Reforma (e vonuar) zgjedhore

Nga Afrim Krasniqi, botuar në Shqiptarja.com, 27 nëntor 2013

Bashkimi Evropian, Ambasada e SHBA, Misioni i OSBE dhe një numër organizatash civile apeluan dje nevojën për nisjen e reformës zgjedhore për pranverën e vitit 2015 dhe 2017. BE tha se zgjedhjet janë kriter për integrimin, SHBA tha se nuk ka problem më të rëndësishëm në demokraci sesa cilësia dhe besueshmëria e përfaqësimit politik, OSBE tha se rekomandimet e ODIHR duhet të përmbushen, shoqëria civile apeloi për vullnet politik të partive.

Shqipëria sapo doli nga zgjedhjet, dhe kërkesa për debat zgjedhor duket një zë i humbur në një mjedis ku askush nuk dëgjon. Në fakt zgjedhjet e fundit morën vlerë për shkak të rotacionit politik, jo cilësisë së tyre. KQZ ishte gjysmake për shkak se një palë u tërhoq me vendim politik, Kolegji Zgjedhor mori dy vendime të kundërta në të njëjtën ditë mbi të njëjtat prova, financimi i partive ishte dhe mbeti njollë e zezë, trafiku dhe klientela në votim ishin dominues tek të gjitha palët politike, cilësia e parlamentit ra dhe se eksperimenti me proporcional rajonal nuk solli asnjë nga pritshmëritë e hartuesve të tij më 2009.
Në total rreth 180 mijë zgjedhës mbetën pa përfaqësim në mandate parlamentare; një parti me 30 mijë vota nuk mori mandat, kurse një tjetër me vetëm 7 mijë vota e fitoi mandatin; disa partiza politike fituan mandate përmes listave proporcionale të dy partive të mëdha dhe se trafiku i deputetëve sapo ka nisur, për të zgjatur 4 vjet. Sot Shqipëria është vendi i vetëm evropian ku emigrantët nuk votojnë aty ku jetojnë, jemi vendi i vetëm me status të avancuar që nuk ju jep të drejtë votimi në zgjedhje lokale qytetarëve të BE-së, jemi vendi i vetëm ku kemi eksperimentuar tri llojet e sistemeve elektorale (mazh-miks-prop) dhe përsëri, jemi vendi i vetëm me administrim thellësisht dypartiak të zgjedhjeve, jemi një vend i varfër që hedh në erë konsensualisht 7 milionë euro për pajisjet elektronike, jemi qytetarët e vetëm që 90% të vendimmarrësve i zgjidhim indirekt, përmes siglave partiake.
Sistemi proporcional rajonal nuk eliminoi fragmentarizmin politik, forcoi ndjeshëm liderit partiakë, rriti numrin e biznesmenëve në parlament, forcoi tendencat klienteliste të trafikut me votën, prodhoi një parlament me mbi 85% të deputetëve banorë të një qyteti (Tiranës), vendosi rekord në muret unike të ngritura për të mos lejuar kandidimin e pavarur, në kundërshtim me ligjin prodhoi parti lokale, etj. Dy partitë bëjnë Kodin, emërojnë KQZ, emërojnë e zëvendësojnë komisionerët, vendosin rregulla ekstra, imponojnë Kolegjin, emërojnë Bordin e Medias apo auditët financiarë, pra simbolikisht bëjnë gjyqin, gjyqtarin, prokurorin, hetuesin, vëzhguesin dhe policin. I pandehur është kushdo që mendon, guxon apo konkurron përballë tyre. Ky sistem mbipartiak u etiketua tri vjet më parë nga Rama dhe sivjet nga Berisha si “krim e batërdi elektorale”. Sot ata kanë ndryshuar pozicion dhe kanë harruar krimin, batërdinë dhe premtimet.
Reforma është e vonuar dhe mbi të gjitha nuk ka vullnet dhe as sinjal se mund të kemi akte konkrete serioze në ditët, javët apo muajt e ardhshëm. Për së paku tri “arsye”. Së pari se asnjëra palë nuk ka interes të shpejtë. Sistemi u jep atyre më shumë mandate sesa vota, ndaj ndjehen mirë porsa kohë i detyrojnë shqiptarët të zgjedhin vetëm midis tyre. Së dyti sepse reforma kërkon disa ndryshime paraprake, p.sh ndryshime në ligjin për ri-iroganizimin e ndarjen territoriale. Vetëm pas ndarjes së re mund të ketë 12 apo 6 zona të reja elektorale. Palët kanë bërë deklarime, por ende nuk ka akte konkrete. Së treti sepse dy palët ndodhen në pozita jokomode, PS për shkak të LSI dhe PD për shkak të rënies nga pushteti. Ato kërkojnë ca kohë për të ridimensionuar raportet midis tyre dhe të tjerëve për të tentuar të imponojnë rregulla konsensuale dypartiake.
Sot sistemi ndodhet në kolaps dhe paradoks. P.sh, Kodi ndalon zgjedhjet në dimër ndërkohë që palët kanë lajmëruar votim për referendumin në pikun e dimrit, me 22 dhjetor. Kodi ndalon abuzimin me votën, por palët i kanë graduar militantët që kanë sjellë më shumë vota, duke u dhënë poste në parti e shtet. Kodi ndalon financimet informale, por palët i mbyllën dosjet financiare me konsensus duke deklaruar disa qindarka fiktive, me burim kandidatët dhe militantët. Kodi ndalon kandidimin në emër të një partie tjetër, por palët kandiduan dhe u dhanë mandate 5 partive duke i përfshirë shefat e tyre në lista të sigurta. Kodi ndalon përdorimin e shtetit në fushatë por dje e djathta dhe sot e majta bëjnë të njëjtën gjë, të gjitha burimet shtetërore ishin dhe janë në fushatë.
Kodi ndalon shkeljen e kuotave gjinore, por palët ranë dakord me një gjobë minimale dhe e shkelën me konsensus. Kodi ndalon reprezaljet për shkak të kandidimit, por disa qindra u shkarkuan në fushatë, të tjerët pas saj. Ka të paktën 22 kundërshti të tjera, që ligji i ndalon, dy partitë, me konsensus, i lejojnë, madje i ruajnë duke i imponuar si norma ekstra zgjedhore.
Më 2015 do kemi zgjedhje lokale, deri atëherë mund të kemi disa zgjedhje të pjesshme lokale, ndofta edhe referendum. Më 2007 do kemi zgjedhje presidenciale e më pas edhe parlamentare. Palët patën premtuar zgjedhje direkt të Presidentit, ndryshim sistemi për votën e emigrantëve, – dy prej shumë premtimeve që nuk dëgjohen më, nuk mbështeten më dhe kanë pak shanse të ndodhin. Komisioni i Venecias prej vitesh këshillon: ndryshojeni sistemin jo për zgjedhjet e radhës (sepse çdo palë bën kalkulime elektorale për veten), por për 2-3 zgjedhje më vonë (kur asnjëra palë nuk e di nëse do jetë pushtet apo opozitë) dhe ajo reformë do prodhojë stabilitet, qëndrueshmëri, përfaqësim dhe besim. Ne kemi bërë, po bëjmë dhe treguesit janë se do bëjmë përsëri, të kundërtën! Kështu, institucioni i zgjedhjeve, nga instrument kushtetues i qytetarëve për të kontrolluar periodikisht pushtetin politik janë kthyer në instrument i partive për të kontrolluar qytetarët periodikisht. Zgjedhjet kanë vlerë kur ofrojnë zgjidhje, dhe tek ne, kjo ndodh rrallë e më rrallë.
Në këto rrethana, kur palët vetë nuk kanë bërë zgjedhje në partitë e tyre (PD zyrtarisht nuk ka kryesi legjitime, PS zyrtarisht nuk ka kryetar legjitim), kur ato kanë shpallur axhendë tjetër nga ajo që kërkon publiku, kur ato nuk kanë asnjë interes dhe as shqetësim për reformë zgjedhore, si dhe kur misionet e huaja vëzhguese nuk rrezikojnë si përherë t’i kundërvihen konsensusit kërcënues PS-PD, shanset për reformë cilësore, të qëndrueshme dhe përfaqësuese janë dhe mbeten minimale. Edhe këtë herë pritet tradita, zgjidhje të sforcuara në momentet e fundit, praktikë që nuk i jep fund, por ushqen më tej tranzicionin!

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi