KLSH dhe vetëkorrigjimi për zhvillim

Nga Lindita Lati, botuar në Panorama, 10 dhjetor 2017

Duke parë gatishmërinë dhe vullnetin e institucioneve supreme të auditivit (SAI-ve) për të realizuar procesin e matjes së performancës së tyre dhe korrigjimit të vetes, Organizata Ndërkombëtare e institucioneve supreme të auditimit, INTOSAI, grumbulloi praktikat më të mira dhe hartoi shumatoren e treguesve të matjes së performancës për SAI-të. Performanca si koncept nënkupton jo vetëm veprimin për të realizuar aktivitetin e caktuar apo të dëshiruarin, por edhe vendosjen e sistemit të duhur të matjes, i cili siguron matjen apo vlerësimin e nivelit për secilin aspekt të veprimtarisë, si dhe mundëson krahasimin e tij në boshtin kohor dhe me institucionet e tjera homologe, bazuar në një sistem të dakordësuar treguesish, të përshtatur sipas kushteve specifike të secilit vend.

Bazuar në eksperiencat më të mira të vendeve anëtare të INTOSAI-t u draftua korniza e matjes së performancës për institucionet supreme të auditimit në tetor 2013, e cila u testua dhe u miratua në Kongresin INCOSAI XXII të INTOSAI-t në Abu d’Habi të Emirateve të Bashkuara Arabe, në dhjetor 2016. Kjo matricë (shumatore) treguesish u ndërtua në mënyrë të tillë që të mund të përshtatej me specifikat e vendit dhe të institucioneve të auditimit publik.

Kontrolli i Lartë i Shtetit, megjithëse një institucion relativisht i ri dhe i vogël krahasuar me SAI-të e vendeve të tjera anëtare të INTOSAI-t, bazuar në filozofinë dhe parimin e përmirësimit të vazhdueshëm, në mënyrë vullnetare u bë pjesë e procesit të testimit të vetes, nëpërmjet kësaj mënyre të unifikuar të matjes së performancës. Edhe pse kjo shumatore ishte në fazën e testimit, duke qenë pjesë aktive e INTOSAI-t, KLSH ngriti grupet e punës sipas departamenteve të auditimit përgjatë viteve 2014 dhe 2015 dhe testoi aplikimin e pjesshëm të Kornizës së Matjes së Performancës (KMP).

Institucioni shqiptar përfaqëson një strukturë që synon të udhëheqë përmes shembullit vetjak dhe të qenët i sinqertë me vetveten dhe transparent me publikun, me Parlamentin dhe me palët e tjera të interesit është për të një kusht “sine qua non” ekzistence, një tipar i provuar dhe i formësuar për ‘watchdog’-un e përdorimit të fondeve publike, KLSH-në. Në këtë këndvështrim, rezultatet e përdorimit të Kornizës së Matjes së Performancës së SAI-ve u pasqyruan në Raportin e Performancës së KLSH-së për vitin 2016, duke evidentuar drejtimet e reformave dhe zhvillimeve të brendshme të institucionit, të cilat përbëjnë garanci për modernizimin e tij të mëtejshëm, bazuar në standardet ndërkombëtare ISSAI të INTOSAI-t dhe në moton e kësaj Organizate “Experentia mutua Omnibus prodest (Nga eksperienca e përbashkët fitojnë të gjithë)”.

Nëpërmjet kësaj qasjeje, KLSH-ja synon identifikimin e pikave të forta, dobësive dhe oportuniteteve për të përmirësuar performancën, si dhe vendosjen e një sistemi bazë për të matur progresin dhe mundësuar mbështetje nga të gjitha palët e interesit për një institucion të auditimit të jashtëm publik të modernizuar. Rishikimi sistematik i performancës do t’i mundësojë KLSH-së të ndjekë progresin në aspektet kryesore të veprimtarisë dhe të sigurojë informacion të rëndësishëm, mbi të cilin mund të bazojë vendimet e tij organizative dhe menaxheriale në të ardhmen.

* * *

Matja e performancës nëpërmjet sistemit të përbërë nga 25 tregues vlerëson veprimtarinë e KLSH-së në fushat kryesore, si pavarësia dhe korniza e garantuar ligjore, qeverisja e brendshme dhe etika, cilësia e auditimit dhe raportimi, menaxhimi financiar, asetet dhe strukturat mbështetëse, burimet njerëzore dhe trajnimi, si dhe komunikimi dhe bashkëpunimi me palët e interesit. Kjo matricë treguesish merr në konsideratë faktin që institucionet supreme të auditimit janë institucione komplekse dhe se performancat e tyre në aspekte të ndryshme janë të ndërlidhura me njëra-tjetrën.

Vlerësimi i mangësive dhe nevojave nëpërmjet këtij instrumenti të matjes së performancës do të jetë baza mbi të cilën KLSH do të parashikojë zhvillimet e reja strategjike të tij, duke u mbështetur në informacione dhe të dhëna konkrete, duke përcaktuar mundësitë dhe rrugët për t’u përmirësuar dhe monitoruar punën e institucionit, si dhe duke rritur transparencën e llogaridhënien.

* * *

Korniza e matjes së performancës është konsideruar si një dokument strategjik, së bashku me manualet e auditimit dhe udhë- zuesit përkatës, i cili po zbatohet, bazuar në eksperiencat vetjake të institucionit, si dhe në praktikat më të mira të institucioneve simotra, me të cilat KLSH është në kontakt dhe bashkëpunim të vazhdueshëm. Nëpërmjet saj, institucioni ka siguruar mundësinë për vetëkorrigjim në kohë dhe në drejtimet e duhura në trajektoren e tij të zhvillimit. Korniza e matjes së performancës së SAI-ve, e shndërruar në një standard pas Kongresit INCOSAI XXII në Abu d’Habi, në dhjetor 2016, i mundëson KLSH-së

(1) konsolidimin e tij strukturor,

(2) vazhdimësinë e zhvillimit të nivelit të ekspertizës së audituesve të vet,

(3) përsosjen organizative,

(4) rritjen e përgjegjshmërisë dhe transparencës me publikun, me partnerët kombëtarë e ndërkombëtarë dhe, mbi të gjitha, me vetveten,

(5) komunikim të sinqertë dhe të përgjegjshëm me qytetarët dhe Kuvendin, mbikëqyrësit e tij,

(6) realizimin e objektivit për të qenë një institucion model që udhëheq nëpërmjet shembullit, si dhe

(7) rritjen e ekonomicitetit, eficiencës dhe efektivitetit në menaxhimin e burimeve të veta, duke realizuar misionin e tij si një vlerë e shtuar për qytetarët shqiptarë. Mënyra e realizimit të vlerësimit bazuar në këtë qasje e sistem treguesish mund të realizohet edhe nga një institucion homolog, nëpërmjet procesit të vlerësimit midis kolegësh (Peer Review). Kjo praktikë vlerësimi aplikohet gjerësisht në SAItë e zhvilluara europiane.

Institucioni shqiptar aplikoi për këtë mënyrë vlerësimi dhe gjatë vitit 2016, Gjykata Austriake e Auditimit, një SAI shumë i zhvilluar me tradita mbi 250-vjeçare në auditim, si dhe selia e Sekretariatit të Përgjithshëm të INTOSAI-t, realizoi vlerësimin mes kolegëve për KLSH-në. Në nëntor 2016, Drejtori i Përgjithshëm i Gjykatës së Auditimit të Austrisë, z. Robert Sattler, prezantoi në Tiranë, në prani të përfaqësuesve të profesoratit, të shoqërisë civile dhe medias raportin “Peer Review” (rishikim, vlerësim mes Kolegëve) për Kontrollin e Lartë të Shtetit. Ai vlerësoi pavarësinë e lartë të institucionit, të fituar duke zbatuar standardet ndërkombëtare të auditimit të jashtëm publik, ISSAI, si dhe ligjin e ri integral të miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë në nëntor 2014.

* * *

KLSH ka aplikuar qasjen e vetëvlerë- simit apo vetëkorrigjimit për t’u zhvilluar, për treguesit e ciklit të planifikimit strategjik, sistemit të kontrollit të brendshëm, etikës, integritetit dhe strukturës organizative, udhëheqjes dhe komunikimit të brendshëm, menaxhimit të burimeve njerëzore, si dhe zhvillimit profesional dhe trajnimit. Kështu, treguesi i fundit është vlerësuar sipas katër dimensioneve: planifikimi dhe proceset për zhvillimin profesional dhe trajnimin, zhvillimet profesionale për auditimin financiar, zhvillimet profesionale për auditimin e përputhshmërisë, si dhe zhvillimet profesionale për auditimin e performancës.

Vetëvlerësimi kërkoi kurajën për t’u ballafaquar me problematikat, por, nga ana tjetër, i mundësoi KLSH-së të përcaktojë mbi baza reale rrugët e përmirësimit të mëtejshëm, si garanci për të realizuar misionin e tij në shërbim të qytetarëve dhe Parlamentit.

    Repository


    Dokumente të politikave publike dhe reformave të shtetit
    English

    Thënie për Shtetin

    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi
    • Detyra e shteteve të mëdha është të shërbejnë dhe jo të dominojnë botën.
      - Harry S. Truman
    • Paul Valery
      - Nëse Shteti është i fortë, ai na shtyp. Nëse ai është i dobët, na zhduk.
    • Kur je jashtë vendit, je burrë shteti; kur je në atdhe, je vetëm një politikan.
      - Harold MacMillan