Opozita: Qeveria manipulon statistikat

17 shtator 2012

Partia Socialiste akuzon qeverinë se ka manipuluar statistikat zyrtare që kanë të bëjnë me ekonominë. Sekretari për Programin, Ilir Beqja, tha në një konferencë për shtyp se në shtatë vjet qeveria shkatërroi shërbimin statistikor në vend. “Kemi cenim serioz të pavarësisë së autoritetit statistikor, sepse maxhoranca aktuale ndërhyn në mënyrë flagrante. Si pasojë e politizimit të skajshëm të prodhimit dhe shpërndarjes së të dhënave statistikore kemi prekur nivelin më të ulët historik të besueshmërisë. Kemi dështim të politikave të përhapjes dhe transparencës së të dhënave. Nga këndvështrimi i përdoruesve të të dhënave statistikore, informacioni, në rastin më të mirë, nuk është lehtësisht i aksesueshëm, e në rastin më të keq i pamundur, qoftë edhe për të dhënat elementare. Dhe, sikur të mos mjaftonin të gjitha këto, aktualisht jemi në shkelje flagrante të ligjit të statistikave”, u shpreh Beqja. Sipas tij, ka 260 ditë që Shqipëria është pa program të miratuar të statistikave zyrtare. Duke iu referuar ligjit të vitit 2004, ai tha se Kuvendi duhet të miratonte programin e statistikave zyrtare, i cili mbulon një periudhë kalendarike 5-vjeçare. “Përgjegjësi mban Këshilli i Statistikave, i miratuar nga Saliu. Përgjegjësi mban drejtpërdrejt Saliu, sepse ai ka detyrimin ta dërgojë në Kuvendin e Shqipërisë. Përgjegjësi mban Jozefina që pengon ushtrimin e kontrollit parlamentar mbi qeverinë. Pra është e qartë që përgjegjësi ka vetëm një emër, dhe quhet Sali Berisha. Për ne socialistët, informacioni statistikor është një e mirë publike. Si e tillë u përket të gjithë shqiptarëve. Do të rikthejmë pavarësinë, besueshmërinë dhe seriozitetin e statistikave duke e vënë Institutin e Statistikave nën Kuvendin e Shqipërisë”, u shpreh më tej sekretari i PS-së

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi