Kuvendi miratoi me konsensus PD – PS ndryshimet në Kodin zgjedhor

20.07.2012

Në seancë plenare, dje më 19 korrik 2012 Kuvendi miratoi me konsensus draftin e amendamenteve të Komisionit të posaçëm për Reformën Zgjedhore duke i dhënë fund kështu një prej çështjeve më të debatuara të politikës shqiptare. Partia Demokratike dhe ajo Socialiste kanë respektuar marrëveshjen e arritur në Komisionin e Reformës Zgjedhore dhe këtë konsensus e kanë shprehur dje në votimin e draftit konsensual. Reforma zgjedhore u miratua me 127 vota pro, 2 vota kundër dhe 3 vota abstenim. Përfaqësuesit e “partive të vogla” janë të pakënaqur me ndryshimet e miratuara. Kryetari i Partisë Republikane Fatmir Mediu shprehu kundërshtinë për produktin e miratuar me konsensus nga PD dhe PS, duke votuar kundër. Po ashtu dhe kryetari i Grupit Nismëtar të Frymës së Re Demokratike, Gazmend Oketa, ishte vota e dytë kundër. Kundër konsensusit të arritur nga demokratët dhe socialistët ishte dje dhe Lëvizja Socialiste për Integrim. Ministri i ri i Shëndetësisë, Vangjel Tavo, e ka “inauguruar” karrigen ministrore me një votë abstenim. Po ashtu dhe nënkryetari i Kuvendit, Nasip Naço dhe kryetari i Grupit të LSI-së, Lefter Koka, kanë abstenuar. Vetë kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, nuk ka marrë pjesë në punimet e Kuvendit për të votuar për reformën zgjedhore. Ndërkaq, një tjetër mungesë ishte dhe ajo e aleatit të Partisë Demokratike Shpëtim Idrizi, që së bashku me deputetin Dashamir Tahiri kanë lënë karriget bosh në shenjë “proteste”. Ndërkohë që edhe pse shprehu kundërshtinë e hapur për draftin e reformës zgjedhore, kryetari i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule, në fund votoi pro. Pas miratimit të reformës zgjedhore, kryetarja e Kuvendit ka falënderuar të pranishmit për kontributin e dhënë. Ky vendim i ligjvënësve është duartrokitur dhe nga diplomatët e pranishëm në sallën e Kuvendit. Dje në seancë ishte i pranishëm ambasadori i Amerikës, Aleksandër Arvizu, ambasadori i BE-së, Ettore Sequi dhe ai i OSBE-së, Eugen Volfarth.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi