Shërbimi Civil: Administratat nuk zbatojnë vendimet tona
25.06.2012
Institucionet shtetërore nuk i zbatojnë vendimet e Komisionit të Shërbimit Civil lidhur me ankesat e nënpunësve të administratës të larguar nga puna. Gjatë raportimit vjetor në Komisionin e Ligjeve, kreu i këtij institucioni, Fatmir Tafai tha se moszbatimi i vendimeve në masën 100% rrit frikshëm dëmin ekonomik në buxhetin e shtetit.
“Shqetësimi im ka të bëjë me dëmin financiar për shkak që pëson buxheti i shtetit për shkak të moszbatimit të vendimeve të KSHC dhe në shumë raste edhe të vendimeve të gjykatës. Pra, kur gjykata konfirmon vendimet e KSHC. Ju në raport keni sjellë 3 raste për Drejtorinë e Përgjithshme të Hetimeve, ku thoni se vetëm për Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, për 3 punonjës dëmi financiar është thuajse 100 milionë lekë. Sa janë vendimet e pazbatuara nga institucionet buxhetore sot që flasin”,- pyeti deputeti Tahiri, kreun e Këshillit të Shërbimit Civil.
“100% të pazbatuara, vendime të Komisionit të Shërbimit Civil. Dhe ne këtë e kemi theksuar në raport. Kjo përbën një precedent të rrezikshëm jo për sot, por gjatë gjithë kohës, nëse do të vijohet kështu ai dëm ekonomik do të vijojë në buxheti e shtetit. Prandaj dhe me Kontrollin e Shtetit kemi hyrë në tratativa për ta kufizuar me qëllim që të mos ndodhë në të ardhmen”,- u përgjigj Tafai.
Shqetësime të tjera të ngritura nga Komisioni i Shërbimit Civil, janë moszbatimi i vendimeve për ngritjen në karrierë dhe mënyra e zhvillimit të konkurseve për vendet vakante që sipas Tafai janë formale dhe jo sipas meritës.