A është demokracia vetëm procedurë?
Nga Afrim Krasniqi, postim ne Facebook, 18 shtator 2021
A është demokracia vetëm procedurë? A nuk është demokracia etikë, integritet, llogaridhënie, pjesëmarrje, raport besimi dhe vlerë?
Si është e mundur që ngjarja më e rëndësishme e një legjislature të re, shqyrtimi dhe miratimi i programit të kabinetit të qeverisë së re, formalizohet deri në atë pikë sa më shumë se 60% e debatit zhvillohet natën dhe votimi në orët e mëngjesit kur ende pjesa më e madhe e qytetarëve janë në orën biologjike të gjumit/zgjimit?
A kanë vlerë diskutimet parlamentare të mesnatës, retorika shpesh patetike pa auditor dhe pa zgjedhës?
Në një vend ku gjetja e një kopje online të programit të qeverisë konsiderohet privilegj dhe ku në parlament janë emëruar/zgjedhur edhe individë që nuk kanë asnjë orë “politike” në jetën e tyre publike e profesionale, dhe ku pasi dëgjon fjalime të gjata por monotone të liderëve kryesore politikë nuk të mbetet në mendje asnjë thënie apo premtim i rëndësishëm, praktika të tilla quhen normalitet dhe sukses.
Qenia parlamentar konsiderohet punë, dhe debati për qeverinë e programit konsiderohet punë me tre turne!
Çfarë e pengon një kabinet të publikojë programin qeverisës të plotë, me vlerësime, premtime, argumente për to dhe burime mbështetëse financiare shoqëruese që të mund të krijojnë bindjen se mund të realizohen? Çfarë e pengon atë të bëjë publike CV e detajuar të secilit kandidat për ministër dhe të krijojë lidhje midis sfidave, individit e premtimeve të tij?
Çfarë e pengon një parti politike fituese të ketë një debat javor politik brenda saj mbi prioritetet e qeverisjes së ardhshme të Shqipërisë, duke reflektuar premtimet elektorale, identitetin politik, por edhe kërkesat dhe pritshmëritë publike e qytetare? Çfarë e pengon një parlament të zhvillojë debat gjatë orëve të ditës, 1, 2, 3 ditë derisa procesi të kthehet nga procedurë në akt solemniteti dhe integriteti?
Ky vend, kjo shoqëri dhe sfidat e sotme e të nesërme meritojnë më shumë respekt, reflektim, maturim dhe ndryshim cilësor. Jo vetëm procedural. Kuvendi mund dhe duhet të ndryshojë praktikë, të reflektojë përcaktimin kushtetues si përfaqësues i qytetarëve dhe standardet e duhura të përgjegjësisë.
Deputet mund dhe duhet të kenë respekt për zgjedhësit, për publikun, për përgjegjësinë parlamentare, për fjalën dhe për votën. Qeverisja mund dhe duhet të ushtrohet në formë më serioze, më transparente, më llogaridhënëse dhe më institucional.