BB: Qeveria shqiptare, çfarë dështimi me pronat
Publikuar në AMA News, 3.02.2012
Pronësia në Shqipëri mbetet vetëm një ëndërr dhe sistemi dominohet nga kaosi procedural e ligjor, ndërkohë që korrupsioni ka penguar zbatimin e nismave të mira për zgjidhjen e problemeve.
Këto janë gjetjet e një raporti të Bankës Botërore mbi qeverisjen në mbrojtjen e të drejtave mbi pronën e paluajtshme në Shqipëri, publikuar ditën e premte në të përditshmen “Shqip”.
Raporti vëren mes të tjerash që mungesa e titujve të pronësisë ka vështirësuar dukshëm investimet në ndërtim dhe se pasiguria e të drejtave të pronësisë prek një pjesë të madhe të popullsisë.
Një raport prej 29 faqesh, studimi vëren se mungesa e garantimit ligjor të të drejtave të pronësisë ka nxitur ndërtimet pa leje dhe ka ushqyer përçarje shoqërore dhe mosbesim të theksuar të popullsisë te shteti.
“Përkundër disa përpjekjeve për të bërë reformë, të drejtat mbi pronën në Shqipëri nuk janë mjaftueshmërisht të sigurta dhe përbëjnë një sfidë të rëndësishme ndaj qeverisjes. Problemet kanë dalë nga regjistrimi fillestar i paplotë i titujve, mungesa e kartelave të sakta kadastrore dhe në shumë raste, nga mungesa e informacionit provues të besueshëm për pronësinë”, – thuhet që në rreshtat e parë të raportit.
“Megjithëse Shqipëria ka miratuar një legjislacion, i cili kërkon kthimin ose kompensimin e ish-pronarëve, pronat e të cilëve janë shpronësuar në regjimin komunist, zbatimi i tij nuk është i plotë”.
Faji i qeverisë
Raporti vëren se ndërtimet pa leje dhe të gjitha problemet shoqërore, mjedisore, ekonomike e ligjore të krijuara prej tyre, kanë për origjinë paaftësinë e qeverisë për të garantuar të drejtat e pronësisë nga njëra anë dhe refuzimin e zyrtarëve për të dhënë leje ndërtimi, edhe në rastet kur dikush ka nën pronësi të rregullt tokën.
“Boshllëqet në legjislacionin e rregullimit të territorit dhe mosdhënia e lejeve të ndërtimit nga administrata e ka bërë të vështirë marrjen e një lejeje të rregullt ndërtimi, edhe atëherë kur personat që e kanë në përdorim tokën kanë titull të ligjshëm pronësie mbi të”, thuhet në përmbledhjen e konkluzioneve të raportit.
“Autoritetet shtetërore nuk kanë arritur kryesisht ta pengojnë zënien e paligjshme të tokës dhe ndërtimet e paligjshme dhe, vlerësohet se, deri në një e treta e të gjitha ndërtesave në Shqipëri janë të paligjshme për shkak të mungesës së një titulli të qartë dhe/ose një lejeje të rregullt ndërtimi të personave që i kanë në shfrytëzim ato”.
Prona të papërdorshme
Mungesa e titujve të pronësisë, gabimet e panumërta të kryera në regjistra apo pengesat e stërmëdha me të cilat përballen qytetarët në marrjen e certifikatave të pronësisë, edhe në rastet kur nuk ka konflikt, ka bërë që një pjesë e madhe e pronave në vend të jenë efektivisht të papërdorshme.
Kjo nuk është një situatë pa zgjidhje, sipas raportit, por ka nevojë për seriozitet nga ana e politikës dhe shoqërisë për eliminimin e problemeve.
“Shtrirja e zënies së paligjshme të tokës dhe e ndërtimeve të paligjshme ka krijuar probleme mjedisore dhe ushtron trysni në rritje mbi shërbime publike në qytet. Informaliteti i përhapur dhe zbatimi i dobët i të drejtave mbi pronën ka ushqyer përçarje shoqërore, duke qenë se banorët e vjetër në qytet nuk i shohin me sy të mirë ardhacakët, të cilët duket se kanë përfituar duke shkelur ligjin, por nuk e shohin me sy të mirë as pushtetin, i cili nuk e ka ndalur zënien e paligjshme të tokës apo ndërtimet e paligjshme”, thuhet në raport.
“Zaptuesit informalë rrezikojnë dëbimin, prishjen e objekteve të tyre dhe mungesë lidhjeje me shërbimet publike. Në pozita më të pafavorshme janë grupet e çënueshme, duke përfshirë gratë në fshat dhe në malësi, fëmijët dhe pakicat rome, sepse këtyre grupeve u mungojnë njohjet dhe dija për t’i ndihmuar t’i kërkojnë në mënyrë të efektshme të drejtat e tyre”, thuhet më tej.
Në fakt në Shqipëri ka pasur shumë raste kur shtëpitë e të varfërve janë shembur si ndërtime pa leje sapo ajo copë tokë e zënë prej tyre në mënyrë të ligjshme apo të paligjshme, ka dalë me leverdi për kompanitë e ndërtimit.
“Gjykatat nuk kanë pasur sukses në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve për pronat apo në vënien në zbatim të të drejtave mbi pronën, çka e ka mundësinë ta dëmtojë perspektivën e integrimit të Shqipërisë në BE. Mosmarrëveshjet për pronat përbëjnë një përqindje të lartë të çështjeve në gjykatë dhe të ankesave të qytetarëve përpara Avokatit të Popullit, por problematik mbetet përmbarimi i vendimeve gjyqësore në këto çështje.
Për pasojë, një numër në rritje shqiptarësh ngrenë padi përpara Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe shpesh i fitojnë çështjet, duke e rritur ndërgjegjësimin ndërkombëtar për shqetësimet që kanë të bëjnë me të drejtat mbi pronën në Shqipëri”, thuhet në raport.
BB: Ndërtuesit pa leje të paguajnë tokën
Ekspertët e Bankës Botërore i këshillojnë qeverisë të heqë dorë nga skema aktuale e legalizimit të ndërtimeve pa leje përkundrejt çmimeve simbolike të tokës, duke argumentuar se rruga e ndjekur aktualisht nuk të shpie asgjëkundi.
Me bindjen se problemet aktuale të pronësisë në Shqipëri nuk janë pa zgjidhje, raporti i publikuar dje sugjeron një “zgjidhje politike” për dy problemet kyçe, kthimin dhe kompensimin e pronave dhe legalizimet. BB sugjeron që zgjidhja e këtyre problemeve ngushtësisht të lidhura me njëra-tjetrën të kryhet në mënyrë koherente dhe pragmatike.
“Një zgjidhje e tillë do të duhej të trajtonte disa konflikte dhe boshllëqe të rëndësishme në kuadrin ekzistues ligjor, për të hequr grykat e ngushta, të cilat mbajnë peng proceset kryesore të regjistrimit të titujve, legalizimit dhe kthimit dhe kompensimit.
Sidomos, me më shumë gjasa për të qenë e qëndrueshme, si sa i takon përballimit nga ana fiskale, ashtu edhe sa i takon drejtësisë së perceptuar, do të ishte një zgjidhje politike përmes së cilës një përqindje më e madhe e kostos së kompensimit do të vinte nga përfituesit e shpronësimeve (siç janë subjektet kërkues të legalizimit)”, thotë raporti.
Qeveria e nisi procesin e legalizimeve në vitin 2006 duke premtuar tituj pronësie përkundrejt çmimeve të tokës që varionin nga 1 mijë në 4 mijë dollarë për sipërfaqe nga 100 deri në 500 metra katrorë.
Para zgjedhjeve të vitit 2009, qeveria vendosi t’i gënjejë edhe më tej njerëzit, duke pranuar bonot e privatizimit, disa copa letre pa vlerë që ajo i pati prodhuar me bollëk një dekadë më parë, si formë pagese për gjysmën e detyrimit.
Procesi deri më sot ka rezultuar dështim total ku askush nga të varfrit që teorikisht duhej të përfitonin, nuk ka përfituar. Përkundrazi, të pasurit që kanë ndërtuar shpesh pallate të tëra pa leje e pa pronësi toke ose kanë bërë shtesa pallatesh pa leje e pa pronësi, po i legalizojnë këto prona, duke paguar çmime minimale, ndërkohë që koston reale të tokës duhet ta paguajnë taksapaguesit.
“Ekziston një nevojë e ngutshme për një përshpejtim të procesit të pagimit të kompensimit pronarëve të shpronësuar, për të siguruar besueshmërinë te ligji, për t’ua prerë rrugën padive dhe për t’i eliminuar pengesat ndaj procesit të legalizimit.
Në të njëjtën kohë, kjo mund të kërkojë rishikimin e dispozitës ligjore lidhur me pagimin e kompensimit sipas vlerave aktuale të tregut, e cila nuk është në përputhje me praktikën ndërkombëtare”, thuhet në raport.