Mjaft “bëmë shtet”, të bëjmë ekonominë
Nga Ervis Iljazaj, botuar në Mapo, 10 tetor 2017
Në mandatin e saj të parë, qeveria e Edi Ramës pati një përpjekje më anë të disa reformave për të ndërtuar një shtet ligjor dhe formal. Në shumë raste këto reforma patën sukses, dhe askush nuk mund të mohojë se zbatimi i ligjit në shumë dikastere dhe sektorë ishte në nivele më të kënaqshme se më parë.
Duke u nisur nga këto arritje, dhe perceptimit pozitiv në shoqëri se funksionimi i shtetit ishte një domosdoshmëri, Edi Rama e ktheu këtë mision dhe në diskursin kryesor të fushatës zgjedhore. Aq e vërtet është kjo, sa i vetmi premtim elektoral i tij, ishte reforma administrative dhe mënyra e qeverisjes. Ky mesazh jepej dhe në shumicën e spoteve elektorale të Partisë Socialiste.
Në një shoqëri si kjo e jona, që gjatë tranzicionit të saj ka patur të bëjë me mungesën pothuajse totale të mirëfunksionimit të shtetit, ky premtim u shpagua në zgjedhjet e 25 Qershorit.
Mirëpo, problemi qëndron në faktin se, edhe në këtë mandat asgjë tjetër në diskursin e Kryeministrit nuk gjendet përveç vazhdimësisë së qëllimit për të ndërtuar një “shtet të fortë”. Të ndërtosh një shtet ligjor dhe që funksionon është një arritje jo e vogël për një shoqëri në tranzicion si kjo e jona, por qeveria tashmë duhet të kthejë sytë nga ekonomia.
Një shtet ligjor dhe një administratë efikase është një element i rëndësishëm për ecurinë e ekonomisë, por është e pamjaftueshme për të rritur mirëqenien e shqiptarëve.
Për të zhvilluar ekonominë, gjë e cila duhet të jetë i vetmi mision i qeverisë Rama dy, kërkohen stimuj më të rëndësishëm.
Nuk ka rrugë tjetër për të nxitur rritjen ekonomike përveçse politikave fiskale dhe monetare apo investimeve të mëdha.
Në këtë drejtim qeveria është e paqartë. Askush s’e di planin e saj për ekonominë deri më tani. Masat e deritanishme janë spontane, pa një vizion të përgjithshëm dhe afatgjatë, pa një objektiv real dhe të matshëm.
Në asnjë fjali të diskursit të Kryeministrit nuk dëgjojmë masat që ka ndërmend të marrë qeveria për të ndërtuar vepra të mëdha infrastrukturore, apo tërheqjen e investimeve të huaja që janë jetike për ekonominë shqiptare.
Në të gjitha fjalimet e tij publike vazhdon ende të mbizotërojë ideja e shtetformimit. Shkarkime drejtorësh, apo aneksat e publikut janë kthyer tashmë në normalitet në komunikimin midis qeverisë dhe opinionit publik. Të kuptohemi, administrata shqiptare gjendet në nivele mjerane të funksionimit të saj dhe, sigurisht që ka nevojë për reformimin e saj të plotë, por ajo është vetëm një instrument i cili ndihmon zhvillimin e ekonomisë. Për shkak të rregullimit në mandatin e parë të qeverisë Rama, ekonomia pësoi një tkurrje. Kjo është normale, pasi rregullimi nuk ndihmon ekonominë në fazën e tij të parë. Tani qeveria duhet të fokusohet tek ekonomia. Gjë të cilën deri tani nuk jep shenja se e ka synim.
Dakord, mirëfunksionimi i shtetit është i rëndësishëm, por shqiptarët në fund të muajit nuk bëjnë llogari se sa i fortë është ai, por sa para u kanë ngelur në portofol.
Nëse vërtet dëshiron të lërë gjurmë në këtë mandat, Edi Rama ka vetëm një rrugë, e cila është pasurimi i vendit dhe rritja e mirëqenies së shqiptarëve. Në të kundërt, “të bëjmë shtet” nuk do t’i hyjë askujt në punë. Sepse edhe nëse ndërton një shtet të fortë, ai nuk mund të rezistojë përballë krizës ekonomike dhe varfërisë.