Kultura gjyqёsore nё kёndvёshtrimin e Reformёs nё Drejtёsi

Nga Prof. Aurelia Anastasi, botuar në Java News, 30 Nëntor 2021

Disa kolegë më propozuan të jap mendime në lidhje me kuptimin e “kulturës gjyqësore”, si një koncept që ka marrë vëmendje të veçantë në studimet e viteve të fundit në Evropë. Unë pranova me kënaqësi, pasi mendoj se fillimi i një diskutimi për “kulturën gjyqësore” ka rëndësi për publikun dhe për zbatimin e Reformës në Drejtësi. Kultura gjyqësore lidhet ngushtë me pavarësinë e gjykatës si dhe me luftimin e korrupsionit në radhët e saj, të cilat ushtrojnë ndikimin më të madh në besimin e publikut ndaj institucioneve të drejtësisë. Duke pasur parasysh faktin se, besimi ndaj drejtësisë lëkundet edhe pse jo të gjitha palët mbeten të kënaqura gjatë ushtrimit të drejtësisë, mendoj se publiku ka nevojë të mësojë më shumë për kulturën gjyqësore. Shtrojmë pyetjen: përse duhet të flasim pikërisht tani për kulturë gjyqësore, kur janë miratuar gjerësisht ligje të reja që detyrojnë sjelljet e gjyqtarit? Madje, disa kolegë “ankohen” se ka një superprodhim të ligjeve dhe rregullave që erdhën nga reforma në drejtësi. Unë mendoj se ky diskutim duhet të ndërmerret edhe pse kemi plotësuar një kuadër ligjor shumë të gjerë për mënyrën se si duhet të sillen gjyqtarët. Ka mjaft raste kur kultura dominon tej rregullave formale. Kjo tendencë vërtetohet jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vendet e tjera të botës. Gjithashtu, kemi nevojë të diskutojmë për “kulturën gjyqësore evropiane”, për të cilën po flitet gjithmonë e më tepër në saje të reformave gjyqësore që janë ndërmarrë në mjaft vende, anëtare ose jo, të Bashkimit Evropian. Sidoqoftë, ky është një diskutim shumë i gjerë dhe ne do të ndalemi modestish në disa aspekte që na ndihmojnë për ta kuptuar më mirë “kulturën gjyqësore” në kuadrin e zbatimit të reformës në drejtësi.

Në radhë të parë, “kultura gjyqësore” është një koncept teorik. Analiza dhe përgjithësimi i përmbajtjes së saj janë një kontribut i katedrave universitare për zhvillimin e drejtësisë. Përkufizimi i John Bell na ndihmon të kuptojmë vetëm thelbin, pasi ajo është një koncept i gjerë. Sipas tij, “kultura gjyqësore” përfshin “karakteristika që formojnë mënyrën në të cilën punohet dhe vlerësohet puna e një gjyqtari brenda sistemeve të veçanta juridike”. Kontributi më i madh që teoricienët mund t’i japin zhvillimit të kulturës gjyqësore është pikërisht shkëmbimi i përvojave më të mira kulturore në lidhje me këto karakteristika, në mënyrë që të formohet një kulturë gjyqësore e mirë. Ashtu sikurse kultura juridike në përgjithësi, edhe ajo gjyqësore, përballet me elementet antikulturorë. Kështu, shpjegohet fakti që edhe pse reforma në drejtësi ishte e aftë të ngrinte të gjithë opinionin publik kundër korrupsionit në gjyqësor, raste të korrupsionit në radhët e tij janë identifikuar gjatë viteve më intensive të zbatimit të saj, pikërisht kur mjaft gjyqtarë e prokurorë po shkarkohen nga detyra. Kjo do të thotë që entuziazmi publik nuk mjafton, jo vetëm sepse nuk është formuar ende një kulturë kundër korrupsionit në drejtësi, por edhe pse elementët antikulturorë të saj janë shumë rezistentë.

Një nga synimet më të rëndësishme të reformës në drejtësi është krijimi i gjykatave të pavarura, veçanërisht pavarësimi i tyre nga politika. Kjo e fundit ka ushtruar ndikim të paligjshëm ndaj gjyqësorit, deri në shkallën sa ka krijuar dominimin e saj mbi të dhe mosndëshkimin e funksionarëve të lartë të politikës. Aktualisht, mjaft dispozita të detyrueshme që synojnë shkëputjen e ndikimit politik nga gjyqësori janë parashikuar në Kushtetutë dhe veçanërisht në ligjet për organizimin e gjyqësorit dhe statusin e gjyqtarëve. Por, zbatimi me sukses i tyre nuk varet vetëm nga sanksionimi formal, por edhe nga kultura gjyqësore. Le ta ilustrojmë këtë me një shembull. P.sh., në ligjin “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”, është parashikuar shprehimisht përgjegjësia disiplinore për gjyqtarët nëse nuk njoftojnë Kryetarin e Gjykatës ose organet kompetente për ndërhyrjet apo ushtrimin e formave të tjera të ndikimit të papërshtatshëm nga funksionarët politikë. Por, respektimi i kësaj dispozite iniciohet tërësisht nga vetë gjyqtari, i cili duhet të raportojë këto ndërhyrje. Nëse vështrojmë traditën e gjyqësorit shqiptar në këto 30 vjet, vërejmë se nuk është në kulturën gjyqësore një sjellje e tillë. Deri më sot ne nuk kemi dëgjuar ndonjë rast kur gjyqtari të ketë denoncuar apo thjesht raportuar zyrtarisht ndërhyrjen e papërshtatshme të ardhur nga ndonjë funksionar i politikës, apo nga ndonjë zyrtar i lartë i vendit. Kështu, mund të gjykojmë edhe për mjaft dispozita të tjera të parashikuara në ligjet organike. P.sh., gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese mban përgjegjësi disiplinore në rastin kur ndërhyn dhe ushtron ndikim të papërshtatshëm në ushtrimin e detyrës ndaj kolegut të tij, pra ndaj një gjyqtari tjetër. Deri më sot, nuk kemi regjistruar ndonjë rast raportimi apo denoncimi të tillë. Në këto kushte ne pranojmë faktin se vendosja e këtyre dispozitave në ligj nuk është rrjedhojë e nevojës praktike, pasi pikërisht, praktika të tilla nuk kanë ekzistuar fare në kulturën tonë gjyqësore. Megjithatë, ato janë mekanizma të rëndësishëm për të garantuar pavarësinë dhe paanësinë e gjyqtarit e të gjykatës. Prandaj, ne presim që nga zbatimi i detyrueshëm i këtyre dispozitave të krijohet edhe një kulturë e re gjyqësore, ajo e denoncimit të ndërhyrjeve të politikës ndaj gjyqtarëve ose denoncimit të ndërhyrjeve të paligjshme nga kolegët gjyqtarë. Sa më shumë të thellohemi në këto çështje, aq më shumë e kuptojmë se mekanizmat kushtetues dhe ligjorë janë shumë të rëndësishëm për të garantuar pavarësinë dhe paanësinë e gjykatës. Kjo është thënë qartë edhe në opinionet e Komisionit të Venecias në lidhje me reformën në drejtësi, si dhe në vendimin e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në çështjen “Xhoxhaj versus Shqipërisë”.

Ndryshimet Kushtetuese dhe ligjet e hartuara për reformën në drejtësi kanë vendosur shumësi mekanizmash që synojnë një gjyqësor të pavarur e të pakorruptuar. Porse zbatimi i tyre në praktikë varet nga disa faktorë, midis të cilëve spikat kultura gjyqësore. Kështu p.sh., edhe pse reforma në drejtësi gjeti formula që kufizonin vullnetin e organeve politike për emërimin e gjyqtarëve, nuk shkëputi tërësisht pjesëmarrjen e organeve të politikës në emërimin e tyre. Kjo nuk do të thotë pakushtetutshmëri. Përkundrazi, në mjaft vende demokratike organet politike marrin pjesë në emërimin e gjyqtarëve, duke balancuar pushtetet. Por ajo që dua të shtroj unë këtu është nevoja për krijimin e një kulture të re të raporteve midis gjyqtarëve dhe organeve që i kanë emëruar. Kështu, përpos të tjerave, e ashtuquajtura “kulturë e mosmirënjohjes” ka tërhequr vëmendjen e kolegëve. Kur flas për mosmirënjohje ndaj organit politik që ka përzgjedhur dhe emëruar gjyqtarin në detyrë, kam parasysh mbizotërimin e qëndrimit profesional të gjyqtarit dhe distancimin e tij kur organet që e kanë emëruar ndërhyjnë për zgjidhjen e çështjeve gjyqësore ose kur ata vetë bëhen palë të gjykimit. P.sh., vendimi i Kuvendit për shkarkimin nga detyra të Presidentit të Republikës pret të gjykohet nga Gjykata Kushtetuese. Shqetësimi i ngritur në këtë rast lidhet me faktin se aktualisht, të gjithë gjyqtarët e emëruar rishtazi në Gjykatën Kushtetuese janë emëruar nga Presidenti i Republikës dhe Kuvendi; të dyja këto janë subjekte të këtij gjykimi kushtetues. Por gjyqtarët nuk mund të përdorin metoda të gjykimit dhe të arsyetimit favorizues ose të mbajnë qëndrime që shprehin mirënjohjen e tyre ndaj organeve që i kanë emëruar. Kjo kulturë përbën çështje të respektimit të parimit të gjykimit të paanshëm, i cili është detyrim ligjor.

Në përfundim, dua të theksoj edhe njëherë se unë e shoh zbatimin e reformës në drejtësi si një proces të dyanshëm në raport me kulturën gjyqësore. Teorikisht, një kulturë gjyqësore e zhvilluar mund ta shpejtonte zbatimin e reformës, por ngadalësia e kësaj të fundit tregon se kjo kulturë ose nuk ekziston fare, ose nuk është e vetëmjaftueshme. Atëherë të shpresojmë për të anasjelltën. Presim që zbatimi i mekanizmave të sanksionuara nga kjo reformë të konsolidojë kulturën gjyqësore shqiptare, duke e rithemeluar atë mbi baza të shëndosha në kuadrin e një kulture të re gjyqësore evropiane, që mendohet se është duke u krijuar në saje të reformave në gjyqësor. (Nëntor 2021)

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi