Anti-gjykata kushtetuese

Nga Lorenc Vangjeli, botuar në Revistën Java,

Në trekëndëshin mes tre institucioneve, Presidencë, Kuvend dhe Gjykatë Kushtetuese, është duke u luajtur larg syve të publikut, një nga komeditë më të jashtëzakonshme të antikushtetueshmërisë.  Eshtë absolutisht situata më groteske e imagjinueshme, e krijuar pak nga pak gati deri në pikën e moskthimit duke zhbalancuar institucionet, duke i nxjerrë ato nga fryma e kushtetutës dhe madje, edhe duke i bllokuar tërësisht. Duke nisur nga më “e thjeshta”: që prej dy javësh, praktikisht në vend mungon Gjykata Kushtetuese dhe duke vazhduar me faktin se në trupën e saj, ndodhen anëtarë që ju ka mbaruar mandati dhe kanë tagër të qëndrojnë në zyra apo në sallën e gjyqit po aq sa dhe shoferët e makinave të tyre zyrtare. Tensioni i krijuar për ankthin e shprehur se kjo shumicë kërkon të uzurpojë të gjitha institucionet, në rastin e Gjykatës Kushtetuese, është tërësisht i hapur, i qartë dhe pa asnjë paekuivok. Kjo shumicë pret emrin e Presidentit të ri që në në këtë mënyrë, të kontrollojë dhe emrat e anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese. Për ta bërë të qartë përmasën e skandalit, është njëlloj sikur të thuhet se nëse kjo maxhorancë, e dalë nga zgjedhjet e vitit 2009 dhe me mandat katër vjeçar, të vazhdojë të qeverisë vendin edhe së paku dy vjet të tjera mbas vitit 2013. Thjesht sepse nuk pranon të bëjë zgjedhje dhe i mban ato pezull.

Paligjshmëria totale

Kjo është një histori që ka filluar prej kohësh, por që tashmë, është në çastin e shpërthimit. Të plotë. Asgjesues. Tërësisht të trishtuar dhe gati-gati pa shpresë. Në thelb të saj qëndron konflikti politik që shumica qeverisëse ka krijuar me Presidentin e Republikës për çështjen e dekreteve për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese. “Gjykata Kushtetuese përbëhet nga nëntë anëtarë…”, thotë neni 125 i Kushtetutës. Që nga data 20 prill, ky nen i Kushtetutës është “shfuqizuar”: Petrit Plloçi, në detyrë që nga maji i vitit 2001, ka dhënë dorëheqjen e parevokueshme nga detyra duke e lënë trupën me vetëm tetë gjyqtarë, çka e skualifikon atë nga çdo mundësi praktike për të dhënë çfarëdolloj vendimi. Arsyeja e gjyqtarit Plloçi, në një veprim me ngarkesë të pashembullt ligjore dhe morale në kuptimin më pozitiv të fjalës, ishte fare e thjeshtë. I kishte mbaruar që prej datës 21 maj 2010 mandati i tij. Ndaj iku. Gjë që nuk e bënë dy nga kolegët e tij, tërësisht në të njëjtën situatë me të. Krizën e institucionit të tij, e njeh edhe vetë kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja, i cili i drejtohet në maj të këtij viti edhe Presidentit, edhe kryetares së Kuvendit: “Eshtë krijuar një vend vakant në Gjykatë. Lutemi ndiqni procedurat”, shkruhet në shkresën e tij. Deri këtu mund të shkonte duke kuptuar situatën e paligjshmërisë së institucionit të tij, pa qenë në gjendje të vejë më tej përballë murit të politikës. Sepse është pikërisht ajo që ka krijuar këtë krizë institucionale, absolutisht më seriozen që nga krijimi i kësaj gjykate. Gjyqtari Plloçi me aktin e tij vetëm sa e bëri të dukshme krizën, sepse ajo është tërësisht brenda institucionit që është edhe shkak, edhe pasojë e saj. Dhe ja sepse: Gjykata, në prill 2010 dhe në maj 2010, është deklaruar me vendim për mbarimin e mandatit të disa prej anëtarëve të saj, Sokol Sadushi, Xhezair Zaganjori, Admir Thanxa dhe Petrit Plloçi. Nga këta, vetëm Sadushi është larguar dhe së fundmi të njëjtën gjë e bëri me dorëheqje edhe Plloçi. Në fakt, përkundër këtij vendimi, Zaganjori, Thanxa e deri në 20 prill edhe Plloçi, vazhdonin të jepnin vendime në emër dhe në interpretim të kushtetutës.

Mosshqyrtimi i dekreteve presidenciale dhe moslargimi i gjykatësve me mandat të përfunduar, i bën atentat Kushtetutës në të paktën dy momente:

Së pari, është krijuar konflikt kompetence mes institucionit të Presidencës dhe Kuvendit, duke i marrë atij kompetencën e dekretimit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Sepse, as Presidenti dhe as Kuvendi, nuk mund të përcaktojnë kohën kur anëtarit të Gjykatës i përfundon mandati. Një gjë të tillë, e bën vetë Gjykata që e deklaron faktin me vendim, siç edhe e ka bërë.

Së dyti, falë veprimit të Kuvendit, është delegjitimuar vetë Gjykata Kushtetuese për shkak të qëndrimit në detyrë të dy anëtarëve, Zaganjori dhe Thanxa që ju ka përfunduar mandati i tyre.

 Përplasja me Presidentin

Një nga konfliktet e para të Presidentit të Republikës me shumicën qeverisëse, ka nisur për shkak të dekreteve të tij për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe asaj të Lartë. Thyerja e parë serioze, fraktura e këtyre marrëdhënieve që ka qenë dhe fillesa e situatës së sotme, ka qenë rrëzimi në bllok i pesë dekreteve të tij në vitin 2008. Pesë kandidatura juristësh të nivelit të lartë, mes tyre edhe një ish-gjykatës i Gjykatës së Strazburgut si Kristaq Traja u rrëzuan në një provë force mes numrave të votave dhe detyrimeve kushtetuese të institucionit të Presidentit. “Morri fund pakica bllokuese”, deklaroi atëherë kryeministri Berisha duke ju gëzuar një fitoreje, që në thelb ishte humbje e qartë dhe e pastër e ligjshmërisë në vend. E njëjta situatë si në Gjykatën e Lartë, u transplantua mendjelehtësisht edhe në atë Kushtetuese; dekretet e Presidentit nuk merrnin pëlqimin e Kuvendit. Së fundmi, që prej gati dy vjetësh, tre dekrete të Presidentit të Republikës kanë mbetur pezull në rrugën që ndan këtë institucion, me kryesinë e Kuvendit dhe sallën e tij plenare. Artan Hoxha, Edlira Kripa Jorgaqi, Ardian Leka e Fatmir Hoxha janë tre emra të cilët duhet të zëvendësonin mandatet e përfunduara të katër anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese që u mbaronte afati. Nga këta, vetëm Hoxha është votuar duke zëvendësuar Sokol Sadushin në detyrë. Tre dekretet e tjera, nuk kanë mundur të kalojnë komisionin e ligjeve. Arsyeja? Shumica qeverisëse atëherë e pati të qartë se me shumë gjasa, këto dekrete do të miratoheshin edhe përtej vullnetit të saj me votën e opozitës dhe atë të LSI-së. Ky do të ishte një nga ato raste, kur votat e partisë aleate të koalicionit, në shenjë force, rideklarimi ekuilibrash të rinj dhe qoftë në formë presioni ndaj maxhorancës apo bindjeje të pastër politike, do të shkonin në favor të dekreteve. Në këto kushte, maxhoranca shpiku pezullinë. Ajo i ktheu mbrapsht, në rrugë administrative dekretet në Presidencë duke rekomanduar mosshqyrtimin e tyre. Dhe kjo ishte gafa e parë dhe atentati i rradhës ndaj kushtetutës. Kuvendi ka vetëm një mjet për t’u shprehur ndaj dekreteve: t’i shqyrtojë dhe miratojë apo rrëzojë dekretet, por jo t’i kthejë mbrapsht. Fillimisht u tha se të dekretuarit nuk plotësojnë kriteret dhe më pas, truku i gjetur për të tejkaluar situatën absurde ishte tërësisht qesharak: ju kërkua vetë Gjykatës Kushtetuese të interpretojë kriteret e zgjedhjes së të dekretuarve, të cilat përcaktohen nga vetë Kushtetuta.

Patatja e nxehtë me këto tre emra në dekretet presidenciale, e ka bërë dy herë rrugën nga kryesia e Kuvendit në Presidencë, duke mos i lënë hapësirë tjetër Presidentit – aty ku mungon vullneti politik për zgjidhje ligjore mungon çdo zgjidhje tjetër – që t’i drejtohet edhe ai Gjykatës Kushtetutese. Më parë, mbas pezullimit të shqyrtimit të dekreteve të Presidentit, Topi i ishte drejtuar sërish Kuvendit në korrik 2011 duke kërkuar ndryshimin e situatës, me arsyetimin se ai pezullim vinte në kundërshtim “me dispozitat kushtetuese të emërimit dhe organizimit të përbërjes së Gjykatës Kushtetuese dhe se binte ndesh me një tjetër vendim të Gjykatës Kushtetuese të qershorit 2011”. Sërish në mënyrë administrative, Kryesia e Kuvendit përgjigjet: “Çështja e emërimit të tre anëtarëve të rinj trë Gjykatës Kushtetuese është një çështje e mbyllur deri në prill 2013”. Dhe ndodh e pabesueshmja. Këtë konflikt të Presidentit me Kuvendin, e zgjidh sipas mënyrës së vet, vetë Gjykata Kushtetuese, duke hedhur poshtë në mënyrë të hapur çfarë kishte vendosur vetë një vit më parë. “Gjykata kushtetuese në një vendimmarrje gjashtë me tre ka vendosur rrëzimin e kërkesës së Kreut të Shtetit… Ky vendim i Gjykatës është absolutisht në kundërshtim me vendimin që vetë Gjykata ka miratuar në qershor 2011, sipas të cilit çështja e ripërtëritjes të gjyqtarëve të ardhshëm kushtetues është në dorë të ligjvënësit kushtetues, përmes një ndërhyrjeje në Kushtetutë. Çfarë e bën akoma më të rëndë këtë vendimmarrje është se, mes gjashtë gjyqtarëve që votuan “pro” rrëzimit të kërkesës së Presidentit, duke bërë kështu shumicën, ishin edhe gjyqtarët Xhezair Zaganjori dhe Admir Thanza të cilëve, së bashku me gjyqtarin Plloçi (që doli në pakicë me mendim kundër) iu ka mbaruar mandati”, thotë Fatmir Xhafaj, sekretar për çështjet ligjore në PS. Tre vjet më parë, kur një tjetër çështje ndodhej në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtim, ligji për lustracionin, kryeministri Berisha në mënyrë të përsëritur shprehte paragjykimin e tij të fortë për vendimin, sa kohë që sipas tij, “…në Gjykatë kishte gjyqtarë që kishin konflikt interesi përballë ligjit të lustracionit”. Kësaj rradhe, në mënyrë të pakundërshtueshme, dy gjyqtarët Zaganjori dhe Thanxa, përtej çdo dyshimi, ishin në konflikt interesi në votën e tyre kundër Presidentit të Republikës. “Ishte pikërisht vota e këtyre individëve, pengje të punëdhënësit të tyre politik, që bëri të pamundur shqyrtimin nga Kuvendi të dekreteve të Presidentit që i zëvendëson ata me gjyqtarë të tjerë. Në këtë mënyrë ata i dhanë vetvetes mundësinë për të vazhduar të ushtrojnë tej çdo limiti kohor mandatin e gjyqtarit kushtetues, ndërkohë që ai ju ka përfunduar që përpara dy vjetësh”, thotë Xhafaj.

 Si ndreqet paligjshmëria

Shanset për ndreqjen e saj, të paktën në afat të shkurtër, juridikisht janë zero. E vetmja mënyrë – ndryshimi i Kushtetutës – me konfiguracionin e sotëm, por dhe të nesërm të Kuvendit, është një sipërmarrje e dyshimtë në suksesin e saj. Në fakt, kjo rrugë, tashmë është dhe detyrim kushtetues, nëse do të respektohej një vendim i hershëm i vetë Gjykatës Kushtetuese. “Vendimet e Gjykatës Kushtetuese kanë fuqi detyruese të përgjithshme dhe janë përfundimtare…”, thotë neni 132 i Kushtetutës. Nëse do të ishte kështu, siç do të duhej të ishte, tashmë duhet të kishte nisur prej kohësh një inisiativë për ndryshimin e Kushtetutës në këtë pikë. Sepse në qershor 2011, Gjykata ka kërkuar nga Kuvendi, as më shumë dhe as më pak, por ndryshimin e Kushtetutës. “…është në kompetencën e ligjvënësit kushtetues të gjejë dhe të zbatojë mekanizmin e përshtatshëm për të respektuar parimin kushtetues së përtëritjes së Gjykatës Kushtetuese çdo tre vjet, në një të tretën e saj”, thuhet në atë vendim. A është i mundur zbatimi i tij që do të thotë, krijimi i një shumice prej dy të tretash të deputetëve? Eshtë jashtëzakonisht e vështirë, për të mos thënë e pamundur sot, por dhe në rast të një shumice tjetër qeverisëse. Ka vetëm një vrimë gjilpëre ku mund të detyrohet të kalojë gamilja politike shqiptare: vullnet politik i përbashkët për t’i dhënë fund kësaj gjendjeje qesharake, tërësisht skandaloze e antikushtetuese në Gjykatën që duhet të ishte gardiane e Kushtetutës. Dhe që ka mbetur peng i interesave të maxhorancës dhe interesave të disa prej anëtarëve të saj. Që janë thjesht të paligjshëm aty ku janë.

    Repository


    Dokumente të politikave publike dhe reformave të shtetit
    English

    Thënie për Shtetin

    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi
    • Detyra e shteteve të mëdha është të shërbejnë dhe jo të dominojnë botën.
      - Harry S. Truman
    • Paul Valery
      - Nëse Shteti është i fortë, ai na shtyp. Nëse ai është i dobët, na zhduk.
    • Kur je jashtë vendit, je burrë shteti; kur je në atdhe, je vetëm një politikan.
      - Harold MacMillan