Administratës i duhet sistemi i karrierës e jo i ashensorit
Nga Platon Nesturi, botuar në Fjala.al, 26 qershor 2021
Nuk është hera e parë që maxhoranca ndërmerr nisma që thërresin në vëmendje grupe të caktuara me interesa të veçanta. Edhe nisma e fundit “Gati për Shqipërinë” ka ngjallur vëmendje të shtuar dhe aplikimet në të kanë qenë vërtet të larta. Duke iu drejtuar një kategorie siç janë të shkolluarit jashtë si dhe ata që kanë patur eksperienca të suksesshme në vendet perëndimore, synimi duket për përthithjen e këtyre eksperiencave për të kontribuar në sektorë të ndryshëm të qeverisjes, të ekonomisë dhe sektorit të shërbimeve. Në fakt, në mandatin e tretë të saj, maxhoranca ka shansin dhe luksin për të bërë një reformë për një administratë më cilësore dhe më të efektshme. Pa patur trysninë e interesave elektoralë apo të detyrimeve prej aleatëve kontibutorë në maxhorancë, gjatë kësaj kohe janë vënë në provë shumë prej atyre që u provomuan prej kontributeve politike, por jo çdokund kanë rezultuar të duhurit e në lartësinë për detyrën që iu është ngarkuar. Çështja e aftësisë dhe profesionalizmit të administratës publike mbetet ende një ngërç me kosto si për vendin dhe për çdo maxhorancë që thjesht ka bërë qokat me shpërndarjen e posteve. Dhe u pranua dhe nga vetë kryeministri gjatë fushatës elektorale si problematikë që duhet të jetë në fokus të mandatit të ri. Në këtë aspekt nisma “Gati për Shqipërinë” duhet vlerësuar si nisje e një procesi dhe nuk mund të bësh nihilistin duke e paragjykuar pa parë se çfarë do prodhojë. Ka shumë energji, ide dhe dëshirë nga një brez i cili do të kontribuojë për vendin e për karrierën e vet dhe për ta bërë produktive këtë duhet vullnet politik.
Gjithësesi kjo nismë nuk duhet të mbetet thjesht me kah nga jashtë, pasi dhe këtu mes nesh, në rrugët e Tiranës dhe të Shqipërisë, vërtiten plot njerëz të suksesshëm profesionalisht dhe që kontributi dhe energjitë e tyre janë mohuar për tu shprehur. Në mundësi dhe në kontribut duhet të jemi të barazvlefshëm, ndaj gjithpërfshirja është elementi që e bën më të suksesshëm një reformë që gjithësesi duhet kryer. E këtu nuk mund të quhet sukses thjesht lançimi i ndonjë diplomuari jashtë duke e katapultuar në majat e institucioneve qëndrore, por kuntribuimi së pari në administratë e ku të ngrihet sistemi i karrierës e jo i ashensorit. Dhe si element shtesë, thithja e e diplomuarve jashtë vendit duhet të shërbejë dhe si shtysë për një reformë të thellë në sistemin arsimor, sidomos atë universitar, në mënyrë që diplomat e studentëve të këtushëm të mos mbesin si copa kartoni e të pavlefshme për tregun e punës.