Institucione të pavarura, të varur nga politika dhe politikëbërësit

Nga Prof. Asc. Dr. Rezana Konomi, botuar në Panorama, 7 dhjetor 2017

Sa herë që flasim për nocionin “institucione  apo agjenci të pavarura”, gjithmonë i referohemi faktit të nevojës së tyre për të qenë realisht të pavarura dhe të mbrojtura nga çfarëdolloj ndikimi, duke i bërë ato të qenësishme dhe të rezistueshme ndaj ndërhyrjeve eventuale politike dhe duke u dhënë autonomi vepruese. Natyrisht qe pavarësia e tyre nuk mund të jetë absolute, sepse sikurse qeveria dhe institucionet e pavarura i japin llogari përfaqësuesve të zgjedhur, Kuvendit, i cili mbikëqyr punën e tyre. Teorikisht, institucionet e pavarura duhet të jenë entitete, të cilat shërbejnë për të rregulluar në mënyrë të pavarur funksione të ndryshme të jetës publike.

Ato duhet të jenë baza e një demokracie funksionale dhe së bashku me pushtetet e tjera: legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor, duhet të mundësojnë një sistem të zhvilluar të ruajtjes së baraspeshës, duke shtuar përgjegjshmërinë dhe duke zbutur ndikimin politik. Institucionet e pavarura krijohen sipas përcaktimeve të Kushtetutës ose me ligje të veçanta. Këto të fundit krijohen me ligje specifike, të cilat përfshijnë rregulloret e punës, organizimin, kompetencat, përzgjedhjen e bordeve, kryetarëve apo drejtorëve. Në dukje gjithçka reflekton rregull dhe pavarësi.

Por a është e tillë situata konkrete, a janë vërtet të pavarura institucionet apo agjencitë ligjzbatuese? Në fakt po të vëzhgohen me kujdes se si procedohet në zgjedhjen e drejtuesve të kë- tyre institucioneve, është e dukshme se integriteti dhe pavarësia e Institucioneve të Pavarura pengohet që në krye të herës, që nga mënyra se si emërimet klienteliste politike janë dominante. (Në nivel bordi, kryetari apo dhe ekzekutiv). Në shumë raste, emërimet e tilla i kanë shndërruar këto institucione në “çerdhe” për të rehabilituar anëtarët e militantët e subjekteve të caktuara politike, për të kënaqur një oreks apo për ndonjë qok partiake të nivelit ndarje tepsie.

Pikërisht për këtë arsye, jo në pak raste, madje dhe mediatike, vërejmë se si inspektoriate të ndryshme mbajnë standarde të ndryshme për të njëjtat subjekte apo problematika, vërejmë pa fund raste diskriminimi dhe pabarazie, sepse kostumi dhe ngjyrimi partiak i personave që punësohen në këto institucione dhe që reflektojnë bindjet e kreut të tyre, cenojnë paanësinë dhe objektivitetin, duke sjellë konflikte dhe çështje gjyqësore të tejzgjatura në kohë dhe me kosto të larta për biznesin dhe për publikun. Por le të shohim më konkretisht se si procedohet edhe ligjërisht për zgjedhje apo emërimet e krerëve të këtyre institucioneve.

Dhe nëse kuptojmë këtë procedurë, pyetja e shtruar a janë të pavarura institucionet e pavarura, nuk ka nevojë për asnjë përgjigje. Në Rregulloren e Kuvendit të Shqipërisë, neni 111 “Zgjedhja e organeve kushtetuese ose të krijuara me ligj”, është parashikuar dhe dhënia e pëlqimit për kandidaturat për në organet kushtetuese ose të krijuara me ligj, të cilat zgjidhen nga Kuvendi. Sipas këtij neni, dhënia e pëlqimit duhet të paraqitet me shkrim nga jo më pak se 28 deputetë dhe të përmbajnë një curriculum vitae të kandidatit dhe pëlqimin e tij (kërkesën) për kandidimin.

Me paraqitjen e kandidaturave, Kryetari i Kuvendit ia kalon ato menjëherë komisionit përkatës. Në të gjitha rastet, komisioni përkatës, brenda afateve të përcaktuara në këtë nen, shqyrton përmbushjen e kritereve kushtetuese e ligjore dhe meritën e çdo kandidature. Gjithashtu, Komisioni organizon seanca dëgjimore publike me secilin kandidat. Kur e lexon këtë dispozita duket gjithçka demokratike dhe shumë transparente, sepse publikimi për vendet vakante është publikuar në faqen e Kuvendit dhe me shumë gjasa kushdo mund të paraqesë kërkesën për kandidim. Por realisht sa sigurohet kjo nga procedura dhe ligji.

A ka barriera, të cilat pengojnë garën e ndershme dhe të drejtë? Por nëse do të dëshironte të kandidonte një ekspert, një person, i cili pretendon se është profesionalist, plotëson kriteret ligjore, por është i paanshëm dhe pa përkatësi politike (pavarësisht bindjeve të brendshme), a mundet të hyjë në këtë procedurë, a ka mundësi reale të marrë pëlqimin, me fjalë të tjera, nënshkrimin me firmat e 28 deputetëve? Nëse po, ju të nderuar politikanë, që i hartoni ligjet dhe rregullat duke menduar vetëm për veten tuaj, a mund të na thoni se si mundet ta realizonte kushdo qoftë, natyrisht i panjohur për ju dhe partinë tuaj, këtë cuazi të drejte?

Ndoshta do t’i duhet të priste deputetët te hyrja e Kuvendit, te pallati apo te selia e partisë. Nëse do t’u shkonte pas xhaketave deputetëve duke i gjetur aty-këtu, duke i ndjekur në kërkim të firmave, si do mundte një deputet të nënshkruante për një person që as e njeh, as di çfarë përfaqëson?! Apo përsëri do ishte me vend shprehja: “Punë ka, por s’ka profesionistë……..”! Koncepti i “dhënies së pëlqimit”, nëpërmjet sigurimit të 28 firmave të deputetëve, sikundër ju keni vendosur në rregulloren që keni hartuar, në fakt është një e drejtë që u sigurohet vetëm personave që janë pranë partisë, militantë, anëtarë partie, nëpunës nëpër selitë tuaja ose ish-deputetë, të cilëve u jepet nga një copë tortë për t’u shpërblyer për kontributet e dhëna në parti apo fushata elektorale.

Nëse do të listoja me emër (pa as më të voglin përjashtim) të gjithë krerët e Institucioneve të pavarura vetëm në koncept, por tërësisht të varur nga politika, do të kuptonim të gjithë sa të pavarura janë Institucionet tona dhe sa mundësi kanë specialistët apo profesionalistët, ekspertët të mund të bëhen pjesë e një gare ku duhet të vlerësohet aftësia dhe integriteti. Por ndodh edhe më keq se kaq, kur “kandidatët” (natyrisht ata që vijnë nga partitë dhe kanë marrë pëlqimin e deputetëve) nuk plotësojnë as kriteret ligjore të parashikuara në ligjin organik të votuar nga vetë deputetët.

Në vendin tim të çudirave shqiptare, partitë politike bëjnë kur ua do puna dhe marrëveshje politike, e cila ngrihet mbi ligjin dhe kanë përparësi kundrejt çdo ligji tjetër dhe interesi publik. Kjo është shpikja jonë origjinale për të bërë deri në fund qokat reciprocikisht. Dhe në fund të kësaj pikënisjeje, ku fillon gjithë e keqja, institucionet e (pa)varura kthehen në celula partish që investojnë gjithë burimet njerëzore nëpër fushata e mitingje dhe për këtë arsye administrata jonë publike, nëpunësit e saj janë ciklikë sipas partive që vijnë dhe ikin në pushtet, duke kthyer paqëndrueshmërinë në kulturë dhe duke humbur tërësisht besimin e publikut për çdo shërbim që ofrohet prej tyre.

Pikërisht këtu fillon dhe ana tjetër negative e problemit. Nga besimi i humbur, ka humbur dhe niveli i vetëdijes publike, reagimi i shoqërisë sonë në lidhje me punën e institucioneve të pavarura, i cili është vakët gati inekzistent, sikurse edhe qasja në informacion, e cila është e kufizuar. Deri tani nuk ka ekzistuar ndonjë presion i madh publik për të ndikuar në fuqizimin dhe depolitizimin e Agjencive dhe Institucioneve të Pavarura. Asnjë parti politike nuk ka qenë e interesuar për këtë dhe natyrisht as shoqëria civile, e cila është një zgjatim partish dhe në funksion të tyre.

Si gjithmonë ndërkombëtarët kërkojnë administratë të pavarur politikisht, madje është kusht për të trokitur në dyert e Europës. Por nuk ka dhe nuk mund të ketë administratë të pavarur, apo institucione të pavarura, nëse zgjedhja e drejtuesve të tyre do të jetë vetëm atribut i (deputetëve) partive politike dhe i beniaminëve të tyre. Nëse do t’u referohemi standardeve dhe praktikave të vendeve të zhvilluara, ekzistojnë disa kritere apo kushte, të cilat ndikojnë që Institucionet e Pavarura ta ushtrojnë mandatin e tyre në mënyrë efikase dhe të lirë.

Ndër kriteret primare, vlerësohet të jetë pavarësia financiare, e cila do të ndikonte në fuqizimin e autonomisë së plotë vepruese. Kriter tjetër i rëndësishëm vlerësohet të jetë pavarësia në emërimin e organeve drejtuese, e cila do të bazohej në vlera meritokracie dhe jo klienteliste e politike. Dhe e fundit, pavarësia në vendimmarrje dhe respektimi i vendimeve nga ana e institucioneve të tjera.

Vetëm duke respektuar këto kritere të mirëprovuara, institucionet e pavarura kthehen në subjekte kyçe të funksionimit të pushtetit, duke garantuar dhe siguruar kontrollin, ekuilibrimin, si dhe zbatimin e sundimit të ligjit. Politizimi dhe partizimi i deritanishëm i institucioneve të pavarura mbi baza klienteliste, ka cenuar funksionalitetin e shtetit të së drejtës dhe ndërtimin e një demokracie funksionale.

Dhe historia përsëritet në këtë formë në vendim tim, ku anarkia është normale, ku i afti përçmohet dhe i mençuri etiketohet jashtë mode, ku për një vend pune apo pozicion duhet të depersonalizohesh duke u zvarritur me përulësi partisë apo deputetëve. Ky është vendi im i mjerë, ku ka shumë punë dhe aspak profesionistë, sepse sytë e partisë nuk dinë t’i dallojnë speciet që janë të ndryshëm nga ata. Ky është vendi im ku paligjshmëria është e ligjshme dhe imoraliteti, paaftësia, pangopësia, pandershmëria dhe servilizmi të vetmet kritere dhe vlera me të cilat mund të mbijetohet.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi