Plani i Përgjithshëm Kombëtar

Prezantohet sot PPK, 29 dhjetor 2015

image

Tre plane të rëndësishme zhvillimore, iu prezantuan sot qytetarëve të Tiranës, në një dëgjesë publike, të organizuar nga Ministria e Zhvillimit Urban dhe Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit, të cilat pas dy viteve punë intensive sjellin me sukses, Planin e Përgjithshëm Kombëtar, Planin e Integruar Ndërsektorial të Bregdetit, si dhe Planin e Integruar Ndërsektorial të Zonës Ekonomike Tiranë-Durrës.

Në kuadër të fushatës Shqipëria 2030, këto plane, të cilat hartohen për herë të parë do të paraqiten publikisht për të nxitur dialogun tek qytetarët nëpërmjet pyetjeve dhe sugjerimeve, për të ndërtuar së bashku Shqipërinë e 2030!

Vënia në zbatim e këtyre planeve të rëndësishme kombëtare i jep fund zhvillimit kaotik dhe spontan të territorit, dhe mundëson ecjen në rrugën e zhvillimit të qëndrueshëm, afatgjatë dhe të planifikuar.

Plani i Përgjithshëm Kombëtar është një nismë e marrë nga qeveria me propozim të Ministres për Zhvillimin Urban dhe Turizmin. Ky plan duhej të ishte bërë më parë dhe vonesa e tij ka rënduar situatën në terren, duke degraduar panoramën e përgjithshme me ndërtime të realizuara në mungesë të një plani kombëtar, dhe për më tepër kanë shkaktuar dëm ekonomik kombëtar pasi ndërkohë është stimuluar hartimi i planeve vendore dhe rajonale, të gjitha hartuar dhe miratuar në mungesë të një kornize politike kombëtare të planifikimit. Zhvillimet kaotike dhe shpesh informale në territor, si dhe mungesa e planifikimit dhe e kontrollit të territorit nga njësitë vendore, kanë dëmtuar rëndë edhe peizazhin natyror.

Plani i Përgjithshëm Kombëtar do të orientojë përdorimin dhe shfrytëzimin e qëndrueshëm të burimeve dhe potencialeve të Shqipërisë. Brenda këtij kuadri do të ketë një vëmendje të veçantë për rivlerësimin e aseteve të trashëgimisë kulturore dhe të burimeve natyrore.

Qëllimi i hartimit të një Plani të Përgjithshëm Kombëtar konsiston në krijimin e platformës drejtuese dhe të garancisë ligjore të nevojshme për një zhvillim të qëndrueshëm urban, ekonomik, social e mjedisor në territor.

Qëllimet specifike strategjike që synon të përmbushë Plani i Përgjithshëm Kombëtar, bazuar edhe në parimet e Ligjit të PT-së, janë:

të sigurojë zhvillimin e qëndrueshëm të territorit, nëpërmjet përdorimit racional të tokës dhe të burimeve natyrore,
të vlerësojë potencialin aktual e perspektiv për zhvillim të territorit në nivel kombëtar e vendor, në bazë të balancimit të burimeve natyrore, të nevojave ekonomike e njerëzore dhe
interesave publike e private,
të nxisë veprimet e duhura për mbrojtjen, restaurimin dhe rritjen e cilësisë së trashëgimisë natyrore e kulturore dhe për ruajtjen e shumëllojshmërisë biologjike dhe të peizazhit,
të mundësojë të drejtën e përdorimit e të zhvillimit të pronës, në përputhje me interest e shoqërisë, instrumentet planifikuese dhe legjislacionin,
të krijojë kushte të përshtatshme e të drejta dhe shanse të barabarta për banim, veprimtari ekonomike e sociale për të gjitha kategoritë sociale, kohezion ekonomik e social dhe gëzim të të drejtave të pronësisë,
të sigurojë që autoritetet kombëtare e vendore të planifikimit, të hartojnë e të përditësojnë rregullisht instrumente të planifikimit, sipas kërkesave te tregut dhe nevojave sociale,
të sigurojë që autoritetet e planifikimit të bashkërendojnë veprimtaritë e tyre për të nxitur planifikimin e harmonizuar e të integruar të territorit,
të garantojë, sipas legjislacionit për ndërtimin, zbatimin e rregullave të sigurisë së ndërtimeve dhe të punimeve të ndërtimit për jetën dhe shëndetin e njerëzve.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi