Borxhi publik dhe rritja ekonomike

Nga Klodian Muço, botuar në Panorama, 19 shkurt 2017

Klodian-MucoDebati midis ekonomistëve për gjetjen e rrugës për të dalë nga stanjacioni ekonomik dhe kurthi i borxhit publik, në ditët sotme ka arritur nivelin më të lartë të mundshëm. Kjo për shkak se tashmë duket qartë se kura austerity nuk funksion.

Sipas disa të dhënave të McKinsey GlobalInstitute, nga 2007-ta që filloi kriza globale deri më sot, një pjesë e mirë e vendeve të botës, përfshirë këtu edhe Shqipërinë, aplikuan kush më shumë e kush më pak politika shtrënguese, duke pasur si objektiv primar rritjen e të ardhurave fiskale, reduktimin e shpenzimeve publike dhe disiplinimin e tregut të punës.

Të gjitha këto politika, sipas FMN-së e BB-së, do të sillnin reduktim të borxhit publik dhe rritje ekonomike. Rezultati final, sipas të dhënave të McKinsey, është krejtësisht i kundërt, në 7 vite të marra në konsideratë nga kjo e fundit, borxhi publik global është rritur me 40%, duke arritur në 200 trilionë dollarë, apo në 290% të prodhimit të përgjithshëm bruto global.

Shpeshherë, interesat e paguara për borxhin publik nuk mbulohen nga të ardhurat, duke shkaktuar kështu financimin e borxhit me anë të borxhit, pra një rreth vicioz i rrezikshëm për të ardhmen ekonomike të vendeve.

Ideja e uljes së shpenzimeve publike në vendet si Shqipëria konsiston jo vetëm në uljen e borxhit publik, por edhe në uljen e shpërdorimeve dhe korrupsionit. Duke ulur borxhin publik, evitohet inflacioni, monedha qëndron e fortë në raport me monedhat e tjera dhe çmimet teorikisht nuk kanë shumë luhatje. Por, në të njëjtën kohë, reduktohen shpenzimet dhe monedha në qarkullim; duke shkaktuar rënie të kërkesës për të mira dhe shërbime e si rrjedhojë ulje të shitjeve, ulje të kërkesës dhe ulje të çmimeve, pra deflacion (ky fenomen u vërejt më së miri në Shqipëri në muajt e parë të 2016- s).

Tashmë, duke parë situatën ekonomike aktuale në të cilën ndodhemi sot, lind natyrshëm pyetja se çfarë duhet të bëjë një vend si Shqipëria: duhet të mbështesë ekonominë, duke u futur në borxh edhe më tepër, apo duhet të vazhdojë me politikat austerity, duke pasur si qëllim uljen e borxhit publik, dhe rritjen ekonomike ta kërkojë vetëm tek investitorët privatë apo akoma më keq, te PPP-të?

Për mendimin tim, asnjëra nga këto rrugë nuk është në gjendje të stimulojnë rritjen ekonomike dhe të “nxjerrë” ekonominë nga situata në të cilën gjendet.

Shqipëria, nëse do të dëshirojë vërtet zhvillim ekonomik të saj, duhet të lërë përfundimisht politikat shtrënguese, të cilat jo vetëm që nuk e ulin borxhin publik, por edhe dëmtojnë ndërmarrjet private.

Ajo duhet të aplikojë politika ekonomike rritjeje, të cilat mund të mbështeten nga ndihma financiare (e cila mund të shkojë për familjet dhe ndërmarrjet private).

Banka e Shqipërisë duhet të vazhdojë të mbajë norma interesi të ulëta, deri në momentin që inflacioni të kapë vlerën rreth 2.5% – 3%. Inflacioni në këto kushte është e vetmja zgjidhje për të “ngrënë” borxhin publik të brendshëm. Kurse borxhi i jashtëm mund të ulet falë rritjes së GDP-së.

Për të stimuluar rritjen ekonomike, nevojiten politika serioze, të cilat konsistojnë në kontrollin e shpenzimeve publike dhe në uljen e shpërdorimeve.

Nevojitet, po ashtu, hapja e vendeve të reja të punës, kjo gjë mund të realizohet duke mbështetur të gjitha ato investime private të brendshme apo të huaja që stimulojnë punësimin dhe prodhimin.

Por, mbi të gjitha, nevojiten investime publike inteligjente. Për sa u përket investimeve publike është folur së fundmi për planin 1 miliard euro, i cili konsiston në investimin e shumës së lartpërmendur në infrastrukturë me anë të formës koncesionare partneritet publik-privat. Investimet në infrastrukturë janë gjithmonë pozitive dhe të nevojshme për rritjen ekonomike të një vendi.

Megjithatë, duhet pasur parasysh që edhe pse kjo formë partneriteti në periudhën afatshkurtër nuk prek buxhetin qeveritar e si pasojë nuk shton deficitin buxhetor, duke mos rritur kështu borxhin publik prezent, në periudhën afatgjatë këto kosto paguhen përsëri nga konsumatori dhe nga qeveria.

Pra, në periudhën afatgjatë nuk ndryshon asgjë për sa i përket rritjes së borxhit dhe rritjes së shpenzimeve konsumatore. Për më tepër, deri diku në Shqipëri koha ka treguar se këto investime kanë shërbyer jo për rritjen ekonomike, po për rrënimin e financave publike.

Po ashtu, forma koncesionare PPP, edhe pse është shumë tërheqëse për politikëbërësit, nuk ka treguar deri tani ndonjë ndikim pozitiv dhe, mbi të gjitha, nuk është hartuar qoftë edhe një studim paraprak për të matur si vlerën e shtuar që ai i jep ekonomisë, po ashtu edhe kostot që ka për shtetin në të ardhmen.

Për më tepër, vende të Bashkimit Europian, si Greqia apo Spanja, që kanë përdorur këto forma partneriteti, sot po kalojnë kriza ekonomike dhe kanë probleme të rënda fiskale, ku sipas FMN-së shkaktar kanë qenë edhe këto forma partneritetesh. Nëse këto forma do të ishin eficiente, atëherë me siguri do t’i përdornin edhe vendet e zhvilluara, si ato nordike apo Gjermania, që kanë një administratë publike për t’u admiruar.

Këto vende s’do kishin arsye të vepronin krejtësisht kundër, duke i evituar këto forma bashkëpunimi apo duke i anuluar edhe ato të përdorura në të kaluarën. Për të përfunduar, mund të them se për ndërmarrjet shqiptare kredimarrja jo vetëm që është shumë e kushtueshme, por edhe shumë e vështirë. Vende të ndryshme, si Hungaria apo Anglia, kanë aplikuar me shumë sukses stimulimin e kredimarrjes për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Kjo gjë ndoshta do të ishte e nevojshme edhe për Shqipërinë. Duke shkuar edhe më tej, në mbështetjen me anë të financimit për disa ndërmarrje që prodhojnë për tregun vendas dhe ulin importin.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi