Lufta kundra parajsave fiskale: A është e humbur që pa filluar?

Nga Eric Verner, botuar në Le Monde*, 3 nëntor 2014

Eric-Vernier-docteur-en-financeEric Vernier, studjues dhe specialist për problemet e pastrimit të kapitaleve në Institutin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare Strategjike, Francë, me rastin e botimit të librit të tij të titulluar “Mashtrimi fiskal dhe parajsat fiskale” u përgjigjet disa pyetjeve rreth luftës kundra mashtrimit fiskal.

Ndërkohë që lufta kundra borxhit publik duket që tashmë është një prioritet për qeveritë, ato gjithnjë e më qartë po kuptojnë se lufta kundra mashtrimit fiskal i lejon të nxjerrin fitime që nuk mund t’i neglizhojnë. Nëpërmjet cilave kanale dhe cilët janë vëndet e origjinës (të ligjshme apo jo) të kapitaleve që ato strehojnë (parajsat e famshme fiskale)?

Përse mashtrimi fiskal është kaq i përgjithësuar dhe si shpjegohet vështirësia shumë e madhe për ta luftuar atë?

Siç e kam shtjelluar dhe në librin tim, ka shumë arsye shpjegojnë intensitetin e mashtrimit fiskal, i cili përfaqëson qindra-miliarda euro humbje të mirëfillta për shtetet në botë. E para dhe më e rëndësishmja, vjen nga kërkimi maksimal i rentabiltetit të ndërmarrjeve, kryesisht të shoqërive shumëkombëshe, të cilat nga eufemizmi i “optimizimit fiskal”, i shmangin ligjet apo i përdorin ato në mënyrë abuzive.

Problemi tjetër i përsëritur shtrohet më tepër në terma sociale se sa fiskale, është puna në të zezë, e cila lejon të ulet në mënyrë drastike kostoja e punës dhe përveç kësaj, të ofrojë një formë origjinale të fleksibilitetit të punës.

Punëtori klandestin shfrytëzohet pa mëshirë, pa orare fikse, as limit kohe pune, as dhe shpërblim nëse largohet nga puna.

Në fund, shpjegimi kryesor buron nga kriza ekonomike e cila i shtyn shtetet në kërkim të futjes së parave në arkë dhe të rrisin taksat dhe për rrjedhojë, të zhvillojnë në mënyrë të pavullnetshme tendencat për shmangie të atyre që vlerësojnë se paguajnë shumë.

Të luftosh këtë mashtrim është efektivisht komplekse dhe punë e vështirë, sepse makinacionet nganjëherë janë inteligjente dhe të zbulueshme me vështirësi. Pastaj duhet thënë se mashtrimi fiskal është kryesisht ndërkombëtar, shumat e shmangura me shpejtësi nxirren jashtë vendit nëpërmjet shoqërive fiktive dhe llogarive të vendosura në parajsa bankare. Dhe në fund, se mjetet e përdorura për ta luftuar atë janë të pamjaftueshme, ose më mirë, të keq-shfrytëzuara.

Përpjekjet në fakt janë përqëndruar në gjuetinë e mashtrimeve të vogla të punonjësve, se sa në mashtrimet e konsiderueshme të shoqërive shumëkombëshe. Mashtrime të tilla janë në fakt më të thjeshta për t’u identifikuar dhe është në mënyrë statistike më interesante për inspektorët fiskalë, sepse numri i rregullimeve të bëra do të jetë shumë më konseguent. Do të duhet pra që të mendojmë sërisht alokimin e mjeteve njerëzore.

Përse është kaq e vështirë të përcaktohet se çfarë është një parajë fiskale? Cilët janë shtetet kryesore përfituese të mashtrimit fiskal ?

Nuk është aq e vështirë të përcaktohet se çfarë është një parajsë fiskale. Kjo është më tepër një çështje vullneti dhe qëllimi. Shtetet, për arsye sidomos diplomatike, por gjithashtu për shkak të presioneve të lobeve financiare, kanë tendencë të përdorin përcaktime strikte që arrijnë në një listë shumë të kufizuar territoresh jo bashkëpunues.

OJQ-të që vëzhgojnë më afër praktikat lokale, lirohen nga qasjet normative duke propozuar një listë me rreth 60 parajsa fiskale në botë, nga të cilat mbi një dyzinë gjindet në Evropë. Nga kjo listë mund të citoj shtetin e Delaware, një nga 50 shtetet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që Joe Biden, zëvëndës president i SHBA-së, ka qenë senator gjatë 30 vjetëve. Pastaj do të citoja Ishujt e British Virgin, Ishujt Caïman, Ishujt Cook, Singaporin, Ishullin e Man-it, të Xhersejt, Lihteshtejnin, Zvicrën dhe Luksemburgun, megjithëse këto vende rregullisht premtojnë të ndihmojnë vendet e huaja për të ndjekur mashtruesit. Ne jemi ende në stadin e deklarimit, madje të qëllimit dhe ne duhet të presim që faktet të konfirmojnë premtimet.

Çfarë rregullore duhet të zbatojmë për të luftuar kundra mashtrimit fiskal?

Masa e parë dhe më urgjente që duhet vënë në vend, konsiston në ripërcaktimin e rregullores për çmimet e transfertave në gjirin e shoqërive shumëkombëshe. Këto mund të përcaktojnë si çmimet e transaksioneve midis shoqërive të të njëjtit grup, dhe rezident në shtete të ndryshme.

Në fakt, grupet si Google, Amazon, Starbucks, Microsoft, Apple dhe shumë të tjera mirren vesh për nxjerrë përfitime në parajsat fiskale dhe humbjet (nga faturimi) në vendet e tjera.

Shkëmbimi automatik i informacioneve për qëllime fiskale midis vendeve përbën masën e dytë kryesore. Ajo është duke u vënë në vend, por do të jetë efikase vetëm në se administratat kombëtare do të luajnë lojën, me një reciprocitet total. Kjo nuk ndodh për momentin dhe sidomos me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Do të duhet krahas kësaj të parashikohen dhe sanksione kundra vendeve që refuzojnë të bashkëpunojnë. Po kaq i rëndësishëm është dhe modernizimi i sistemit të ndjekjes dhe të kontrollit të flukseve (blerje-shitje, pagat etj).

Harmonizimi fiskal në Evropë do të mund të lejojë të shpejtohet ky proces. Mashtrimi me “TVSH të rrumbullakosur” – i cili konsiston në rimbursimin pa të drejtë të TVSH në transaksionet virtuale ndërmjet vendeve – i konsideruar si mashtrimi më i rëndësishëm në Evropë do të mund të eliminohet me shpejtësi duke ndryshuar rregullat që lidhen me TVSH ndërmjet vendeve.

Në vijim të krizës së vitit 2008, a vërehet sot një ndërgjegjësim nga elitat politike për rreziqet që paraqet mashtrimi fiskal?

Efektivisht ky është rezultati që është vënë re në vijim të krizës. Përballë defiçiteve të mëdha të shteteve, elitat politike kanë “zbuluar” virtutet e luftës kundra mashtrimit fiskal dhe pra luftës kundra pastrimit të mashtrimit fiskal. Franca, për shembull, çdo vit humbet 100 miliard euro për shkak të mashtrimit fiskal dhe social (kontributet shoqërore të pa deklaruara). Nëqoftëse kjo shumë do të rikuperohej, do të lejonte që të rregullohej një pjesë e mirë e sfidave ekonomike që sot i shtrohen Francës. Qëllimi nuk është që të mbrohet detyrimi me çdo kusht, por vetëm të luftohet kundër teprimeve dhe sjelljeve më të urryeshme. Nuk bëhet fjalë për të ndjekur zanatçiun e vogël apo rrogëtarin e thjeshtë, por shoqëritë shumëkombëshe pa skrupull, organizatat kriminale dhe drejtuesit politikë të politikave të çoroditura dhe të korruptuara. /Le Monde/

PERSHTATUR NE SHQIP NGA www.bota.al

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi