shtetërore.

Ky projektligj i kthyer në ligj me votimin e deputetëve të Kuvendit në seancë plenare dy ditë më vonë, po synon një reformë të plotë dhe të thellë të pagave, duke e nisur nga hierarkia shtetërore e pagave, e deri kompetencat në fushën e pagave apo trajtimet, si dhe përfitimet e tjera financiare të të punësuarve në administratën shtetërore.

Reforma kërkon ta kthejë administratën publike në sa më profesionale dhe tërheqëse në tregun e punës, duke nxitur inovacionin dhe konkurrueshmërinë. Qeveria ka marrë përsipër brenda një viti, deri në korrik 2024, një shtim deri pak vite më parë të pamenduar në këto nivele të larta, duke e çuar pagën mesatare të nëpunësit publik (kemi mbi 131 mijë të tillë) në nivelin e 900 eurove, në harkun e një viti.

Sa do më shtohet paga më 1 korrik 2023?

Sipas planit të qeverisë, nga 100 mijë lekë të vjetra në muaj për ata me pagë minimale, në 250-320 mijë lekë të vjetra në muaj, për të gjithë punonjësit në shtet me pagë afër pagës mesatare. Qeveria u kujtua vonë për të rritur rrogat, por më mirë vonë se kurrë, thotë populli.

Sa do më rritet paga më 1 korrik 2023?

·         Më 1 korrik 2023, të 85 mijë punonjësit në administratën shtetërore, që janë rreth nivelit të pagës mesatare të sotme 66 mijë lekë në muaj, do të kenë rritjen e parë masive të pagave.

·         Kjo rritje ka efektet që nga 1 prilli 2023 ( u rritet njësoj rroga e prillit, majit dhe qershorit 2023)

·         Ndërkohë, mjekëve, mësuesve dhe punonjësve të rendit u është rritur fort paga tashmë

·         Rritja e 1 korrikut 2023: Mesatarisht rreth 16 mijë lekë në muaj, ose 22 përqind më tepër.

·         Në vitin 2022, rritja e pagës ishte më e larta e 8 viteve të fundit. U shtua me 10.8%, në krahasim me 2021.

·         Më 1 korrik 2024, i bie të marr 100 mijë lekë të vjetra më shumë, po të kem pagë minimale, ose 240-290 mijë lekë të vjetra më shumë, po të kem pagë mesatare.

Lind pyetja, çfarë e nxiti qeverinë të shikojë me ngulm rritjen e pagës mesatare bruto të 180 mijë punonjësve të saj? A është kjo paga që duam? Që të mos braktisim në masë vendin tonë? Do e arrijmë vallë?

Sot, paga mesatare në vend, sipas INSTAT, është 66 mijë lekë ose 580 euro. Vendimi për të rritur pagën në administratën publike me 45 përqind nga niveli i tanishëm, brenda një viti, është një vendim sa kurajoz aq pozitiv, i pritur prej shumë kohësh, i domosdoshëm për të gjitha kategoritë e punës dhe strukturën e pagave në sektorin publik.

Paga mesatare në shtet 2014-2024

–          2014                                                       45,539 lekë/muaj

–          2022                                                       66,014 lekë/muaj

–          2024(korrik)                                   102,000 lekë/muaj

Po paga minimale?

Qeveria ka vijuar ndërkohë me reformën e rritjes së pagës minimale. Nga 1 prilli 2023, ky nivel page është rritur me 6 mijë lekë, duke arritur në 40 mijë lekë në muaj. Synimi i qeverise është që brenda vitit 2025, paga minimale të shkojë në vlerën 45 mijë lekë, ose 405 euro në muaj. Kjo është një politikë që kërkon t’u vijë në ndihmë punonjësve në shtet me të ardhura më të pakta.

Më 1 prill 2023, paga minimale e bë e treta pagë minimale më e lartë në rajon, baraz me pagën minimale në Maqedoninë e Veriut. Janë 200 mijë qytetarë që marrin pagë minimale në Shqipëri. Paga e tyre një vit më vonë, do të rritet me 50 mijë lekë të vjetra në muaj.

Sa do më shkojë në 2024, nëse marr pagë minimale?

–          2013                                                       22 mijë lekë/muaj

–          2021                                                       30 mijë lekë/muaj

–          2023                                                       40 mijë lekë/muaj

–          2024(parashikim)                             45,000 lekë/muaj

Paga në shtet dhe paga në privat

Paketa qeveritare e reformës së pagave do të shërbejë edhe si nxitje për rritjen e mëtejshme të pagave edhe në sektorin privat. Administrata publike punëson sot rreth 131 mijë punonjës, në sektorë si arsim publik, shëndetësi publike, administratë publike qendrore dhe vendore, në polici, ushtri, ndërmarrje shtetërore aksionere, etj. Sektori privat, i cili jep më shumë se 80 përqind të prodhimit të përgjithshëm bruto të vendit, punëson më shumë se një milion punonjës në Shqipëri. Një pjesë e mirë e punonjësve në sektorin privat, rreth 40 përqind, janë të vetëpunësuar në bujqësi.

Të dyja rritjet e pagës mesatare deri në korrik 2024

–          01 Korrik 2023                                            + 16 mijë lekë/muaj ose +22%

–          01 Korrik 2024                    + 20 mijë lekë/muaj ose +20%

Paga mesatare bruto:

–          Ishte në Mars  2023                                         66,040 lekë/muaj

–          Shkon në Korrik 2023                                     82,000 mijë lekë/muaj ose +22%

–          Shkon në Korrik 2024                                      102,000 mijë lekë/muaj ose +20%

RRITJA TOTALE NË KRAHASIM ME SOT: 42%!

Niveli i pagave, më shumë se sa një politikë sociale, varet nga produktiviteti(sasia e mallrave dhe shërbimeve që prodhon në njësinë e kohës) i ekonomisë dhe mundësitë financiare që ka vendi për të zbatuar një politikë të pagave më të larta minimale dhe mesatare.

Shtimi i ndjeshëm i pagës mesatare në shtet do të shërbejë si presion pozitiv edhe për rritjen e pagës mesatare në ekonominë shqiptare. Tek ne, prej vitesh ka pasur një hendek lidhur me nivelin e pagave minimale dhe mesatare, krahasuar me vendet e rajonit, të afërta me nivelin e fuqisë blerëse të vendit tonë, si Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi.

Paga mesatare 900 euro: mision i mundur!

Paga mesatare bruto(pa taksat dhe sigurimet shoqërore e shëndetësore), është rritur ngadalë gjatë nëndë viteve 2013-2021. Nga 45.5 mijë lekë që ishte në vitin 2014, viti i parë që INSTAT raporton pagën mesatare, ajo arriti në 66 mijë lekë pas 9 vitesh në 2022-in, me një rritje të paindeksuar me inflacionin, prej 45 përqind. Gjatë vitit 2022, pagat u rritën me shtim dyshifror, nga presioni i inflacionit të lartë dhe nga presioni i mungesës së punonjësve, me pothuajse të gjitha bizneset që raportonin vështirësi në gjetjen e fuqisë punëtore në të gjithë sektorët e ekonomisë, deri në nivele 55 mijë-60 mijë punonjës në mungesë dhe në kërkim për t’i gjetur.

Tabela 5. Pse paga mesatare 900 euro është mision i mundur?

·         Për të rritur pagën e 131 mijë punonjësve në shtet(buxhetorë, bashki, sh.a) deri në kufirin 900 euro(102 mijë lekë), qeverisë i duhen 39 miliardë lekë ose 363 milionë euro shtesë(sipas këmbimit 1 euro sot) brenda 12 muajve!

·         I ka ajo këto para?

PO!!!

Ku i ka?

1.       Sufiçit nga inflacioni i lartë(Viti 2022 dha 470 mln euro më shumë. Pritet dhe 2023 të japë 230 mln euro më shumë, ndërsa 2024 do japë 120 mln euro)

2.       Fiskalizimi po sjell ulje të informalitetit. Më pak informalitet, më shumë të ardhura në buxhet. Shtim të ardhurash 75 mln euro në vit

3.       Mirëadministrim tatimor 2023-2024: Shtim të ardhurash 40 mln euro në vit

Reforma e pagave synon të përmirësojë edhe hierarkinë e tyre, për të tërhequr e mbajtur në administratë punonjësit e kualifikuar. Ajo realizon një lidhje të drejtpërdrejtë midis pozicionit të punës dhe përgjegjësisë përkatëse, me pagën që punonjësi do të marrë këtej e tutje në shtet.

Reforma përbën një ndryshim thelbësor në politikën buxhetore dhe fiskale të Shqipërisë. Është ndryshim historik, pasi ajo e sjell politikën buxhetore më shumë në shërbim të qytetarëve. Për çdo dy lekë të ardhura të mbledhura nga taksat dhe tatimet, nëpërmjet reformës, një lek shkon për transferta direkte, paga, pensione dhe ndihmë ekonomike. Gjysma e parave të buxhetit të shtetit shkon drejtpërdrejtë të qytetarët, ndërsa gjysma tjetër për përmirësimin e shërbimeve, investime dhe të tjera aktivitete buxhetore.

Me këtë reformë, paga në arsimin publik rritet me 72.4 % dhe në shëndetësine publike me 99.2 %. Rritje të tjera të ndjeshme do të pësojë paga mesatare edhe në sektorë të tjerë të administratës shtetërore.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi