Denigrimi i qarqeve si shprehje e centralizimit
Nga Ardjan Turku, 14 dhjetor 2015
Akoma i kemi të freskëta debatet mbi Reformën Administrativo-Territoriale, debate të cilat dominuan gjysmën e parë të 2014-s. Partia Demokratike mbronte tezën se reforma duhet të jetë në radhë të parë reformë e qeverisjes (shërbimet sa më pranë qytetarëve, pra duhej që decentralizimi të diskutohej me përparësi) e më pas apo paralelisht të punohej për hartën e njësive të reja territoriale, ndërkohë që Partia Socialiste dhe aleatët e saj u investuan totalisht dhe pa asnjë mëdyshje, thjeshtë dhe vetëm në prodhimin e hartës së re territoriale.
I kemi shprehur edhe më parë pikëpamjet tona. Kjo ndarje, edhe pse e sheqerosur me argumente mbi çudisjelljet në qeverisjen e ardhshme vendore, në një pjesë të konsiderueshme ishte produkt politik i paracaktuar, për të sjellë në pushtet, në mbi 50 njësi vendore, të majtën e bashkuar. PD e kontestoi fuqishëm dhe nuk mori pjesë në nxjerrjen e një produkti të tillë.
Edhe pse pa konsensus, si i votuar në Parlament vetëm me votat e maxhorancës, ky produkt kishte fuqi ligjore. Prandaj dhe opozita mori pjesë në zgjedhje. Tashmë është radha për të parë ecurinë dhe efektet paszgjedhore:
1. Pasojë e drejtpërdrejtë e mungesës së konsensusit me opozitën ishte kryerja e një reforme gjysmake. Në fakt, ishte një dështim i reformës pasi nuk preku nivelin e dytë të qeverisjes vendore, qarqet, për t’i orientuar ata drejt krijimit të rajoneve. Sepse duhej ndërhyrë në Kushtetutë me 2/3-at e votave të Parlamentit, pra duheshin edhe votat e opozitës. Qarqet nuk u prekën nga reforma. Për këtë dështim, rezultat i mungesës së konsensusit, kurrë nuk u fol nga maxhoranca, e veçanërisht nga qeveria. Me sa duket, pamundësia e Kryeministrit për t’i përfshirë në RAT, siç do e shohim, u kthye në urrejtje ndaj qarqeve.
2. Amendimet e ligjit organik të qeverisjes vendore (8652) për t’u paraprirë zgjedhjeve vendore të qershorit 2015, me hartën e re territoriale nuk prekën qarqet. Dhe nuk mund t’i preknin. Prekën vetëm komunat dhe bashkitë. Mbi këtë bazë ndryshoi konfiguracioni këshillave bashkiakë, numri i këshilltarëve për çdo bashki të re. Por, ndryshoi edhe numri i anëtarëve të këshillave të qarqeve.
Në këshillat bashkiakë, njësi të tëra administrative (ish-komuna) tashmë nuk kanë as edhe një përfaqësues të vetin, nga asnjëra anë e politikës, në vend të një këshilli të tërë komunal, të zgjedhur, që kishin më parë. Qartazi, RAT solli për pasojë rrënimin e demokracisë lokale, mungesën qoftë edhe të një zëri të vetëm përfaqësues të komunitetit. Çështja e rrënimit të demokracisë lokale, e paralajmëruar që atëherë nga ne, meriton tashmë një trajtim veçmas këtij shkrimi. Por tashmë është prodhuar një tjetër pasojë e rëndë në këshillat e qarqeve.
Edhe pse Kushtetuta, neni 110, pika 3, i përcakton këshillat e qarqeve si të përbërë nga përfaqësues të subjekteve të ndryshme, proporcionalisht me rezultatet zgjedhore, plot katër qarqe nga 12, nuk kanë asnjë përfaqësues të opozitës. Disa të tjerë kanë vetëm një anëtar të opozitës, që përfshihet automatikisht vetëm në sajë të atributit se është zgjedhur kryetar i një bashkie brenda atij qarku. A thua se këto qarqe nuk kanë dhënë asnjë votë për opozitën si subjekt.
Kjo ka ndodhur sepse këshillat e rinj bashkiakë, të favorizuar nga RAT politike, nga parregullsitë zgjedhore, nga dhuna zgjedhore e pushtetit dhe parasë kryesisht dominohen nga e majta. Të pangopur elektoralisht, dominancat e majta në këshillat e rinj bashkiakë votuan vetëm kandidatë të majtë për t’i dërguar si anëtarë të këshillave të qarqeve, duke zënë edhe hapësirat që Kushtetuta i rezervon për opozitën. Për hir të së vërtetës, një dukuri e tillë është hasur edhe më parë. Për aq kohë sa kishim edhe komuna, ky deformim ishte i pandjeshëm.
Ajo që duhet theksuar për tani është se pas 25 vjetësh pluralizëm, kemi arritur suksesin e të pasurit të pushtetit lokal të nivelit të dytë, 100 % ose pothuaj 100 % vetëm të maxhorancës. Dhe e majta ka fituar plot 11 qarqe, kotece pulash, sepse nuk munden dhe nuk guxojnë të kakarisin para qeverisë së tyre. Kjo është shumë e vërtetë. Dhe është për të ardhur keq.
3. Hakmarrja e Kryeministrit ndaj qarqeve të pareformuar e tashmë të pa këllqe vijoi me nxjerrjen e Udhëzimit nr.2, datë 09.01.2015, “Për zbatimin e buxhetit të vitit 2015”, sipas të cilit, këshillat e qarqeve duhet të përdornin deri në 15% të transfertës së pakushtëzuar për koston e personelit administrativ.
Transferta e pakushtëzuar ishte dhe pothuaj është i vetmi burim financimi për personelin e administratës së këshillave të qarqeve. Kjo solli shkurtime masive të administratës dhe jo vetëm. Absolutisht ishte në kundërshtim të plotë me ligjin për buxhetin 2015, por edhe me ligjin bazë në fuqi, i cili e parashkruan që organika, personeli, është kompetencë e Këshillit të Qarkut. As më pak e as më shumë, shkelje e autonomisë së qeverisjes vendore. Por nuk kishim parë gjë akoma. Në nenin 15 të projektbuxhetit 2016 që po diskutohet, përcaktohet se “Personeli administrativ i Këshillit të Qarkut nuk mund të jetë më shumë se 10 veta”.
Në kundërshtim të plotë me Ligjin nr. 8652, neni 54/d, “Detyrat dhe Kompetencat e Këshillit të Qarkut”, ku thuhet se “Këshilli i Qarkut miraton strukturën organizative dhe rregulloret bazë të administratës së qarkut, të njësive të institucioneve buxhetore në varësi të qarkut, si dhe numrin e personelit të tyre”. Vetëm një Kryeministër si ky i yni mund ta bëjë këtë dhe një maxhorancë e verbuar si kjo e jona mund ta votojë këtë. Të jetë kungull (më falni) lapsus vallë?!
4. Nëse do të shohim me kujdes se si po shkon halli i qarqeve sot, zor se mund të mendohet se është lapsus. Funksionet e deleguara, që qarku i kishte deri më sot, po i hiqen. Disa (rrugët rurale) po i kalojnë nivelit të parë (bashkive), të tjera që lidhen me kadastrën etj. po u kalojnë prefektëve. Normal do të thotë kushdo. Delegimi është e drejtë e qeverisë. Dakord, por ndarja e një ndërmarrjeje në shkallë qarku në aq copa sa sot ke bashki, a është më efektive?
Si do të ndahen ato të pakta mjete? Në projektbuxhet shihet qartazi që buxheti i Kryeministrisë rritet me gati trefish. Ndërkohë që krijohen, në mos gaboj, katër agjenci rajonale pranë Kryeministrit. Si të mos mjaftonte ajo e bregdetit. Dhe sigurisht që me këto agjenci, Kryeministri do të drejtojë, kontrollojë, marrë në sqetull, atrofizojë, ndërhyjë etj. bash në punën e qarqeve. Në një kohë kur duhet t’i mbajë duart larg pushtetit lokal. Jo se agjencitë janë modele që nuk njihen në Europë
. Por nëse i shikon me kujdes ato modele, janë të ngritura dhe funksionojnë ndryshe. Konkluzioni im është se edhe pse në Strategjinë Decentralizuese 2015-2020, qeveria ka si objektiv “Mbështetjen institucionale dhe infrastrukturore për 12 qarqet dhe 61 bashkitë e reja pas zgjedhjeve vendore të vitit 2015”, duket qartazi se, për qarqet, e kundërta është e vërtetë. As më shumë e as më pak, tendenca është drejt centralizimit, në të kundërtën e asaj që na nevojitet dhe që pretendohet se po ecet. Tipar ky thelbësor i qeverisjes së sotme. Për bashkitë do të kishim komente të tjera. Por ia vlen një tjetër shkrim.
5. Përmendëm më sipër se në nenin 15 të projektbuxhetit 2016 përcaktohet se “Personeli administrativ i Këshillit të Qarkut nuk mund të jetë më shumë se 10 veta”. Çfarë shakaje pa kripë. Përtej uzurpimit të funksioneve dhe kompetencave të Këshillit të Qarkut, pra autonomisë vendore, duhet të fillojmë të fantazojmë se si do të funksionojë qarku.
Kryetari i Këshillit, zv.kryetari dhe sekretari janë të zgjedhur (politikisht), pra tre prej tyre. Mos më thoni që administrata nuk e do në mos dy, të paktën një pastruese, një magazinier, një shofer, një arshiviste, pra u bënë shtatë persona. Por rregullat e financës e kërkojnë që të kesh të paktën një financier. U bënë tetë. Mbeten dhe dy specialistë që do të mbulojnë problemet sociale, të arsimit, të kulturës, të territorit, të mjedisit, të bujqësisë, të planifikimit urban, ato juridike, që do të lëshojnë licenca, që do të hartojnë strategjitë sektoriale, ato të zhvillimit, që do të merren me koordinim zhvillimin etj. etj. Komedi e kaluar komedisë.
Dhe kush do t’i kundërshtojë? Në dijeninë time, 100 % e kryetarëve të majtë (plot 11, nga 12 që janë gjithsej) janë absolutisht të zhgënjyer dhe vetëm heshtazi kanë filluar të ndërhyjnë te deputetët e majtë, me shpresën e ndonjë rishikimi. Por për çfarë?
6. Pikërisht për buxhetin. Që të hiqet nga projektligji kufizimi për 10 vetë administratë, si edhe për shtimin e fondeve. Sepse as më pak e as më shumë, në kushtet e reja, për vitin 2016, qarqeve u jepen plot 58.52 % më pak fonde se në vitin 2015. Të dymbëdhjetë qarqet së bashku do të kenë 120 punonjës, ndërkohë që, referuar projektbuxhetit 2016, numri i punonjësve të Kryeministrisë shkon nga 227 në 340 vende.
Një rritje me plot 113 punonjës, aq sa mbeten të gjitha qarqet së bashku. Pa llogaritur këtu, shpenzimet e luksit që bashkëshoqërojnë strukturat e reja, gjithmonë sipas stilit të Kryeministrit.
7. I njoh mirë teoritë dhe praktikat mbi madhësitë territoriale apo numrin e popullsisë që duhet të ketë një rajon për të pasur qasje europiane. Jam i bindur se do të futemi në debate boshe nëse nuk mendojmë se qasja e vetme, edhe për kushtet tona, është rikonceptimi i ndarjes rajonale dhe forcimi i tyre.
Kam qenë kundër stigmatizimit të padrejtë sikur pas çdo kryetari bashkie apo komune fshihej një barkmadh e i paaftë. E po ashtu, kam qenë e jam kundër mendimit për qarkun, si një institucion i tepërt që vetëm konsumon, pa konsideruar kontributet reale, si edhe faktin e përfshirjes e të përfitimit të miliona eurove në grantet rajonale ndërkufitare etj. e, mbi të gjitha, pa konsideruar rolin në rritje që duhet të kenë në të ardhmen. Besoj se lokalët kanë mbajtur më shumë se kushdo peshën e halleve të njerëzve, të zhvillimit vendor.
Madje padrejtësisht ,sepse kam qenë dhe jam i bindur se atyre u janë hedhur shumë më tepër përgjegjësi për t’i përballur me komunitetet sesa u janë dhënë mjete për t’u përballur me problemet qeverisëse. Në njëfarë mënyre kanë qenë të tradhtuar. Pabesia e radhës është hedhja e përgjegjësive të reja ndaj bashkive pa u bashkëshoqëruar në masën e duhur me mjetet financiare dhe denigrimi i padrejtë e i pamerituar i qarqeve deri në masën e krijimit të 12 celulave dhjetëvetëshe që vetëm sa do të marrin rrogën.
Edhe pse aktualisht aty punojnë të majtë e të djathtë, profesionistë e dinjitozë. Si po degjeneron “sistemi”, më i suksesshmi do të jetë më servili, ai që do t’i lëpihet më shumë Kryeministrit, për të fituar ndonjë kockë. Këtë po servir projektbuxheti që do e çojë vendin më afër Europës.
8. Së fundmi, duke e mbajtur fokusin e shkrimit te qarqet, mendoj se tri gjëra janë emergjente:
a. Gjetja e modaliteteve për rivendosjen, në respekt të Kushtetutës tashmë të shkelur, të përfaqë- simit proporcional në këshillat e qarqeve.
b. Propozimi në komisionet parlamentare i heqjes së pikës ku haptazi shkelet autonomia vendore, duke përcaktuar limitin e dhjetë punonjësve, në projektligjin për buxhetin 2016 e më pas votimi në seancë plenare i këtij propozimi.
c. Rishikimi serioz i transfertës së pakushtëzuar për qarqet, për një rritje të konsiderueshme të saj, me ndërgjegjësimin për forcimin institucional dhe infrastrukturor të tyre, siç edhe dikton Strategjia e Decentralizimit që vetë kjo qeveri ka miratuar.
*Drejtor i Departamentit për Pushtetin Vendor dhe Menaxhimin e Territorit, pranë Partisë Demokratike.