Raporti kushtetues president – parlament

Dr. Arta VORPSI, Botuar ne “E drejta parlamentare dhe politikat ligjore,” Nr.XXIX, viti 2006

I. HYRJE

Kohët e fundit po diskutohet në organet e medias (kryesisht asaj të shkruar) roli i Presidentit të Republikës në emërimin e disa funksionarëve më të lartë shtetërorë. Në disa raste debati lidhet me emra konkretë personash, të cilët i janë propozuar Presidentit për t’i emëruar ambasadorë ose gjyqtarë në vendet vakante të krijuara në Gjykatën e Lartë. Duke marrë shkas nga qëndrimet dhe opinionet e ndryshme për (mos)veprimin e Presidentit, u nxita të paraqes një panoramë të shkurtër të pozitës së Presidentit të Republikës në një republikë parlamentare, të funksionit që ai ka si organ kushtetues i pavarur dhe asnjanës dhe natyrisht të raportit midis

tij dhe pushteteve të tjera, kryesisht të atij ligjvënës. Natyrisht, kjo përpjekje do të mbetet brenda kufijve të trajtimit doktrinar dhe nuk ka për qëllim t’u japë përgjigje pyetjeve konkrete, pasi nuk është në funksionin dhe në natyrën e këtyre trajtesave juridike sugjerimi i mënyrave konkrete të të vepruarit të organeve të caktuara, aq më tepër kur bëhet fjalë për Presidentin e Republikës ose Kuvendin e Republikës së Shqipërisë.

II. POZITA E PRESIDENTIT NË REGJIMIN PARLAMENTAR2

Presidenti i Republikës në një republikë parlamentare nuk bën pjesë në asnjë prej tri pushteteve dhe, nga ana tjetër, nuk përbën as pushtet të katërt. Në raport me organet e tjera të pushteteve të ndryshme, ai konsiderohet si organi më i lartë shtetëror nga pikëpamja protokollare. Pavarësia e tij garantohet në mishërimin tek ai i unitetit të popullit. Kjo pozitë e Presidentit e ka origjinën te zhvillimi historik dhe nevoja për të patur një kryetar shteti të ndryshëm nga ai që ofronte regjimi monarkik absolut. Nëse do t’I përmbaheshim zhvillimit të doktrinës kushtetuese, do të kishim dy lloje kryetarë shtetesh: “të pavarur” dhe “të varur”. I pari karakterizohet nga pasja e kompetencave politike thelbësore dhe zgjedhja e tij drejtpërdrejt nga populli. Shembull tipik i këtij varianti është kryetari i shtetit në SHBA. Përballë tij qendron Presidenti “i varur”, i cili karakterizohet nga mungesa kompetencave politike që mund t’i ushtrojë i vetëm. Kjo formë është përkrahur nga shumica e vendeve europiane, si Gjermania, Italia, Austria. Kryetari i shtetit që paraqitet në formën e dytë, pra, “i varur”, quhet ndryshe edhe President joqeverisës, pra, që nuk është në krye të qeverisjes, për shkak se i mungojnë kompetencat përkatëse për të ushtruar këtë funksion. Le t’i hedhim një sy konkretisht kompetencave të Presidentit, duke i grupuar ato sipas drejtimeve kryesore:

A. Presidenti si përfaqësues i shtetit

Presidenti i Republikës gëzon disa tagra, të cilat përfshijnë këto drejtime:

a) mbikëqyrjen e veprimtarisë shtetërore (si kryetar i shtetit);

b) përfaqësimin e shtetit jashtë vendit;

c) integritetin shtetëror.

E para, pra mbikëqyrja e veprimtarisë shtetërore, mishërohet te roli I Presidentit si përfaqësues i unitetit të popullit shqiptar dhe kryetar i shtetit (neni 86/1 i Kushtetutës). Pasqyrimin e këtij roli e gjejmë në pozicionin që ai mban karshi Qeverisë ose forcave të tjera politike, i cili në çdo rast duhet të jetë asnjanës, pasi Presidenti është i të gjithë popullit, pa iu referuar ndonjë orientimi politik të caktuar. Kompetencat e Presidentit për të dhënë dekorata, tituj nderi, falje, grada etj. janë të përcaktuara në Kushtetutë. Sipas nenit 94 të Kushtetutës, Presidenti i Republikës ushtron të gjitha ato kompetenca që janë parashikuar prej Kushtetutës ose ligjeve të tjera. Këtë ai e bën nëpërmjet dekreteve (neni 93), të cilat, në varësi nga rasti, qëllimi dhe subjekti që kanë, janë akte administrative3.

Përsa i përket rolit si përfaqësues i shtetit shqiptar në marrëdhëniet me shtetet e tjera, Presidenti i Republikës konsiderohet si organ i shtetit, i veshur me kompetencën për të shprehur vullnetin e shtetit shqiptar, por në asnjë rast për ta formuar i vetëm këtë vullnet. Formimi i vullnetit politik dhe shprehja e tij, sipas parimeve të demokracisë parlamentare, e shprehur në Kushtetutë, nuk mund dhe nuk duhet të jetë tagër vetëm e një organi. Këtu bëhet një dallim nga doktrina kushtetuese, sipas së cilës përfaqësimi i shtetit ka dy anë: anën formale dhe anën materiale. Përfaqësimi i shtetit në të dyja këto anë bëhet edhe nga organe të tjera, si Qeveria, Ministri i Jashtëm etj. Roli i përfaqësimit të shtetit nga kryetari i shtetit ka mbetur historikisht për rastet që lidhen me ngjarje të rëndësishme të shtetit, si pritja e letrave kredenciale ose lidhja e marrëveshjeve të rëndësishme etj. Pavarësisht se Presidenti i Republikës pret ambasadorët ose të ngarkuarit me punë të shteteve të tjera dhe letrat kredenciale të tyre, atij i mungon kompetenca materiale në fushën e marrëdhënieve me jashtë. Edhe gjatë këtyre pritjeve dhe takimeve me të huaj, Presidenti duhet t’i përmbahet linjës së politikës së jashtme të përcaktuara nga Qeveria dhe Kuvendi. Presidenti nuk ka tagër të ushtrojë kompetencën e formimit të një qëndrimi të caktuar të ndryshëm nga ai i përcaktuar nga qeveria dhe parlamenti. Kompetenca e Presidentit për të përfaqësuar vendin nga jashtë është e kufizuar vetëm në drejtim të bërjes së njohur të vullnetit shtetëror, të formuar nga organet kompetente. Formimi i vullnetit nga këto organe dikton bërjen të njohur (proklamimin) të këtij vullneti nga Presidenti.

B. Pozita e Presidentit si kryetar i shtetit

Përveç këtyre kompetencave, Presidenti i janë njohur me Kushtetutë edhe tagra të tjera që lidhen me rolin e tij të quajtur ndryshe si “noter i shtetit”, pra, me nënshkrimin e akteve të ndryshme. Ky term nënkupton që Presidenti ka një sërë detyrash ose të drejtash karshi organeve të tjera, të cilat ai i kryen nëpërmjet akteve që u drejton atyre si: shpalljen e ligjeve (neni 84/1); emërimin e anëtarëve të Qeverisë (neni 96, 98); emërimin e ambasadorëve (neni 92/dh); emërimin e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë dhe të Gjykatës Kushtetuese (136/1, 125/1); emërimin e Prokurorit të Përgjithshëm (neni 149/1) etj. Lidhur me këto kompetenca, parimisht konsiderohet se kemi të bëjmë me praktika juridike që, si rregull, vihen në jetë ose inicohen nga organe të tjera shtetërore, por që për hyrjen në fuqi dhe zbatimin përfundimtar të tyre nevojitet vënia në lëvizje e Presidentit të Republikës, i cili, duke u bazuar te parimi i sigurisë juridike dhe ai i kushtetutshmërisë, duhet t’i shpallë ato me anë të dekreteve të veshura me formën e një akti presidencial4.

I parë në këtë këndvështrim, krahasimi i Presidentit me një noter nuk është i tejkaluar, pasi edhe detyra e këtij të fundit konsiston pikërisht në drejtim të vërtetimit të origjinalitetit dhe saktësisë juridike të një dokumenti. Noteri nuk e realizon këtë detyrë në mënyrë mekanike, duke hedhur vetëm nënshkrimin e tij, por ai kontrollon, këshillohet dhe vërteton përmbajtjen e dokumentit. Kështu vepron edhe kryetari i shtetit. Jo më kot ish-Presidenti gjerman dhe ish-Kryetar i Gjykatës Kushtetuese Federale të Gjermanisë, Roman Herzog, është shprehur se “…Presidenti, pa nënshkrimin e të cilit nuk hyn në fuqi akti juridik, disponon mundësinë faktike që me anë të mosnënshkrimit ose hezitimit për të nënshkruar një akt, të thotë fjalën e tij të rëndësishme”5. Çfarë vlere ka kjo fjalë, çfarë fuqie juridike, çfarë kompetence ka Presidenti lidhur me kontrollin dhe vërtetimin e aktit kur nxjerr dekretet e tij? Këto janë pyetje vendimtare dhe çelësi i përcaktimit të pozicionit të tij karshi organeve të tjera. Kjo duhet parë e lidhur ngushtë me kompetencat e tij.

Pra, nëse do të përkufizonim rolin e presidentit në një republikë parlamentare, atëherë mund të themi se ai kufizohet kryesisht në aspektin formal ose protokollar, si dhe në përfaqësimin politik të shtetit6.

Edhe në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë mishërohet karakteri njëjtësues i të gjithë popullit në figurën e Presidentit (si unitet i popullit). Presidenti është organ kushtetues, por jo zyrë e administratës publike; ai zgjidhet me mjete demokratike, por nuk mban përgjegjësi politike. Ai nuk i nënshtrohet urdhrave të organeve të tjera dhe as ndonjë kontrolli, por vetëm Kushtetutës dhe ligjeve dhe ka detyrë t’i respektojë dhe t’i mbrojë ato. Përsa i përket rolit përfaqësues të shtetit dhe unitetit të kombit, kjo përputhet tërësisht me formën e regjimit të republikës.

C. Roli i Presidentit në respektimin e Kushtetutës dhe të ligjeve

Presidenti ushtron kontroll, duke nxjerrë dekrete, të cilat kanë natyrën e akteve që sigurojnë dhe garantojnë zbatimin e së drejtës. Këto janë aktet që shërbejnë për:

– shpalljen e ligjeve;

– emërimin e anëtarëve të qeverisë;

– emërimin e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë, të Gjykatës Kushtetuese

dhe të Prokurorit të Përgjithshëm.

Në rastet e shpalljes së ligjeve, roli i Presidentit në këtë aspekt shihet si garantues i zbatimit të normave juridike dhe me këtë nuk kuptohet studimi deri në detaje i akteve që nxjerr Kuvendi. Kontrolli që bën Presidenti inicohet vetëm në rast se ka dyshime të bazuara për një veprim të tillë. Në këtë drejtim ka dy mendime: nëse Presidenti duhet të vendosë veton vetëm për ligje që në tërësi paraqiten si antikushtetuese ose vetëm për ligjet që pjesërisht mund të jenë të tilla. Natyrisht, që evidentimi i njërës ose tjetrës situatë nuk paraqitet e lehtë, por ajo që mund të thuhet me siguri është se Presidenti7 nuk duhet të shpallë një ligj, nëse pas një kontrolli rezulton se ky akt është antikushtetues, p.sh., kur ai ka dyshime se ky akt nuk është miratuar sipas procedurës së parashikuar8 ose përmbajtja e ligjit nuk mbron interesat e një kategorie të caktuar personash9.

Shpallja e ligjit ka për qëllim deklarimin e vullnetit të Presidentit për ta njohur këtë akt si të dalë nga ligjvënësi i vetëm në vend, në përputhje me procedurën e parashikuar për këtë proces10. Pas shpalljes, ligji dërgohet për botim në Fletoren Zyrtare, fazë e cila lidhet drejtpërsëdrejti me hyrjen në fuqi të ligjit, sipas afateve të përcaktuara nga ligjvënësi. Megjithatë, Kushtetuta ka parashikuar edhe një situatë të mundshme, në rast se Presidenti nuk pranon shpalljen e ligjit brenda afatit 20-ditor ose nuk e ushtron të drejtën e vetos sipas nenit 85/1 të Kushtetutës11. Pikërisht, parashikimi nga Kushtetuta i situatës së mundshme bllokuese nga ana e Presidentit dhe zgjidhja që ajo ka parashikuar, të bën të mendosh se e drejta për të bllokuar një ligj të miratuar nga Kuvendi nuk është absolute. Kjo për shkak se është organi i zgjedhur drejtpërdrejt nga populli ai që duhet të thotë fjalën e fundit për një akt të miratuar prej tij. Ky është edhe funksioni kryesor i republikës parlamentare. Kjo zgjedhje i ka rrënjët te zhvillimet e ndodhura në Europë si pasojë e revolucioneve borgjeze, të cilat kishin si qëllim çrrënjosjen e regjimit absolutist të mbretit dhe kalimin e sovranitetit te populli, domethënë, te parlamenti si organi më i lartë ligjvënës i zgjedhur prej tij. Këtu e ka origjinën edhe instituti i kundërfirmës ministeriale, një zgjidhje e gjetur, për të mos veshur me përgjegjësi politike presidentin për dekretimin e ligjeve të hartuara kryesisht nga ekzekutivi ose ligjvënësi.

Ç. Emërimi i funksionarëve nga Presidenti

Le të shohim tani pozicionin e Presidentit në emërimin e Kryeministrit dhe të ministrave. Presidenti emëron dhe shkarkon anëtarët e Qeverisë. Por nga ana tjetër Presidenti nuk mund të emërojë ose të shkarkojë asnjë ministër pa propozimin e Kryeministrit. E shumta që mund të bëjë Presidenti është rekomandimi i një personi në postin e ministrit, por ky rekomandim nuk është kusht për të çuar në emërimin e tij si ministër. Propozimi nuk nënkupton asnjëherë detyrim për ta ndjekur atë. Ajo që mund të thuhet lidhur me detyrimin dhe të drejtën e Presidentit për të emëruar kandidaturat e paraqitura nga Kryeministri, është si vijon:

– Presidenti ka të drejtën vetëm të kontrollit lidhur me sigurinë juridike të propozimit të Kryeministrit.

– Presidenti ka për detyrë të marrë në konsideratë propozimet e Kryeministrit.

– Ai bën kontroll politik të kandidaturave të paraqitura.

– Presidenti kontrollon përputhjen e cilësive të kandidatit me mirëqenien dhe mbarëvajtjen e përgjithshme të vendit.

Pra, në ushtrimin e kësaj kompetence Presidenti nuk ka hapësirë të gjerë veprimi, për të hedhur poshtë kandidaturat e paraqitura nga forca politike fitimtare e dalë nga zgjedhjet e përgjithshme parlamentare. Reflektimin për to e bën në fund të fundit Kuvendi, si organ ligjvënës i ngarkuar për të kontrolluar Qeverinë në një republikë parlamentare12.

Presidenti emëron, gjithashtu, edhe gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë13. Përsa i përket emërimit të këtyre gjyqtarëve të lartë, në parim duhet të veprojnë rregullat e emërimit për të gjithë funksionarët e organeve kushtetuese. Në këtë proces marrin pjesë organet më të larta kushtetuese: Kuvendi, Qeveria (në fazën e përzgjedhjes së kandidaturave) dhe kryetari i shtetit. Arsyet për këtë duhen kërkuar te kompetencat që ka Gjykata Kushtetuese, të cilat ndikojnë drejtpërdrejt ose tërthorazi në procesin e formimit të vullnetit të organeve shtetërore. Me gjithë kritikat, ende nuk është gjetur deri tani një mënyrë më e mirë për të emëruar gjyqtarët më të lartë në vend. Në një demokraci shumëpartiake është e pamundur të shmangësh ndikimin e partive në emërimin e gjyqtarëve kushtetues, duke qenë se edhe vetë institucionet kushtetuese janë të formuara mbi bazën e vullnetit politik. Për këtë arsye, praktika ka treguar se është më mirë që pjesëmarrja e këtyre forcave politike të jetë institucionale dhe e kontrolluar.

Duke iu referuar përsëri rastit gjerman, vërejmë se ligjvënësi ka parashikuar të drejtën e disa subjekteve për të paraqitur kandidaturat për postin e gjyqtarit kushtetues14 dhe këto janë: Presidenti, gjykatat federale, gjykatat kushtetuese të landeve, dhomat e avokatisë dhe fakultetet e drejtësisë. Ndërsa kompetencën e vetme për t’i zgjedhur ata në këtë post e ka Parlamenti si një i tërë (pra, me dy dhomat: Bundestag-un dhe Bundesrat-in). Rekomandohet që zgjedhja e tyre të bëhet pa debate për secilën kandidaturë, pasi e kundërta do të mund të sillte pasoja lidhur me personalitetin e të propozuarve. Ajo që është e rëndësishme për t’u theksuar, ka të bëjë me faktin që organet zgjedhëse të jenë të ndërgjegjshme për rolin që ato kanë në përzgjedhjen e kandidaturave, pavarësisht faktit se sa ndikon realisht secili prej tyre në emërimin përfundimtar të kandidatëve.

Kushtetuta gjermane parashikon që gjyqtarët kushtetues të zgjidhen gjysma nga Bundestag-u dhe gjysma nga Bundesrat-i. Gjyqtarët e tjerë federalë (p.sh. të Gjykatës së Lartë Federale) zgjidhen nga organe të tjera (p.sh. ekzekutivi) ose komisione për zgjedhjen e gjyqtarëve, ku marrin pjesë edhe deputetë me të drejtë vote15. Të dyja këto organe ligjvënëse janë të zgjedhura drejtpërdrejt nga populli dhe për këtë arsye legjitimohen plotësisht në zgjedhjen e gjyqtarëve kushtetues. Kjo edhe për një arsye tjetër, pasi kompetenca më e rëndësishme e Gjykatës Kushtetuese është kontrolli i akteve të këtij organi ose konfliktet e kompetencave midis tij dhe organeve të tjera. Në këtë mënyrë përbërja e Gjykatës Kushtetuese do të kishte ndikim më të madh në punën e këtij organi në krahasim me organet e tjera. Për zgjedhjen e gjyqtarëve kushtetues është parashikuar madje dhe një shumicë e cilësuar prej 2/3 (e nevojshme për të miratuar ndryshime kushtetuese) për shkak të rëndësisë dhe pozitës së Gjykatës Kushtetuese.

Kjo procedurë, me pak dallime, zbatohet përgjithësisht në vende me system të ngjashëm qeverisjeje. Të zgjedhurit si gjyqtarë kushtetues, sipas procedures së përmendur më sipër, emërohen nga Presidenti i Republikës në këtë post. Sipas doktrinës mbizotëruese, Presidenti gjatë procesit të emërimit ka të drejtë të kontrollojë vetëm kriteret ligjore mbi bazën e të cilave janë zgjedhur ata. Ai nuk mund të bëjë kontroll material të zgjedhjes së gjyqtarëve, por vetëm kontroll të “ligjshmërisë” pra, të plotësimit të kritereve ligjore të përcaktuara nga ligjvënësi. Fakti që zgjedhja e gjyqtarëve nga Parlamenti bëhet duke përzgjedhur personat që përmbushin kriteret për të qenë gjyqtar kushtetues, tregon se organi kompetent për emërimin e tyre në detyrë (pra, Presidenti) nuk ka nevojë të bëjë asnjë lloj verifikimi, pasi kjo është kryer më parë nga organi që i ka zgjedhur ata (pra, parlamenti). Një kontroll i përputhshmërisë së tyre politike, juridike, profesionale ose të cilësive të karakterit nuk mund të pranohet, pasi kjo do të cenonte tagrat e organit zgjedhës.

Përveç kritereve materiale, të zgjedhurit duhet të plotësojnë edhe kritere të tjera objektive, si plotësimi i kushteve për të qenë gjyqtar, mbushja e moshës 40 vjeç, deklarimi me shkrim që pranon të ushtrojë funksionin e gjyqtarit kushtetues. Nëse këto kritere janë plotësuar nga kandidatët ose jo, si dhe rregullshmëria e procedurës së zgjedhjes së tyre, mund të verifikohet nga Presidenti. Në këtë aspekt ai ushtron kompetencën e tij lidhur me sigurinë juridike dhe respektimin e së drejtës16. Parlamenti zgjedh, midis disa kandidaturave të paraqitura, atë që ai e mendon si më të përshtatshme (kupto: ata që përmbushin kriteret e vendosura) dhe Presidenti verifikon procesin e zgjedhjes së kandidaturave (nga ana formale), nëse është bërë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjin pra, nëse procesi ka qenë i rregullt. Për sa i përket kritereve të tjera joformale, si aftësitë profesionale, bindjet politike, qendrime të tjera subjektive të personave të zgjedhur, nuk është kompetencë e Presidentit të kontrollojë këto aspekte. Roli i Presidentit karshi Parlamentit në rastin e emërimit të këtyre funksionarëve, mbetet thjesht në rangun e propozimit të tyre dhe të verifikimit të mëpasshëm të procedurës parlamentare lidhur me rregullshmërinë e saj. Ky qendrim është mbajtur edhe nga Gjykata Kushtetuese e RSH-së, e cila e ka cilësuar këtë proces si pjesë e balancimit midis pushteteve, konkretisht të Presidentit dhe Kuvendit, balancim ky që realizohet në formën e bashkëveprimit institucional17.

Siç u shpreha në fillim të këtij shkrimi, Kushtetuta e RSH-së, ka parashikuar një kryetar shteti joqeverisës, tipike kjo për një republikë parlamentare. Në një regjim të tillë, pozicioni i Presidentit përballë organeve të pushteteve të ndryshme paraqitet jo rrallë problematik. Kjo është arsyeja që Presidenti konsiderohet nga disa si një pushtet i katërt, por që është e pasaktë, pasi Kushtetuta nuk njeh një pushtet të katërt18. Presidenti nuk qeveris dhe nuk administron, ai qëndron mbi të gjitha pushtetet, por nuk bën pjesë në to. Ai konsiderohet si një organ sui generis dhe ushtron funksione që lidhen me gjyqësorin dhe ekzekutivin19. Deri në ç’masë shkon ushtrimi i këtyre funksioneve, kjo gjen rregullime të ndryshme në vende dhe sisteme të ndryshme, duke ia lënë këtë gjë vullnetit të ligjvënësit kushtetues.

Por parimisht këto funksione nuk shkojnë në drejtim të ushtrimit të pavarur dhe absolut të Presidentit, por në drejtim të korrigjimit ose pengimit të veprimeve nga ana e tij, kur ekziston mundësia e cenimit të interesave të përgjithshëm të shtetit.

Neni 90/1 i Kushtetutës së RSH-së ndalon shprehimisht qeverisjen e Presidentit krahas ekzekutivit ose ligjvënësit. Fakti që Presidenti nuk mban përgjegjësi, çka e cila konkretizohet me kundërfirmën ministeriale, tregon që Kushtetuta ka dashur të ndalojë mundësinë e bërjes së një politike të pavarur të Presidentit, pasi bërja e politikës, pra qeverisja, i është lënë në dorë Kuvendit dhe Qeverisë. Mospasja e përgjegjësisë politike realizohet duke ia lënë detyrimin për kundërfirmë ministrit kompetent ose Kryeministrit. Gjithashtu, Presidenti nuk përgjigjet para Kuvendit. Kjo është arsyeja që ndaj Presidentit nuk mund të ndërmerret mocion mosbesimi ose të thirret në interpelancë. E vetmja mundësi është fillimi i një procesi para Gjykatës Kushtetuese për shkarkimin e tij nga detyra ose përgjegjësia penale për kryerjen e një vepre penale20.

III. PËRFUNDIME

Presidenti i RSH-së ka rolin e një kryetari shteti sipas atij që njihet nga regjimet e republikave parlamentare, pra, të një presidenti joqeverisës. Për këtë arsye funksionet e tij duhen parë në drejtim të ruajtjes së sigurisë juridike dhe zbatimit të së drejtës, të kontrollit të rregullshmërisë së akteve të organeve më të larta shtetërore kushtetuese (kujto krahasimin e tij si noter shtetëror), të përfaqësimit të i shtetit dhe popullit si i tërë dhe të mishërimi tek ai të unitetit të popullit dhe të garantit të Kushtetutës.

Në këtë kuptim, nuk mund të pritet (ose kërkohet) prej Presidentit që ky të jetë më aktiv ose zotërues në procese vendimmarrëse politike, të cilat ai kurrsesi nuk mund t’i ushtrojë i vetëm (siç mund të jetë emërimi i ministrave, i ambasadorëve ose i gjyqtarëve), vetëm për shkak se kjo vendimmarrje përfshin edhe institucionin e Presidentit. Kushtetuta jonë ka zgjedhur qartë profilin e parapëlqyer të kryetarit të shtetit, kështu që ai ose organe të tjera, me gjithë dëshirën ose nevojat që dalin herë pas here në zhvillimet politike e shoqërore në vend, nuk mund ta ndryshojnë atë me nisma jashtë atyre që parashikojnë dispozitat kushtetuese. Neni 94 i Kushtetutës parashikon se Presidenti nuk mund të ushtrojë kompetenca të tjera, veç atyre që i njihen shprehimisht me Kushtetutë dhe që i jepen me ligje të nxjerra në pajtim me të. Për sa kohë kuadri kushtetues dhe ligjor mbetet i pandryshuar, edhe roli i Presidentit do të vazhdojë të mbetet i tillë. Gjithsesi, çdo problem ose shqetësim serioz për shtetin dhe shoqërinë kërkon përfshirjen e më shumë se një institucioni dhe ndërmarrjen e nismave të tilla që të çojnë në zgjidhje të frytshme dhe të qëndrueshme në kohë.

Referencat:

2. Neni 1/1 i Kushtetutës së Republikës të Shqipërisë: “Shqipëria është republikë

parlamentare.”

3. Këtu përfshihen edhe aktet ose dekretet e Presidentit, të cilat nuk mund të kundërshtohen në rrugë gjyqësore, si dekoratat, gradat etj. Kjo për arsye se dhënia e një titulli nderi ose dekorate nuk përfshihet në fushën e së drejtës dhe si e tillë nuk mund të bëhet objekt konflikti nga gjykatat. Shih për më tepër: vendimin V-25/02, datë 13.02.2002 të Gjykatës Kushtetuese të RSH-së, në: Përmbledhje e vendimeve të GjK të RSH-së 2002 (2003), fq.41.

4. Stern, Das Staatsrecht der Bundesrepublik Deutschland, Band II (1980) fq.228

5. Herzog, Allgemeine Staatslehre, fq.288.

6. Dreier, Grundgesetz- Kommentar (1998) fq.1080.

7. Sipas Kushtetutës Gjermane, në një rast të tillë hyn në lojë edhe një organ tjetër kushtetues: Gjykata Kushtetuese. Duke qenë se organet kushtetuese që marrin pjesë në procesin ligjvënës (parlamenti, qeveria) ndihen të prekur në kompetencën e tyre për shkak të mospranimit të Presidentit për të shpallur një ligj, atëherë këto organe mund të inicojnë një procedurë kontrolli kushtetues me objekt konfliktin e kompetencës midis Parlamentit dhe Presidentit. Ky lloj kontrolli quhet kontroll paraprak i normës. GjK mund të vendosë që Presidenti ka vepruar drejt ose jo lidhur me mosshpalljen e ligjit për shkak të antikushtetutshmërisë së tij. Neni 93/1 i Ligjit Themelor Gjerman dhe neni 63 i ligjit për GjKF të Gjermanisë.

8. Stern, Das Staatsrecht der Bundesrepublik Deutschland, Band II (1980) fq.236.

9. Këtu bëhet fjalë për çështje me ndikim të ndjeshëm në publik si p.sh. kompensimi monetar i të përndjekurve politikë ose ndryshimi i ligjit për sigurimet shoqërore.

10. Aurela Anastasi, E drejta kushtetuese (2004) fq.146.

11. Neni 84/2 i Kushtetutës.

12. Shih për më tepër vendimin V-6/02, datë 18.01.2002 të Gjykatës Kushtetuese të RSHsë, botuar në: Përmbledhje e vendimeve të GjK të RSH 2002 (2003), fq.13.

13. Sipas Kushtetutës së RSH-së, Presidenti emëron edhe gjyqtarët e Gjykatës së Lartë, ndërsa në vende të ndryshme këto zgjidhen nga një komision gjyqtarësh ose organizma të tjerë brenda gjyqësorit.

14. Duke qenë se gjyqtarët e gjykatave të larta të federatës zgjidhen nga konferenca gjyqtarësh, këtu do të shqyrtoj vetëm rastin e emërimit të gjyqtarëve kushtetues.

15. Neni 94/1 i Kushtetutës Gjermane.

16. Shih më sipër për rolin e Presidentit si garant i së drejtës në postin e kryetarit të shtetit.

17. Vendimi V-2/05, datë 18.01.2005 i Gjykatës Kushtetuese, botuar në FZ nr.26/05, fq.275.

18. Neni 7 i Kushtetutës së RSH-së garanton qeverisjen mbi bazën e tri pushteteve.

19. Neni 89 i Kushtetutës së RSH-së.

20. Neni 90/2, 3 i Kushtetutës së RSH-së.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi