Sfera publike dhe krijimi i shoqërisë civile në Shqipëri

Prof. Fatos Tarifa, botuar në Dita, 13 nëntor 2018

Kjo ese nuk synon një diskutim teorik habermasian mbi sferën publike dhe shoqërinë civile. Megjithatë, dëshirojmë të bëjmë të qartë që në fillim se kuptimi që ne kemi për sferën publike është ai që përkufizon Jürgen Habermas, si “një fushë e jetës sonë, në të cilën mund të formohet diçka që i afrohet opinionit publik”,[i] dhe kjo konsiston në një seri ndërmjetësimesh mes shoqërisë civile dhe shtetit.

Krijimi i “publikut” shqiptar

Një sferë publike liberale dhe e moderuar është krijuar në Shqipëri qysh me shembjen e socializmit shtetëror në fillim të viteve 1990. Një gjë e tillë ka mundësuar shkëmbimin e lirë të ideve e të pikëpamjeve për të krijuar një opinion publik dhe për të përcaktuar parimet e legjitimitetit politik, duke e kufizuar pushtetin e individëve të veshur me të. Shkëmbimi i lirë i pikëpamjeve dhe opinioni publik kanë qenë dhe mbeten të lidhur me nevojat e klasës së re të biznesit e të intelektualëve, të cilët kërkojnë forume publike ku të diskutojnë çështje që kanë të bëjnë me biznesin, me problemet politike e ato sociale.

Një shtyp përgjithësisht i lirë, i cili nuk ishte më subjekt i censurës komuniste, filloi të zhvillohej për herë të parë pas dekadash të një regjimi totalitarist. Në fillimet e tranzicionit demokratik, Shqipëria nuk kishte një traditë, ose modele mbi të cilat të krijonte një shtyp të hapur dhe as para për të krijuar mediat e reja. Nga një radio-televizion shtetëror që kishte vendi në vitin 1990, sot ajo ka mbi 100 stacione televizivë dhe radiofonikë me shtrije kombëtare ose lokale.

Shumë shpejt, liria e fjalës dhe e publicitetit u shoqëruan me krijimin e një vargu shoqatash, klubesh, unionesh, organizatash joqeveritare, të cilat kishin si qëllim, veç të tjerash, shkëmbimin e lirë të informacionit dhe përfaqësimin e interesave të grupeve të caktuar socialë. Sistemi i ri demokratik që po krijohej karakterizohej nga një shkallë relativisht e lartë relaksimi prej presioneve politike dhe nga një standard më i lartë në plotësimin e nevojave të konsumatorëve, çka u bë e mundur në kushtet e tregut të lirë. Kritikat e hapura ndaj mangësive në programet e qeverisë dhe ndaj aktivitetit të saj në këtë periudhë u bënë gjithashtu të mundura.

Krijimi i kësaj sfere publike liberale, informale e diskursive, i zgjeroi ndjeshëm interesimet dhe preokupimet e qytetarëve për çështjet publike në kushtet e një shoqërie civile borgjeze që po krijohej. Shqipërisë dhe vendeve të tjerë postkomunistë të Europës Lindore do u duhej të ndiqnin një rrugë të ngjashme me atë, përmes së cilës kanë kaluar të gjitha shoqëritë europianoperëndimore gjatë shekujve të 18-të dhe 19-të për të krijuar një sferë publike, në të cilën shoqëria civile do të zhvillohej si një institucion demokratik. Kjo sferë publike lejoi hapësirë për krijimin e organizatave të veprimit kolektiv autonom, të cilat përbëjnë esencën e shoqërisë civile. Në veprën e tij të famshme Democracy in America, Alexis de Tocqueville theksonte se forca e shoqërisë civile është e lidhur në mënyrë asimetrike me forcën e shtetit: sa më i fortë të jetë shteti, aq më e dobët është shoqëria civile (si në Europën e shekullit të 19-të); dhe sa më e fortë të jetë shoqëria civile, aq më i dobët është shteti (si në Amerikën e shekullit të 19-të).

Me krjimin e grupeve të organizuar të interesit dhe me zgjerimin e mediave të pavaruara (gazeta të përditshme, revista, shtëpi botuese, radio dhe televizione privatë), kontrolli i shtetit mbi sferën publike, e cila ishte ende në formë embrionale, u dobësua (natyrisht jo në të njëjtën shkallë kudo në Europën Qendrore dhe Lindore), për t’i lënë vend një publiku (kryesisht njerëz të biznesit dhe intelektualë) që arsyeton në mënyrë kritike mbi çështje me interes të përgjithshëm shoqëror. Immanuel Kant e konsideronte mendimin e pavarur kritik si armën më të fuqishme kundër dogmës dhe autoritarizmit. Shpresa e Kant-it se arsyeja, debati dhe publiciteti (një debat që i adresohet tërë “publikut të lexuar”),[ii] përcakton parimet e legjitimitetit të pushtetit shtetëror, mbështetej në forcën kritike të një publiku të informuar, që përbëhet nga individë të lirë e të barabartë. Duke ndjekur traditën e Kant-it, Jürgen Habermas ka vënë në dukje se: “Qytetarët sillen si një masë publike kur ata diskutojnë në një mënyrë të pakufizuar (që do të thotë në kushtet e një lirie të garantuar për t’u organizuar dhe asociuar dhe për të shprehur e publikuar opinionet e tyre) mbi çështje të një interesi të përgjithshëm”.[iii]

E mbrojtur si nga dora e shtetit, ashtu dhe nga forcat e tregut, sfera publike presupozon kështu dy elementë esencialë: barazinë dhe lirinë. Ajo është arena në të cilën mund të shprehen e të materializohen liritë civile të çdo individi dhe vlerat universale të shoqërisë. Duke u bërë institucionalisht e mbrojtur, sfera publike bën të mundur, gjithashtu, ushtrimin e kontrollit demokratik mbi institucionet e shtetit dhe mbi individët e veshur me pushtet.

Shoqata (e parë) Sociologjike Shqiptare

Në prag të “transformimit të madh”, në nëntorin e vitit 1990, në Tiranë u krijua Shoqata Sociologjike Shqiptare. Ajo shoqatë u bë i pari forum i pavarur serioz, në të cilin u debatuan një varg çështjesh sociale të rëndësishme, duke i sugjeruar një sërë politikash alternative një qeverie komuniste në rënie e sipër, por që akoma nuk po u hapte rrugë kërkesave për ndryshime rrënjësore në Shqipëri. Në një kohë kur sociologjia nuk ishte njohur ende si një disiplinë akademike e pavarur në universitetin shqiptar dhe kur në vendin tonë nuk kishte ende asnjë qendër akademike, ose organizata të studimeve sociale, dhjetë anëtarët themelues të Shoqatës Sociologjike Shqiptare dhe, më pas, mbi 70 anëtarë të tjerë që iu bashkuan asaj, vinin nga fusha të ndryshme të shkencës, të artit e të kulturës. Shumica e tyre ishin pedagogë në Universitetin e Tiranës, ose anëtarë të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë.

Shoqata Sociologjike u bë i pari organizëm publik i “të arsyetuarit kritik” në Shqipëri. Anëtarët e saj vinin nga linja të ndryshme të krijimtarisë intelektuale, si qytetarë, për të formuar një publik, duke u angazhuar në debate mbi një varg çështjesh të rëndësishme sociale, si varfëria, krimi, mbrojtja e mjedisit, relaksimi politik dhe liria fetare. Nëse ajo që përcakton esencën e shoqërisë civile është, siç thotë Habermas, “një rrjet shoqatash, të cilat institucionalizojnë brenda kornizës së sferës së organizuar publike diskutime që synojnë zgjidhjen e problemeve me interes të përgjithshëm”,[iv] atëherë, Shoqata Sociologjike Shqiptare, e krijuar në fund të vitit 1990, mund të konsiderohet si dallëndyshja e parë që njoftonte ardhjen e pranverës.

Pas një diktature të gjatë totalitariste kërkohej pa dyshim kurajë qytetare që të filloje një debat racional-kritik mbi çështje të tilla të rëndësishme dhe ideologjikisht sensitive, për të cilat Partia e Punës dhe propaganda e saj pretendonin të kishin pronësinë absolute dhe monopolin e së vërtetës. Ajo periudhë ishte akoma e tillë, që Partia, përmes kontrollit të saj mbi shtetin, ushtronte kontroll mbi të gjitha format e organizimit shoqëror, duke e justifikuar rolin e saj me një shpjegim substancialisht racional të historisë dhe me një mision të mbështetur mbi vlera të caktuara. Ne e dimë, tashmë, se komunizmi e atomizoi shoqërinë, duke shkatërruar pothuajse të gjitha institucionet e veprimtarisë së pavarur kolektive, të cilave ne u referohemi si shoqëri civile, dhe duke lënë fare pak hapësirë veprimi për arsyen kritike dhe për suksesin e çdo lloj inisiative private ose të grupit, të bazuar në shoqata të lira.

Duke artikuluar kritikën e vet për disa marrëdhënie institucionale dhe për politika të caktuara, si dhe duke i ofruar partisë-shtet propozime mbi politika alternative, Shoqata Sociologjike Shqiptare synoi të krijonte një medium që do të ishte krejt i veçantë dhe pa precedent historik në Shqipëri. Në atë kohë, ne gjykonim se ishte bërë e mundur për “publikun e lexuar”, po të përdorim shprehjen e Kantit, që ai jo vetëm të “konsumonte” çështjet publike, por edhe të reflektonte në mënyrë kritike mbi to dhe të influenconte mbi to.

Përpjekjet e asaj shoqate për të zhvilluar një “diskurs etik” ishin, në fakt, një shembull sesi dija sociologjike mund të aplikohet në një shoqëri demokratike në lindje e sipër. Ato ishin një kontribut i drejtpërdrejtë për liberalizimin e mëtejshëm të politikës shqiptare dhe për demokratizimin e jetës së vendit. Duke qenë se demokracia përfaqëson një varg principesh dhe procedurash, një “diskurs etik” synonte t’u bënte të mundur qytetarëve që të merrnin pjesë në debate të lira, për të qenë në gjendje të justifikonin pretendimet e tyre në mënyrë racionale, si interesa të grupeve të organizuar të cilëve u përkisnin. Në këtë mënyrë, ata mund të artikulonin argumentin më të mirë dhe të mbronin mirëqënien kolektive, si prej pushtetit shtetëror, ashtu dhe prej interesave partikulariste e diverguese të grupeve të veçantë.

Sfera publike dhe mendimi sociologjik

Nuk është për t’u habitur që, në vitin 1990, pak nga ne, sociologët autodidaktë në Shqipërinë e atëhershme, dinim për teoritë morale të Rusoit dhe të Kant-it mbi shoqërinë civile, edhe pse ata e kuptonin shoqërinë civile në terma të përgjithshëm. Shumica prej nesh nuk kishin dëgjuar ndodnjëherë për veprën e shquar të Alexis de Tocqueville, Democracy in America, e cila, edhe pas më shumë se 170 vitesh nga botimi i saj, mbetet më e rëndësishmja në letërsinë mbi teorinë bashkëkohore të shoqërisë civile. Krejtësisht i panjohur ishte për ne atëherë edhe Jürgen Habermas, i fundmi përfaqësues i shquar i Shkollës së Frankfurtit dhe teoricieni më i shquar mbi shoqërinë civile në ditët tona. Shoqëria civile nuk ishte, në ato vite, temë e diskutimeve të përditshme të intelektualëve shqiptarë, siç ishte ajo në radhët e intelektualëve polakë, hungarezë ose jugosllavë. Ne nuk dinim atëherë se ç’ishin, në të vërtetë, shoqëria civile dhe vetë demokracia. Ajo që ne dinim shumë mirë në atë kohë ishte çfarë demokracia NUK është, ngaqë ishim lindur dhe rritur në një shoqëri komuniste ortodokse, në të cilën, ndryshe nga shoqëritë më liberale e më të hapura të kampit socialist (Polonia dhe Hungaria veçanërisht), shoqëria civile ishte pothuaj inekzistente.[v]

Shoqata Sociologjike Shqiptare ishte një konfirmim i së vërtetës se toleranca dhe mendimi i lirë janë të domosdoshme për krijimin e një sfere publike, e cila shërben për të amortizuar konfliktin mes shtetit dhe shoqërisë dhe ndihmon në krijimin e një shoqërie civile vibrante. Emërtimi i asaj shoqate “Shoqatë Sociologjike”, kur në Shqipëri nuk kishte ende sociologë të shkolluar si të tillë, nuk ishte thjesht rastësor. Edhe pse nuk ishte një shoqatë profesionale sociologësh, anëtarët e saj kishin një besim intuitiv në aplikueshmërinë dhe në dobinë shoqërore praktike të dijes sociologjike, si dhe në aftësinë e saj transformuese në një shoqëri të hapur e liberale.

Në vitin 1990, në Shqipëri, sociologjia u bë, si të thuash, sinonim i ndryshimeve sociale e kulturore. Ajo nënkuptonte, gjithashtu, ndryshime politike, edhe pse kjo nuk pohohej hapur. Në të vërtetë, duke përfaqësuar një grup individësh të asociuar me njëri-tjetrin vullnetarisht për të formuar një “publik”, që kishte dëshirën dhe vullnetin të influenconte politikat shtetërore dhe shoqërinë civile në emër të “interesit të përbashkët”, Shoqata Sociologjike Shqiptare i kontribuoi në atë kohë krijimit të një rrjeti të lirë komunikimi në sferën publike, i cili, pa kaluar shumë kohë, do të “konkurronte” me pushtetin publik, pushtetin që, siç thoshte sociologu francez Pierre Bourdieu, dominon “hapësirën sociale” dhe “autorizon gjuhën e zyrtarizimit e të legjitimimit të të gjitha marrëdhënieve sociale”.[vi]

Me krijimin e sistemit parlamentar pluralist në Shqipëri, në pranverën e vitit 1991, u krijuan një sërë grupesh të organizuar interesash private e të veçanta, shoqata të të drejtave të njeriut, unione profesionale, grupe për promovimin e demokracisë, shoqata të grave dhe forma të tjera organizatash “publike” ose profesionale, që zakonisht quhen me një emër të përbashkët: organizata joqeveritare. Në një shoqëri, e cila sapo kishte dalë nga dekada të tëra të një sistemi autoritarist represiv, organizata të tilla, fillimisht, nuk kishin as mbështetje në kulturën civike të vendit, dhe as ishin të mbrojtura nga ligji. Me amendamentet kushtetuese që votoi parlamenti i parë pluralist në vitin 1991, për të parën herë u njoh ligjërisht e drejta e qytetarëve për të krijuar lirisht shoqata vullnetare profesionale ose kulturore. Kjo do të thoshte se, tashmë, qytetarët mund të merrnin pjesë në aktivitete që kryhen “brenda” sferës publike, e cila e ndan (dhe e mbron) qytetarin nga shteti. Sidoqoftë, funksionimi i organizatave joqeveritare u rregullua specifikisht me ligj vetëm në vitin 1994.

Romanca e shkurtër e një marrëdhënieje të vështirë

Ndërsa fillimi dukej se ishte entuziast dhe premtues për krijimin e një shoqërie civile të shëndetshme, shpejt u bë e qartë se marrëdhëniet shtet/shoqëri nuk kishin ndryshuar shumë nga koha e vjetër. Autoriteti politik vazhdonte t’i bënte rezistencë debatit publik racional-kritik dhe të mbështetej në metoda të ngjashme me ato të periudhës së socializmit shtetëror. Duke iu referuar Polonisë së viteve të para të tranzicionit postkomunist, Adam Michnik e përshkruante atë periudhë kalimtare si “zëvendësim të ortodoksive të komunizmit me ortodoksi të një lloji tjetër”,[vii] apo si kalim “nga komunizmi me fytyrë bolshevike, në antikomunizëm me fytyrë neobolshevike”.[viii]

Kurdo që drejtuesit politik të shtetit i drejtoheshin, ose i drejtohen “publikut” shqiptar, qëllimi ishte dhe është jo që të kërkojnë ndihmën e tij në hartimin e politikave publike, por thjesht manipulimi i “publikut” për të gjeneruar momentalisht mbështetje politike dhe legjitimitet. Kjo u bë veçanërisht e qartë kur, në prag të zgjedhjeve parlamentare të marsit të vitit 1991, Shoqata Sociologjike Shqiptare u vu nën presion për të dalë publikisht me një deklaratë, me të cilën t’i bënte thirrje popullit shqiptar që të mos votonte për Partinë Socialiste. Pas kësaj, kjo shoqatë praktikisht u shpërbë. Në gushtin e vitit 1992, vetëm një vit pas krijimit të tij, Fakulteti i Filozofisë dhe Sociologjisë u pezullua dhe, më 1993, u mbyll me urdhër të ministrit të atëhershëm të arsimit, i cili, ironikisht, kishte qenë një ndër themeluesit dhe drejtuesit e Shoqatës Sociologjike, por pa asnjë dyshim, me porosi të Presidentit të atëherëshëmtë vendit Sali Berisha. Goditja politike që morën në atë kohë shoqata dhe fakulteti i sipërpërmendur dhe, bashkë me to, sociologjia shqiptare, lanë pasojat e tyre për një kohë të gjatë.[ix]

Romanca e hershme mes autoritetit politik dhe sferës publike në Shqipërinë postkomuniste pati një fund të shpejtë. Qysh nga ajo kohë dhe deri vonë, çdo qeveri shqiptare, pavarërisht orientimit politik të saj, ka qenë në një marrëdhënie problematike me shoqërinë civile. Edhe pse vitet e fundit partitë politike kryesore, në emër të demokratizimit të sferës publike, janë shprehur të gatshme të bashkëpunonin me shoqërinë civile për t’u mundësuar grupeve të organizuar të interesit qëtë kontribuojnë në hartimin e politikave publike, ajo që ka ndodhur dhe ndodh në të vëtetë nuk është një përpjekje për të negociuar me atë rrjet të gjerë të jetës së asociuar apo me shoqërinë civile, por për t’i mbajtur këto nën ndikimin dhe kontrollin e tyre.

Një variant më i gjatë i këtij artikulli, me bashkautor Lekë Sokolin, është botuar në revistën amerikane “Journal of Applied Sociology”.

Repository


Dokumente të politikave publike dhe reformave të shtetit
English

Thënie për Shtetin

  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi
  • Detyra e shteteve të mëdha është të shërbejnë dhe jo të dominojnë botën.
    - Harry S. Truman
  • Paul Valery
    - Nëse Shteti është i fortë, ai na shtyp. Nëse ai është i dobët, na zhduk.
  • Kur je jashtë vendit, je burrë shteti; kur je në atdhe, je vetëm një politikan.
    - Harold MacMillan