Nga tranzicioni i rremë te depresioni kolektiv

Nga Ardi Stefa, 19 dhjetor 2025

Për më shumë se tri dekada, shqiptarëve u është thënë se po “kalojmë tranzicion”. Pastaj termi ndryshoi në “tranzicion i tejzgjatur”, një togfjalësh i mjegullt, që justifikonte çdo dështim, çdo padrejtësi, çdo vonesë.

Tranzicioni u bë alibia perfekte e një klase politike të paaftë dhe të pangopur. Por sot, është e qartë: shqiptarët nuk po jetojnë më një tranzicion të tejzgjatur. Ata po përjetojnë rrënimin e demokracisë dhe një depresion të shumëfishtë: ekonomik, politik, social dhe, mbi të gjitha, psikologjik.

Ekonomikisht, vendi nuk është më thjesht i varfër; është i lodhur. I rraskapitur. Puna nuk siguron jetë dinjitoze, paga nuk mbulon jetesën, kursimi është luks, ndërsa e ardhmja një koncept gjithnjë e më abstrakt. Të rinjtë nuk ikin më nga varfëria, por nga mungesa e shpresës. Ikja është bërë projekt jetësor për shpëtim. Një shoqëri që prodhon vetëm emigrantë nuk është më në tranzicion, është në shpërbërje.

Politikisht, depresioni është edhe më i thellë. Demokracia është zbrazur nga kuptimi. Zgjedhjet nuk ngjallin më entuziazëm. Vota nuk shihet si mjet ndryshimi, por si rutinë. Partitë nuk përfaqësojnë më ide e shpresë për ndryshim, por interesa, klane dhe individë. Klasa politike ka mbi tre dekada që është e njëjta, e pandryshuar, pa qarkullim elitash dhe pa rotacion. Shqiptarët janë shndërruar në spektatorë të një teatri absurd, ku aktorët ndërrojnë role në një skenar të njëjtë.

Nga ana sociale, shoqëria shqiptare po mpaket. Solidariteti po zëvendësohet nga indiferenca, besimi nga dyshimi dhe shpresa nga cinizmi. Familja mban mbi supe barrën e një shteti të munguar, ndërsa shkolla, kultura dhe arsimi humbasin gradualisht rolin emancipues. Modelet publike janë vulgarë, të zhurmshëm, bosh. Modelet që promovohen janë të rreme, të shpejta, pa mund, pa vlera. Kjo nuk është krizë vlerash; është shkatërrim i tyre. Sepse një shoqëri e paditur dhe pa vlera është më e lehtë për t’u sunduar.

Por goditja më e rëndë, depresioni më i rrezikshëm është ai psikologjik. Një lodhje kolektive, një ndjenjë e përhapur pafuqie, një bindje e heshtur se “asgjë nuk ndryshon”. Shqiptarët janë lodhur së shpresuari. Janë mësuar me padrejtësinë, janë pajtuar me mediokritetin dhe kanë normalizuar poshtërimin e vetëposhtërimin. Shqiptarët qeshin me ironi, flasin me mllef, por veprojnë gjithnjë e më pak. Gjithnjë e më rrallë protestojnë dhe dorëzohen më shpejt. Fatkeqësisht shoqëria shqiptare është tashmë një shoqëri që ka humbur besimin te vetja dhe ka ulur pritshmëritë deri në minimum.

Tranzicioni presupozon lëvizje, shpresë për mbërritje. Depresioni, përkundrazi, është ngecje, errësirë dhe dorëzim. Dhe kalbëzim. Shqipëria e sotme nuk po shkon askund; nuk është në një rrugë drejt diçkaje; ajo rrotullohet në vend, e lodhur nga premtimet e pambajtura dhe nga e shkuara që rikthehet vazhdimisht me fytyra të reja, që, në fakt janë të njëjtat. Ata që na qeverisin kanë frikë nga ndryshimi, ndërsa shqiptarët janë lodhur nga zhgënjimi. Depresioni kolektiv është arma më efikase e pushtetit: qytetarë pa shpresë janë qytetarë të bindur.

Dalja nga kjo gjendje kërkon një rilindje morale, psikologjike dhe qytetare. Rikthimin e dinjitetit, të besimit dhe të shpresës. Sepse një shoqëri në depresion është më e rrezikuar se një shoqëri në tranzicion. Dhe sot, shqiptarët nuk kanë më luksin të mashtrohen me fjalë: duhet të përballen me realitetin, për ta ndryshuar atë.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi