Siguria Kombëtare dhe nocioni i sovranitetit
Gani Elezi/ ish-ushtarak, botuar në gazetën Shekulli, 22.08.2012
Kërcënimet ushtarake do të jenë të organizuara përmes veprimeve asimetrike. Në masakrën e Peshkëpisë, në fillim të viteve 90-të, ushtria e jonë u gjend e papërgatitur
Kur bëhet fjalë për sigurinë e shoqërisë dhe të shtetit, duhet të njohim mirë faktorët që e rrezikojnë aktualisht sigurinë dhe mbrojtjen e tyre. Para viteve 90-të ne kemi konsideruar si rrezik kryesor agresionin ushtarak që mund të ndërmerrej nga fqinjët, madje edhe më gjerë nga blloqet ushtarake. Sot situata ka ndryshuar dhe na sjell në vëmendje, kryesisht, faktorë të tjerë.
Në sferën e politikës konfliktualiteti politik, i nxitur nga interesa të qarqeve të ndryshme ekonomike, financiare, pse jo antishqiptare për të mbajtur/ marrë me çdo mjet pushtetin politik është një rrezik potencial, madje real. Ngjarjet e pranverës të vitit 1997, të shtatorit të vitit 1998, të janarit të vitit 2011, etj janë një përvojë shumë e hidhur për ne.
Edhe situata e sotme, në mënyrë të veçantë ushtrimi i dhunës verbale e gjyqësore kundër kritikëve të sistemit, kundër kategorive sociale që luftojnë për të drejtat e tyre, e përmban rrezikun e përsëritjes së ngjarjeve të vitit 1997. Kjo mund të rezultojë me efekte katastrofike për popullin tonë, për të tashmen e për të ardhmen e tij.
Në fushën ekonomike: Të humbasësh sovranitetin mbi hapësirën detare, mbi portet, mbi hapësirën ajrore, mbi aerodromet, mbi korridoret strategjike të sistemit tonë të transportit tokësor, hekurudhor, mbi infrastrukturën e komunikimit telefonik, mbi objekte dhe dispozitivë gjeografikë që ndikojnë drejtpërdrejtë në efektivitetin e sistemit tonë të mbrojtjes, do të thotë të vësh në pikëpyetje realizimin e detyrave në fushën e sigurisë e të mbrojtjes sonë. Kështu p.sh marrëveshja e ndarjes së hapësirës detare me Greqinë ishte në nivelin e një tradhtie kombëtare jo vetëm për kapacitetet në naftë e gaz që përmban, (si po shkruhet tani) por më shumë se prekte tërësinë territoriale të ujërave tona dhe do të sillte pasoja të rënda në se situata në marrëdhëniet mes dy vendeve do të shkonte në konflikt ushtarak.
Faktori ushtarak: Pavarësisht nga ndryshimi i strategjive ushtarake,në favor të formave të tjera të presionit, edhe në të ardhmen, faktori ushtarak do të përbëjë rrezik për sigurinë, tërësinë territoriale e pavarësinë e vendit tonë. Nuk është fjala të paragjykojmë fqinjët, por përvoja historike ka treguar se çdo vendi, rreziku i konfliktit ushtarak, më së pari, i vjen nga vendet kufitare. Shtetet në kufi me ne, si Greqia, Serbia, madje edhe Maqedonia e Mali i Zi, ende pretendojnë pjesë të territoreve tona. Është e vërtetë se faktori ushtarak nuk do të na paraqitet më në formën klasike, me veprime frontale ushtarake, me njësi e formacione masive. Më shumë do të ndeshemi me veprime ushtarake asimetrike, çka do të thotë që, me forca e teknikë speciale do të goditen objekte të rëndësishme strategjike që rezultojnë me pasoja fatale për qëndrueshmërinë e stabilitetit tonë politik, ekonomik e ushtarak. Në masakrën e Peshkëpisë, në fillim të viteve 90-të, ushtria e jonë u gjend e papërgatitur për të përballuar veprime të tilla diversioniste e terroriste.
Nevojitet të përcaktohet një raport i drejtë mes konceptit të garantimit të sigurisë globale/rajonale dhe konceptit të garantimit të sigurisë të një shteti te veçantë. Në punën e institucioneve tona vihet re një eufori e palejueshme, vihet re tendenca për të absolutizuar rolin e faktorit ndërkombëtar, për të mbivleresuar efektet e sigurisë globale/ rajonale…Ende nuk kemi arritur të promovojmë politika që nxisin dhe mobilizojnë faktorin mbarëshqiptar në interes të sigurisë e të stabilitetit rajonal. Shqipëria, si Piemonti i kombit shqiptar dhe i trojeve të tij, si e përcakton prof. Rexhep Qosja,e ka detyrë me përgjegjësi kombëtare këtë mision.