Që reformizmi të mos dështojë në 2016 si në vitin 1936

Nga Henri Çili, botuar në Mapo, 5 dhjetor 2016

henri-cili-300x247Në këto ditë të para të vitit 2016 m’u kujtua një ndodhi e vitit 1936 nga qeverisja e Mbretit Zog. Mbreti i cili u mbështet shumë dhe me kujdes tek tradita lokale, tek normat e kohës, tek dyert e mëdha dhe forcat konservatore, megjithatë pati intuitën e shkëlqyer politike të ishte i hapur, të dëgjonte dhe kritikët e tij dhe të mënyrës sesi ai qeveriste vendin. Në fund te vitit 1935 dhe gjatë vitit 1936, ai bëri një gjest të pashembullt. Shkarkoi qeverinë e kryeministrit Pandeli Evangjeli dhe emëroi një kryeministër të ri dhe një kabinet të ri që u quajt Qeveria e të Rinjve, me Mehdi Frashërin në krye. Anëtarët e kabinetit të ri ishin të gjithë të shkolluar në Perëndim, kryesisht në Gjermani, bartnin një lloj deutsch culture, vinin me ide reformuese dhe modernizuese të kohës, dhe kishin një prirje për të mbajtur distancë nga tradita familjare apo edhe ajo osmane. Shkurt mund të themi se ishte një gjest prej një diktatori të ndritur apo mbreti të iluminuar aq sa në bashkinë e Tiranës u emërua kryetar arkitekti me famë botërore, Qemal Butka. Niveli i qeverisë ishte ekselent, idetë ishin rrezëllitëse…. Një vit më vonë, Zogu e shkarkoi këtë qeveri dhe u rikthye te formulat e vjetra duke vendosur në krye të qeverisë Koço Koten, një figurë politike tradicionale (kishte qenë edhe më parë kryeministër). Eksperimenti reformues i Zogut për modernizimin e qeverisë, qeverisjes dhe vendit dështoi më 1936-ën. Arsyet janë të shumta dhe me mjaft ngjyra, por kjo nuk ka asnjë rëndësi. Rëndësi ka vetëm fakti dhe evokimi i tij si shembull.

Nuk di pse m’u përvijua kjo paralele duke bërë një sintezë të situatës politike dhe të bilancit të qeverisë së kryeministrit Edi Rama për idetë, objektivat dhe projektin e tij nuk ka nevojë të flasim nga jashtë, pasi ai vetë gati pa ndalur e bën gjithnjë. Megjithatë duket se kemi të bëjmë me një qeverisje modernizuese, reformuese, që rreket të bëjë shtet dhe të ndajë vendin përfundimisht nga një epokë e caktuar dhe futur në rrokullitë e një shteti modern.

Ka përpjekje për vendosje të rendit, luftë trafikut, kontroll mbi territorin, funksionalizim të bashkive, cilësi në arsimin e lartë, reformë në drejtësi etj. Kjo pavarësisht masave në disa raste të diskutueshme , problematike etj. Por si pa e kuptuar dhe përtej delirit euforik të kryeministrit Rama, mund të thuhet që cikli reformues ose procesi reformues i shoqërisë shqiptare nën qeverisjen e Ramës dhe kabinetit të tij të të rinjve në vitin 2016 është realisht në rrezik. Është në rrezik për disa shkaqe, të cilat do t’i analizojmë më gjerësisht. Ato nuk i përkasin thjesht vitit 2016, por i përkasin kapërcyellit të një faze të zhvillimit të shoqërisë shqiptare me rrënjë në ngjarje, njerëz dhe kulturë që është kohëgjatë. Investimi i shoqërisë shqiptare për të prodhuar një figurë reformuese si Edi Rama, një investim më shumë se 25-vjeçar është në rrezik, rrezik që është larg vetëm për mendjelehtësinë e ministrave teknikë apo apolitikë, larg vetëm prej tambureve të mediave proqeveritare larg euforistëve të qeverisjes së sotme, por në fakt mund të jetë fare pranë.

Po, është e vërtetë që cikli reformues i qeverisjes së Edi Ramës, (nuk ka rëndësi mbetet apo jo Edi Rama në pushtet, mund të mbetet në pushtet pa ambicie reformuese ose mund të ikë me ambicie reformuese), është në rrezik dhe si i tillë, është në rrezik edhe investimi i shoqërisë shqiptare, një investim gati 25-vjeçar tek kjo figurë reformuese, e investim i bërë qoftë nëpërmjet kundërshtarëve, qoftë nëpërmjet mbështetësve.. Vetë kam bërë pjesë tek kundërshtarët e figurës së Edi Ramës, tek të gjitha fushatat elektorale që kur ai është shfaqur në politikën shqiptare kam qenë në anën tjetër, por kjo nuk do të thotë që ai nuk meriton një lloj haku në lidhje me disa procese reformuese, thelbësisht reformuese, që ka marrë përsipër, qoftë edhe shërbim të ambicies së tij politike përmes shumë problemesh, përmes provokimesh, përmes shumë kostove. Mjafton të themi që askush nuk e kishte menduar që në Shqipëri, me gjithë koston e rëndë që ka kjo për industrinë e ndërtimit, do të ndaloheshin një ditë ndërtimet pa leje, askush nuk e kishte menduar që një ditë do të mblidheshin faturat e energjisë elektrike, që nuk do të vidhej masivisht energjia, që do të mbylleshin universitete private apo publike të verifikuara ligjërisht pa standarde, që do të bëhej një moratorium 10-vjeçar për pyjet, që në administratën publike do të hapeshin konkurse dhe do të ngeleshin vende bosh sepse mungon cilësia e duhur. Shkurt janë disa masa reformuese, surprizuese, premtuese, por që të gjitha jashtëzakonisht jetike për shoqërinë shqiptare.

Por, nga çfarë rrezikohet sot reformizmi shqiptar?

Në radhë të parë, reformizmi rrezikohet nga vetë natyra e Edi Ramës, natyra e tij ekzibicioniste që Ylli Rakipi e quante “Kryeministri i dashuruar me vetveten”, ku kufijtë midis marrëdhënieve publike për aksionet e tij politike dhe marrëdhënieve publike për figurën e tij janë shumë të paqartë, kufij që anojnë shpesh kah figura e tij. Kjo ka nxitur një xhelozi masive intelektuale dhe sot jo më kot shumë figura të shquara dhe me emër e peshë të shoqërisë shqiptare, të mediave, publicistikës, botës akademike, mendimit apo kulturës janë kundër Edi Ramës. Ata janë investuar fort, sepse Edi Rama i provokon jo thjesht si kryeqeveritar i Shqipërisë, por i provokon intelektualisht, i provokon artistikisht. Pra është një provokim i trefishtë që është e vështirë të përballohet nga egot e të ngjashmëve të tij. Si i tillë, kryeministri Rama bën mirë që ta ulë këtë profil ekzibicionizmi kundrejt një profili më të përunjur, edhe pse aktet e tij shpeshherë janë akte të shkëlqyera, janë gjetje imagjinative të komunikimit për të tërhequr vëmendjen e një bote, e një medie ndërkombëtare që është jashtëzakonisht kapriçioze dhe nuk i tërheq vëmendjen asgjë nga Shqipëria, edhe pse shpesh Shqipëria përfiton nga PR personal i kryeministrit piktor, intelektual, 2. 04 m i gjatë nga kryeministri i saj atipik i këtij vendi të vogël.

Rreziku i dytë i reformizmit vjen nga ambiciet e stërmëdha. Një ambicie e tepruar për një reformë mund ta varrosë atë po ashtu si varfëria e aspiratave. Kështu ambasadorët e huaj, me në krye ambasadorin Lu të SHBA-së, kanë vënë objektiva shumë ambicioze, aq sa po vënë në rrezik vetë reformën në drejtësi, e cila është që tani në rrezik dështimi dhe bashkë me të edhe qeveria. Duke premtuar që “disa nuk do bëjnë pushime këtë verë”, ambasadori Lu, në fakt bën një provokim jashtëzakonisht të hapur, është si një paradënim, para se reforma të ndodhë, para se fajësia të vërtetohet. Reforma në drejtësi është konceptuar sipas kësaj idiome latine: drejtësia të bëhet, pa bota të shembet!. Në fakt duhet e kundërta për të qeverisur një vend, le të harrojmë të shkuarën dhe të shohim nga e ardhmja. Shqiptarët do të ishin të kënaqur sikur zullumi, korrupsioni mbytës të lihej së paku me kaq. Sigurisht, drejtësia më tej do të veprojë, por jo si një qëllim në vetvete për të çuar potencialisht në dyert e burgut ata të cilëve sot u kërkohet vota për të kaluar reformën në drejtësi! Është e pamendueshme të kalojë një reformë në drejtësi thelbësisht kundër interesave të atyre që do ta votojnë. Aktorët politikë shqiptarë në tërësinë e tyre përfaqësojnë popullin e tyre dhe kësisoj reforma në drejtësi nuk mund të ishte kundër interesave të aktorëve kryesorë politikë apo emrave të ndryshëm në krye të këtyre formacioneve. Ky zell i tepruar “që bota të shembet, drejtësia të bëhet”, është një nga rreziqet themelore të reformizmit, pra ambicia e tepërt është një lloj acari në pranverë. Reformizmi kërcënohet nga keqpërdorimi tinëzar i sentimenteve për problemet reale që ka sot shoqëria shqiptare, për varfërinë, mënjanimin për përjashtimin e kështu me radhë. Marksistët e rinj apo të vjetër si dhe konjuktura politike e brendshme rrezikon ta godasë sensin e reformimit të shtetit dhe vendosjes së sistemit kapitalist në Shqipëri duke përdorur efektet kolaterale të reformave, efektet e dhimbshme të tyre madje dhe tragjike herë pas here, duke propozuar zgjidhje sistemike që shtojnë tragjizmin dhe e bëjnë tragjizmin sistem, jo përjashtim. Është demokratike që ekstremizmi politik të artikulohet brenda dhe jashtë sistemit, po aq sa edhe të mbahet nën kontroll avancimi i tij në mënyrë që ai mos të bëhet i rrezikshëm përtej efektit të zakonshëm subversiv që ka ekstremizmi në shoqëri. Shoqëria shqiptare duhet ta përballojë kërcënimin real të ekstremizmit politik. Shikoni francezët në zgjedhjet e fundit, të cilët u bënë njësh për të flakur tej opsionet naziste ose fashiste të Marie Le Pen e Frontit Nacional në zgjedhjet e fundit.

Reformizmi kërcënohet po aq nga vegjetativizmi, mendësia e dembelëve dhe të paaftëve që thonë se asgjë nuk ndryshon, nuk mbyllet kjo çështje, nuk ka për t’u bërë kurrë etj., etj.

Kjo është një inerci e fuqishme e shoqërisë shqiptare, kundër së cilës Edi Rama po bën luftën më të shkëlqyer të mundshme dhe kjo ndoshta është arritja themelore e tij duke braktisur tej varfërinë e aspiratave.

Çfarë mund të mbështetet si reformiste?

Përkundër këtij muzgu anti – reformist ka dhe ia vlen të mbështeten sfonde, ide, pulsacione reformiste kudo ku ato janë edhe pse peizazhi i diskursit publik është i zymtë për shumicën e gjërave të tilla. Para se të ilustroj me shembuj ide të tilla reformiste, të cilat janë kudo në spektrin politik, majtas apo djathtas, në opozitë apo në qeveri, të cilat janë më shumë tek individë sesa tek formacionet politike, ia vlen të themi se nuk ka asnjë rëndësi për shoqërinë shqiptare nëse qeveris qendra e djathtë apo e majtë, nuk ka asnjë rëndësi që buxheti social në Shqipëri të jetë 200 milionë euro, 250 apo 400 milionë euro. Nuk është kjo kriza apo drama e Shqipërisë. Kriza apo drama është mungesa e liberalizimit në sistemit politik dhe ekonomik, mungesa e garës, mungesa e konkurrencës dhe mungesa e vendosjes së sistemit kapitalist. Ndaj le ta çlirojmë diskurin nga kush është në pushtet apo cila pjesë e spektrit qeveris në pushtet sot apo nesër, nëse qeveris qendra e majtë apo qendra e djathtë. Rëndësi ka që hapi i reformave apo reformimizmi dhe strukturimit të sistemit tonë ekonomik të jetë i njëjtë, lëvizja e pendulit pak më majtas apo pak më djathtas, lëvizja në politika pak më sociale apo liberale nuk është kjo tema që mund të ndajë shoqërinë shqiptare apo aktorët politikë shqiptare. Atë le ta vendosë elektorati në mënyrë sovrane.

Ka shumë rëndësi që diskuri reformist që sjell vërtet një transformim në Shqipëri të mbështetet. P.sh, është për t’u mbështetur dhe përshëndetur ideja e Lulëzim Bashës për taksën e sheshtë 9%. Përtej një diskutimi nëse është realist ose jorealist ky propozim, rëndësi ka që propozimi i opozitës, nesër kandidate për pushtet, ushtron që sot një presion pozitiv për një ekonomi të taksave të ulëta si parakushti i parë që ne të zhvillohemi në këta 10-vjeçarë që vijnë, sepse luksin e taksave të larta nuk e ka Shqipëria, edhe sikur ato të jenë të duhura në një moment të caktuar. Duhet mbështetur fort e në mënyrë të palëkundur tendenca e një qeverie të majtë për të dhënë me koncesion shërbimet publike pavarësisht se duhet mbajtur presioni që ato të jepen në mënyrë konkurruese dhe përfituese për publikun, të jenë të hapura. Ideja që privati mund të ofrojë shumë më mirë shërbime sesa shteti është tërësisht e domosdoshme dhe e provuar gjithmonë. Është për t’u përshëndetur ideja e rentabilizimit të të gjitha shërbimeve publike. Energjia kushton, korporata OSHE duhet të dalë pa humbje. Kjo nuk mohon mbështetjen për kategori që e meritojnë atë, për invalidët, jetimët etj, por këto janë politika sociale dhe jo ekonomike apo energjitike. Më mirë ta paguajnë energjinë pub-et e bllokut dhe ta marrë si subvencion i varfëri, se sa ta vjedhin të gjithë. Pra rentabilizimi i shërbimeve publike është detyrë themelore që ato të jenë të qëndrueshme dhe cilësore për nesër dhe bërja e tyre kompetitive. Rritja dhe futja e konkurrencës në çdo sektor është një ide për t’u përshëndetur sepse është kundër operatorëve monopolistë dhe pro – konsumatorit. Shërbimet më konkurruese janë pro konsumatorëve dhe janë kundër pronarëve. Shikoni se çfarë ndodhi me liberalizimin e tregut të telefonisë celulare dhe teknologjisë, ku shërbimet janë 10-fishuar dhe çmimet e tyre kanë rënë deri në 20 herë që nga viti 2000. Futja e konkurrueshmërisë është një ide për t’u përshëndetur në çdo lloj sektori dhe pjesa e monopoleve është për t’u braktisur menjëherë duke filluar nga monopoli më i poshtër dhe i rrezikshëm: ai i shtetit. Veç disa gjërave që nuk i përkasin pjesës natyrore të shoqërisë si taksat, mbrojtja, siguria dhe diplomacia, çdo gjë tjetër duhet t’i nënshtrohet tregut, ndërsa efektet perverse që sjell konkurrenca mund të rregullohen, por pa prishur sistemin. Filozofi amerikan, John Rawls e ka përcaktuar në mënyrë të përkorë këtë gjë teksa thotë se konkurrenca është e para dhe rishpërndarja është e dyta dhe jo anasjelltas.

Ku ndeshet punizmi dhe pse ia vlen t’i kundërvihemi anti- reformizmit

Përkundër kësaj punizmi dhe çdo ide tjetër e status quo-së ia vlen të goditet kudo ku ajo është dhe fatkeqësisht nuk është pak prezente. Kështu për shembull duhet braktisur menjëherë ideja e çmendur e kryeministrit Rama për shëndetësinë falas, që është shndërruar në shëndetësi kriminale falas, ku askush, sidomos të varfrit nuk marrin shërbime shëndetësore të mira dhe aq më pak pa pagesë. Krimi i shëndetësisë falas është një nga tragjeditë e pazbuluara të Shqipërisë.

Duhen goditur dhe qesëndisur fort idetë nastradineske të kryetarit të opozitës Lulëzim Basha, i cili nga njëra anë propozon taksim liberal dhe nga ana tjetër premton shpenzime të mëdha publike, të tipit arsim të lartë falas për të gjithë, edhe për ata që nuk kanë nevojë; heqjen e taksave për fshatin dhe kështu me radhë. Ide të tilla nastradineske, të cilat jo thjesht e diskreditojnë atë tek aktorët shoqërorë dhe tek publiku, por janë të rrezikshme sepse ndikojnë negativisht gjithë diskurin publik. Duhet braktisur ideja e çmendur e një administrate “prej shteti të madh” që po mbingarkohet me 18 ministri, me qindra shërbime duke krijuar një shtet të fryrë dhe hiper-rregullimi duke marrë një fushatë për ta thjeshtuar shtetin.

Duhen luftuar fort të gjitha ato ide që luftën kundër korrupsionit e kanë kthyer gati në një luftë kundër pasurisë, kundër suksesit. Duhen goditur ato ide që taksojnë dhe ndëshkojnë suksesin, talentin, sipërmarrjen dhe inkurajojnë kështu dembelizmin dhe rehatinë, mosndryshimin. Për të gjitha këto, që reformizmi të mos dështojë në vitin 2016 si në vitin 1936, është e rëndësishme që tempi i diskurit publik dhe sjellja e aktorëve publikë të mos humbasë, sepse kundër-reforma ose një ide e keqe, regresive, një ide antizhvillim që sot mund të jetë te dera e tjetrit, nesër mund të jetë te dera e secilit.

    Repository


    Dokumente të politikave publike dhe reformave të shtetit
    English

    Thënie për Shtetin

    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi
    • Detyra e shteteve të mëdha është të shërbejnë dhe jo të dominojnë botën.
      - Harry S. Truman
    • Paul Valery
      - Nëse Shteti është i fortë, ai na shtyp. Nëse ai është i dobët, na zhduk.
    • Kur je jashtë vendit, je burrë shteti; kur je në atdhe, je vetëm një politikan.
      - Harold MacMillan