A është realisht Shqipëria republikë parlamentare?

Nga Marko Bello, botuar në Panorama, 21 prill 2017

Një ndër parimet krye sore të shtetit demokratik është edhe parimi i rëndë- sishëm i ndarjes dhe balancimit të pushteteve, i njohur si trias politica. Ky koncept i sistemit të qeverisjes bazohet në ndarjen dhe balancimin ndërmjet pushteteve, ligjvënës, ekzekutiv dhe gjyqësor. Megjithëse këto pushtete janë të ndara në aspektin e autonomisë funksionale dhe në pavarësinë e ushtrimit të detyrave të ngarkuara nga Kushtetuta, ato balancojnë njëri-tjetrin përmes bashkëveprimit të tyre gjatë ushtrimit të detyrave, duke respektuar, nxitur, mbështetur dhe kontrolluar njëri-tjetrin.

Sipas këtij koncepti të mishëruar edhe në Kushtetutën tonë, organi ligjvënës, Kuvendi, ushtron kompetenca të rëndësishme kontrolli ndaj ekzekutivit. Baza e përgjegjësisë parlamentare është raporti që krijohet në marrëdhëniet ndërmjet Parlamentit dhe Qeverisë. Parlamenti jo vetëm kontrollon qeverinë, por në çdo kohë, miraton dhe raporte apo rezoluta që orientojnë ekzekutivin.

Me vendimet e saj, Gjykata Kushtetuese ka saktësuar se funksioni i ligjvënësit materializohet, nga njëra anë, në miratimin e ligjeve dhe, nga ana tjetër, në ushtrimin e kontrollit mbi pushtetet e tjera, deri në atë masë që ky pushtet zbatohet. Në këtë mënyrë, duke ia besuar Parlamentit funksionin kontrollues, sigurohet edhe balanca ndërmjet pushteteve, çka përbën një arritje esenciale për një sistem institucional që funksionon mbi ndarjen dhe balancimin ndërmjet trupës legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore.

Tashmë është bërë e qartë se ndryshimet kushtetuese të vitit 2008 kanë qenë jo vetëm të nxituara dhe të pakonsultuara, por edhe të dëmshme. Ja përse: Në radhë të parë, u prek thelbi i Kushtetutës së vitit 1998, si në drejtim të ekuilibrit të pushteteve, ashtu edhe sa i përket parimit të kontrollit reciprok të tyre. Së dyti, ndryshimet kushtetuese u bënë, nisur nga ngërçi që mund të krijohej në rastin e zgjedhjes së presidentit, moszgjedhja e të cilit, edhe pas 5 raundesh mund të provokonte një spirale zgjedhjesh të njëpasnjëshme parlamentare.

Fatkeqësisht, ndryshimet sollën si rezultat një president tërësisht partiak, duke minuar konsensusin që, në fakt, impononte Kushtetuta e vitit 1998. Qëllimi kishte qenë që politikanët shqiptarë të zhvillonin kulturën e dialogut, dhe, në emër të interesave të vendit, të gjenin medoemos një president konsensual, ose një figurë të respektuar dhe mbi palët, i cili do të votohej me shumicë të cilësuar, pra me 3/5 apo 84 vota.

Paradoksi është se tani, Avokati i Popullit zgjidhet me 84 vota, kurse shefi i shtetit, pra Presidenti i vendit, mund të zgjidhet me shumicën absolute, ose 71 vota nga 140 anëtarët e Kuvendit. Së treti, ndryshimet forcuan së tepërmi pushtetin ekzekutiv dhe sidomos kompetencat e Kryeministrit, duke ia zbehur edhe më shumë rolin Parlamentit. Nga ana tjetër, ndryshimet në ligjin zgjedhor ia rritën edhe më tej fuqinë ekzekutive kryetarëve të partive të mëdha, duke u lejuar atyre t’i përpilojnë vetë listat e kandidatëve për deputetë apo për bashkitë e vendit.

Praktikisht, ligji zhbëri edhe ato elemente pozitive që ishin arritur në jetën e brendshme të partive politike, duke ia dorë- zuar vendimmarrjen tërësisht një njeriu, udhëheqësit të partisë, i cili për të fituar me çdo kusht pushtetin, preferoi të mbështetej tek elementët e inkriminuar, me të kaluar të dyshimtë, oligarkët dhe të ashtuquajturit “të fortë”. Në letër, de jure, ne jemi republikë parlamentare, por de facto jemi republikë ekzekutive. Pushtetin e kontrollon thuajse tërësisht shefi i qeverisë, i cili, me cilësinë dhe autoritetin edhe të kryetarit të shumicës parlamentare, nga ku buron qeveria, kontrollon praktikisht edhe pushtetin legjislativ.

Do të mjaftonte të përmendim vetëm disa prej ligjeve, akteve normative apo vendimeve të Këshillit të Ministrave për të kuptuar se si pushteti ekzekutiv i imponohet atij legjislativ, duke i marrë jo vetëm kompetencat, por edhe duke cenuar rëndë parimin e kushtetueshmërisë dhe ligjshmërisë: Ligji “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, Ligji “Për pensionet suplementare”, Ligji “Për trashëgiminë kulturore”, Ligji “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”, Ligji “Për karrierën ushtarake në Forcat e Armatosura”, Akti normativ “Për shërbimin civil”, VKM “Për eksportin dhe importin e kimikateve të rrezikshme”, VKM “Për unifikimin e kompetencave të Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik”, VKM “Për përcaktimin e pagës mujore, për efekt të llogaritjes së kontributit të detyrueshëm të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për profesionet e lira”, si dhe mjaft vendime të tjera që janë miratuar, në shkelje të Kushtetutës dhe frymës së kolegjialitetit të vendimmarrjes në Këshillin e Ministrave.

Me kaq pushtet të akumuluar padrejtësisht, një kryetar partie që fiton zgjedhjet dhe vjen në krye të pushtetit ekzekutiv, nuk e ka të vështirë të dominojë krejt skenën politike të vendit, duke vendosur thuajse për cilindo dhe për çdo gjë.

Mungesa e traditës demokratike, institucionet ende të pakonsoliduara, klientelizmi i një pjese të medias dhe shoqërisë civile dhe kultura e pandëshkueshmërisë, nuk ka dyshim se shoqërohen herët a vonë me arrogancën dhe autoritarizmin e kreut të ekzekutivit, i cili, pasi ka vënë nën kontroll dy pushtetet kryesore (legjislativin dhe ekzekutivin), do të kërkojë të kontrollojë edhe pushtetin gjyqësor, duke e mbyllur kështu qarkun e kontrollit të plotë të pushteteve në një shtet demokratik. A mund të quhet më Shqipëria një republikë parlamentare?

    Repository


    Dokumente të politikave publike dhe reformave të shtetit
    English

    Thënie për Shtetin

    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi
    • Detyra e shteteve të mëdha është të shërbejnë dhe jo të dominojnë botën.
      - Harry S. Truman
    • Paul Valery
      - Nëse Shteti është i fortë, ai na shtyp. Nëse ai është i dobët, na zhduk.
    • Kur je jashtë vendit, je burrë shteti; kur je në atdhe, je vetëm një politikan.
      - Harold MacMillan