Seancë dëgjimore për propozimet e PS për ndryshime kushtetuese
14.09.2012
Më 14 shtator 2012 në Kuvend Këshilli i Legjislacionit zhvilloi një seancë dëgjimore me ekspertë vendas dhe të huaj. Ata dhanë opinionet e tyre lidhur me paketën e Partisë Socialiste për ndryshimet kushtetuese. Duket se të dy forcat kryesore politike mbeten në pozicionet e tyre politike. Demokratët mbeten në mendimin se këto propozime bllokojnë funksionimin e sistemit gjyqësor, ndërsa socialistët i cilësojnë ato si domosdoshmëri për rritjen e pavarësisë së sistemit të drejtësisë.
Ekspertët dhanë opinione të ndryshme që shkonin nga vlerësimi pozitiv për vendosjen e kriterit të shumicës së cilësuar në zgjedhjen e gjyqtarëve dhe disa drejtuesve të institucioneve kushtetuese, si një korrektim që sipas tyre po i bëhej prishjes së ekuilibrave me ndryshimin e Kushtetutës në vitin 2008, deri tek vlerësimi se kriteri i shumicës së cilësuar ishte i panevojshëm, pasi mund të sjellë krizë insitucionale, siç ishte rasti i Avokatit të Popullit. Sipas këtij opinioni, asnjë votë e cilësuar nuk dikton integritetin dhe pavarësinë që kërkohet për funskionimin e ndershëm të sistemit të drejtësisë.
Seanca dëgjimore, me rreth 20 ekspertë, zgjati 6 orë. Mbledhja e Këshillit të Legjislacionit nuk përfundoi me kaq, pasi ia ka lënë vendin debatit të tensionuar politik, që nuk solli asnjë risi, pasi palët mbrojtën qëndrimet e bëra publike gjatë 8 javëve të fundit. Momenti i votimit për ndryshimet kushtetuese ka rritur tensionin politik. Opozita e ka lidhur atë me votimin e projektit konsensual për kufizimin e imunitetit, që është një nga kushtet për marrjen e statusit të kandidatit.