Kuvendi miratoi me konsensus kufizimin e imunitetit për zyrtarët e lartë dhe gjyqtarët
18 shtator 2012
Kuvendi miratoi sot më 18 shtator me konsensus kufizimin e imunitetit të zyrtarëve të lartë, deputetëve dhe gjyqtarëve me anë të ndryshimeve kushtetuese. Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste kishte vendosur dje në mbledhjen e tij te grupit, të votojë në seancën e sotme parlamentare heqjen e imunitetit për zyrtarët. duke hequr dorë nga kushtet e vendosura që kishin të bënin me ndryshime të tjera kushtetuese. Socialistët e kishin bllokuar votimin për heqjen e imunitetit në seancën e 6 gushtit, teksa kërkuan që ndryshimi i Kushtetutës për këtë cështje të shoqërohej edhe me ndryshime të tjera në dokumentin themeltar të shtetit që kishin të bënin me zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm dhe anëtarëve të Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese. Në këtë mënyrë sot përfundoi një nga diskutimet më të zgjatura dhe fort të debatueshme në Kuvendin e Shqipërisë. Nisiativat e para për heqjen e imunitetit kanë filluar qysh nga viti 2005.
Ndërkohë, në seancën e sotme është hedhur në votim dhe nisma e Partisë Socialiste për ndryshimet kushtetuese, e cila është rrëzuar me 63 vota kundër, 60 pro dhe 6 abstenim. Propozimet e PS për drejtësinë janë shoqëruar me akuza të ashpra mes mazhorancës dhe opozitës.