Disa mënyra të thjeshta për manipulimin e të dhënave ekonomike
Nga Gjergj Erebara, botuar në Shqip, 1 mars 2014
Manipulimi i drejtpërdrejtë i statistikave ekonomike është metoda më e rëndomtë e propagandës e përdorur nga politikanët (jo vetëm në Shqipëri) përgjatë shumë dekadave. Por më i zakonshëm është edhe leximi gabim i statistikave, krahasimi i paqenë etj. Këtu po japim një listë të mënyrave propagandistike që janë përdorur në Shqipëri për t’i mbushur mendjen popullit se tani jetojmë më mirë se në të shkuarën dhe, mbi të gjitha, që këtë jetë luksi që kemi sot, e kemi falë punës së palodhur të udhëheqësve.
1. Krahasimi me vitin 1912
Propaganduesit e kohës së Mbretërisë Shqiptare (1928-1938), përdornin vitin 1912 si referencë në krahasimet e tyre. Krahasimet më të rëndomta qenë të tilla si: Më 1912 në Shqipëri kishte dhjetë ura, ndërsa tani ka 20 ura apo dy herë më shumë; kishte aq kilometra rrugë e tashmë ka kaq. Kjo quhet lojë me numra të vegjël. Nëse një vend ka pasur një apo asnjë urë, natyrisht që pas njëzet apo tridhjetë vjetësh do të ketë më shumë ura. Kjo nuk përbën mrekulli ekonomike.
2. Krahasimi me vitin 1938
Alexander Gerschenkron, një ekonomist amerikan i lindur në Rusi, e shpjegoi thjesht këtë punën e krahasimit me një vit të largët dhe të keq. Ai quhet “avantazhi i prapambetjes”. Kur je një vend i prapambetur, vështirë se ka rrugë tjetër veç ecjes përpara. Kjo qe veçanërisht e vërtetë kur bëhej fjalë për indeks, ose rritje në herë në krahasim me vitin 1938, metoda më e parapëlqyer e propagandës komuniste. Ky quhet ‘efekti Gerschenkron’ ose njëanësia e indeksit. Gerschenkron u mor me analizimin e ekonomisë sovjetike, nga ku u mor edhe modeli i propagandës ekonomike që u zbatua në Shqipëri gjatë kohës së komunizmit. Vlera dhe përbërja e bazës së indeksit përcakton vlerën e saj në të ardhmen, thotë Gerschenkron.
Krahasimi me vitin 1938 gjatë kohës së komunizmit duket se rridhte thjesht nga fakti që përgjatë pushtimit fashist të Shqipërisë, ekonomia shqiptare përjetoi një bum të vërtetë në termat e prodhimit, investimeve e kapitalit njerëzor. Në rast se komunizmi do të përdorte vitin ‘45 si referencë, shifrat do të kërcisnin.
3. Fshih ose injoro shifrat e hidhura
Një nga metodat më të zakonshme të propagandës ekonomike është kapja pas shifrave periferike. Qeveria demokrate e kaluar për shembull, për më shumë se një vit mbajti të fshehtë dhe nuk publikoi një vrojtim të Institutit të Statistikave që bëhet një herë në disa vjet, Matja e Nivelit të Jetesës. Herën e fundit ky vrojtim qe bërë më 2008, ku rezultatet qenë pozitive. Në krahasim me vitin 2002 apo 2005, kishte një rënie drastike të njerëzve të varfër. Kuptohet që me krizën e viteve 2009-2012, varfëria u rrit ndjeshëm. Qeverisë nuk i pëlqeu kjo gjë, rrjedhimisht e mbajti të fshehtë raportin për më shumë se një vit e gjysmë.
4. Vlerësoje PBB-në më të lartë
Shqipëria deri më sot nuk ka ndonjë sistem shumë të mirë të vlerësimit të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Me informalitet shumë të lartë dhe pa pavarësi politike në prodhimin e statistikave, është shumë e lehtë të manipulosh në rritje prodhimin e brendshëm bruto. Diçka e tillë është kryer rregullisht përgjatë njëzet viteve të fundit. Në kohën e Berishës së parë për shembull, ka një si tip legjende që presidenti i kohës urdhëron që rritja ekonomike të dilte dyshifrore. Në atë kohë, rritja ekonomike qe sakaq shumë e lartë, tetë apo nëntë për qind në vit. Por dukshëm qe një fiksim që rritja të bëhej dyshifrore. Dhe kështu u bë. Ajo u shpall 12.5 për qind. Por ka një kleçkë. Kur ekonomia rritet me 10 për qind, të ardhurat e qeverisë duhet të rriten me së paku 12 apo 15 për qind. Një ekspert ekonomist dhe socialist përgjatë viteve 2001-2005, tha se “mbreti është lakuriq” kur pa se ndërsa rritja ekonomike deklarohej fiks 6 për qind, të ardhurat e qeverisë si përqindje e PBB-së binin. Ka edhe një element tjetër. Duke qenë se politikanët janë të fiksuar të “realizojnë” objektivin e PBB-së, ata dukshëm nuk e vrasin mendjen për detajet. Rritja ekonomike deklarohej 6 për qind si në kohë të mirë, ashtu edhe në kohë të keqe. U deklarua po kaq në vitin 2002, kur vendi qe zhytur në një krizë energjetike me përmasa të jashtëzakonshme.
5. Ndrysho vlerësimin e PBB-së
Si pasojë e këtyre keqbërjeve të vogla me vlerësimin e PBB-së, INSTAT ndërmerr herë pas here rivlerësime. Rivlerësimet janë kryer disa herë përgjatë njëzet viteve të fundit dhe gjithmonë me ulje. Por kur këto rivlerësime u bënë në vitin 2006 nga INSTAT, situata doli me shumë leverdi për qeverinë e PD-së. Të ardhurat e qeverisë si përqindje e PBB-së papritur u rritën, jo se u rritën të ardhurat, por se u ul PBB-ja.
6. Manipulo inflacionin
Indeksi i Çmimeve të Konsumit është një nga treguesit më të vështirë të ekonomiksit në botën e sotme dhe nga më të lehtit për t’u manipuluar. Ai del si konkluzion i matjes në kohë të mijëra çmimeve të produkteve në të gjithë vendin. Këto çmime duhet të kenë një peshë specifike të caktuara në shportë. Shporta duhet t’i përcaktojë peshat sipas përzgjedhjes konsumatore. Në kohë bumi ekonomik, logjikisht konsumi i mallrave të luksit dhe çmimet e tyre rriten. Dhe e kundërta, në kohën e krizës ekonomike, konsumi i mallrave të luksit dhe çmimet e tyre bien. Por peshat e këtyre mallrave në indeks nuk ndryshojnë. Rrjedhimisht ndodh që inflacioni i mallrave (të luksit) në kohë bumi nuk matet ose nuk jep efektin e plotë në indeks, duke e nxjerrë inflacionin më të ulët sesa realiteti. Për fat të keq, e kundërta ndodh edhe në kohë krize. Kur konsumi dhe çmimet e mallrave të luksit ulen, ato e nxjerrin sërish inflacionin më të ulët. Pikërisht kjo ka ndodhur gjatë viteve të fundit me Indeksin e Çmimeve të Konsumit në Shqipëri. Rritja e çmimeve të mallrave të nevojës së përditshme, si ushqime, është kompensuar nga rënia e çmimeve të mallrave afatmesme, si veshjet dhe këpucët. Por ne nuk e kemi të qartë nëse pjesa e shpenzimeve për ushqime është rritur si pasojë e rritjes së çmimeve apo jo.
Autoritetet kanë praktikisht një monopol në prodhimin e këtij indeksi. Askush përveç tyre nuk është në gjendje të monitorojë rregullisht çmimet e dhjetëra mijëra mallrave apo shërbimeve në të gjithë vendin. Duke qenë se inflacioni përdoret për të llogaritur shumë gjëra, kjo keqmatje e tij ndikon në jashtëzakonisht shumë elemente të jetës së përditshme. Prodhimi i brendshëm bruto për shembull vlerësohet më i lartë si pasojë e kësaj prirjeje të inflacionit për t’u matur më i ulët se realiteti. Ky defekt i indeksit në tërësi dhe i indeksit të inflacionit në veçanti, u leverdis shumë udhëheqësve, sido që, jo aq shumë të qeverisurve.
7. Bëj krahasimin e gabuar (shfrytëzo cektësinë e medias)
Krahasimi është një nga disiplinat më hileqare të ekonomiksit. Krahasimi në kohë dhe hapësirë nuk është kurrë i lehtë. Siç e dimë, qejfi i madh i qeverisë paraardhëse. Për vite, ata u mburrën mes të tjerash për “rritjen më të madhe ekonomike në Europë”, ose “për rritje ekonomike më të madhe se Italia apo Gjermania”. Gjëra të tilla ngjisin për shkak se media përgjithësisht është e cekët. Nuk lodhet shumë me detaje. Media ndërkombëtare shpesh kërkon “the success story”.
8. Lexoji shifrat mbrapsht
Mënyra më interesante e formulimit të lajmeve proqeveritare së fundmi është shfaqur në këtë format: “Rritet numri i punëkërkuesve pranë zyrave të punës në Berat”, thotë lajmi. Pra, në rastin konkret, nuk kemi rritje të papunësisë, kemi rritje të numrit të punëkërkuesve. E njëjta gjë kur vjen puna te financat e shtetit. Nuk ka pse të thuhet se “është rritur deficiti”. Mund të thuash se janë rritur investimet.
9. Kap ndonjë shifër periferike
Po në raste të tjera p.sh. raportohet: “krediti për sektorin e bujqësisë u rrit me 5.7 për qind”. Duke qenë se krediti për bujqësinë ka qenë dhe mbetet një qindarkë, nuk është e çuditshme që kjo qindarkë të shtohet me 5.7 për qind. Kuptohet, nëse qindarka e bujqësisë është pakësuar, ka gjithmonë shans të gjesh ndonjë qindarkë tjetër që është rritur sa për të prodhuar lajm. Në fund të fundit, duke u marrë me shifra periferike, përveç faktit që prodhon një lajm pozitiv, i krijon përshtypjen popullit se i di gjërat deri në detaje.
10. Bëji krahasimet me bazën që të leverdis
Kur shtrohet çështja për të gjetur statistika që tregojnë sukses të madh në punën e një udhëheqësi, është gjithmonë më e lehtë të manipulosh krahasimin sesa të manipulosh vetë rezultatin. Për shembull, nëse kemi të ardhurat në buxhet, ato mund t’i krahasojmë me të njëjtën periudhë të një viti më parë, në krahasim me planin, në krahasim me muajin paraardhës, ose si përqindje e PBB-së. Nëse i sheh me kujdes të gjitha këto, është e sigurt se në mos me njërin, me treguesin tjetër do të dalë patjetër diku rritje. E nëse nuk ka rritje, mund të përdorësh pikën 8. Kujdes! Ekonomistët kanë një batutë të egër në këto lloj rastesh: kur ndokush për efekt të mbështetjes së argumentit të vet bën krahasimin me bazën e gabuar, dëgjuesit zakonisht i thonë: “po krahason domatet me kastravecët dhe po i bën lëmsh. Domatet janë të rrumbullakëta, e nuk krahasohen me kastravecin që është si i zgjatur. Apo jo!?”
11. Përdor gjuhë të panjohur
Ekonomistët njihen si njerëz të mërzitshëm, që flasin me një gjuhë që për shumicën e popullsisë nuk ka rëndësi. Njerëzit duan të dinë, a ka lekë apo nuk ka lekë. Ekonomistët u thonë se Prodhimi i Brendshëm Bruto u rrit me 2.7 për qind për shembull. Fillimisht Fatos Nano dhe më pas, Banka e Shqipërisë, filluan ta përdorin me efikasitet të plotë këtë fenomen. Ata e bënë gjuhën e ekonomiksit edhe më të mërzitshme nga sa është zakonisht, përgjithësisht për t’i shpëtuar sikletit të të thënit gjëra të rëndësishme, veçanërisht në kushtet kur punët ecin keq. Në vend që të thuash për shembull, se ekonomia është e zgërlaqur, thua që ekonomia po performon nën potencialin e vet afatgjatë. Në vend që të thuash që është rritur eksporti i naftës dhe kromit nga Shqipëria, thua “kërkesa e ekonomisë botërore për mallrat shqiptare shfaqet e fuqishme dhe e qëndrueshme”.
12. Mos i jep kohë armikut
Metodat e leximit të gabuar të statistikave janë mjaft me leverdi për propaganduesit, por ato duhet të kenë gjithmonë elementin surprizë. Dëgjuesit nuk duhet ta kenë parasysh paraprakisht se për çfarë po flitet, sepse në rast të kundërt, ata mund të reagojnë. Për shembull, deklaroji statistikat para se të publikohen ose menjëherë sapo janë publikuar, sepse kështu armiku nuk do të jetë në gjendje t’i shohë me detaje. Kur t’i shohë detajet, debati do të ketë kaluar.
Kujdes! Kodi i Etikës i qeverisë aktuale sanksionon që një zyrtar nuk mund të shpallë statistika para se zyra përkatëse me përgjegjësinë ligjore të hartimit dhe publikimit të statistikave, nuk i ka bërë këto statistika publike. Kuptohet, Kodi i Etikës zbatohet në mënyrë selektive. Deri tani nuk dihet të jetë zbatuar, por nuk i dihet.