Reforma në drejtësi: PS paraqet propozimet e saj

28 tetor 2011

Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste i propozon mazhorancës një paketë në lidhje me realizimin e reformës në drejtësi, sikundër sygjeron rrugën që duhet ndjekur për miratimin e ligjeve me 3/5 e votave. Në përfundim të tryezës së organizuar nga PS-ja ku merrnin pjesë konstitucionalistë dhe përfaqësues të shoqërisë civile, por mungonin përfaqësuesit e mazhorancës, u propozuan dy dokumenta me anë të të cilave sipas socialistëve synohet ti jepet zgjidhje reformave dhe miratimit të ligjeve që kërkojnë shumicë të cilësuar. Në këtë kuadër, PS propozon fillimin e një procesi të reformimit tërësor të sistemit të drejtësisë për të realizuar progresin e kërkuar në këtë fushë, si një proritet kyç i Opinionit dhe Progres Raportit të BE. Sipas PS, kjo realizohet me hartimin dhe miratimin  nga Kuvendi i Shqipërisë të Paktit Kombëtar për Drejtësinë si një strategji gjithëpërshirëse për të garantuar një qasje europiane të sistemit gjyqësor, të shoqëruar nga një plan veprimi me detyrimet përkatëse për miratimin e të gjitha p/ligjeve, përfshirë edhe ato me shumicë të cilësuar që kanë të bëjnë me reformat në sistemin e drejtësisë. Në një pikë të dytë, PS propozon reflektimin për të bërë progresin e kërkuar lidhur me pavarësinë kushtetuese dhe paanshmërinë e institucioneve të sistemit gjyqësor dhe të organit të prokurorisë, duke bërë përmirësimet e nevojshme. Më poshtë po japim të plota propozimet e PS drejtuar mazhorancës.

DREJTËSIA NË SFIDËN E INTEGRIMIT

Reflektim mbi rekomandimet e Opinionit dhe Raport Progresit të BE – 2011

Duke i konsideruar vlerësimet dhe rekomandimet e Raport Progresit 2011 të Komisionit Europian si pika themelore referimi e reflektimi për politikën dhe institucionet shqiptare;

Duke i vlerësuar konstatimet e këtij Raporti si një diagnozë objektive të Shqipërisë në raport me demokracinë, shtetin e së drejtës, liritë dhe të drejtat themelore të njeriut;

Duke i konsideruar propozimet e paraqitura në Paktin “Për Shqipërinë si gjithë Europa” si shprehje të vullnetit politik për të kontribuar me përgjegjësi të plotë politike në përmbushjen e detyrimeve/kushteve për procesin e integrimit, si dhe daljen nga kriza e stërgjatur politike;

Duke e parë me shqetësim humbjen për herë të dytë të shansit për marrjen e statusit  të vendit kandidat në Bashkimin Europian, por edhe si një moment për reflektim me përgjegjësi të klasës politike dhe institucioneve shqiptare ndaj procesit të integrimit të vendit në Familjen Europiane;

Duke e konsideruar  përcaktimin e përgjegjësive dhe ushtrimin e tyre për kryerjen e një reforme të thellë dhe të gjithanëshme në drejtësi, si të  lidhur ngushtë me procesin e integrimit dhe me zhvillimin e demokracisë dhe forcimin e sundimit të ligjit;

Duke rikonfirmuar vullnetin tonë të plotë për t’u angazhuar në një proces politik, parlamentar  e institucional me synim – ashtu siç edhe vlerësohet e rekomandohet në Raport Progresin e Komisionit Europian të këtij viti – për t’i adresuar rekomandimet e këtij dokumenti të rëndësishëm të Komisionit Europian në një plan veprimi për përmbushjen nga palët të të gjitha detyrimeve, ç’ka do t’i jepte vendit dhe shqiptarëve një shans të ri për integrim;

Ne propozojmë :

I. Fillimin e një procesi të reformimit tërësor të sistemit të drejtësisë për të realizuar progresin e kërkuar në këtë fushë, si një proritet kyç i Opinionit dhe Progres Raportit të BE, duke marrë përsipër :

Hartimin dhe miratimin  nga Kuvendi i Shqipërisë të Paktit Kombëtar për Drejtësinë si një strategji gjithëpërshirëse për të garantuar një qasje europiane të sistemit gjyqësor, të shoqëruar nga një plan veprimi me detyrimet përkatëse për miratimin e të gjitha p/ligjeve, përfshirë edhe ato me shumicë të cilësuar që kanë të bëjnë me reformat në sistemin e drejtësisë. Ky plan të hartohet nga një komision i posaçëm ad-hoc, përmes një procesi transparent e gjithëpërfshirës për grupet e interesit dhe shoqërinë civile.

Të reflektojmë për të bërë progresin e kërkuar lidhur me pavarësinë kushtetuese dhe paanshmërinë e institucioneve të sistemit gjyqësor dhe të organit të prokurorisë, duke bërë përmirësimet e nevojshme – siç rekomandohet edhe nga Raport Progresi – lidhur me emërimet në Gjykatën Kushtetuese, Gjykatën e Lartë, Prokurorinë e Përgjithshme, Këshillin e Lartë të Drejtësisë si dhe për funksionimin dhe organizimin e tyre të brendshëm.

Të forcojmë përgjegjshmërinë dhe efikasitetin e institucioneve të drejtësisë  përmes zbatimit të një sërë masash ligjore dhe institucionale që sigurojnë : ndërtimin dhe konsolidimin e një sistemi të karrierës, që nuk lejon në asnjë mënyrë abuzimet e cfarëdo lloji; përmirësimin rrënjësor të trajtimit material të punonjësve të sistemit të drejtësisë; përmirësimin rrënjësor të kushteve të punës të punonjësve të drejtësisë; pandikueshmërinë dhe pavarësinë në vendimarrje; paprekshmërinë profesionale në lidhje me vendimet e marra dhe në të njëjtën kohë mekanizëm efikas dhe transparent për të verifikuar dhe ndëshkuar sipas ligjit rastet e vendimarrjeve dukshëm të marra në mungesë të profesionalizmit dhe/ose bazuar në interesa të tjera jo të ligjshme; zbatimin efektiv të sistemit të ri të vlerësimit për gjyqtarët e prokurorët, progresin e kërkuar në luftën kundër korrupsionit në rradhët e njerëzve të drejtësisë; përmirësimin e inspektimit në gjykata e prokurori, përfshirë shmagien e konfliktit të kompetencave; trajnimin profesional të gjyqtarëve e prokurorëve dhe verifikimin e aftësive të tyre në cilësinë e vendimeve përkatëse; zbatimin e vendimeve gjyqsore duke ndëshkuar rëndë atë që pengon në mënyrë të paligjshme ekzekutimin e këtyre vendimeve; zbatimin e kodit etik për zyrtarët e punonjësit e sistemit; ngritjen e një sistemi funksional të plotë, uniformë, të harmonizuar dhe të integruar të menaxhimit të çështjeve në të gjitha gjykatat, duke përfshirë mbledhjen e shëndoshë të statistikave; shmangien e zvarritjeve te proceseve hetimore dhe gjyqësore.

Të mundësojmë pavarësinë financiare të prokurorisë dhe gjykatave përmes vendosjes së një standarti detyrues në buxhetin e shtetit që do të garantojë jo vetëm funksionimin e përditshëm të tij, por edhe progresin e kërkuar nga BE lidhur me fuqizimin e kapaciteteve njerëzore e infrastrukturore.

Rritjen e transparencës në dhënien e drejtësisë dhe të aksesit të qytetarëve në drejtësi duke hequr të gjitha barrierat ligjore e administrative që e pengojnë seriozisht  gëzimin realisht të të drejtave  kushtetuese  nga të gjithë.

Inkurajimin dhe mbështetjen e strukturave të prokurorisë dhe policisë gjyqësore për zhvillimin e hetimeve proaktive dhe intensive, jashtë ndikimeve politike për zbardhjen sa më shpejt të një sërë ngjarjesh të rëndësishme me ndikim të rëndësishëm në publik  dhe në funksionimin e  shtetit të së drejtës.

II. Të garantojmë një mbështetje të plotë ligjore e institucionale ndaj institucioneve ligjzbatuese për të bërë progresin e kërkuar nga Raport Progresi lidhur me luftën kundër krimit të organizuar, kulturës së pandëshkueshmërisë e korrupsionit në të gjitha nivelet si një ndër prioritet kyç të Opinionit të BE përmes :

Krijimit të menjëhershëm të një komision ad-hoc parlamentar që të shqyrtojë propozimet e bëra nga BE dhe KiE lidhur me heqjen/kufizimin e imunitetit për zyrtarët e lartë (ministra, deputet, gjyqtarë etj), me asistencën e ekspertizës së kualifikuar ndërkombëtare e vendase, duke mbajtur parasysh edhe opinionin e Komisionit të Venecias për këtë çështje. Ky komision të paraqesë për miratim në Kuvend projektin konkret me propozimet e nevojshme për ndryshime kushtetuese e ligjore, pjesë e një reforme që synon realisht luftën ndaj korrupsionit përmes forcimit real të pavarësisë dhe përgjegjshmërisë së institucioneve ligjzbatuese.

Vendosjes së një niveli transparence e mbikqyrjeje në veprimtarinë e të gjitha organeve e strukturave shtetërore përgjegjëse në luftën ndaj krimit të organizuar e korrupsionit, si edhe duke rritur barrën e përgjegjësisë ligjore mbi të gjithë hierarkinë e tyre.

Fuqizimit të institucioneve të zbatimit të ligjit (prokuroria, policia gjyqësore, KLSH, ILDKP, Departamentet e Kontrollit të Brendshëm etj) përmes masave ligjore e institucionale që sigurojnë mbështetjen me burimet e kërkuara njerëzore, financiare, teknike e logjistike si dhe nxisin kryerjen e hetimeve proaktive dhe rezultative dhe rritjen e ekspertizës investigative, zbuluese e hetimore dhe bashkëpunimin institucional ndërmjet tyre.

III. Të reflektojmë për të bërë progresin e kërkuar lidhur me refomën në fushën e pronësisë i konsideruar një tjetër prioritet i Opinionit për të cilin në raport progresin e BE kërkohet zbatimi efektiv i një sërë masash konkrete si :

Të nxisim e mbështesim hartimin, miratimin dhe zbatimin e një Strategjie dhe Plan Veprimi Kombëtar për Pronën, i cili të adresojë transparencën në kthimin e në kompensimin e pronës dhe domosdoshmërinë e një legjislacioni që krijon mekanizma efikasë në funksion të vendosjes dhe konsolidimit të së drejtës së pronës në të gjithë territorin e vendi. Kjo strategji të iniciohet në një proces të gjerë e gjithëpërfshirës konsultimi me ekspertë të fushës vendas dhe ndërkombëtarë si dhe me ekspertizën e pasur të gjykatave ndërkombëtare në këtë fushë.

Të nxisim hartimin dhe miratimin e një pakete të posacme masash ligjore e institucionale që qartësojnë transparencën në procesin e rregjistrimit të pronës, parandalojnë dhe luftojnë dukuritë e korrupsionit me pronën, zgjidhjen e pretendimeve të pazgjidhura me ish-pronarët përfshirë mirëpërcaktimn e detyrimit financiar dhe afatin e përmbushjes së tij, përcaktimin e planit kohor për zbatimin e vendimeve të GjEDNj dhe veçanërisht përqasjes së legjislacionit aktual  për të drejtat pronësore me jurisprudencën e kësaj gjykate.

VI. Të mundësojmë realizimin e progresit të kërkuar lidhur me adresimin e prioriteteve kyçe në forcimin e mbrojtjes së lirive e të drejtave themelore të njeriut dhe në zbatimin efektiv të politikave antidiskriminuuese në drejtimet e mëposhtme:

Zbatimi i strategjisë së drejtësisë për të miturit duke adresuar aspektet të tilla si: mbrojtja e fëmijëve -viktima dhe dëshmitarë të krimit,  zbatimi i masave  edukuese dhe jopenale për personat nën moshën e përgjegjësisë penale që kryejnë vepra penale, funksionimi efektiv i organeve të parashikuara në ligjin “Për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve”.

Përmirësimi dhe zbatimi i kuadrit ligjor e institucional ekzistues lidhur me personat me aftësi të kufizuar, duke mbajtuar parasysh  praktikën më të mirë  në fushë dhe vendimet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GjEDNj),

Mbështetjen me burimet e mjaftueshme financiare e infrastrukturore për të siguruar pavarësinë e plotë dhe eficensën e kërkuar të organeve që monitorojnë zbatimin e  të drejtave të njeriut, Komisionerit të Mbrojtjes së të Dhënave Personale dhe Komisionierit të  Zyrës së Mosdiskriminimit.

Marrja e masave shtesë për të përmirësuar trajtimin e të ndaluarve në komisariatet e policisë, në vendet e paraburgimit dhe burgje, zbatimi i masave mbrojtëse procedurale kundër përdorimit të dhunës nga punonjësit e policisë, për  parandalimin e torturës dhe keqtrajtimit, hetimi efektiv i rasteve të keqtrajtimit, trajtimin e të dënuarve të sëmurë, duke mbajtur parasysh rekomandimet e Avokatit të Popullit, të Komitetit  Europian për Parandalimin e Torturës dhe organizatave  monitoruese  të tjera në vend.

Grupi Parlamentar Socialist

Komisioni për Cështjet Ligjore, Administratën publike dhe të Drejtat e Njeriut

 Tiranë, më 28 tetor 2011

Qëndrimi i Grupit Parlamentar Socialist për projektligjet për miratim

Grupi parlamentar socialist ka rikonfirmuar qëndrimin e tij se plotësimi i kushteve të BE-së për integrimin europian të vendit përbën angazhim prioritar dhe një kërkesë thelbësore të këtij proçesi që i shërben mirëqeverisjes së vendit, forcimit të demokracisë funksionale dhe shtetit të së drejtës. Me qëllim adresimin e menjëhershëm të këtyre 12 rekomandimeve dhe me vullnetin e mirë për t’i dhënë zgjidhje krizës politike e institucionale në vend, Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste, propozoj “Paktin për Shqipërinë si gjithë Europa”. Ne  kemi ofruar një projekt për të ndërtuar së bashku me maxhorancën parlamentare një proces kushtetues, parlamentar e institucional, një projekt për të ardhmen, për Shqipërinë dhe shqiptarët, që i shërben drejtpërsëdrejti projektit të madh të integrimit.

I. Çfarë propozon ky projekt?

Një ndër 10 pikat e Paktit është pika 7 e tij në të cilën propozohet :

“Shqyrtimi nga Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, brenda këtij sesioni të legjislaturës, të çdo çështje që lidhet me ligjet që kërkojnë 3/5-at e votave të Kuvendit, qoftë ato që janë adresuar aktualisht e qoftë ato që opozita do të kërkojë të adresohen për rrugën europiane të Shqipërisë.

Ky shqyrtim – pjesë e një procesi të domodoshëm, të qëndrueshëm e afatgjatë të reformimit të sistemit të drejtësisë – duhet të kryhet në bashkëpunim me një grup ad-hoc konstitucionalistësh si edhe me grupe ekspertësh vendas e të ftuar nga Bashkimi Europian, rast pas rasti sipas fushave, ku duhet të përfshihen në një proces të hapur e plotësisht transparent për publikun edhe institucionet kushtetuese e të pavarura të sistemit të drejtësisë si dhe të gjitha grupet përkatëse të interesit.

Mbi këtë bazë jepet dakordësia se do të votohet çdo produkt të këtij procesi, i cili duhet të administrohet me të njëjtat parime të vlefshme për procesin e reformës zgjedhore: bashkëdrejtim, konsensus për çdo çështje e nen, mbështetur mbi kriterin themelor të përputhjes së legjislacionit tonë me standardet europiane dhe me moto pune rekomandimin e Bashkimit Europian se “Qeveria bashkë me opozitën kanë përgjegjësinë që, në mënyrë transparente dhe në respekt të plotë të Kushtetutës, të gjejnë zgjidhjet e nevojshme në rrugën e vendit drejt integrimit në BE”.

II. Çfarë synon të arrijë propozimi ynë pjesë e këtij pakti ?

Propozimi i mësipërm reflekton vullnetin dhe angazhimin tonë legjitim  për të ndërtuar një proces gjithëpërfshirës e transparent për shqyrtimin e projektligjeve që kërkojnë 3/5-at e votave të anëtarëve të Kuvendit nga Komisioni Kuvendor i Ligjeve, duke marrë në shqyrtim të gjitha ndërhyrjet e nevojshme përmirësuese që janë propozuar si dhe ato që mund të adresohen në këtë proces në përputhje me standardet europiane.

Ne jemi njohur me projektligjet që janë depozituar në Kuvend, për të cilat kërkohet votimi me shumicë të cilësuar (votimi me 3/5) dhe vërejmë se :

Këto projektligje nuk adresojnë problematikat reale të drejtësië dhe sigurisë në vend.

Disa nga projektligjet e paraqitura janë të paharmonizuara me kuadrin kushtetues dhe ligjor në fuqi.

Inciativat ligjore karakterizohen nga mungesa e transparencës me publikun,  shoqërinë civile  e grupet e interesit dhe nuk janë konsultuar me këto të fundit.

Disa nga keto projektligje nuk reflektojnë plotësisht vrejtjet e propozimet e ekspertizës ndërkombëtare që kanë asistuar procesin e hartimit të tyre;

Një pjesë e amendimeve ligjore cenojnë sigurinë juridike të qytetarëve dhe kryesisht të bizneseve të vogla e të mesme. Disa nga këto projektligje kërkojnë ndryshimin e disa normave kushtetuese. Ne kemi shprehur vullnet për të realizuar të gjitha detyrimet tona parlamentare në procesin ligjbërës duke ofruar kontribut të pakushtëzuar në këtë drejtim, por duke refuzuar që pjesëmarrja jonë në miratimin e ligjeve që kërkojnë shumicë të cilësuar në Kuvend, të jetë një qasje e pjesshme dhe emergjente dhe të shërbejë si një fasadë për të zgjatur proçesin e tranzicionit.

Ne kemi deklaruar qartazi se jemi të gatshëm të votojmë :

1. Projektligjin për gjykatat administrative, duke përmirësuar veçanërisht çështjet që kanë të bëjnë me mirëstrukturimin e piramidës gjyqësore administrative, harmonizimin e projektligjit për krijimin e gjykatave administrative me azhurnime/përditësime të njëkohshme në disa ligje të tjera të rëndësishme të legjislacionit proçedural civil dhe atij administrativ dhe në veçanti në Kodin e Procedurës Civile, në Kodin e Procedurave Administrative, Ligjin “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës së Lartë” si dhe në mjaft ligje të tjera të posaçme; si dhe dhënien e garancive reale nga ana e ekzekutivit për sigurimin e ambjenteve të përshtatshme për gjykime përmes një debati të hapur dhe gjithpërfshirës mbi gjykatat administrative me aktorët e fushës   (gjyqtarë, avokatë, grupet e interesit) dhe domosdoshmërisht me partnerët ndërkombëtarë që asistojnë e monitorojnë proçesin e reformave në sistemin tonë të drejtësisë. Ne besojmë se gjykatat administrative mund të luajnë realisht një funksion me vlerë/të rëndësishëm për gjykimin dhe zgjidhjen me drejtësi dhe efektivitet të mosmarrëveshjeve administrative dhe për sistemin e drejtësisë në përgjithësi, nëse miratimi i projektligjit për Gjykatën Administrative shoqërohet me ndryshimin e kontekstit në të cilin do të veprojë kjo Gjykatë, me përmirësimin rrënjësor të rregullave për emërimin dhe karierën e gjyqtarëve, garantimin e kushteve financiare dhe infrastrukturore e logjistike për mirëfunksionimin e tyre, përmirësimin e trajnimit profesional të gjyqtarëve dhe stafeve të tyre e zbatimin e sistemit të vlerësimit, zbatimin e vendimeve gjyqësore dhe rritjen e aksesit të qytetarëve në dhënien e drejtësisë si dhe me ndërmarrjen e veprimeve konkrete që synojnë të ndryshojnë perceptimin e publikut për sistemin e drejtësisë, zbatimin e ligjit në përgjithësi dhe nga gjykatat në veçanti etj.

2.         Amendimet e bëra në një sërë iniciativash ligjore në Kodin Penal, duke përmirësuar dispozitat lidhur me çështjet që kanë të bëjnë me luftën ndaj korrupsionit, me manipulimin dhe deformimin e tregut financiar, përcaktimin e përgjegjësisë individuale në organet kolegjiale etj. Ne  besojmë se një hap i tillë kërkon njëkohësisht një sërë ndërhyrjesh kushtetuese, legjislative e institucionale për forcimin e pavarësisë, përgjegjshmërisë dhe efektivitetit të organit të prokurorisë, rritjen e efektivitetit të policisë gjyqësore në luftën kundër kriminalitetit, fuqizimin e efikasitetit të agjensive ligjzbatuese në luftën ndaj krimit të organizuar etj. Për këto arësye ne kemi kërkuar që ky proces të shoqërohet me ndryshimet e nevojshme në kodin e proçedurës penale, ligjin për prokurorinë, ligjin për policinë gjyqsore etj;

3.         Amendimin e projekt-ligjit “Për ndarjen administrativo-territoriale të njësive të qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë” por jo për të bërë hipokrizinë institucionale të rradhës në funksion të interesave elektorale të partisë në pushtet. Ne besojmë se është momenti dhe ndoshta jemi edhe të vonuar për kryerjen e një reforme tërësore lidhur me ndarjen e administrative të vendit. Kjo reformë duhet të mundësojë një ndarje të re administrative të Shqipërisë që ka në thelb uljen e numrit të njësive vendore në funksion të një qeverisjeje më të mirë, me qëllim që të shtohen dhe të përdoren më mirë burimet ekonomike dhe të  rritet aksesi i njerëzve në to; të mundësohet një regjistrim më i plotë, ligjor dhe transparent i çdo qytetari, familje, prone, biznesi etj; rregulla të reja të lëvizjes, qëndrimit, banimit, ndryshimit të tyre duke vendosur përfundimisht standarde bashkëkohore të funksinimit të njesive administrative që shmangim  veprimet kriminale për qëllime politike, elektorale dhe financiare në këtë fushë.

4.  Amendimet e bëra në një sërë inisiativash ligjore për ndryshime në Kodin Rrugor, Kodin   Detar. Kodin Ajror  etj.

Ne besojmë se këto ndryshime duhet të plotësohen me vendosjen e mekanizmave detyrues për zbatimin e ligjit në mënyrë të njëllojtë dhe të barabartë për të gjithë, forcimin e garancive për sigurinë në udhëtimin rrugor, detar e ajror çka paketat e propozuara të ndryshimeve në Kodet e mësipërme nuk e mundësojnë.

Ne kemi deklaruar qartësisht se jemi të gatshëm ta japim votën tonë për çdo projektligj që është pjesë integrale e një vizioni kombëtar dhe jo partiak për çështjet e drejtësisë dhe sigurisë dhe funksionimin e shtetit, produkt i një reforme të plotë e të qëndrueshme që garanton një pushtet gjyqësor të pavarur e efiçent, që garanton barazi në zbatimin e ligjit.

III. Si mund e duhet ta ndërtojmë këtë proces ?

Më poshtë po rendisim disa sugjerime, por që nuk mund të jenë të vetmet.

3.1. Realizimi i  procesit të reformimit të sistemit të drejtësisë përmes Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, ose një Komisioni të posacëm parlamentar bipartizan i administruar me të njëjtat parime e metodologji të vlefshme si ai për procesin e reformës zgjedhore;

3.2. Të ndërtojmë një proces të hapur e gjithëpërfshirës me kontributet aktive të të gjithë institucioneve pjesë e sistemit, të institucioneve kushtetuese e të pavarura (Konferenca Gjyqësore, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, Gjykata Kushtetuese, Gjykata e Lartë, Prokuroria e Përgjithshme etj) si dhe të gjitha grupeve përkatëse të interesit (Shoqatat e gjyqtarëve, Shoqata e Prokurorëve, Dhoma Kombëtare e Avokatisë, Dhoma Kombëtare e Noterisë, etj) në përputhje me fushat e interesit përkatës;

3.3. Procesi të sigurojë përfshirjen, mbështetjen dhe asistencën aktive të një grupi ad-hoc konstitucionalistësh si edhe ekspertësh vendas (akademikë, pedagogë të së drejtës, ekspert të disiplinave të ndryshme nga rradhët e avokatisë, shoqërisë civile etj) rast pas rasti sipas fushave;

3.4. Të sigurohet ekspertiza e kualifikuar ndërkombëtare përmes asistencës së misioneve të BE (Euralius), SHBA (OPDAT), USAID, OSBE etj që asistojnë aktualisht sistemin e drejtësisë ose edhe ekspertë të thirrur rast pas rasti sipas interesit të cështjeve përkatëse;

3.5. i gjithë procesi të jetë sa më i hapur e plotësisht transparent për publikun përmes komunikimit transparent me të.

IV. Qëllimi i projektit të konceptuar e ndërtuar si më sipër është të realizojmë :

Një proces tërësisht transparent e gjithpërfshirës, të përshkruar nga frymë e debatit dhe asistenca e eskpertizës profesionale dhe jo një proces ligjvënës të mbyllur e formal;

Një proces që ka si matës të produktit përgjegjshmërinë dhe eficensën e sistemit,  jo thjesht numrin e ligjeve dhe amendamenteve të propozuara dhe të miratuara;

Një proces që synon pavarësinë reale ligjore, institucionale e financiare të institucionet kushtetuese e të pavarura dhe jo kontrollin e politikës dhe qeverisë mbi to.

Ne synojmë një proces ligjvënës të ndërtuar tërësisht mbi baza kushtetuese, ligjore dhe standartet europiane me qëllimin e vetëm konsolidimin e demokracisë dhe shtetit të së drejtës.

Qeveria, në vend të konsumimit të energjive për të fajësuar opozitën e vendit të saj, duhet të reflektojë dhe të gjejë rrugën e duhur për të ndërtuar një proçes ligjvënës sa më transparent e konsensual me të gjithë faktorët e shoqërisë, në funksion të përgjegjshmërisë dhe detyrimeve kushtetuese. Vetëm në këtë mënyrë qeveria do të japë prova bindëse dhe të besueshme të dobisë së nismave ligjore që propozon të votohen në Kuvend si edhe garanci në zbatimin e ligjeve të miratuara.

Ne mbetemi të gatshëm të bashkëpunojmë për një proçes ligjvënës që i shërben forcimit të kushtetutshmërisë, në funksion të autoritetit të shtetit, në funksion të autoritetit të drejtësisë dhe institucioneve të ligjit dhe në funksion të rritjes së besimit të qyetarëve tek këto institucione.

Grupi Parlamentar Socialist

Komisioni për Cështjet Ligjore, Administratën publike dhe të Drejtat e Njeriut

Tiranë, më 28 tetor 2011

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi